Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Nëse do të kuptosh se në çfarë niveli ka degraduar mungesa e dialogut politik dhe institucional në vend, mjafton t’i hedhësh një sy ngjarjeve të ditës së sotme. Presidenti i Republikës Bamir Topi po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë fqinje, në një kohë kur faktori shqiptar atje është i ndarë për mënyrën e bashkëpunimit me qeverinë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Topi, i cili ka një staf modest diplomatik, nuk shoqërohet në këtë vizitë nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, dhe nga ndonjë zyrtar i ekzekutivit.
Kjo për shkak të distancës që ka krijuar ekzekutivi me institucionin e Presidentit të Republikës. Por zoti Topi po shkon në Maqedoni në një moment delikat për raportet e bashkëpunimit të faktorit shqiptar me qeverinë e Shkupit. Partia bashkëqeverisëse shqiptare atje, ka shprehur rezerva për standardin, me të cilin po respektohet Marrëveshja e Ohrit, ndërsa partia shqiptare në opozitë ka paralajmëruar tërheqjen e nënshkrimit nga kjo Marrëveshje.
Mesazhi diplomatik i Presidentit Topi për respektimin e kësaj marrëveshjeje dhe përpjekja e tij për t’ia rekomanduar këtë dhe palës maqedonase, bie në kontrast me seriozitetin që i ka kushtuar diplomacia shqiptare kësaj vizite dhe ftohtësinë për të mos thënë injorimin që është përpjekur t’i bëjë kryeministri Berisha, kësaj vizite.
Në këto kushte është shumë e vështirë të përcjellësh një mesazh uniteti te faktori shqiptar, kur vetë Shqipëria përçon përmes delegacionit të varfër të zotit Topi, ndarjet e saj të forta institucionale dhe mungesën e një diplomacie profesioniste. Nga ana tjetër kryeministri Berisha është nisur sot në Bruksel me një dosje ku gjenden përgjigjet e mbi dy mijë pyetjeve që BE-ja ka shtruar për shtetin shqiptar para se të japë pëlqimin e vet për të pranuar kërkesën për vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Ngjarje të tilla kanë nevojë për një lloj ceremonialiteti. Në të vërtetë, as kur u dhanë dhe as kur po dorëzohen këto pyetje, kjo ceremoni ka munguar. Së pari, kur u dhanë, ato nuk u dorëzuan nga Komisioneri për Zgjerim, por iu deleguan ambasadorit të BE në Tiranë, për shkak të krizës politike në vend. Tani që po dorëzohen, zoti Berisha po vrapon atje i vetëm njësoj si në udhëtimin e tij drejt Pragës vjet në Prill, për t’ua lënë në derë përgjegjësitë e diskutueshme.
Një shtet serioz dhe një vend me standarde për kredencialet e veta demokratike, do të kishte ndërtuar një delegacion të gjerë politik dhe do të demonstronte shumë herë më tepër dinjitet duke qenë të gjithë të përfaqësuar në këtë ceremoni. Dhe si për ta bërë tërësisht jo serioze politikën shqiptare, një ngjarje e tretë ka dominuar sot politikën e brendshme.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka formësuar një marrëveshje politike me partinë e komunitetit çam në Kuvend. Disa javë me parë ky Kuvend miratoi një marrëveshje me Greqinë për varrezat e ushtarëve grek në Shqipëri, e cila u kundërshtua dhe u votua kundër nga dy deputetet e partisë çame. Një javë më pas, këta dy deputetë shpallin aleatin e tyre të madhe, partinë e Ministrit të Jashtëm që ka negociuar dhe mbrojtur këtë marrëveshje, madje duke theksuar që kjo parti është dhe mbrojtëse e çështjes çame.
Këtu serioziteti politik merr fund.
Partia e komunitetit çam në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka nevojë të jetë parti konstruktive dhe parti që të zgjidhë problemet e politikes shqiptare. Ata dy deputetë janë aty për një identitet të tyre etnik e politik dhe duhet të respektojnë atë identitet. Ata nuk mund të jenë njëkohësisht edhe nacionalistë edhe të moderuar, edhe bashkëpunues dhe refuzues, edhe diplomat edhe luftëtarë të një çështjeje që po varroset më shumë nga politika shqiptare.
Më së paku, e gjithë kjo tregon se gjendemi para një kaosi të vërtetë politik dhe institucional, i cili shkaktohet nga përpjekja për të mos pranuar njëri-tjetrin dhe institucionet e shtetit tonë. Në një vend kur brenda ditës, Presidenti viziton i vetëm vendin fqinj dhe bën thirrje për unitet te shqiptarët atje, Kryeministri i vetëm në Bruksel për një akt ceremonial dhe Ministri i Jashtëm bëhet aleat me një parti nacionaliste, e kë të vështirë të gjesh diçka serioze për ta marrë qoftë dhe për një moment seriozisht këtë klasë politike.