Daulle dasmash kundër sirenave të luftës me Perëndimin

0
60

Nga Mero Baze, 16 Mars 2012

Kryeministri Berisha po përpiqet të zhurmojë krizën në të cilën kanë hyrë marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, përmes një axhende festive dhe retorike fitoresh të pritshme, me shpresë që ndikimi i Perëndimit të mos prekë elektoratin e tij. Në ditën që lideri i opozitës po pritet në një praktikë të pazakontë diplomatike në SHBA, dhe ish-ambasadori amerikan Withers, i çliruar nga kornizat zyrtare, por tepër i respektuar në Uashington, po flet pa doreza për një regjim sundues, për një vend pa zgjedhje të lira, pa liri shtypi dhe një udhëheqje e obsesuar pas pushtetit, Sali Berisha sajoi një komitet feste për të dëshmuar se askush nuk i prek dot atij objektivat që ka për të qëndruar në pushtet. I gjendur mes dy zjarresh, mes spekticizmit me të cilin Bashkimi Evropian e shikon qeverinë e tij dhe erërat e ftohta që vijnë nga Uashingtoni kundër tij, ai po tregohet paksa më i kujdesshëm duke mos sulmuar hapur SHBA dhe Evropën, por duke u përpjekur që zërat e tyre të mos arrijnë në veshët e mbështetësve të tij.

Partia Demokratike dhe elektorati i saj është një elektorat në thelb properëndimor për shkak të historisë së shumicës së atij elektorati, të cilët nuk kanë qenë luajalë me izolimin e Shqipërisë. Për këtë arsye ndikimi i raporteve të qeverisë së tyre me SHBA dhe Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm në mobilizimin e tyre për pushtet. Është kjo arsyeja që Berisha “nuk po i kthen pushkë” as SHBA, as BE, por po përpiqet t’i zhurmojë zërat e qartë kundër tij nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe t’i relativizojë ato duke i bërë të papërdorshëm vetëm kundër tij.

Kështu nëse vëreje intervistën e fundit të ambasadorit Arvizu me Bugajskin, të gjitha mesazhet ishin kundër qeverisë dhe kështu u lexua nga gjithë media shqiptare, por në dy mediat e kontrolluara nga Berisha, intervista në njërën nuk doli fare, në tjetrën doli vetëm një rresht ku ambasadori Arvizu vizatonte axhendën e dhunshme të demonstruesve të 21 janarit, çka është një gjë e vërtetë, por jo shkaktare e asaj që ka ndodhur. Më tej akoma ai po u reziston zërave të Perëndimit për krizën presidenciale, dhe po vazhdon të hedhë poshtë si letër higjienike ekspertizën e FBI për 21 janarin. Kjo ka bërë që Perëndimi të forcojë zërin kundër tij dhe në këto kushte Berishës duket se i vetmi mjet për të bërë zhurmë dhe për të mos u dëgjuar zërat kundër tij janë daullet e dasmave arkaike, që ai po përpiqet të organizojë për të treguar se ende nuk është i frikësuar.

I përfshirë nga frika se ofensiva perëndimore kundër tij do të dekurajojë jo vetëm elektoratin e tij, por dhe strukturat e manipulimit të votave apo forcat paramilitare të tij, Berisha po përpiqet t’i nxjerr frikën vetes duke bërë sikur nuk është i frikësuar nga ajo që po ndodh. I kalbur dita- ditës në fytyrë, herë-herë me lajthitje të frikshme psikike, dhe një sjellje që të kujton anekdotat për diktatorët në ditët e fundit të pushtetit, ai tani më shumë se kujtdo i ngjan një skene në filmin “Beni ecën vetë”, kur personazhi kryesor i mbetur vetëm në pyll këndonte me zë të lartë që të hiqte frikën vetes.

Koncertet e tij dhe retorika e fitoreve të pritshme në ditët më të zeza të pushtetit të tij në raport me Perëndimin dhe elektoratin shqiptar, janë një përpjekje e mundimshme që njerëzit e tij të mbahen ende në këmbë. Motivimi kryesor i strukturave të tij vazhdon të mbetet korrupsioni, vjedhja e votave apo ushtrimi arbitrar i pushtetit, por siguria e tyre deri tani ka qenë fakti se Berisha ishte lideri që u mbyllte problemet me Perëndimin dhe kur vidhnin vota, dhe kur vrisnin, dhe kur shkelin me këmbë të drejtat e qytetarëve. Pikërisht tronditja e këtij besimi nga një rreshtim i qartë i Perëndimit kundër Berishës ka bërë që ai ta humbasë toruan dhe të flasë përditë për festa dhe fitore që e presin atë dhe partinë e tij.

Dhe e thotë këtë kur në parlament ka rënë në 66 vota, kur në elektorat shumicës së njerëzve u vjen zor të thonë se janë me PD dhe kur në Perëndim po vizatohet me terma të njëjta me të cilat vizatohen liderë të tipit putinist që gjen me bollëk në Lindjen ish- komuniste, ku Berisha ka qejf të shkojë së fundmi. Berisha e ndjen thellë këtë ftohtësi, e ndjen thellë këtë sulm, dhe po bën ç’është e mundur që ai të mos arrijë deri tek veshët e qytetarëve ashtu siç është. Po përpiqet të relativizojë deklaratat e Perëndimit, t’i manipulojë, t’i keqpërdorë pa pikë turpi vetëm që të gjithë të besojnë se ai është ende i besuar i tyre. Në fakt asgjë nuk bën dot. Thjesht do t’i detyrojë ata të presin sa të mbarojnë daullet e dasmës dhe t’u bien sirenave të luftës ndaj tij.