Një mashtrues në Bruksel

0
32

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 18.04.2010

Kryeministri Sali Berisha bëri tentativën e dytë të trokitjes në dyert e bllokut të 25 vendeve anëtare të BE-së. Një vit pasi ia ngeci në dorë, zarfin e aplikimit për anëtarësimin në BE, ish-kryeministrit çek, Topolanek, ndërsa Shqipëria ishte zhytur kokë e këmbë në fushatën elektorale, i njëjti zyrtar i lartë nga Shqipëria la në duart e eurokomisionerit për zgjerimin, Shtefan Fyle, përgjigjet e pyetësorit të dhënë nga Komisioni Europian katër muaj më parë.

Është për t’u lavdëruar vrulli dhe gatishmëria e shefit të qeverisë shqiptare që personalisht të jetë në krye të çdo hapi të Shqipërisë në iniciativat euroatlantike dhe ai me shumë dëshirë dhe ego e ka kryer këtë më së miri, duke marrë përsipër edhe meritat, por jo rrisqet.

Në duart e z. Fyle dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së janë përgjigjet e 2283 pyetjeve, nga të cilat do të varet edhe vendimi i Komisionit Europian për të klasifikuar apo jo Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Një ditë para fluturimit për në Bruksel, duke prezantuar dosjen me 3854 faqe, z. Berisha shprehu besimin në objektivitetin e zyrtarëve të Komisionit Europian për vlerësimin e reformave të Shqipërisë, duke shprehur besimin se qeveria e tij do të marrë vlerësimin objektiv dhe të merituar.

Kur e dorëzoi pyetësorin më 16 dhjetor 2009, shefi i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, Brukseli kishte dhënë një mesazh të qartë: “Qeveria shqiptare është e ftuar t’u japë përgjigje çështjeve esenciale në mënyrë të qartë dhe transparente”. Pra, “nxënësi” (qeveria shqiptare) nuk duhej të bënte hile dhe për ta ndihmuar edhe për më tej, Komisioni Europian shprehej se mbetej i gatshëm që t’i japë qeverisë çdo shpjegim për paqartësitë që mund të ketë për pyetje të caktuara. Prej dhjetorit të kaluar nuk dihet një rast i vetëm që qeveria e z. Berisha të ketë kërkuar sqarime apo ndërhyrje te burokratët e Brukselit dhe kushti i vetëm ka qenë mbyllja e dosjes sa më shpejt të ishte e mundur.

Pa hyrë në detajet e imëta që lidhen me pyetjet e Europës për mjedisin, mbrojtjen e konsumatorit etj., etj., pjesa më e rëndësishme e pyetësorit ishte politika dhe drejtuesit e Brukselit kanë dashur të zezën mbi të bardhë se në çfarë niveli është demokracia në vend, cili është roli i institucioneve, sa respektohen të drejtat e njeriut, çfarë ka bërë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, sa respektohet kushtetuta e vendit, sa është përfaqësuar vullneti i popullit në parlament, cili është programi i qeverisë, sa garantohet pavarësia e gjyqësorit në vend, cilat janë masat e marra në luftën antikorrupsion, apo sa mbrohen dhe respektohen të drejtat e njeriut, si dhe të drejtat civile e politike.

Për çdo shqiptar është e qartë se çfarë përgjigjesh ka dhënë qeveria e z. Berisha. Për pesë vite, ai ka zbatuar parimin “bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë”, duke i thënë të zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë, siç ka dëshiruar prej shtatorit 2005, në rolin e kryeministrit.

Sepse demokracia në vend është në nivelin më të ulët, ose krahasuar me atë mesit të viteve ’90-të, ku sërish në pushtet ishte presidenti Sali Berisha, përballë një opozite të dhunuar dhe me kryetarin të linçuar; se qeveria për pesë vite është munduar të zhbëjë ritmet e kënaqshme të marrëdhënieve të Ekzekutivit me institucionet e pavarura kushtetuese, duke kërkuar vënien në kontroll të këtyre institucioneve; se të drejtat e njeriut shkelen me këmbë fillimisht nga kryeministri i vendit dhe nën shembullin e tij kështu bëjnë të gjithë zyrtarët e çdo rangu, duke ia lënë zgjidhjen vetëm ryshfetit dhe parimit “fiton më i forti”; se qeveria shqiptare është avokatja e krimit dhe korrupsionit shtetëror dhe se mjafton fakti që në kabinetin e z. Berisha janë të paktën dy ministra që sot duhet të ishin mbrapa hekurave të burgut me akuza për vrasje masive abuzime skandaloze me paratë e taksapaguesve dhe donatorëve; se ka pasur me dhjetëra tentativa antikushtetuese të nisura nga qeveria, shumica e saj parlamentare dhe janë të paktën 20 vendime të gjykatës Kushtetuese, që i kanë thënë ndal revanshit antikushtetues të qeverisë së z. Berisha; se për të dytën legjislaturë rresht, si në 2005 edhe në 2009, populli nuk është përfaqësuar në Kuvend, se vota e tij u deformua me procese të turpshme për një vend aspirant për në BE, se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 ishin një njollë turpi që nuk mund të hiqet me komisione qesharake parlamentare, ku hetimet i kryen ai që vjedh; se programi i qeverisë shqiptare është asocial dhe antipopullor dhe bazohet në rritjen e skemës së tatimit dhe të taksimit për të mbledhur sa më shumë të ardhura, apo në shtrenjtimin e çmimeve për shërbimet jetike, jo për rritur investimet publike në sektorët më jetikë, por për investimet elektorale dhe të lidhura me interesat klienteliste të një grushti njerëzish në pushtet; se qeveria shqiptare vazhdon të mbajë lart flamurin e antikorrupsionit, por është zhytur keqazi në llumin e parave të pista, duke nxirë raportet e huaja, por dhe ato të agjencive vendase, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në Bruksel, tre ditë më parë duhej të ishte një ditë e madhe për Shqipërinë dhe për çdo politikan që përfaqëson atë në ëndrrën drejt BE-së. Por, nuk ka asnjë arsye të gëzohemi. Shqipëria, është sërish e turpëruar në dyert e BE-së, me një kryeministër që shkon atje me 3854 faqe mashtrimesh për Shqipërinë që nuk është.