Për demokracinë që nuk e shter përfaqësimi

3
57

Albin Kurti

Demonstrata e bën dëshirën vullnet, ankesën angazhim e shpresën punë. Shpeshherë, ajo që në një kohë mund të arrihet e bëhet me protesta e demonstrata, dikur më vonë s’bëhet dot as me luftë, e aq më pak me diplomaci.

Albin Kurti

Nuk ka akademik apo studiues serioz që nuk thotë se demokracia e reduktuar në demokracinë përfaqësuese është gjithsesi e pamjaftueshme. Ajo demokraci që nënkupton vetëm zgjedhje periodike për qytetarët dhe deputetët në Kuvend, si përfaqësues të tyre, nuk jeton gjatë. Demokracia si demokraci përfaqësuese pa mënyrat e tjera, si demokracia pjesëmarrëse dhe demokracia e drejtpërdrejtë, shndërrohet në maskë për monarkinë apo oligarkinë. Qytetarët dhe vullneti i tyre ekzistojnë para se të jenë të përfaqësuar dhe jo nëpërmjet përfaqësimit.

Deputetët nuk janë vullneti i popullit; populli mund t’i delegojë deputetët që ta ushtrojnë vullnetin e tij, por ai s’mund ta delegojë vullnetin si të tillë. Populli mbetet ashtu siç duhet të jetë: i vullnetshëm. Nëse ne mund ta imagjinojmë vullnetin e popullit si një koncept a ide, kjo nuk është e mjaftueshme që ai menjëherë dhe thjesht të jetë i përfaqësueshëm. Institucionet janë reduktim. Përmasa abstrakte e vullnetit të popullit tregon fuqinë e tij dhe dobësinë tonë.

Ngulmimi për ta kufizuar demokracinë në përfaqësim e ushqen tëhuajësimin deri në mospërfaqësim. Demokracia është koncept tepër i gjerë, për ta mbyllur në kutinë e votimit apo për ta ngujuar në ulësen e deputetit. Atëherë kur demokracia mbyllet në kutinë e votimit, e kemi parë se çfarë ndodh me të: ajo vidhet. Atëherë kur demokracia ngujohet në karrigen e deputetit, e kemi dëgjuar se çfarë ndodh me të: ajo banalizohet. Politikanët kryesorë në Kosovë janë tepër cinikë, për të qenë sadopak demokratë. Ata thellësisht nuk besojnë në barazinë e njerëzve. Ata përgjithësisht nuk besojnë në asnjë lloj të barazisë.

Në anën tjetër, kur demokracia është vetëm përfaqësuese, atëherë shoqëria bëhet publik dhe publiku bëhet spektator. Kur përfaqësimi arrin ta bindë të përfaqësuarin se ai është plotësisht i përfaqësuar, në fakt, kemi kalimin nga subjekti i vullnetshëm te subjekti soditës. Përfaqësimi i këtillë totalitar e ndryshon të përfaqësuarin nga qytetar aktiv me shumë të drejta në spektator pasiv me ca nevoja. Raporti deputet-qytetar degradon në raportin ndërmjet shënjuesit me të shënjuarin. Në vend që ta kemi të pamundur t’i konceptojmë përfaqësuesit pa qytetarët, bëhet i mundur konceptimi i qytetarëve vetëm nëpërmjet përfaqësuesve. Përfaqësuesit nuk i nënkuptojnë më të përfaqësuarit në funksion të të cilëve janë, por përfaqësuesit i themelojnë të përfaqësuarit si subjekt, duke i defaktorizuar për nga veprimi një moment më pas.

E këtillë është demokracia në Kosovë. Demokraci e mbyllur te përfaqësimi nominal. Jo demokraci që e përmban përfaqësimin, por demokraci që përmbahet te përfaqësimi. Prandaj, nuk është e rastësishme neveria që kanë pushtetarët kosovarë nga protestat, grevat, peticionet dhe sidomos demonstratat. Ata s’duan demonstrata, kurrfarë demonstratash. Sepse nuk e kanë mendjen te ndihma që demonstratat mund t’ia sjellin Kosovës, por te rreziku në të cilin ato mund t’i vënë pozitat atyre. Demonstratat, protestat, peticionet e grevat i bashkojnë njerëzit, pavarësisht nga gjinia, mosha, feja, prejardhja etj. Dhe i bashkojnë njerëzit e pakënaqur.

Pushteti nuk do që njerëzit të bëhen bashkë, e sidomos kur ata janë të pakënaqur. Të kënaqurit nuk i duan të pakënaqurit të bashkuar, sepse i duan ata të dobët. Të kënaqurit janë bërë bashkë në majat e sistemit dhe angazhimi kryesor i tyre është mu në shpikjen e mënyrave të reja që do t’i mbanin të pakënaqurit të ndarë e të përçarë. Shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur, por s’kanë vetëbesim, meqë s’kanë vetëdije për veten e tyre si shumicë që janë. Ata nuk e dinë sa shumë janë dhe sa të fortë janë. Pikërisht në demokraci të drejtpërdrejtë e pjesëmarrëse, pikërisht në demonstrata, protesta, greva e peticione do ta merrnin vesh një gjë të tillë, do të ndërgjegjësoheshin për madhësinë dhe fuqinë vetjake. Kjo është arsyeja pse bëhet luftë sistematike që demokracia të mbahet e kufizuar përbrenda sistemit të përfaqësimit.

Pushteti e di shumë mirë se të gjithë ata që i duan ndryshimet nuk mund ta ndërrojnë regjimin pa e ndryshuar popullin, pa e ndryshuar qëndrimin e popullit kundrejt regjimit. Regjimi nuk ndërron, gjersa populli e duron atë. Qytetarët me votën apo heshtjen e tyre ia japin fuqinë pushtetit, të cilin ai mandej e përdor kundër qytetarëve. Ndryshimi nis me rezistencën ndaj pushtetit e jo me ndërrimin e pushtetarëve të veçantë, të cilin e bën vetë pushteti.

Për ta mbajtur demokracinë përbrenda përfaqësimit formal, gjithnjë në kuadër të rritjes së kontrollit nga lart, pushteti përpiqet që t’i diskreditojë demonstratat, t’i kriminalizojë ato dhe t’i frikësojë e t’i heshtë qytetarët. Në fakt, demonstratat janë dëshmi e vitalitetit të demokracisë. Demonstrata shënon qytetarinë aktive që reagon, kontribuon në kohezionin shoqëror dhe i sjell si subjekt në sferën publike dhe politike qytetarët që kundërshtojnë një padrejtësi të bërë, por edhe që parandalojnë një padrejtësi tjetër. Demonstrata e bën dëshirën vullnet, ankesën angazhim e shpresën punë. Shpeshherë, ajo që në një kohë mund të arrihet e bëhet me protesta e demonstrata, dikur më vonë s’bëhet dot as me luftë, e aq më pak me diplomaci.

Sigurisht që kjo kritikë kundër demokracisë së mbyllur te përfaqësimi vlen vetëm kur për një çast anashkalojmë faktin se demokracia te ne objektivisht nuk ekziston si në aspektin juridiko-kushtetues, po ashtu as në atë politiko-administrativ. Kjo për shkak të autoriteteve supreme ndërkombëtare në Kosovë, të cilat emërohen nga lart dhe jashtë, e nuk votohen nga poshtë dhe brenda.

Prishtinë, 8 prill 2010

3 COMMENTS

  1. Ftesa Juaj per demonstrata bazuar ne faktin e perfaqsimit te ligjshem apo te paligjshem eshte monstruose. Ju flisni per Kosoven dhe une mendoj per Shqiperine me duket se ka diçka qe nuk shkon ne kete gje. Ju thoni se nuk jeni perfaqsuar nga njerez te pershtatshem, po valle nuk eshte pergjegjsia e atij qe voton, kur nuk di se kujt ja beson endrrat e tij, shpresat e tij, sigurine e tij dhe akoma me keq, siç thoni juve edhe vullnetin e tij.

    Une mendoj se problemi nuk eshte ketu, por mendoj se çdo antar i ketij populli, qe eshte ne kete rast populli yne, po te vihej ne te njejtat kushte, pra te ishte perfaqësues i vetes se tij, do te bente te njejtat gjera. Nga domatja del salce, nga rrushi del vere apo raki e mire. Ka nevoje populli yne te kuptojë se ç’eshte demokracia, pastaj kur te votojë te mendojë mire dhe te mos eci pas berihait.

  2. DO TE FLASE NGA NJE KEND TJETER, QE TE ME KUPTONI PAKE ME MIRE. NESE THUHET SE NE VETE KEMI VOTUARE, ATEHER DEL SE NE NUK PASKEMI TE DREJTE QE TE JEMI TE PAKENAQURE EDHE ATEHERË KURE TE ZGJEDHURIT TANE LUAJNE ME FATIN TONE. PO JU JAP NJE SHEMBULL, UNE VIJ NGA KOSOVA LINDORE, UNE VETE KAME VOTUARE PER Z. HALIMI, DHE KAM BESUARE SE AI DO TE NA PERFAQESOJE, GJER NE ARRESTIMET E 26.12.2008, KUR AI ME VETEDIJE APO JO VIZIONARE HESHTI PER KËTO ARRESTIME.

    MENDOJ SE KAM TE DREJTE TE PROTESTOJ SE SI AI NJERZIT QE E VOTUAN I HARROI PER INTERESAT E TIJA PERSONALE DHE SHUME BANALE. SHEMBULL 10 DJEMTE E PRESHEVES MBAHEN AKOMA TE BURGOSUR POLITIKE E Z. HALIMI BEN POLITIKE ME NE, KU PER KETE EDHE PAGUHET PREJ SHTETIT SERB. TE MBESHTES O Z. KURTI, POR FAJI ESHTE EDHE I JONI PSE NUK BEJME TE PAMUNDEREN QE T’I C’JERRIM MASKAT E KTYRE “LIDERVE” TANE…

  3. Përshëndetje Z. Milaim!
    Ju flisni per tre gjera: Pakenaqsia, protesta, t’ju çjerrim maskat atyre.
    Pakënaqësia – Tre gjëra e ushqejnë pakenaqësinë tonë: Lakmia, Frika dhe kerkimi i kenaqsise ne vende te gabuara. Asnjera nga keto nuk hyne ne rastin tuaj. Une mendoj se ju jeni te deziluzionuar nga zgjedhja juaj.
    Protesta dhe çjerrja e maskave eshte e drejta juaj.
    Politika mbahet nga raporti i forcave. Une mendoj se tek juve ka pak ndjenje fatalizmi dhe ju e ndjeni veten te dorezuar para faktit. Neve te gjithe kemi nevoje te kuptojme se ç’eshte Demokracia, si zhvillohet ajo dhe kush jane te drejtat dhe detyrat tona.
    Indiferentizmi eshte mola e demokracise, por boll dhe me ate qe çdo njeri ka te drejte te thote ç’te doje. Jemi ne nje epoke te perendimit te ideologjive dhe te krizes se vlerave. Politika, thote Sarkozy, “Ka nje rol mesianik: Propozon te ardhmen dhe e bene ate te mundeshme.” Prandaj une mendoj se neve para se te hedhim voten per njerin apo tjetrin duhet te mendojme mire se kujt po ja besojme te drejtat tona, endrrat tona, shpresat tona dhe te ardhmen tone. Mjere ai qe nuk di se kujt t’ja besoje keto gjera.

Comments are closed.