Ben Blushi: Si duhet të jetë e majta

0
35

TemA, 19 Mars 2012

Kjo është një analizë e gjatë që anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka botuar në të përditshmen Panorama në lidhje me mënyrën se si duhet të jetë e majta.

1.A duhet e majta

Këtë javë më pyeti dikush: “A duhet të ketë Shqipëria një parti të majtë? Si partitë që shohim në Perëndim. Në Francë, në Itali, në Britani, në SHBA.”

Sigurisht që po. Shqipëria po globalizohet me shpejtësi dhe, nëse sot tregut tonë nuk i mungon Nokia, nuk i mungon Mercedes, nuk i mungojnë orët zvicerane apo teknologjitë e avancuara të kërkimit të mineraleve, nuk mund t’i mungojnë as partitë. Edhe partitë janë produkt i tregut. Por ndryshe nga mallrat e tjera, ato nuk importohen si sasi, por si cilësi. Partitë nuk importohen si mall, por si model. Ato lindin për shkak të nevojës që ka tregu për të ndryshuar. Partitë e djathta për shkak të nevojës së tregut për t’u zmadhuar. Të majtat për shkak të nevojës për t’u mbrojtur.

Por tregu është shfarosës, nëse nuk frenohet. Në të vërtetë është vetëvrasës. Është shumë i verbër dhe pak i trashë. Tregu nuk kupton se, duke varfëruar të varfrit, varfëron dhe veten. Sepse nuk blen ai që nuk ka. Në këto raste, nevoja e shoqërisë për t’u mbrojtur nga grykësia e tregut të vet, kthehet në urgjencë. Në ngut. Shoqëritë e prapambetura shkojnë në luftëra të brendshme, që quhen edhe revolucione, nëse përmbysin regjime.

Ndërsa shoqëritë moderne nuk shkojnë në luftë të brendshme, sepse lufta e ka koston më të lartë se zgjedhjet. Shoqëritë moderne votojnë. Nëse rreziku i tregut është i madh, votojnë me pak djathtas. Nëse papunësia është e lartë, votojnë majtas. Nëse pasuria është grumbulluar vetëm në disa duar, votojnë vetëm majtas. E majta në këto kushte ka vetëm një detyrë: të ndalojë tregun, të shkojë në vetëvrasje. Si në SHBA. Apo më keq. Të vrasë shoqërinë. Dhe, në këto raste, e majta nuk mjafton. Si në Greqi.

Ka shumë që mendojnë se Shqipëria është shumë e vogël, për të pranuar ideologjitë e mëdha që lindin në Perëndim. Thënë ndryshe, nuk e fut dot një elefant në një shishe. Historikisht kjo është e gabuar. Asnjë doktrinë apo sistem politik, shtetëror, ekonomik apo fetar nuk ka ikur pa lënë një gjurmë në Shqipëri. Pa përjashtim. Roma, Greqia e Lashtë, Bizanti, Osmanizmi, Krishterimi, Islamizmi, Mesjeta, Feudalizmi, Monarkia, Fashizmi, Komunizmi, Kapitalizmi. Edhe e majta, edhe e djathta. Sado që dikush do thoshte se të krahasosh të majtat dhe të djathtat tona me ato që shohim në Perëndim, është njëlloj si të krahasosh një pemë me një kërpudhë.

E megjithatë, partitë shqiptare po bëhen çdo ditë e me shumë të majta dhe të djathta. Kjo për dy arsye: e para për shkak të globalizimit politik. Pra, ajo që ndodh në Perëndim, nuk mund të mos ketë ndikim këtu. Të gjitha fetë, perandoritë dhe ideologjitë politike kanë ardhur nga jashtë. Demokracia ashtu. Kapitalizmi po ashtu. Nevoja për ta humanizuar kapitalizmin, po ashtu. E dyta, për shkak të trysnisë së tregut dhe shoqërisë shqiptare. Ato kanë nevojë të rregullohen duke shtyrë njëra-tjetrën. Për këtë arsye përsosin mjetet e tyre. Që janë partitë.

Por çështja është ku ndryshon e majta me të djathtën dhe si ta kuptojnë njerëzit këtë ndryshim.

Mjafton të shohim Greqinë. Masat që po merren në Greqi, janë pasojë direkte e një bindjeje, sipas së cilës çmimin duhet ta paguajnë nga pak të gjithë ata që kanë pak. Në këtë mënyrë paguajnë më pak të gjithë ata që kanë më shumë. Me një hartë tjetër politike në Europë, kriza greke do ishte zgjidhur ndryshe. Ndoshta më ngadalë, por pa faliment dhe pa dorëzim sovraniteti. Nevoja për monopolizim çon gjithnjë në faliment. Asnjë shtet apo kompani nuk kthehet dot në monopol, nëse dikush nuk falimenton. Kjo po ndodh me disa shtete në Europë. Po nxisin falimentimin e shteteve të tjera. Në historinë e demokracive, e djathta nuk ka qenë kurrë më agresive. Dhe më e sinqertë. Nuk fsheh më atë që do.

Dominim në emër të tregut. Nëse Europa do ishte dominuar nga e majta, ndoshta do vuante nga sindroma të tjera, sigurisht, por jo nga monopolet e një apo disa shteteve. E majta i bën më pak koncesione tregut, e takson më pak punën dhe shumë më tepër kapitalin. Në fund fare nuk bën luftëra për të gjetur tregje. Eksporton demokraci me kosto më të ulët dhe me fitime më afatgjata. Në përgjithësi bota është më e qetë, ndonëse duket pak më e varfër. Ndryshimi që ajo ka nga e djathta, mbi të gjitha është marrëdhënia që krijon me tregun, me kapitalin dhe me punën. Çfarë i merr dhe çfarë u lë atyre?

Në Shqipëri, tregu është kaotik. Është i rrëmujshëm. Por pothuajse gjithçka sot po bëhet private. Edhe vetë shteti. Si perceptim. Sepse, nëse njerëzit besojnë se u është rrezikuar e drejta për të zgjedhur, shteti u duket si ndërmarrje private, ku votuesit janë punëtorët e saj. Dhe kur shtetet imitojnë kompanitë, shoqëria zhvendoset. Si rregull majtas. Dhe meqë Shqipëria është e gjitha treg, madje është më shumë treg se shoqëri, ajo ka nevojë më të ngutshme për një të majtë. Nëse tregu vazhdon të jetë i pakontrolluar, atëherë të gjitha raportet që ruajnë ekuilibrin e një shoqërie, do të përmbysen keq dhe kostot për t’i rikthyer do të jenë shumë më të larta. Në këtë rast e kam fjalën për raportet që mbajnë shoqërinë në këmbë: fshat-qytet, të rinj-të vjetër, vendës-emigrantë, të varfër-të pasur etj.

Që kjo të kuptohet, duhet imagjinuar për një vend ku nuk ka fshat dhe të gjithë jetojnë në qytet. Një vend, ku të rinjtë nuk punojnë dhe jetojnë me pensionet e prindërve. Një vend që ka më shumë emigrantë, pra më shumë njerëz jashtë kufijve sesa brenda. Një vend ku më pak se 10 për qind kanë 90 për qind të gjithë pasurive, përfshi mineralet, tokën, shërbimet, bankat dhe pronat. Teorikisht kjo ndodh. Praktikisht ne nuk jemi shumë larg kësaj dite. Ne kemi më shumë emigracion se çdo vend tjetër në Europë. Pothuajse 30 për qind e popullsisë dhe mbi 60 për qind e fuqisë së aftë për punë. Më shumë se gjysma e popullsisë së fshatit ka ardhur në qytet. Burimet natyrore, naftë, minerale, ujë, pyje, janë privatizuar apo nxjerrë nga administrimi publik. Detyrimi i shoqërisë për të vjetrit, për pensionet, është rritur dhe një njeri duhet të punojë më shumë se dje, për të paguar pensionin e prindërve të vet. Të rinjtë nuk punojnë, të vjetrit bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë.

Shumica e shërbimeve janë privatizuar. Pronat shtetërore, gjithashtu. Shteti merr më pak taksa nga shitja në treg, e mallrave që ka shitur. Numri i shqiptarëve, që duhet të paguajnë taksa, është ulur. Buxheti po varfërohet, sepse për shkak të papunësisë dhe emigracionit ka më pak taksapagues fizikë. Dhe, mungesa e të ardhurave në buxhet është shkak i borxhit. Vetëm me borxh mund të paguhet fatura sociale e shoqërisë. Ata që lindin, kanë të gjithë një borxh poshtë jastëkut. A është demokratike të marrësh borxh? Është. A është e drejtë të trashëgosh borxhin? Jo. Por edhe më e padrejtë është të punosh vetëm për të paguar borxhin. Si në Greqi. Kjo nuk do të thotë se e majta nuk merr borxhe. Do të thotë se ka mundësi t’i paguajë më shpejt. Duke rritur taksat. Edhe kjo është demokratike. Për më tepër është edhe e drejtë.

2. A jemi të majtë

Nuk e di nëse e majta është përgjigjja finale për zbutjen e këtyre shifrave, por pa dyshim që pyetja është: “Si ka mundësi që e majta nuk fiton më këtë kontekst ekonomik dhe shoqëror?” Kjo nuk është një pyetje, që më bëhet vetëm mua. Por përgjigjja më e lehtë dhe më trishtuese që shumë njerëz i japin kësaj pyetjeje, është se nuk ka të majtë.

Por për fat, askush nuk më pyet më prej disa kohësh. Kjo do të thotë se shumica janë bindur se ne jemi të majtë. Janë të bindur se të jesh socialist, je edhe i majtë. Kjo është mirë për ne, por jo për ata. Por, po të më pyesnin, do të thosha jo. Nuk jemi ende të majtë. Ne dukemi të majtë, për shkak se Sali Berisha pretendon se është i djathtë. Dhe, duke qenë kundër tij, perceptohemi si të majtë. Por meqë Sali Berisha nuk është i djathtë, as ne nuk jemi të majtë. Por edhe kjo nuk është arsye. E majta nuk ekziston vetëm për shkak të së djathtës. Edhe nëse ajo nuk ekziston fare, nevoja e njerëzimit për më shumë barazi nuk mund dhe nuk do të shuhet. Nevoja për barazi mes njerëzve, burrave dhe grave, të varfërve dhe të pasurve, të fortëve dhe të dobëtëve, shteteve të mëdha dhe të vogla, ka bërë historinë njerëzore. Historia e njeriut është nevoja e tij për më shumë të drejta.

Kjo shpjegon zhdukjen e skllavërisë, rënien e monarkive, rrëzimin e diktaturave, përsosjen e ligjeve, rendin e gjykatave, globalizimin, eksportet ideologjike etj. Dikush thotë se nevoja për pasuri e ka shtyrë njeriun përpara. Natyrisht. Por krahasimi duhet bërë mes stuhisë dhe erës. Njëra të shtyn shumë por të mbyt, tjetra shtyn më ngadalë por të nxjerr në breg. Historia e provon. Nevoja për pasuri do i kishte mbajtur në këmbë perandoritë, monarkitë dhe diktaturat, sepse pasuria është piramidale dhe gjithnjë përfundon tek një grup, një familje apo një njeri. Kjo nuk ka ndodhur. Sepse pasuria e disave shkakton më shumë dhunë dhe skamje sesa shpërndarja e saj. Edhe vetë demokracia është produkt i barazisë. Është nevoja e të varfërve për të marrë vendime. Pasuria e përqendruar do ta kishte lënë njerëzimin pa demokraci, siç edhe ka ndodhur. Sepse të pasurit nuk duan t’i delegojnë vendimet.

Ata mendojnë se i kanë blerë ato. Në të kundërt, nevoja për barazi e ka shtyrë njerëzimin përpara më shumë se çdo nevojë tjetër. Kjo është fitorja më e madhe e njeriut. Dhe, nëse rënia e perandorive është fitore e shumë kombeve mbi një komb, rënia e monarkive është fitore e të varfërve mbi të pasurit, rënia e diktaturave është fitore e të dobëtëve mbi të fortët, rënia e të djathtave është fitore e të barabartëve mbi të pabarabartët. Të paktën si iluzion. Por si një iluzion i bukur. Pa pasuri jeton, por pa iluzione nuk jeton dot. Kjo nuk do të thotë se e majta është vetëm një iluzion. Por, dhe në qoftë e tillë, prandaj vlen. E majta ka frymëzuar shumë nga fitoret e drejtësisë mbi padrejtësinë, megjithëse shpesh i ka vonuar apo bllokuar. Sepse nevoja për barazi, nëse nuk bëhet me drejtësi, kthehet në mjerim dhe dhunë. Siç ka ndodhur. Edhe tek ne. Prandaj kanë të drejtë të gjithë ata që kanë ende frikë nga e majta. Nga ne. Nëse jemi të majtë. Por meqë ende nuk jemi, nuk ka arsye të kenë frikë.

Por që të vijmë në Shqipëri.

Në vitin 2009, ne i humbëm zgjedhjet. Shumë thanë se shkaqet ishin në kuti. Unë thashë se ka shkaqe edhe jashtë kutisë. Njëri prej tyre ishte mungesa e identitetit tonë. Thënë ndryshe, donim të kalonim kufirin e zgjedhjeve pa pasaportë. Çfarë ishim ne në vitin 2009? As të majtë, as të djathtë. As me pasurinë, as me varfërinë. As me tregun, as me shoqërinë. As me punën, as me kapitalin. As me të fortët, as me të dobëtit. As me fshatin, as me qytetin. As me të rinjtë, as me pleqtë. Në përgjithësi nuk mundëm të dallonim veten nga partitë me të cilat konkurronim. Natyrisht që edhe votat tona nuk do dallonin nga ato të të tjerëve. Prandaj nuk kam asnjë drojë ta them se nuk kemi qenë të majtë. Në bindje. Dhe në dukje, me sa duket.

Sot ka shumë arsye që e majta të shkojë majtas. Ja njëra. Ndoshta më e thjeshta.

Votuesit e saj tradicionalë janë pakësuar. Ata që votonin kundër të djathtës se ishin komunistë, se ishin partizanë, se ishin marksistë apo se ishin internacionalistë, sot nuk janë më; Ose nëse janë, janë më pak. Bijtë e tyre janë. Ata votojnë majtas më shpesh, po nuk kanë më arsyet e prindërve. Ky brez kërkon më shumë siguri. Rroga më të larta, shërbime më të lira, çmime më të ulëta. Kanë arritur të kenë një shtëpi. Duan ta mbrojnë. Mendojnë më shumë për pronën se për punën. Pa punë jetojnë. Pa shtëpi jo. Arsyet e tyre janë bërë më të lëvizshme. Megjithatë, ata janë votues të mirë. Ata votojnë edhe kur nuk besojnë. Por nuk mjaftojnë.

Ndërsa bijtë e bijve kanë më pak arsye se gjithë të tjerët. Ose ndoshta, nuk kanë arsye fare. Ata nuk votojnë kur nuk besojnë. Komunizmi, Marksizmi, Intenacionalizimi, Lufta Çlirimtare, nuk janë më arsye për të votuar. As prona nuk është arsye. Janë të rinj dhe prona nuk kanë. Jetojnë në shtëpitë e prindërve. Në të kundërt, puna, paratë për argëtimin dhe modernizimi i jetës janë magneti i tyre. Ata duan vetëm punë. Nuk votojnë, përveçse kur nuhasin një ndryshim të madh. Deri tani nuk kanë votuar. Ose, nëse e kanë bërë, në përgjumje e sipër e kanë ndarë votën në mes. Ata nuk i hapin sytë për një gjë që ngroh, por për një gjë që shkëlqen. E majta ka ngrohur, por nuk ka shkëlqyer. Në këtë kontekst, e majta duhet të gjejë arsye të tjera. Të reja. Që deri tani nuk i ka gjetur. Jo vetëm në Shqipëri. As në Europë. Prandaj detyrohet të ndryshojë nga zgjedhjet në zgjedhje, duke rrezikuar zgjedhjet. Apo duke i humbur. Vazhdimisht. Sepse ka humbur votuesit, duke harruar se ata që s’janë nuk votojnë, ndërsa ata që janë, lëvizin. Siç kanë lëvizur. Dhe lëvizja e tyre ka ndryshuar pushtetin, por jo të majtën. Ende.

3. Si mund të jemi të majtë.

Nëse është e vërtetë që e majta lind të djathtën dhe e djathta ushqen të majtën, është e vërtetë edhe që shoqëria lind tregun dhe tregu ushqen shoqërinë. Kush e mohon dot se barazia ka lindur përpara pabarazisë?! Njerëzit në fillim ishin të barabartë. Disa e shfrytëzuan më shumë natyrën se të tjerët dhe u pasuruan. Ata u shitën të tjerëve pasuritë e natyrës. Kështu lindi tregu. Por meqë natyra, toka, uji, ajri janë të përbashkëta, ata që i shfrytëzojnë ato më shumë, duhet të paguajnë më shumë taksa. Kështu ndryshon e majta me të djathtën. Por kjo nuk do të thotë se nevoja për barazi e vret tregun. Përkundrazi, e forcon. Nëse njerëzit kanë më shumë të ardhura, ata do blejnë më shumë.

Nëse të varfrit kanë më shumë, ata do konsumojnë më shumë dhe do jenë më paqësorë. Të pasurit do shesin më shumë dhe do paguajnë më pak për të ruajtur e mbrojtur fitimet dhe pronat e tyre. Në parim, e majta është e prirë t’i mbrojë më shumë burimet natyrore. Nëse e ka të pamundur t’i administrojë vetë, atëherë takson më shumë përdoruesit e tyre. Dhe ka të drejtë. Çka është e përbashkët, duhet të ndahet. Dallimi është i thjeshtë. Avioni është privat, por ajri është i përbashkët. Nafta është e përbashkët. Pusi është privat.

Në parim, e djathta e takson punën shumë, tregun më pak dhe kapitalin pak më pak. Pyetja është: “Po e majta çfarë bën?”. Si rregull, e majta duhet të taksojë kapitalin më shumë, tregun më pak dhe punën pak më pak. Në çdo rast, ajo e takson tregun më shumë se e djathta dhe punën shumë më pak se e djathta. Por shumë thonë se, duke taksuar kapitalin dhe tregun më shumë, nuk ka investime, ka më pak punë dhe çmimet rriten. Teorikisht duket e vërtetë. Por nuk është. Teorikisht provohet. Praktikisht jo. Sidomos sot. Në Europë akoma. Në SHBA po. Atje rritja e taksave uli papunësinë dhe, rrjedhimisht, varfërinë. Buxheti u rrit duke shtuar mbështetjen për arsimin e shëndetësinë dhe shërbimet e tjera.

Një nga ndryshimet e mëdha mes të djathtës dhe të majtës është mbledhja e buxhetit dhe shpenzimi i tij. Kush duhet të paguajë dhe kush duhet të fitojë më shumë? Ata që punojnë apo ata që fitojnë? Pronarët apo punëtorët? Të varfrit apo të pasurit? Të rinjtë apo të vjetrit? Në Shqipëri, buxheti u rëndon më shumë atyre që kanë më pak dhe që janë më të dobët. Pra, atyre që punojnë dhe të rinjve. Sepse ata kanë më pak prona. Pronat kryesisht i kanë të pasurit dhe të vjetrit. Ata duhet të kontribuojnë më shumë që të varfrit dhe të rinjtë, që janë të zhveshur nga pronat dhe fitimet, të mos varfërohen. Ndryshe, meqenëse nuk bëjnë revolucion, ata do emigrojnë për të gjetur punë dhe paga më të larta.

Tregu do zvogëlohet. Fitimet do bien. Çmimet e pronave të të pasurve do ulen. Në të vërtetë, kjo po ndodh në Shqipëri. Norma e fitimit ka rënë. Të pasurit janë më të varfër. Kanë më shumë borxhe. Pronat e tyre vlejnë më pak. Bankat i kërcënojnë më shumë. Them se ka një detyrim pedagogjik e majta sot. T’i bëjë të pasurit të kuptojnë se, duke paguar më shumë, fitojnë më shumë. Ose më saktë, duke ndarë më shumë, u mbeten prapë shumë. Të pasurit duhet të jenë më të interesuarit për të zbutur varfërinë. Sepse, taksën e varfërisë e paguajnë ata. Në mënyrë indirekte. Në çdo rast, taksa legale është më e ulët se taksa e paaftësisë burokratike, korrupsionit dhe arsimimit të dobët. Është e provuar se në një vend të polarizuar, me varfëri të lartë, papunësi dhe mungesë prodhimesh, taksat janë më të larta, edhe kur janë të ulëta.

Dhe çështja mes të djathtës dhe të majtës sot nuk është vetëm sa takson, por çfarë takson. E domosdoshmja duhet të taksohet më pak. E nevojshmja, më shumë. E shtuara, shumë më shumë. Ja, pra! Puna është e domosdoshme. Tregu i nevojshëm. Kapitali i shtuar. Një nga ndryshimet më të qarta është çështja e trashëgimisë. Është një lakmus. Sot në Shqipëri, si të trashëgosh një fabrikë, si të trashëgosh një shtëpi, taksohesh njëlloj. Nëse kjo është e drejtë, atëherë është një e drejtë më shumë për ata që kanë më shumë. Sepse heq një shenjë barazie mes dy gjërave të pabarabarta. Një shtëpie dhe një fabrike. Njëra shërben për të jetuar, tjetra për të fituar. Në parim, e domosdoshmja duhet të taksohet më pak. E shtuara më shumë.

Sa u takon shpenzimeve, buxheti mbledh më shumë duke taksuar pak më shumë tregun dhe më shumë kapitalin. Shpërndan pa dyshim pak më shumë. Por të bësh rrugë, porte dhe hekurudha, nuk do të thotë se je i djathtë. Nuk do të thotë se je, as i majtë. Ndryshimi qëndron se për çfarë harxhon më shumë. E djathta sot po ia lë konkurrencës së lirë të tregut raportin mes shërbimeve publike dhe atyre private. Kjo pothuajse i çon në faliment shkollat dhe spitalet. Çmimet e mallrave që lidhen me to, i bën të pamundura. Librat dhe ilaçet. Kur ajo që është publike rrënohet, ajo që është private shtrenjtohet. Paradoksi është se, duke ulur shpenzimet për shkollat dhe spitalet publike, njëkohësisht janë ulur dhe taksat për shkollat dhe spitalet private. Të cilat favorizohen dyfish.

Ajo që është publike nëse nuk shitet, sepse nuk e blen njeri, shkon në rrënim. Për t’u shitur më lirë apo për t’u eliminuar si konkurrent. Sepse, në rastin e Shqipërisë, të djathtën nuk e shtyn përpara ideologjia. Ky do ishte ngushëllim. E shtyn nevoja për ryshfet. Me këtë shpejtësi privatizimesh, në të ardhmen mund të mos ketë asgjë të përbashkët. Përfshi Ushtrinë, Policinë dhe gjykatat. Dhe pyetja është: “A funksionon një shtet privat?”. A nuk cenohet bashkëjetesa në një shoqëri ku çdo gjë është private? Çfarë rendi do ishte ky? Një rend i të pasurve? Një rend i pakicës? Një rend, në të cilin çdo gjë blihet dhe shitet, përfshi votat, ligjet dhe drejtësinë. Shqipëria sot është shumë afër. E megjithatë, ka shpresë. Shtresa e mesme është shpresa e saj.

Shoqëria nuk ka vetëm të pasur dhe të varfër. Edhe Shqipëria. Ka një shtresë, e cila nuk është as e pasur as e varfër. Janë të mesmit. Çfarë është një njeri që fiton 10 milionë lekë të vjetër në vit? I pasur? Jo. I varfër? Jo. Po ai që fiton 20 milionë? Është i mesëm. Ai ka qenë i varfër dhe ndoshta nuk do jetë kurrë i pasur, sepse nuk ka prona të mëdha. Ka një dyqan që nuk bëhet dot fabrikë. Ka një punishte që nuk do bëhet dot uzinë. Ka një kodër që nuk bëhet dot mal. Këta janë konsumatorët më të mëdhenj të borxhit. Ata mbajnë bankat me depozitat e tyre dhe paguajnë interesat e kredive çdo muaj. Ëndrra e tyre është të shpëtojnë nga bankat dhe të paguajnë shkolla të denja për fëmijët. Nëse nuk rrëzohen nga inflacioni dhe lufta, shpëtojnë dhe nuk kthehen më në varfëri. Taksat nuk i trembin. Ata japin ryshfet dhe marrin ryshfet. Nëse kanë frikë nga ndonjë gjë, është qiraja dhe kredia. Ky është pak a shumë identikiti i një të mesmi. Ata nuk janë motori. Nuk janë as karburanti. As timoni. Ata janë frena e shoqërisë. Ata shërbejnë për të ndaluar rreziqet. Prandaj janë më të vlefshëm në kushtet e vendeve që zbresin. Si Shqipëria.

Dhe, nëse e majta lind nga të varfrit, të mesmit lindin nga e majta. Është presioni që e majta ka bërë historikisht mbi të pasurit, që ka krijuar shtresat e mesme. Kjo shtresë është produkti kryesor i së majtës. Nëse të mesmit ekzistojnë, d.m.th. që e majta ka pasur ndikim në kohëra. Një shoqëri jeton mirë kur ka pak të varfër, shumë të mesëm dhe pak të pasur. Të mesmit nuk janë të pasur të varfëruar, por janë të varfër të pasuruar. Ata janë të varfër, që s’janë më. Ata garantojnë paqen me mallra, furnizojnë institucionet me tru, mbajnë qytetet me taksa dhe shkaktojnë rrotacionet me ndikim. Pa ata, ka më pak të pasur. Pa ata, ka më shumë të varfër. E djathta i sheh si shërbëtorë, sepse ata merren kryesisht me shërbimet e imëta. E majta i sheh si të pasur. Të dyja e kanë gabim. E majta, ndoshta edhe më shumë. Sepse të luftosh me aleatin, është më keq se të luftosh me kundërshtarin. Del më i dobët. Dhe rrezikon edhe betejën e ardhshme.

Në fund kam edhe një pyetje. Jo për vete. A ia vlen ta fusësh elefantin në shishe? Pa dyshim. Po kjo nuk do të thotë të ndërrosh shishen. Do të thotë të ndërrosh elefantin.