Dështimi i AK-së dhe djegia e një shansi politik

0
41

Nga Mentor Kikia

Që në krye të këtyre radhëve dua të them se kam qenë një kritik i hershëm i mënyrës se si Kreshnik Spahiu po shndërronte në parti politike një lëvizje, bazuar mbi një ideologji të paqartë, mbi një amalgamë ku shkrihej patriotizmi, nacionalizmi ekstrem, mllefosja, urrejtja, ksenofobia etj.

Sot vazhdoj të jem po aq kritik, por jo sepse ai nuk pranoi të futet në rreshtin e Edi Ramës, siç bëjnë shumë syresh kolegë, që e heroizuan Kreshnikun më herët dhe e gjuajnë me baltë sot, pasi vendosi të dalë në zgjedhje i vetëm. Vendimi i tij për të mos iu bashkuar koalicionit në opozitë është një zgjedhje krejtësisht e tija (dhe siç po del, vetëm e tija dhe jo e partisë) dhe nuk e kuptoj tërë këtë histeri që shpërtheu kundër tij për shkak të këtij vendimi.

Unë nuk kam besuar asnjëherë që AK, ashtu siç mori rrugën e formësimit, do të bëhej një faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare. Pasi, më shumë se parti, me program, bosht ideologjik dhe bazë shoqërore, ajo ngjasonte me një grupim tifozësh, nga ku huazoi edhe emrin në fakt, ngjasonte me një turmë njerëzish, ca të vetëdijshëm e ca jo, të cilët u bashkuan duke tundur në eufori një simbol, flamurin tonë kombëtar. Por e tundën kaq shumë sa e shpërdoruan, e zhvlerësuan, e privatizuan, duke e shndërruar flamurin kombëtar në flamur partiak. Dhe ky është një dëm i madh që Kreshniku i ka bërë këtij simboli, paçka se para tij përbetoj e përlotej si Isa Boletini në skenat e filmave të vjetër.

Ashtu siç rrodhën ngjarjet dhe ashtu siç treguan disa drejtues (pak si shumë për një parti të re) që u larguan në mënyrë demonstrative, AK nuk ka arritur dot të bëhet një parti. Ani, nuk është ndonjë humbje e madhe, një parti më pak në këtë vend, ku krijimi i partive është biznes më vete. Por problemi nuk është se dështoi Kreshnik Spahiu dhe AK-ja e tij, por sepse ai dogji një shans, jo vetëm të tijin, por tonin, një shans për politikën dhe shoqërinë në tërësi.

Ka shumë njerëz në këtë vend që ishin dhe janë në kërkim të një alternative të re, që nuk preferojnë as PD-në, as PS-në, ose thënë më qartë, as Berishën e as Ramën. Por pyetja është: Kë të zgjedhin? Kujt t’ia japin votën? Dhe këta ose bojkotojnë, ose zgjedhin të keqen më të vogël, e cila në fund të mandatit bëhet sërish e keqja më e madhe. Realisht, mjedisi publik, shoqëria jonë kishin dhe kanë nevojë për një alternativë të tretë. Ka mes njerëzve një frymë refuzimi të lidershipit aktual politik dhe ka etje për një frymë të re (jo FRD), një lidership të ri. Një frymë si ajo që në Itali çoi në parlament një turmë njerëzish, shumica gdhë, të cilët nuk dinë ç’ta bëjnë tashmë mandatin e deputetit.

Nevoja për këtë alternativë të re dhe nevoja për një dozë nacionalizmi në jetën e një populli, që më në fund po merr frymë lirisht, në një rajon ku historikisht e kanë grabitur, bënë që fryma nacionaliste që i dha Kreshniku lëvizjes së tij të shndërrohej në trend. Ata që e njihnin Kreshnikun nuk e besuan, por shumë të rinj i shkuan pas. Në këtë vend, ku një brezi të dhunuar në komunizëm i vinte rëndë të thoshte “e dua Shqipërinë”, doli një brez që e shndërroi në himn shprehjen “o sa mirë me qenë shqiptar”. Por kishte dhe ndër ata njerëz me mend që thanë: Le të jetë si të jetë, por të paktën doli dikush që ngre zërin kundër fqinjëve, pasi jemi mësuar vetëm me politikanë servilë të Athinës.

Por Kreshniku dalldisi, ndoshta nga euforia apo mungesa e përvojës në politikë. E përdori aq shumë flamurin kombëtar sa e beri rreckë, e zhvlerësoi, ia nxori bojën. E përdori aq shumë çështjen kombëtare sa e bëri bajate dhe qesharake, ndërsa vetë filloi të bënte karagjozllëqe, si ajo kur shkoi në Ksamil dhe shikonte Korfuzin me dylbi, me demek po ruante vatanin. Apo kur shkoi në Morinë për të bashkuar me forcë Shqipërinë me Kosovën. Por kur kartën e tij filloi ta luante edhe Berisha dhe kur Brukseli e Uashingtoni thanë ‘Stop’, Kreshniku e zbuti dozën e nacionalizmit dhe ashpërsoi atë të antiberishizmit. E banalizoi aq shumë gjuhën sa u bë qesharak dhe pa pikën e arsyes. E si mund t’i besosh një politikani që thotë: Të bëjmë marrëveshje, që pas zgjedhjeve do të arrestojmë Sali Berishën e ta dënojmë me burgim të përjetshëm për tradhti dhe korrupsion. Po kush je ti more Kreshnik, kur ti e di që si shtetasin Berisha, ashtu edhe shtetasin Kreshnik, e arreston, e akuzon dhe e dënon drejtësia dhe jo kryeministri. Pra, Kreshniku filloi të flasë lart e poshtë pa ditur ç’po thotë e akoma më keq, pa ditur çdo të bëjë, sepse ishte i bindur asgjë nga ato që thoshte nuk mund të bëhen, edhe sikur t’ia japësh pushtetin sot.

Në fakt, AK nuk prezantoi ndonjë program, por vetëm një fjalim demagogjik të Kreshnikut. Psh, një fshatar do të dijë se çfarë do të bëjë për fermerët, një mësues do të dijë çdo të bëjë për shkollën etj. Por Kreshniku kishte vetëm tri pika në “program”: Do të fusim Berishën në burg, do të përzëmë grekët nga Shqipëria dhe do të bashkojmë Shqipërinë me Kosovën. Kreshniku nuk e bëri dot kauzë atë frymë që u demonstrua furishëm, nuk e bëri dot parti atë grup njerëzish që e mbështetën dhe që nuk ishin pak. Ai nuk i tërhoqi dot ata që shpresonin dhe ata që prisnin “shansin e tretë”.

Nuk diti, nuk deshi, nuk u këshillua mirë, nuk mundi ta bëjë… ? Kjo nuk ka asnjë rëndësi tani, rëndësi ka që ai e dogji shansin për lindjen e një fryme të re, jo vetëm në moshë, por në mentalitet. Dhe këto konstatime dëshpëruese nuk po i bëj sepse Kreshniku nuk u bashkua me Ramën, por sepse nga rrëfimet e atyre që kanë qenë në stafin drejtues të AK-së konfirmova atë që kisha shkruar disa herë, se AK nuk ka qenë parti e mirëfilltë.

AK i kishte shanset për t’u bërë alternativa e tretë. Por me ato që dimë e ato që po mësojmë se si e ka formësuar Kreshniku partinë, kjo ka vdekur pa lindur ende dhe PS harxhon kohë kot duke joshur drejtuesit lokalë, aty ku ka, për ta dëmtuar AK-në.