Modeli i Berishës, zgjedhje pa opozitë dhe KQZ

0
25

Nga Arben Manaj, 28 Prill 2013

Po bëhet mëse e qartë se Berisha nuk do zgjedhje, jo më të ndershme që jo e jo, por nuk do zgjedhje të përgjithshme fare në kuptimin e mirëfilltë dhe klasik të fjalës. Atij nuk i leverdis bërja e tyre në kushtet e reja politike, pas ikjes së komardares së tij nga koalcioni, i cili e solli dhe e mbajti në pushtet, LSI-së. Ndryshimi i arithmetikës së KQZ-së, që tashmë kërkohet edhe nga ndërkombëtarët të riformatohet, i prishi arithemtikën dhe qetësinë e kalkulimeve të tij për zgjedhjet e rradhës.

Në një fare mënyre, ikja e LSI-së i shërben si një shkak oportun Berishës për tu faktorizuar, pasi historikisht sidomos kur e ka pisk, ai ekstremizon situatën politike përmes lëvizjesh malinje, për të tërhequr në politikën shqiptarë të huajt, ose ata që ai e di se nëse bën ndonjë lëshim edhe mund tu marr ndonjë epitet lumë-kalues, si “burrë shteti”.

Nisur nga retorika dhe intrasigjenca e deritashme për riformatim të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duket se Berisha do e coj zgjidhjen e kësaj cështje vendimtare deri në kufijtë e provokimit dhe eventualisht të “ lodhjes ndërkombëtare” me Shqipërinë e Berishës, ose në rastin më reflektues, deri në orën 23 të ditës fundore për kompromis, për të arritur një sërë objektivash.

Ashtu si edhe të famshmet “tre ligje”, tashmë do jenë tre gërmat “KQZ”, që do shndërrohen në kalin e betejes së tij politike në emër të parimësisë ligjore. Kjo do ti ofroj atij, luksin e mosbërjes së fushatës elektorale me të cilën, ai kësaj here e ka vështirë se me cfarë karta të luaj bindshëm për fitore, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur kishte një “Rrugë të Kombit”, edhe pse me pikepyetje dhe të kontestuar, pa përmendur faktorët e brëndshëm qeverisës dhe konjukturën ndërkombëtare.

Kjo mungesë fryme dhe lodhje mandati, plus një ekip apo koalicion i lodhur dhe i holluar me figura politike të holluara nga koha apo “legjonar” pa ekip politik në dekadën e fundit, duket se nuk ofron për Berishën një alternativë bindëse, për ta cuar sa më afër shifrave, ku ai mund të ëndërroj të nis pa pyetur për “heqje xhaketash”, lojën e manipulimit të numërimeve elektorale, sic veproi në zgjedhjet lokale.

Ndaj një KQZ, pa opozitën në karriget e saj, faktikisht i leverdis dhe shkon për shtat planeve të tij politike afatshkurtra, pasi per ato afatgjate, ai nuk e vë shumë ujin në zjarr. Për aryse moshe, ai ka pak brerje ndërgjegjeje se cdo të ndodh me forcën politike që do lërë pas, si trashëgimi politike personale, e cila pritet të jetë në një kaos të plotë, me shumë të panjohura dhe një kohëqëndrim të shtrirë në vite si opozitë e brejtur nga brënda dhe e fraksionuar.

Këtu qëndron edhe rrezikshmëria e tij politike dhe demokratike në një moment kyc për proceset integruese të Shqipërisë. Berisha në këtë stad të jetës së tij tejet të stërzgajtur politike, nuk është se nuk do e zërë gjumi, nëse komuniteti nderkombëtarë, do shqetësohej për një palë zgjedhje shqiptare, të një vendi historkisht problematik, me një demokraci të ngashme për nga crregullsia me trafikun e brëndshëm rrugor të vendit, që s’di të bëj as shtet dhe as të ndërtoj demokraci, edhe kur dikush, me naivitet ose pseudo-naivitet dhe oportunizëm dipllomatik , ia përkedhel sedrën duke ia quajtur atë funksionale!

KQZ-ja ashtu sic është, për Berishën është e mjaftushmë për të shkuar në zgjedhje, edhe sikur opozita e ribashkuar, të mos e pranoj një status- quo të tillë. Madje ai, kam frike se për kundër sugjerimeve ndërkombëtare do tentoj të shkoj në to me këtë KQZ , madje edhe pa opozitën.

Kjo maskaradë thjesht do i jepte atij kohë dhe do e bëntë atë një lojtar më të vështirë, në qafheqjen që e kupton se ja dëshirojnë edhe ndërkombëtarët. Për kalkulimet e tij, kjo bezdi dhe dhimbjekoke që gjithmonë i vjen Perëndimit sa herë është Berisha në lojë, aq më shumë kur ai është në rolin e timonierit, nuk është shqetësim dhe papërgjegjshmëri e tij, sesa punë e inter-negociatorëve, që do duhet të merren me të në këtë fillim vere, mundësisht dhe idealisht deri në vjeshtë.

Berisha e di se një shtyrje e problematikës shqiptare deri në gushtin e vakancave masive të liderëve perëndimor, do të ishte oportune për të, pasi mund të ngatërronte shumë ujra deri atëhere dhe do fitonte më shumë terren politik, per të mos lëshuar pushtet politik.

Atij, fatkeqësisht për të gjithë, por dhe për partinë e tij sekt në fund të fundit, nuk i intereson një raport pozitiv për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, aq më tepër me të thuajse humbës. Për pasojë as edhe integrimi i mëtejshëm dhe statusi i ardhshëm i Shqipërisë në BE.

Nëse një udhëheqës serb do duhet të deklaronte se si komb, sërbët do duhët të bënin vetvrasje, nëse shqiptarët ua kalojnë ekonomikisht, të njëjtën gjë do të duhet të thoshte edhe drejtuesi aktual i Ekzekutivit shqiptar, si përgjegjësi kryesor për zgjedhje të lira dhe demokratike, kur sërbët nisur nga e kaluara e tyre post-Milloshevic dhe relatat e tyre me Perëndimin, do t’ja kalonin sic ja kanë kaluar Shqipërisë, në proceset integruese.

E kur sërbët për hir të interesave integruese të kombit të tyre, tejet antiperëndimor pas Titos, që janë parimisht identike me ato të shqiptareve dhe të cdo vëndi të paintegruar ballkanik , arrijnë të bëjnë koncesione dhe marrëveshje, sic ishte rasti me Kosovën, dhe dinë të prezantohen dhe tu mbylin gojën edhe atyre që e dinë që nuk i kanë edhe shumë qejf, është e pafalshme që Shqipëria politike e drejtuar nga Berisha, nuk arrin standartin politik sërb, të të dëshmuarit se janë partnerë me ndërkombëtarët, jo për cështje të demokracisë, por për ato me interes të mirëfilltë kombëtar, pikërisht për hir të një interesi dhe objektivi më të madh kombetar, sic është integrimi në BE, dhe mbijetesa ekonomike si komb ne krizë financiare.

Koha e mbetur deri në ditën e hedhjes së votave, nëse do të hidhen nga të gjithë shqiptarët, nuk është premtuese. Deri më 23 qershor do të kemi një shmangie totale nga një fushatë tipike elektorale dhe më shumë një ngërc allashqiptar konsumues, si një provokim për bojkot nga pusheti ndaj opozitës.

Opozita ka deklaruar se do të shkoj në zgjedhje, dhe nuk i shkon nëpër cep të mëndjes një bojkot i tyre për shkak të kësaj rrethane të krijuar dhe intransigjence të imponuar.

Por mungesa e një formule kompromisi, në një institucion kaq të rëndësishëm si KQZ-ja, dhe në kushtet kur Berisha ka edhe karta të tjera nën mëngë, si Kolegji Zgjedhor i kontrolluar po prej tij, nuk do duhet të merret lehtë prej bllokut opozitar, dhe as herezi mendimi për bojkot si e keqja më e vogël, pavarësisht euforisë së mega-koalicionit dhe tërë faktorëve në favor të saj.

Qoftë edhe simpatia ndërkombëtare e cila vjen e bëhet më vokale dhe publike, për kauzën politike dhe elektorale të opozitës, nuk do të duhet të jetë domosdoshmërisht një garanci absolute për zgjedhje të lira dhe të ndershme, simpati dhe parimësi që është më pak jetike për interesat e tyre imediate, sesa c’është për interesat politike të opozites shqiptare dhe demokracisë në vënd, dobësi kjo e shprehur politikisht në qëndrimet publike si të kreut të larguar, por ende në Shqipëri të OSBE-se Ëolfart, apo edhe në lobime dhe ndikime nga politikanë perendimore, me kredenciale të dyshimta demokratike, partitë e të cilëve janë në pushtet në shumë vënde evropiane dhe në shumicë vendimarrëse në institucione ndërkombëtare dhe ato evropiane, që merren me certifikimin e zgjedhjeve apo vendimeve politike në rrafsh kontinenti.

Dekadat e demokracisë në Shqipëri kanë dhënë shëmbuj jo të pakët, pro dhe kundër, praktikave dhe sjelljeve të tilla të perëndimorëve ndaj problematikës demokratike shqiptare. Skenari me fabul përherë të njëjtë shqiptare, por me variacione të ndryshme në cdo katër vjet, i ka të gjitha parakushtet për të ndodhur sërish, aq më tepër kur i njëjti skenarist, ka të drejtën e autorit, por edhe regjinë për produksionin e dhimbshëm të cdo drame post-komuniste shqiptare.

Në këtë pike, Berisha në relacion me politikën shqiptare nuk ka alibi dhe nuk kërkon alibi. Aq më pak këtë alibi nuk do duhet ta pretendoj opozita, pas 23 qershorit.