Çfarë do të thotë të jesh shqiptar?

0
25

Shqiptarët dhe si çdo popull tjetër i botës kanë të këqijat dhe të mirat e veta. Duke lexuar historinë e popullit tim, them që kemi qenë një popull me kulturë e tradita, ku besa dhe bujaria nuk i kanë munguar shqiptarit ndër shekuj, këtë besë e bujari të shqiptarit, e lexon dhe nëpër literatura të shkrimtarëve me emër në botë.

Faik KRASNIQI

Çfarë na dallon ne shqiptarët nga popujt e tjerë?

Ne, shqiptarët dallohemi nga mostoleranca, inati, kokëfortësia, sedra e semurë, urrejtja ndaj njëri-tjetrit, etj. Ne, nga natyra, jemi pak si shumë temperamentë dhe nervozë.

S’jemi sa duhet zemërgjerë që të falim gabimet e të tjerëve. Edhe faljen disa herë e bejmë të përkohëshme, të pjesëshme dhe me gjysmëzemre. Duam të ecim përpara me botën e civilizuar perëndimore, por kokën gjithmonë e kthejmë prapa, duke u marrë me të kaluarën, qofshin ato edhe gjëra të tejkaluara e të vdekura.

Çfarë na bashkon dhe na ndan ne si shqiptar?

Ne shqiptarëve na bashkon gjaku dhe gjuha. Na bashkon trungu i fortë antik pellazgo-ilir. Na bashkon gjenet e njëjta dhe formimi tonë psiqik e shpirtëror, që e ka burimin nga parahistoria njerëzore. Na bashkon arti dhe kultura e njëjtë shekullore. . Na bashkon emri Shqipëri dhe shqiptar. Na bashkon kombi shqiptar. Na bashkon besa burrëria që janë dallesa më e shquar e shqiptarit, të cilat ndër shekuj e mijëvjeçarë ka rrezatuar vetëm besnikëri etj…

Ne shqiptarëve na ndan ideologjija. Njeriu si qenie inteligjente me logjik vetëdije dhe ndërgjegje, gjatë historisë së tij të lashtë , ka krijuar dhe zhvillon lloj-lloj ideologjish. Prandaj dhe nuk ka individ pa ideologji. Ideologjitë janë të shumëllojshme, sepse njerëzit nuk janë identikë, por çdo individ është qenie unike, kuptohet se të gjithë njerëzit nuk mund të kenë një ideologji. Dëmet që shkaktojnë ideologjitë janë fërkimet në politikë, polemikat e ashpëra, ofendimet reciproke, gara e egër për pushtet, lufta e klasave të pasurve dhe ato të varfëra etj…

Shqiptarët nuk munden dhe nuk bëjnë përjashtim nga ekzistimi i pluralizmit të ideve dhe ideologjive. Rreshtimi i shqiptarëve në disa ideologji nuk është tragjedi, por një fenomen i natyrshëm, nga i cili nuk mund të shmanget. Pretendimi dhe tendenca për dominim vetëm të një ideologjie mbi të tjerat do të na çonte në një luftë civile, në vëllavrasje dhe në diktaturë.

Ndarja krahinore! Kjo është plaga më e madhe, më e përgjakur dhe më vdekjeprurëse e kombit shqiptar! Pra, ndarja lokaliste, bajraktariste, fisnore, klanore dhe krahinore e shqiptarëve ndër shekuj dhe mijëvjeçarë. Këtë plagë e kemi trashëgim (mjerisht) që nga paraardhësit tanë antikë pellazgo-ilirët.

Si e shprehni ju dashurinë për vendin tuaj?

Si e shprehni ju dashurinë për njëri-tjetrin si shqiptar? – Si ju bën të ndiheni fakti që jeni shqiptar?
Sigurisht që unë dua ta shpreh dashurinë për vendin tim, dhe e dua vendin tim. Fakti që unë ndihem shqiptar më krenon, duke menduar që, shqiptari nuk mund t’i humbi traditat e tij kaq shpejt, por pyll pa derra nuk ka.

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Lëvizjes ”ALEANCA KUQ E ZI”)