Preç Zogaj, 18.04.2010
Teknikët thonë të vërtetën. Politikanët e rrumbullakosin, pa e fshehur atë. Ky zakon i pashkruar i kancelarive europiane në marrëdhëniet me jashtë provohet qartë edhe në komunikimin intensiv të këtyre muajve të fundit midis Brukselit dhe Shqipërisë. Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, zoti Pier Mirel, për shembull, është gjithnjë më i drejtpërdrejtë dhe më eksplicit se ministri i tij, Komisioneri për Zgjerimin, zoti Stefan Fule. Në thelb, ata shprehin të njëjtin qëndrim dhe nuk mund të ndodhë ndryshe.
Por, si në një ndarje të nënkuptuar apo edhe të konsultuar rolesh, drejtori e plotëson dhe e zhvillon ministrin e tij. E kemi konstatuar këtë në prag te seancës së dështuar parlamentare të l8 marsit, kur do të diskutohej projektligji i PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Zoti Mirel erdhi në Tiranë dy- tre ditë para shefit të tij për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje. Duke kuptuar se shkaku i ngërçit në kushtet e reja të pjesëmarrjes së PS-së në Kuvend ishte intrasigjenca e qeverisë, ai adresoi kërkesa të drejtpërdrejta për zyrtarët e shumicës.
Në një takim që nisi me dyert të hapura dhe vazhdoi me dyer të mbyllura, ai madje kërkoi të njihej me nenin e kushtetutës që ndalonte hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Nuk ishte një kërkesë, sa kohë që një nen i tillë nuk ekziston e s’mund të ekzistojë në kushtetutën e një vendi demokratik. Ishte një replikë kuptimplote me përfaqësuesit e qeverisë. Ç’vend europian qenkeni ju kur nuk e lejoni opozitën të shohë kutitë e votimit? Në fakt, seanca e shansit të humbur të 18 marsit u paralajmërua si e tillë në injorimin paraprak të drejtorit për zgjerimin, që ishte njëkohësisht edhe kasneci i Komisionerit për Zgjerimin. Në këto kushte, KE-së i mbeti t’i kthente reston qeverisë shqiptare, duke ia quajtur të pavlefshme “zgjidhjen” tallëse për të hetuar vetveten.
Në një formë të ngjashme, historia u përsërit kësaj jave në Bruksel, gjatë vizitës së kryeministrit Berisha për të dorëzuar Pyetësorin. Komisioneri për Zgjerimin, Fule, u pa kryesisht në solemnitetin e aktit. Puna e Shqipërisë për integrimin në BE është njëkohësisht edhe puna e tij për zgjerimin e BE-së. Ndërkohë, drejtori për zgjerimin, zoti Mirel, u paraqit në orën e përpiktë në portalin e komunikimit me mediat për të vënë disa pika mbi “i”.
Sipas tij, pika kyçe rreth së cilës Komisioni Europian do të përgatisë opinionin për Shqipërinë është kriteri politik. Urraa! brohoritën zëdhënësit dhe puthadorët e qeverisë, duke e konsideruar kriterin politik diçka të ngjashme me shkopinjtë në rrota nga ana e opozitës! “Kriteri politik paraqet demokracinë, mënyrën e funksionimit të institucioneve, rregullat e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve”, replikoi dhe sqaroi zoti Mirel, besoj me të njëjtën bezdi që përjetojmë edhe në këtë çast, duke cituar këtu gjëra kaq të njohura, por që nevoja e dikujt për t’i dëgjuar e stërdëgjuar të detyron t’i përsërisësh e stërpërsërisësh.
Sqarimet didaktike të drejtorit për zgjerimin kanë për qëllim të vënë në dukje dallimin që ekziston midis kriterit politik që duhet të përmbushë Shqipëria për tu kualifikuar si vend kandidat për në BE dhe ngërçit politik aktual që po kalon vendi. Kriteri politik është një nocion shumë i gjerë, ndërkohë që ngërçi politik është një dukuri e periudhës. Vendi mund të bjerë në ngërç apo në krizë edhe kur të jetë bërë anëtar me të drejta të plota në BE. Por vendi nuk mund të pranohet në BE nëse demokracia nuk është e vërtetë dhe funksionale.
Ja pse kriteri politik dhe kriza politike, ndërsa kanë pika takimi, nuk janë e njëjta gjë, nuk mund të njësohen. Aty ku ngatërrimi i tyre nuk është i qëllimtë shohim kryesisht të paditur, injorantë. Ndërsa aty ku ngatërrimi është i qëllimshëm shohim një përpjekje spekulative dhe populiste për t’i faturuar opozitës vonesat dhe dështimet në procesin e integrimit. Qeveria ka bërë e bën çmos për të ngulur në publik idenë se është sjellja e opozitës që ka krijuar krizën dhe jo e kundërta, se është kriza që i ka krijuar problemet dhe jo e kundërta, se po të mos kërkonte opozita hetimin e zgjedhjeve, do të ishim më mirë me vizat, me imazhin, me integrimin!
Po të ishte kështu e vërteta, do na duhej të mbanim shënim si një çudi fuqinë e madhe që paska opozita shqiptare për të bërë diellin dhe shiun në çështjet e integrimit! Pas kësaj, e para gjë që do të na shkonte ndërmend do të ishte pyetja se përse qeveria nuk e përdor me zgjuarsi fuqinë e opozitës se saj? Në fakt e dinë të gjithë profesionistët se ngërçi politik i muajve të fundit ka ridimensionuar imazhin dhe vlerësimin ndërkombëtar për institucionet demokratike të Shqipërisë, kurse agjenda e liberalizimit të vizave dhe e integrimit në përgjithësi po ndjek rrugën e vet të pavarur nga kriza. E kemi humbur para zgjedhjeve të 28 qershorit trenin e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për vizat. Çështja është të mos humbim këtë vit trenin tonë.
Por le ta shtrojmë pyetjen pa parti pris, ashtu siç dëgjova ta shtronte një qytetar në një radio. A do të ishim vërtetë më mirë pa ngërçin politik shumicë-opozitë? Sipas mendimit tim, kjo pyetje, siç bëhet për integrimin, mund të bëhet edhe për çështje me konkrete e më të prekshme për qytetarët, siç janë çmimet, punësimi, rrogat, zhvillimi e te tjera.
Nuk ka dyshim se çmimet, papunësia dhe stanjacioni do të ishin këto që janë edhe po të kishim një opozitë që i jep kurajë qeverisë. Për analogji, çështjet e integrimit, megjithëse të pamatshme në krahasim me treguesit e zhvillimit në vend, do të ishin këtu ku janë. Sepse “kriteri politik paraqet demokracinë, mënyrën e funksionimit të institucioneve, rregullat e shtetit ligjor…”, thotë abetarja e Europës së Bashkuar.
Për çështjet e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor, drejtësisë, mediave e të tjera Shqipëria është monitoruar e monitorohet nga BE sipas një programi të caktuar. Progres raporti i fundit ishte më kritik se herë të tjera. Me pak fjalë, me lëvizjen e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, opozita thjesht vendosi të mos hidhte vellon e harresës mbi çfarë ndodhi në ato zgjedhje dhe të kontribuonte për zgjedhje të standardeve perëndimore në të ardhmen.
Opozita hapi një front të ri të impenjimit të klasës politike dhe opinionit publik qytetar. Kriza nuk lindi dhe s’mund të lindte nga lëvizja për transparencë, por nga refuzimi i qeverisë dhe paaftësia e institucioneve të tjera për ta trajtuar. Në sprovën e kërkesës për hetimin e zgjedhjeve, kriza zbuloi dobësinë e demokracisë shqiptare, e cila dha për gjithë Europën dhe SHBA-në shfaqjen e “pamundësisë ligjore” për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Kjo ishte me keq se vetë refuzimi kokëfortë për të mos hapur kutitë.
Ishte demaskimi distancës së madhe midis një demokracie liberale normale dhe Shqipërisë së sotme politike. Si në një shpagim të epërm, kriza që u provokua nga mungesa e transparencës për zgjedhjet, shërbeu dhe po shërben vetvetiu për të bërë skanerin apo transparencën e demokracisë shqiptare. Kjo s’mund të mos jetë një gjë e mirë. Vijmë edhe njëherë te një përcaktim i ish-presidentit francez, Zhak Shirak, për anën pozitive që kanë krizat, të cilat vinë për t’i dhënë fund një përkeqësimi apo degradimi duke i kthyer zhvillimet në rrugën e mbarë.
Sot në rendin e ditës në Shqipëri është zgjidhja e ngërçit politik me një formulë të baraspeshuar. Por nuk duhet të kemi iluzione. Ashtu si kriza nuk është shkaku i vonesave dhe stanjacionit aktual, edhe zgjidhja e krizës nuk do të jetë një deux ex macina për situatën ku ndeshemi. Por është një shenjë, një rifillim, pa të cilin nuk ka vazhdim.