Nga Sami Repishti, 12 mars 2012
Keto kohët e fundit mora një kopje të librit “Njeriu i ri shqiptar- Përmes moralit komunist dhe krizës se tranzicionit” te autorit Albert P. Nikolla shkrue në gjuhën italishte. Libri ka 149 faqe, ndahet në katër kapituj kryesore dhe përmban një bibliografi të pasun. I dedikohet dy fëmijve, ”trekandshit të Dashunisë”. Ai fillon me një paragraf të marrun nga A. Solzhenicini, ku deklarohet intensiteti i urrejtjes së shkrimtarit të madh rus për thelbin e propagandës komuniste: gënjeshtrën.
Dr. Albert P. Nikolla ashtë një emen i ri per ne, dhe një element premtues, njëkohesisht. Ai u laurue në antropologji pranë Universitetit të Firenze-s (Itali). Ashte docent pranë Universitetit të Tiranës dhe “lektor vizitor” pranë Universitetit të Firenze-s dhe Perugia-s (Itali). Si antropolog ka ba kërkime mbi natyrën dhe dinamikën e “ndryshimeve” në Shqipërine post-komuniste, sidomos mbi aspektin moral të “ndryshimit”. Ka botue në Shqipëri “OMGJ e Bioetika” (2006), si dhe një seri studimesh mbi etikën dhe antropologjinë. Sot, ashtë drejtor i përgjithshëm i “Caritas Albania”, dhe anëtar i “Komisionit për Problemet Sociale të Caritas Europa”, me qendër në Bruxelles (Belgjike).
* * *
Tema që trajtohet sistematikisht nga Dr. Nikolla ashtë relativisht e pa studjueme dhe gjindet ma se shumëti në studime të shkurta me synime të kufizueme. Libri që na paraqitet ka qenë një revelim per mue – “krijimi” me dhune dhe artificialitet i “njeriut te ri shqiptar” nga rregjimi komunist ne Shqiperi.
Kjo temë ka terheqë vemendjen time për shumë dekada, dhe pyetja: “Ç’ashtë njeriu i ri?” ka gjetë përherë përgjigjen e preme: ai ashtë një monstruozitet i shekullit 20, një boshllek i madh moral, dhe një robot që ka heqë dorë nga nevoja intrinseke e çdo qenie njerezore me qenë i lirë, dhe me farkëtue me duert e veta një jetë që plotëson kërkesat e tij si individ dhe si pjesëtar i shoqënisë civile të qytetnueme në mes të së ciles ai jeton.
Ashtu siç e spjegon edhe autori, fatkeqësia e dytë per “njeriun e ri” ashtë se boshllëku i krijuem u zevendsue me pseudo-vlera që çoroditen plotësisht personalitetin e qytetarit shqiptar, shkaterruen edhe gjurmën ma të vogël të traditave shekullore shqiptare dhe përfunduen në një rrugë pa fund, në një “qorr-sokak” ku ai mbeti i gozhduem per 45 vjet me rradhë pa shpresë lirimi, dhe në gjendje të një skllaverie të tejskajshme.
Ky ka qenë predispozimi im kur fillova leximin, dhe mund të them se autori ka rikonfirmue këto ide fikse të miat, por me një aftesi dhe rigorozitet shkencor që e nderon.
Lexova citatin e Solzhenicin-it dhe më kujtoi thanjen time “Komunizmi? Rregjim terrori dhe kulture e genjeshtrës”. Krahas çdo të persekutuemi gjindet një genjeshter, shpesh herë fatale qe e ka fundosë. Te gjithë e dinë; te paktë janë ata që shprehin keqardhje.
Nga “Indice” kuptova fushën e gjanë që Dr. Nikolla ashtë përpjekë me mbulue dhe randësine e trajtimit që i bahet një problemi special: riformimi i shoqënise shqiptare, i “masave te “njeriut të ri”, mbi baza etike në Shqiperinë post-komuniste. Detyrë gjigante por që percakton të ardhmen e popullit tonë. Një përpjekje në këtë drejtim – nga një prizëm fetar- e ka ba me sukses Monsinjor Rrok Mirdita. (“Për një Shqipëri me Zotin”. 2009).
Paraqitja fillon–korrekt–nga premisa “ …librat e botuem gjatë rregjimit (komunist) janë thelbësisht falso” sepse në fakt ata pergatisin “l’uomo nuovo”,(njeriun e ri) një gënjeshter e madhe, njeriun që nuk ashtë tjetër veçse një “pjesëtar i nomeklaturës, kriminel, i pamëshirë, gënjeshtar dhe servil” një situatë që gjanësisht mbizotënon edhe në pluralizmin politik të mbas 1990-ës.
Gjithçka për Partinë…“asgja për familjen, as dinjitetin njerëzor, as respekt për jetën, as të drejtën e pronës private”. E gjithë kjo sjellë një shoqëni, ku “njeriu i ri” nënshtrohet absolutisht, tue i mohue vetes kështu të drejtën me qenë i lirë – përgjegjës për aktin e vet. Me qenë i lirë don të thotë me pranue plotësisht përgjegjsinë e aktit tand. Kjo ashtë dilema për të gjithë, por sidomos e intelektualit, e njeriut që ka nevojë për ide të reja, për zbulime…dhe rreziku që ai paraqet “puna e intelektualit konsiderohet e rrezikshme për shoqëninë”, shqip “armik i popullit”.
Trajtimi i “il non-uomo”,(jo-njeriu) të persekutuemet dhe “magjypet” ashtë i fortë, tronditës dhe instruktiv. Ky kapitull më ka ringjalle kujtime që perpiqem të harroj pa sukses. Si një individ që ruen“…te gjitha meturinat borgjeze”(sic!) une u quejta i rrezikshëm për masat që nuk mendojnë lirisht, skllavet mesjetare te shekullit 20 që meritojnë me qenë “…të shtërnguem me punë të detyrueshme ” deri ne vdekje….!
Ashtë e vështirë “me përmbledhë” nga ky libër i thuket, landa e të cilit ashtë esenca e një problemi të gjanë e masiv, ku disa mendojnë se vetëm “Kalashnikovet” e zgjidhin, sepse komunistët nuk ndryshojnë vesin. Sot, në Shqiperi, “shpërndahet falsiteti dhe mbretnon frika”.
Përcaktimi: “Njeriu ri ka fitue lirinë me veprue, por nuk ashtë çlirue nga bindja e fitueme në indoktrinimin e procesit të gjatë të formimit tij” ashtë me randësi thelbësore; sepse shihet qartë e çdo ditë në Shqipëri që nga kupola qeveritare deri te dyqanxhiu ma i thjeshtë. Gjithashtu, “…falë monopolit të burimeve njerëzore të ruejtuna në fshehtesi, të kontrollueme me xhelozi gjatë rregjimit, dhe mbas ramjes se tij nga partitë e së majtës…“(unë do të shtojshe “edhe të së djathtes falso”), sot kemi “…të pabesët e djeshëm që kanë zanë vend mirë (në pushtet); “klasa e re” gjilasiane post-kommuniste, do të thojshe unë. Me qenë se Europa nuk lejon zbatimin e një terrori të ri, në Shqiperi kemi sot ”në Shqiperinë post-komuniste (një situatë ku) duket sikur përqafohet një model etik utilitar”, don të thotë spekulimin e hapët dhe të pranuem në shoqëni…!
Përcaktimi: ”…tue përdorue dhunën nuk u sigurue një besnikëri efektive” sjellë në mend shprehjen e At Anton Harapit: ”O me kobure në gjoks nuk bahet ai tjetri vëlla, por hipokrit ose mizuer”. Këtu mohohet “mundësia efektive e zgjedhjes” mohohet esenca e shoqënise së vërtetë e autentike, ku njerëzit janë “personae”, e jo robote të drejtuem nga qendra (Partia).
Ky ashtë edhe një aspekt i tragjedisë së shoqënisë shqiptare sot. Një qeveritar që nuk ka besim të qytetari, e një qytetar që nuk ka besim te qeveritari. Kjo dikotomi fatale, po të vazhdojë, do të sjellë vdekjen morale të shoqënisë civile shqiptare. Shenjat e para janë refuzimi ose indiferenca me votue për elemente që nuk gëzojnë besim. Gjindemi para një dileme ekzistenciale: ose një shoqëni civile autentike e fortë e një qeveri të dobtë, ose një qeveri të fortë dhe një shoqëni civile shqiptare të dobtë. Për sa kohë që nuk do të kemi fitoren e së parës – shoqënia autentike civile – “njeriu i ri” shqiptar nuk do te gjejë rrugëdalje të pranueshme. Ai do të detyrohet me pranue ose usurpimin e pushtetit, ose nevojën urgjente me riformue raporte të reja -pushtetar/qytetar, – ku qytetari merr persipër përgjegjsinë për funksionimin e një shteti që shërben, e jo që shfrytëzon, qytetarët.
Fatkeqsisht, një pjesë e mirë e shqiptarëve pranoi rregjimin e terrorit komunist, për bindje, oportunizëm e sidomos nga frika e madhe e persekutimit që ai rregjim ushtroi. Prandej sot “…ka elemente të gatshëm me tregue përsëri egërsinë që kanë trashëgue nga komunizmi”. Të mbështetun në strukturën e organizimit partiak – si pjesëtarët e një klani, “…ata paraqesin rrezikun e vërtetë në shoqënine e tranzicionit, si dhe pengesen ma të fortë të marshit drejt një demokracie autentike”. Ky përcaktim ndigjohet çdo ditë dhe në çdo vend ku qytetarët tregojnë me gisht udhëheqsit lokale e kombëtarë, ish anëtarë të rregjimit të terrorit komunist.
“Të jesh i sigurtë. Komunistët nuk ndryshojnë!”. Kjo spjegon përse nuk ka pasë sukses gjykimi i krimit dhe kriminelit komunist që mbetet akoma në fuqi në Shqipëri; përkundrazi, një qendrim i këtill transformoi në komedi tragjedinë e madhe të popullit shqiptar. Pushteti gjyqsor në Shqipëri ka qenë dhe mbetet simbol i korrupsionit – anti-drejtësi, anti-demokraci. Ky orientim, oportunist dhe materialist, ”…po i jep formë fetyrës së rendit të ri demokratik” (I.Kadare)
Në Shqipëri, koncepti i dinjitetit njerëzor nuk gjen mbështetje në mes të qytetarëve të uritun ma parë dhe tani të dehun nga “të mirat materiale” që ofron ekonomia e ringjallun. Liri, demokraci, dinjëtet, moral, punë me djersë që i bie era ndershmëni mungojnë sot në Shqipëri, e në qofte se nuk rivendosen, vendi ynë nuk do të dalë kurrë nga kriza e randë morale e shpirtënore ku gjindet sot. Ashtë mekat dhe të dhemb zemra kur mendohet për viktimët e panumurta të diktatures enveriste që dhane jetën para skuadrave të ekzekutimit ose në llogoret e punës së detyrueshme të kampeve komuniste të përqëndrimit që mbuluen vendin tonë për afër një gjysëm shekulli e që sot janë të harruem….burra, gra, pleq, femij e foshnje të pa faj!
Mbetet një shprese që nuk ashte e pranueme universalisht: orientimi fetar. Vuejtjet nën terrorin totalitar – fashizmi, nazismi, komunizmi – kanë qenë aq të randa sa me nxitë akuza kundër Krijuesit, dhe heshtjes se Tij: Si ashtë e mundun që Hyjnia heshti para krimeve hitleriane të krematoriumeve të Holokostit e “gulageve” staliniste në Siberine e ngrime në akull … dhe 32 kampet e burgjet enveriste mesjetare në Shqipërinë komuniste?
Na mbetet vetem një ngushellim: brezënitë e reja kanë fatin e mirë të mos jetojnë – ashtu si brezënitë tona – në një botë ku idetë mashtruese me gjysëm të vërtetat e tyne mund të transformohen në projekte monstruoze për reformimin e shoqënive të tilla ku të jeshë intelektual rrezikohesh me qenë bashkefajtor në krime të tejskajshme…. e imagjinare!
Sot, në se Shqipëria synon me ndërtue një të ardhme premtuese duhet të fillojë me kundrue e me denoncue ndershmënisht të kaluemen e saj te afërt, sidomos periudhën kur disidenti quhej i pabesë sepse refuzonte me veshë rroben e re e të detyrueshme të “njeriut te ri” të shnjerëzuem shpirtënisht e moralisht.
Dr. Nikolla meriton përgezimet tona për një punë me vlerë. Ai ashtë në prakun e një karriere që sjellë përfitim për të gjithë shqiptarët, tue përfshi edhe “fajtoret”.
(Shënim: Frazat ne thojza jane perkthimi i im i origjinalit italisht. SR)