Më mirë tangat jashtë, se arsimimin brenda

0
38

Rubrika “MADE IN ALBANIA”

Nga Alban Sejdini

Prej disa vitesh qarkullon një histori, e vërtetë ose barsaletë, e një artisti shqiptar, i cili bëri një udhëtim jashtë shtetit gjatë viteve të komunizmit dhe pasi u kthye, i tha shokëve plot trishtim: “Vetëm tani e kuptova, se paskemi qenë martuar me burra!” E atillë ishte koha në diktaturë; gruaja duhej të ishte e barabartë me burrin në çdo aktivitet të jetës njëlloj si në mozaikun e Muzeut Kombëtar. Ajo duhej të përveshte mëngët në ara, fabrika e komitete partie pa lënë as familjen pas dore, duke mos pasur thuajse fare kohë për veten dhe kujdesin femëror.

Burrat e kanë më të lehtë të konstatojnë ndryshimin, se atëherë ishin kockë e lëkurë, e sot janë faqevarur e barkmëdhenj. Krejt ndryshe ndihet çdo grua, që qesh, vihet në siklet ose përpiqet të mos qajë sot, kur shikon veten, motrat apo shoqet në foto apo video të realizuara para njëzet apo më shumë vitesh. Fatmirësisht, demokracia solli përveç korrupsionit e trafiqeve, edhe depilimin, kremrat, vajrat, parfumet, thonjtë fals, ikstenshënin, ngërdheshjen ose fryrjen e buzëve, pushup-set, takat e larta, getat si rrjetë peshkimi, minifundet dhe tangat, që Zoti i bekoftë.

Pra, të paktën në këto aspekte, Shqipëria i tejkalon kriteret për anëtarësim në BE, sepse në çdo rrugë, shkollë, universitet, zyrë apo korridor institucioni shikon femra të reja të veshura me ose pa shije, me pak tualet ose të stukuara e lyera si pallati me shigjeta. E shumica e tyre kanë të përbashkët të njëjtën filozofi të ambicies shoqërore e profesionale: veshur me super të ngushta, ose mbathur me super të shkurtra. Në vend që të formohen nga brenda, për t’i orientuar drejt mendjes e botës shpirtërore shijet e shumicës së meshkujve, plot shqiptare të reja kujdesen vetëm për të jashtmen, duke i orientuar vetëm drejt epsheve të gjitha kategoritë e meshkujve: fëmijë e adoleshentë, të punësuar apo të “Partizanit të Panjohur”, mësues e profesorë, shoferë e roje, shefa institucionesh e pronarë kompanish. Sikur qeveria të shpallte tender për të ndryshuar mozaikun e muzeut, të paktën e dimë që gruas do t’i nxirrnin në pah një intimo ngjyrë blu.

Ndryshe nga vajzat e gratë në vendet e industrializuara, që bëjnë tualet e vishen deri diku sexy vetëm në disko e klube nate kryesisht fundjavave, femrat shqiptare në Tiranë e në ndonjë qendër tjetër disi urbane bëjnë tualet e veshin minifund edhe kur dalin për të hedhur plehrat apo për të blerë kos ditën e hënë në mëngjes. Gjimnazet dhe sidomos universitetet janë pasarelat më të përshtatshme për shumicën e vajzave, për të matur potencialin e tyre sensual në bazë të tipit të makinave që ndalojnë apo të “të hëngsha …”-ve që tërheqin. Edhe Tarzani dora vetë do të bëhej me turp nga asi qeniesh të gjinisë së tij, të cilët ndalojnë makinën në mes të trafikut për shumë gjoks e pak fundshpinë, e që me kaq eksklamojnë se “shqiptaret janë femrat më të bukura në botë”.

E megjithatë, një femër, e cila kujdeset vetëm për pamjen e jashtme dhe jo atë të brendshme, mjafton t’i ketë në rritje si ekonomia shqiptare këto statistika, në mënyrë që të zilepsë shoqet dhe të mos futë dorën në xhep për kafe, cigare dhe pije energjike. Për sa kohë, që ka mjete e stile për të mbajtur lart ato pjesë të trupit, të cilat me moshën marrin teposhtë, është e garantuar tërheqja e vëmendjes nga të paktën ata mashkullorë që nuk dinë ose nuk duan të flasin mbi korrupsionin, deficitin buxhetor, dhunën në familje, injorancën në administratë apo varfërinë në qytete e fshatra.

Të bllokuara në një mjedis shoqëror me mbizotërim burrërist, që vlerëson vetëm pamjen e jashtme dhe jo formimin e brendshëm, normalisht që shumë ish-maturante ose studente do ta mbajnë veten me të madhe. Duket që tek mënyra se si ecin brenda turmës nëpër trotuaret e ngushta: ecin me hundëpërpjetësi dhe presin, që t’u hapësh rrugën me devijime trupore si tek filmi “Matrix”. Asnjë prej këtyre shqiptareve nuk mendon, se po t’u vijë përballë dikush që nuk devijon nga rruga e tij, mund të përplasen keq e të rrokullisen poshtë shkallëve tek dyqanet e “Shallvareve”.

Shpesh bëhen edhe një tufë hundëpërpjetash në grup, që bllokojnë gjithë trotuarin me ngadalësinë e ecjes së tyre të gjitha në rresht të parë, duke qenë se thjesht po shtyjnë kohën jashtë pa shkuar diku me saktësi. Ka edhe nga ato shqiptare, të cilat parakalojnë veshur ngushtësisht ose shkurtësisht me hap gjoja shpërfillës në rrugën e automjeteve, për të tërhequr hungërimat xhungleske të Tarzanëve albanezë e allvanos me ikspesa e rejnxha.

Interesante paraqitet situata edhe në administratën publike, ku duket se punonjëset paguhen vetëm për të bërë paradë me celular e portofol në njërën dorë, teksa dalin për të pirë kafe në lokale buzi gjatë paraditeve me diell, për të dorëzuar ndonjë shkresë apo për të takuar eprorët meshkuj. Brenda korridoreve dhe zyrave të institucioneve shtetërore garohet për modelet e reja të dekolteve, si dhe nivelet e reja të shkurtësisë së fundeve e gjatësisë së çarjeve të fundeve.

Simboli i kësaj kategorie janë një klan zëdhënësesh shtypi e sekretaresh të drejtorëve, deputetëve, zv.ministrave e ministrave. Shpejtësia e ngritjes në karrierë apo udhëtime jashtë shtetit e këtij klani është shndërruar tashmë në shembull edhe për një shumicë punonjësesh apo kandidatesh potenciale për punonjëse. Shyqyr që në administratë nuk është e nevojshme për të riparuar pamjen e brendshme, se nuk janë shpikur ende metoda meremetuese aq të shpejta si ato që e shndërrojnë nga punonjëse pularie para vitit ‘90 në juriste administrate në vitin 2011.

Shumë vajza e gra shqiptare kanë të drejtën e tyre të mendojnë, që sa më jashtë t’i nxjerrin tangat majë motorrit, duke ngritur dosje nëpër zyra apo duke u ulur në bare e restorante, aq më pa djersë do ta shijojnë jetën. Prandaj, ato ngulen më shumë para pasqyrës se përpara librave, sepse parapëlqejnë të durojnë edhe erën e djersës së Tarzanëve të shtetit apo rrugës, në vend që të djersijnë vetë mbi libra për të marrë një formim, që dikur do t’u garantonte pavarësinë ekonomike e shoqërore. Nuk është e pamundur të mirëmbahen njëkohësisht edhe pamja e brendshme, edhe ajo e jashtme. Një bukuroshe vërtet e arsimuar është më e zonja se qengji i mirë, që pi dy nëna. Lum si ato gra e vajza, që e kanë kuptuar këtë gjë, kudo në botë!