Si demokrat për kutinë e Ruzhdies

1
56

Besnik Mustafaj, 15.04.2010

Të shumtë janë në Shqipëri sot, ata që do të dëshironin me mendje dhe me shpirt ta shihnin të zhbërë “famën” e Ruzhdies, kësaj komune të zakonshme në qarkun e Fierit, deri dje krejtësisht e panjohur për opinionin publik kombëtar. Por nuk zhbëhet e nuk zhbëhet dot historia, siç dihet. Në detyrën e njerëzve të kthjellët mbetet vetëm të bëjnë të mundshmen: të ndajnë veten nga e keqja, me qëllim që kjo e keqe të kyçet njëherë e mirë në të shkuarën, për të mos e molepsur të sotmen. Zakonisht ky quhet lexim i vëmendshëm i përvojës.

Thënë shqip, kutia e votimit në Ruzhdie u ndy. Të paktën unë për veten time si demokrat ndjej ta kem marrë gjithsesi një stërpikë të molepsur nga ajo kuti këllirë. Mendja më thotë se ashtu si unë e kanë pak siklet edhe demokratët e tjerë anembanë vendit. Një stërpikë e tillë më njollos në krenarinë time si demokrat. Pa synuar aspak të këshilloj njërin apo tjetrin si të veprojë në këtë rast, pra, me modestinë më të sinqertë, unë po ndjek urdhrin e ndërgjegjes time dhe po shpall me zë të lartë se nuk kam më asnjë lloj lidhje politike me ata komisionerë që kanë përfaqësuar flamurin demokrat në atë qendër votimi. Dhe jo vetëm kaq.

Unë i akuzoj ata publikisht si njerëz të cilët, me qëllim, më 28 qershor 2009, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me idealin, me moralin dhe me interesat e vërteta politike të ditës dhe perspektivës të Partisë Demokratike, duke i shkaktuar një dëm me pasoja të ndjeshme misionit të lartë, që kjo parti ka marrë përsipër afro njëzet vjet më parë para kombit, për të ndërtuar në Shqipëri një demokraci të vërtetë, një demokraci funksionale, themeli i të cilës janë medoemos zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam matur shumë para se ta ngre zërin.

Kam folur gjerë e gjatë edhe me shumë miq demokratë, të cilët, ashtu si unë, e përjetojnë me trishtim këtë episod. Ngurrimi im dhe i miqve të mi demokratë kishte arsyet e veta, ndër të cilat më kryesorja lidhej me kontekstin e përgjithshëm të jetës politike të vendit, ku vihet re qartë rreshtimi i opozitës dhe maxhorancës parlamentare, secila palë në llogoren e vet. Në një klimë të tillë tensioni, përpjekja e natyrshme për të analizuar veten si qytetar politik rrezikon të ngjajë si mbështetje për kundërshtarin.

Të paktën kjo është skema më e përhapur e të gjykuarit ndër ne. Njëri ndër miqtë, për të ma konkretizuar merakun e vet dashamirës, më solli shembullin e Ben Blushit, të cilin Edi Rama e akuzoi se po bënte punën e Saliut. Por Edi Rama nuk është modeli im politik, mik i dashur!

Megjithatë, në fjalë të fundit, unë vendosa t’i shkoj urdhrit të ndërgjegjes time deri në fund, i bindur se zvetënimi i një pushteti fillon gjithmonë kur njerëzit e mandatuar për ta ushtruar këtë pushtet në emër të aspiratave të shoqërisë, humbin aftësinë për ta parë një copë herë në ditë veten me vështrim qortues. Ky është një ligj i hekurt në sistemet demokratike. Identifikimi i së keqes vetëm te kundërshtari është rëndom një përpjekje e politikanëve pa guxim të madh, të cilët kanë nevojë ta shohim në mënyrë të thjeshtëzuar problematikën e kohës.

Një motivim i tillë ushqen pashmangshëm euforinë. Ama, në një shoqëri të lirë, siç është e lirë edhe shoqëria jonë pa asnjë dyshim, euforia mund t’ua zërë sytë pushtetarëve e t’i ndihmojë ata të bëjnë për pak kohë gjumë të qetë, por nuk ia zë dot sytë opinionit publik, i cili i ka tashmë në zotërim mjetet e ndëshkimit.
Për të mos u larguar nga “rasti Ruzhdie”, do pranuar se ai është një episod, i cili gjithsesi në vetvete nuk jep shkas të mjaftueshëm për të bërë përgjithësime mbi cilësinë e votimeve të fundit në Shqipëri.

Por aty është një simptomë, që nuk lejon të shpërfillet. Më së pari ne demokratëve nuk na lejohet të qetësohemi pse ajo qendër votimi, në hartën elektorale të vendit, është e futur tashmë në një rreth të kuq për t’u veçuar mirë nga të gjitha qendrat të tjerat. Fatmirësisht, falë vendimit të gjykatës, fletët e asaj kutie nuk janë marrë parasysh në numrin e përgjithshëm të votave për qarkun e Fierit, që do të thotë se mbrapshtia e atyre palo komisionarëve, nuk ka pasur kurrfarë ndikimi mbi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Miqtë e mi, deputetë demokratë të këtij qarku, e kanë krejt të pastër mandatin dhe ta gëzojnë!

Por ky fakt nuk e bën hiç më të lehtë fajin e faqezinjve në Ruzhdie. Është po ashtu krejt e vërtetë se komisionerët socialistë atje braktisën detyrën ditën për diell, duke thyer nga ana e vet në mënyrë flagrante ligjin dhe unë shpresoj se drejtësia do t’u japë një dënim shembullor. Por as ky fakt nuk e bën aspak më të lehtë fajin e “komisionerëve të mi”. Ai që vjedh një shtëpi të mbetur pa çelës, nuk është më pak keqbërës as përpara ligjit e as përpara Zotit se një tjetër që shqyen bravën e derës për të vjedhur. Kështu ka qenë gjithmonë e kështu do të jetë edhe kësaj here.

Jam i zemëruar, e pranoj, por jam edhe shumë i dëshpëruar. Sepse dikush tjetër duhej ta kishte bërë tashmë edhe në emrin tim këtë që po bëj unë sot. Dhe ky është kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetar i Qeverisë. Kam pritur gjithë këto javë pas publikimit të dosjes së prokurorisë për çështjen, që zoti Berisha t’i degdiste në kuptimin e plotë të kësaj fjale faqezinjtë e treguar me gisht, të emëruar si komisionerë me firmën e tij, për të siguruar njësoj mbarëvajtjen e votimit për të gjithë banorët e Ruzhdies mbi moshën 18 vjeç. Berishës, dhe para së gjithash Berishës, i takonte t’i prishej gjaku.

Dhe të luante vendit e të përplaste grushtin sapo e mori vesh meselenë, madje pa pritur që puna të shkonte në prokurori. I takonte atij të shkundej për të ruajtur nderin e vet si i pari i demokratëve, sepse, do s’do ai, stërpika më e madhe e asaj këllire i ka rënë atij mbi këmishën e bardhë. Por i takonte të vepronte edhe në emër të afro 90 mijë shqiptarëve, zonja dhe zotërinj fisnikë e me sedër të madhe, të cilët kanë zgjedhur me vullnet të lirë e plot krenari t’ia përkushtojnë energjitë e tyre politike Shqipërisë, nëpërmjet Partisë Demokratike.

Berisha është kryetari ynë, i zgjedhur nga ne për të mbikëqyrur në krye të herës zbatimin e kodit, mbi themelin e të cilit ngrihet ajo që, edhe në fjalorin zakonisht të ftohtë të shkencave politike, siç edhe në të folurën e përditshme midis miqsh, quhet familje politike, çka nënkupton se të gjithë ne, që e përbëjmë në këtë rast familjen politike demokrate, besojmë se kemi të përbashkët jo vetëm programin, por edhe një qasje të caktuar morale ndaj parimeve. Apo jo Doktor?

Unë do të isha ndjerë i lehtësuar në ndërgjegje dhe besoj se shumë e shumë demokratë si unë do të ishin ndjerë po kaq të lehtësuar sikur të kishim parë që edhe zyrtarisht partia jonë, jo vetëm nuk i nxit e nuk i mbron maskarallëqe të tilla, por edhe kur ndodhin pa dëshirën e saj, i flak jashtë derës së vet autorët e tyre si bartës të një sëmundjeje të rrezikshme për krejt familjen tonë politike.

Ky do të duhej të ishte operacioni, për të cilin të na njoftonte gjithë gëzim para kamerave televizive Doktori ynë dhe jo operacioni i suksesshëm i këmbës së tij apo operacionet e dështuara plastike të Edi Ramës. Për sa na përket ne demokratëve të paktën, ne jemi fare të sigurt për shëndetin e mirë të kryetarit tonë, dhe i urojmë që ky shëndet ta mbajë, siç jemi fare të qartë edhe për tekat açik të kryetarit të socialistëve. Sado argëtuese mund të ngjajnë për një çast njoftime të tilla, unë prapë i lutem me zemër në dorë Doktorit të mos na e lodhë kokën me to.

Për sa më përket mua, unë e kam të vështirë ta besoj se ky aspekt i problemit i ka shpëtuar vëmendjes së Doktorit. Unë mbajta shënim me kujdes kur ai tha në Kuvend, më 18 mars: “Nuk ka gjë më të rëndë se sa të shndërrojmë këtë seancë në një gjyq publik, për ata 20 mijë burra e gra socialistë dhe të tjerë, të cilët përmbushën me ndërgjegje të lartë shoqërore, me përgjegjësi të lartë ligjore detyrën e tyre…”. Ishte një vërejtje me vend.

Por ata tre-katër burracakë të qendrës së votimit në Ruzhdie, pikërisht duke mos u gjykuar politikisht nga ai vetë, lënë shteg për një hije dyshimi poshtërues mbi mijëra komisionerët demokratë, të cilët gjithashtu përmbushën me ndërgjegje të lartë shoqërore, me përgjegjësi të lartë ligjore, detyrën e tyre më 28 qershor 2009. Ata nuk kanë mundësi secili veç e veç të tregojnë para të gjithë shqiptarëve sa të pastra i kanë duart. Ata kanë shkuar nëpër qendrat e votimit sepse i kanë besuar Sali Berishës, kanë dhënë kohën dhe nervat e tyre, me vetëdije të plotë se po i shërbenin vendit. Dinjiteti i tyre meriton të mbrohet.
besnik@afalc.org

1 COMMENT

  1. Duke qene i nevrikosur, nuk e ke humbur etiken e fjales dhe te punes tende. Je DEMOKRAT me gjithe kuptimin e fjales, por ata qe te lexojne duan te dine me shume.
    Deshperimi eshte e vetmja semundje pa sherim. Nje filozof, Kirkegaard, e quan semundja e vdekjes.
    A duhet valle te jemi te gjithe ne kete gjendje?

Comments are closed.