Deputetë të paligjshëm

0
44

Lorenc VANGJELI

Nga Lorenc VANGJELI

Të paktën pesë deputetë të Partisë Demokratike kanë fituar mandatin e tyre në kundërshtim me kushtetutën. Një denoncim i vjetër i revistës MAPO publikon provën e re për dyshimin e arsyeshëm të muajve më parë: prova vjen direkt nga KQZ-ja me gojën e përfaqësuesit të PD-së në komision: “…nuk bënë dorëheqjen, ata nuk janë më deputetë, do të iki ai, do të vijë tjetri…”. Historia e një skandali që e nxjerr Kuvendin në dritën më qesharake të mundshme përmes procesverbaleve të KQZ-së dhe dyshimi për fallsifikim të dokumentave zyrtare

Kjo nuk është një histori e re, kjo duket një histori tashmë e arkivuar. Kjo duket si një histori të cilës i kanë kaluar tre ditët magjike të çudisë, pas të cilave nuk ka gjë përtej që të çudisë. Kjo duket si një histori krejt e mbyllur. Por fatkeqësisht, kjo është një histori që me kalimin e kohës, bëhet edhe më e rëndë dhe përmasat e skandalit të saj, edhe më të mëdha. Të paktën pesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, me mandat të marrë që në seancën e parë, në nisje të kësaj legjislature, janë thjesht të paligjshëm. Ata e kanë marrë këtë mandat në kundërshtim të plotë me kushtetutën. Një kombinim perfekt rrethanash jo vetëm politike, ka bërë që ky skandal, ndoshta më i madhi në shkeljen e kushtetutshmërisë së vendit, ka krijuar mundësinë që ai të kalojë në rastin më të mirë në heshtje: shumica qeverisëse, pjestarë të së cilës janë të pestët e dyshimtë, nuk ka pasur asnjë arsye reale që ta kundërshtojë qenien e tyre në Kuvend, pakica, e zënë me halle të tjera në kohën e verifikimit të mandateve të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, thjesht e ka anashkaluar pa vëmendje fatin e tyre. Për pasojë, sot Kuvendi është realisht në një gjendje groteske. Të paktën deri në momentin e hyrjes së opozitës në Kuvend, të paktën deri një muaj e pak më parë, Kuvendi është mbledhur, ka miratuar ligje e mbi të gjitha, ka miratuar qeverinë e re apo dhe buxhetin, në mungesë të kuorumit. Pesë deputetë kanë votuar në sallë, ndërkohë që mandati i tyre ka qenë jolegjitim.

Por ky është vetëm fillimi. Për të mbuluar një krim ligjor, shpesh është e nevojshme të bëhet një krim i dytë. Mbas denoncimit të këtij fakti në datën 17 tetor 2009 në revistën MAPO, “juristë të zgjedhur” të Partisë Demokratike, me shumë gjasa kanë fallsifikuar dokumentacionin për pesë deputetët e saj për t´i dhënë ligjshmëri, paligjshmërisë së mandatit të tyre. Por edhe në krimin më perfekt, mbetet gjithmonë një gjurmë që dekonspiron çfarë ka ngjarë. Kësaj rradhe kjo provë, vjen nga arkivat e KQZ-së dhe me gojën e vetë përfaqësuesve të Partisë Demokratike në këtë komision. Në të paktën dy raste, në 17 qershor 2009 dhe më tej akoma, në 22 qershor 2009.

Çfarë ka ndodhur?

Pesë deputetë të Kuvendit të sotëm e kanë marrë mandatin e tyre në kundërshtim me Kushtetutën. Ata kanë konkurruar, kanë bërë fushatë pa dhënë më parë dorëheqje më parë nga funksionet e tyre që mbanin dhe që janë në papajtim me mandatin e deputetit. Të pestë kanë qenë të zgjedhur lokalë. Ata janë Bedri Hoxha, bashkia Klos, PD, Ndue Paluca, kryetar i komunës Fushë Arëz, PD, Gert Bogdani, kryetar i njësisë 10, Tiranë, PD, Besnik Dushaj, Fierzë, PD, Lefter Maliqi, kryetar i komunës Otllak, Berat, LSI (PD). Kushtetuta është fare e qartë dhe interpretimi i saj është direkt. Neni 69 i Kushtetutës sanksionon kategoritë e punonjësve të administratës shtetërore apo të zgjedhurve që nuk mund të kandidojnë apo të zgjidhen deputetë. Ata janë: a)gjyqtarët, prokurorët; b) ushtarakët e shërbimit aktiv; c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; ç) përfaqësuesit diplomatikë; d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

Të pestë deputetët aktualë, katër të Partisë Demokratike dhe një i LSI-së, përfshihen nga pika d. e këtij neni.

Paragrafi dy i të njëjtit nen është gjithashtu i drejtpërdrejtë: “Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm”. Por Kushtetuta nuk është mjaftuar vetëm me këtë pengim. Siç duket, hartuesit e saj në vitin 1998 kanë pasur parasysh dhe “kushtet shqiptare” të zbatimit të ligjit themelor të shtetit në Shqipëri. Dhe mbas filtrit të parë të nenit 69, shtojnë dhe një filtër të dytë. Po aq domethënës dhe të pakalueshëm ligjërisht dhe pa asnjë ekuivok. Neni 71 i Kushtetutës përcakton veç të tjerash se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur “…vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3”. Mbi të gjitha, kjo pikë e Kushtetutës bëhet “fatale” në kushtet e shkeljes së saj sepse nuk përcakton afat kohor se kur mund të vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë apo papajtueshmërisë… Që do të thotë, se një hetim i mundshëm i historisë së pesë mandateve, mund ta bëjë të re dhe aktuale, historinë e çuditshme të tyre të muajve më parë.

Prova vjen nga KQZ-ja

Në mesditën e datës 17 qershor, KQZ-ja mblidhet si zakonisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Do të shqyrtohej raporti i bordit të monitorimit të mediave deri në datën 14 qershor. Një mbledhje “rutinë” nëse mund të konsiderohej i tillë, shqyrtimi i rolit të “pasqyrës” mediatike në një lojë të madhe që luhej për pushtetin. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e KQZ-së, përfaqësues të forcave politike dhe të organizatave ndërkombëtare. Mbledhja transmetohej direkt nga dy televizione dhe mund të ndiqej on-line edhe në faqen zyrtare të KQZ-së. Për më shumë, çdo fjalë e thënë në mbledhje, edhe stenografohej për t´u zbardhur më pas e për t´u ruajtur në arkivin e KQZ-së.

Rutina thyhet që në fillim të mbledhjes sepse përfaqësuesi i PS-së në KQZ kërkon të ngrejë një shqetësim jashtë rendit të ditës. Genc Gjonçaj citon pikërisht nenin 69 të Kushtetutës që përcakton pengesën kushtetuese për të kandiduar një kategori e gjerë funksionarësh të lartë shtetërorë apo të zgjedhurish në detyra të tjera. Gjonçaj insiston në faktin se KQZ-ja ka miratuar dhe regjistruar listat e personave në garë, ndër të cilët, disa mbajnë pikërisht këto funksione të papajtueshme me garën. “Kjo papajtueshmëri fillon që në momentin e kandidimit të tyre, duhet që në mënyrë urgjente (ata) të paraqesin përpara autoritetit përkatës sipas varësisë dorëheqjet, në mënyrë që garimi i tyre të jetë i ndershëm, që garimi i tyre të mos përfshijë përdorimin e resurseve publike që ata kanë në administrim”, thotë Gjonçaj. Sipas tij, “…nëse KQZ-ja nuk ka ushtruar aktualisht pushtetin e saj për të ndaluar regjistrimin e këtyre funksionarëve, atëherë kjo përbën një shkelje shumë të rëndë të kushtetutës…”

Në të vërtetë kanë kaluar shumë ditë nga afati minimal që kushtetuta lejon të bëhej dorëheqja, data 28 maj, ditë kur u dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë në KQZ. Por në kushtet shqiptare një gjë e tillë ngjan një detaj pa shumë vlerë e llojit: dakort, është shkelur kushtetuta për disa ditë, ta rregullojmë tani!

Përfaqësuesi i PD-së në komision Njazi Kosovrasti replikon: “…fundi i tij (i nenit 69) tregon që ai zotëria që është në listë po qe se nuk ka dhënë dorëheqjen, mandatin e ka të pavlefshëm, ai nuk bëhet deputet. Po nuk e ka bërë këtë (dorëheqjen), le ta pësojë ai, cilido qoftë ai, i çdo partie qoftë ai. Unë di që prefektët e mi, ata që janë kandidatë, është bërë shkarkimi i tyre, po ka mbetur një, nesër institucioni ta marrë, ti thotë dil matanë dhe kaq!”

E pason menjëherë kryetari i KQZ-së Ristani. Ai thotë se nuk ka informacion për këtë gjë, por meqë “objeksioni që u ngrit qëndron, Komisioni do të mundohet, besoj që nesër nga unë të paktën, besoj dhe nga nënkryetarja, mund të bëjmë një shkresë kujtesë për këta individë”, thotë ai përpara mikrofonave të inçizimit. Në fakt, një shkresë që nuk u bë kurrë.

Zoti Kosovrasti insiston sërish dhe me të drejtë të plotë: “Kandidatë nuk janë sot ata, kandidatë janë që ditën që i keni miratuar ju dhe ata, nëse e kanë bërë fajin, kanë bërë fajin dhe janë fajtorë, nuk marrin asnjë mandat. Tani bëjmë korrigjime kot…, ata e pësojnë vetë janë në lista…, atë ditë që u futën në lista nuk bënë dorëheqjen, ata nuk janë më deputetë. Do të iki ai dhe do të vijë tjetri që është pas. Problemi është i mbyllur…”

Pesë ditë më pas, në mbledhjen e rradhës të KQZ-së, në mesditën e 22 qershorit, ndërsa diskutohej jashtë rendit të ditës, përfqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj ringre të njëjtin shqetësim, por përfaqësuesit e PD-së përballë kanë ndryshuar mendje. Genc Gjonçaj flet sërish për kandidatë për deputetë që garonin në papajtueshmëri me kushtetutën. Ai pohon se megjithë premtimin se një çështje e tillë do të zgjidhej që të nesërmen e datës 17 qershor, nuk ishte në dijeni të asnjë hapi nga KQZ-ja. Kryetari Ristani reagon dhe thotë që “…ishte e gabuar t´i adresohej Komisionit për një çështje të tillë…” Një qëndrim krejt i kundërt ky, me atë që i njëjti kryetar i të njëjtës KQZ, kishte mbajtur vetëm pesë ditë më parë.

MAPO sjell të plotë dialogun e shkurtër që mbylli këtë kapitull që sot ngjan si histori e mbyllur, por që në fakt është një skandal i hapur, madje një skandal i dyfishtë:

Përfaqësuesi i PS-së: Por javës së kaluar ju e pranuat si të drejtë vërejtjen tonë.

Ristani: Tani këtë ju thashë unë, që nuk ka një detyrim ligjor për komisionin…

Përfaqësuesi i PS-së: Më fal kryetar, por ju javën e kaluar deklaruat që është detyrim i drejtë, ligjor dhe komisioni…

Ristani: Kjo ishte përgjigja që mund t´ju jap juve, nuk ka ndonjë detyrim ligjor në këtë çështje.

Përfaqësuesi i PS-së: Këtë javë u bë ndryshimi?

Më pas, në mbledhjen e parë të konstituimit të Kuvendit, të pestë deputetët bëjnë rregullisht betimin. Komisioni i verifikimit të mandateve nuk gjeti asgjë të paligjshme në mandatet e tyre. As nuk e kërkoi një gjë të tillë dhe askush nuk e kishte mendjen në atë kohë të trazuar të merrej me…Kushtetutën. Kohë më pas, kur mendjet u kthjelluan dhe skandali u bë për herë të parë publik nga revista MAPO, burime të besueshme pohojnë ngjizjen e skandalit numër dy, në përpjekje për të fshehur skandalin numër një: mungesën e dhënies së dorëheqjes nga të pestë deputetët. Një hetim i shpejtë zyrtar në këtë histori, do t´i jepte përgjigje pyetjes përvëluese: a ka pesë mandate të paligjshme në Kuvend? Dhe për më shumë, a ka qenë për shumicën dërmuese të kohës, krejtësisht nul veprimtaria e Kuvendit? A ka fallsifikim të dokumentave zyrtare? Revista MAPO është tërësisht e hapur të botojë provat e kundërta, nëse ato ekzistojnë që hedhin poshtë akuzën e vjetër e të re mediatike: pesë deputetë jolegjitimë e bëjnë Kuvendin jo vetëm qesharak, por dhe nul në pothuaj të gjtihë veprimtarinë e tij…

Si duhej të jepeshin dorëheqjet

Ligji Nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, është gjithashtu i qartë. Neni 41 i tij përcakton se: “Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë”, ndodh kur i zgjedhuri lokal: “kandidon ose zgjidhet deputet”.

Procedura e ndërprerjes së mandatit nuk është fare e thjeshtë. I zgjedhuri vendor, në rastin tonë, pesë deputetët e përmendur, duhet të ndiqnin këto hapa sipas ligjit: “Kryetari i komunës ose bashkisë në rastet e dorëheqjes, e depoziton atë pranë këshillit komunal ose bashkiak përkatës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, dhe më tej, “Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli komunal ose bashkiak, njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.”

Marre nga revista MAPO