Ata po ligjërojnë akoma

0
56

Naser Aliu

Naser Aliu, 13.04.2010

Nelson Mandelës

Mësojeni demokracinë
Na thanë ata
Që kishin lindur dhe ishin thinjur
Në demokraci
Saqë kur flisnin me pasion për të, pështynin!

Ne zgurdulluam sytë
Morëm lapsat
U përqendruam

Mësimi parë:
Në demokraci vendosë shumica!
Një për qind më shumë, një votë më shumë, mjafton!
Ne duartrokitëm!

Sapo dolëm jashtë
Kishin vizatuar flamurin
Sipas ndjenjës së pakicës!
Ne zgurdulluam sytë dhe,
Duartrokitëm!

Peshore satirike

Mësimi dytë:
Në demokraci vendosë shumica!
Majority, përsëritën ata në gjuhën e Shakespeare-t
Ne duartrokitëm duke tundur kokën!
Kanë të drejtë, thamë me vete!

Kur u kthyem
Kishin kompozuar himnin
Pa asnjë fjalë
Sipas ndjenjës së pakicës!
U shikuam ne mes vete dhe,
përsëri duartrokitëm!

Mësimi tretë:
Në demokraci vendosë shumica!
La majorité, në gjuhën e Baudelaire-t
Maggioranza, përsëriten ata në gjuhën e Dantes
Die Mehrheit, u dëgjuan në gjuhën e Goethe-s

Dhe,
Ribashkim nuk ka, shtuan ata!

Nuk ka? Ribashkim nuk ka!? Për 95%!?
U shtangëm!
Pesë për qindëshi peshon tepër!
Edhe u shastisëm!
Edhe u ngrimë!
Dhe mbetëm pa mend e të hutuar!
Demokracisë iu drodh qafa!

Nuk ka ribashkim përsëritën ata që kishin lindur
Dhe po vdisnin ne vende ku sundonte shumica demokratike!
Ne duartrokitëm dhe kafshuam buzët,
Saqë na rrodhi gjaku!
Nëpër mjekër
Deri në qafë!
Grahmë!

Konstatimi i psikiatrit social:
“Shqiptarët kanë duar të stërvitura!
Do ta duartrokasin edhe këtë Newborn!”
Dhe ne përnjëmend duartrokitëm lindjen e kombit të ri,
Duartrokitëm edhe psikiatrin edhe diagnozën!

Na janë përzier vlerat
Shtëllunga-shtëllunga
Me diktatet e komunizmit të djeshëm
Me diktatet e demokracisë së sotme!

Pra, demokracia nuk është demokratike!
E ata?
Ata po ligjërojnë akoma mbi demokracinë!
Merreni me mend ju këtë!
Zoti Mandela.