Nga Prof. Dr. ENVER FAJA
Qendra e Tiranës nuk po gjen qetësi dhe ende mbeet një strukturë urbane e papërfunduar, gjithmonë problem i hapur, i administruar, i konceptuar, i projektuar dhe i ndërtuar gabimisht. Historia e urbanistikës së saj është e mbushur me episode dramatike që trishtueshëm shumëkush i kujton. Në një klimë dhe situatë të turbullt dhe kaotike ndodhet dhe sot qendra që përfaqëson një hapësirë urbane të zhveshur, të varfër, me projekte ndërkombëtarësh që po zbatohen, anulohen, korrigjohen dhe nuk aprovohen, një hapësirë sociale me konflikte të thella shoqërore e politike dhe probleme teknike e inxhinierike.
Demokracia trashëgoi nga totalitarizmi një qendër me Pallat Kulture, hotel 15-katësh, Muzeum Historik Kombëtar, rrugë unaze dhe një hapësirë boshe që dikur qëndronte monumenti i diktatorit që demokracia e rrëzoi. Këto tri objekte kanë pasur dramën e vet të ndërtimit që historikisht e ka shqetësuar dhe revoltuar banorin e Tiranës dhe tërë shoqërinë shqiptare. Kur u ndërtua Pallati i Madh i Kulturës, dhuratë e Sovjetëve qytetit, u prish Pazari i vjetër. Kur u ndërtua hoteli i madh 15katësh, u prish kisha katolike e klasicizmit shqiptar, dhe kur u ndërtua Muzeu Historik Kombëtar u prish Bashkia e qytetit, pjesë integrale e ansamblit të ministrive.
Të gjitha këto ndodhur në kohë të ndryshme dhe brenda një periudhe 35 vjeçare u realizuan në bazë të studimeve pjesore urbanistike vetëm rreth sheshit “Skënderbej” dhe jo larg tij. Nocionin modern të qendrës së qytetit e dha studimi francez që përfshiu një sipërfaqe të madhe prej 250 hektarësh bashkë me sheshin Skënderbej prej katër hektarësh. Kështu me projektin e francezëve më në fund dhe në arritëm pas 55 vjetëve diktaturë dhe demokraci t’i japim qendrës kufijtë, limitet e duhura të zhvillimit.
Për 10 vjet rresht të tranzicionit hapësira e Qendrës së Tiranës ka qenë hapësira më e dëshiruar dhe e lakmuar nga aktorë të ndryshëm, njerëz të biznesit dhe të pushtetit, për t’u pasuruar dhe sunduar sepse urbanizmi i saj vazhdoi përsëri pa studime përkatëse urbanistike të qendrës,pa plane të përgjithshme urbanistike të qytetit dhe pa studime rajonale. Kështu u krijuan kushte për një urbanistikë informale, abuzive dhe spekulative, me ndërtime spontane, pa vlera, larg shumë kërkesave për një arkitekturë dhe urbanistikë kontemporane të denja për një metropol. Fronti urban verior i qendrës sot përfaqëson një mur urbanistik ordiner, estetikisht i dështuar dhe i pashpresë, që vulos një epokë të dhimbshme të trajtimit hapësinor të zonës së qendrës.
Për vlerat e përgjithshme të projektit francez “Architecture Studio” kam shkruar në librin tim “Kush e Drejton Urbanistikën Shqiptare”, të cilat shkurtimisht, për lexuesin e këtij shkrimi, po i rreshtoj si më poshtë:
1-Plani francez, sikundër theksova dhe më lart, drejtë i ka përcaktuar kufijtë gjeografikë të qendrës. Ajo do të vazhdojë të zhvillohet kundrejt dy boshteve kryesore jug- veri sheshi “Nënë Tereza” dhe Stacioni i Trenit, dhe lindje-perëndim sheshi “Avni Rustemi” dhe “Zogu i Zi”.
2- Ruan dhe nuk prek, nuk cenon hapësirën e bulevardit të madh, boshtin kurrizor të organizimit të planit të qendrës e të qytetit dhe hapësirën më monumentale të Tiranës.
3-Projekti francez vë në jetë parimin dhe konceptin më të qenësishëm të urbanistikës moderne dhe asaj kontemporane, ndarjen e njeriut nga makina, ndarjen e lëvizjes këmbësore nga lëvizja e mekanizuar. Në rastin konkret këmbësori është zotërues i sheshit “Skënderbej”, lëviz i lirë, i sigurt dhe makinat lëvizin në Unazën e vogël të trashëguar nga monizmi, të cilën natyralisht e modifikon me ndarjen në breza kalimi për autobusë, për vetura, biçikleta dhe këmbësorë.
4-Projekti francez nëpërmjet gradacieleve i jep në aspektin kompozicional qendrës vertikalitet, madhështi, akcentim, peizazh, siluetë të denjë për një qytet të madh, të denjë për një metropol. Por cilat janë të metat e këtij plani?
1-Projekti francez nuk parashikon asgjë të re gjatë bulevardit të madh, asnjë ndërtesë apo ansambël të rëndësishëm kulturor, administrativ, tregtar ose institucion me funksion ballkanik apo evropian. Në qendrën e Varshavës për shembull, parashikohet të ndërtohet muzeumi botëror i artit. Në fundin e aksit të planit të qytetit të bukur të Brazilit, qytet i ri, madhërishëm qëndron sheshi i tri pushteteve i kompozuar nga pallati i qeverisë, parlamenti dhe pallati i Drejtësisë. Plani francez, parlamentin shqiptar e fsheh në oborrin e godinës së ish- komitetit qendror të Partisë Komuniste shqiptare!…
2 -Në projektin francez, gradacieli është keq interpretuar, gabimisht i përdorur. Është abuzuar në sasi (10 gradaciela) dhe në lartësi. Ata janë përqendruar në sheshin kryesor dhe nuk janë shpërndarë në mënyrë racionale dhe interesante në tërë hapësirën e qendrës. Reshti i gradacieleve në lindje të sheshit pret shikimin e malit të Dajtit, simbolin e natyrës dhe të mbrojtjes së qytetit, peizazhit më të mrekullueshëm të Tiranës, unikal në Ballkan i ruajtur nga çdo plan e studim urbanistik i mëparshëm. Pesë gradacielet në lindje, një motiv i pazbatueshëm, ndryshe duhet të prishet nyja tek Piaca sot.
3. Lartësia e gradacieleve është e madhe, 81 e më shumë metra, që në aspektin urbanistik do të cilësoheshin si jashtë shkallës urbane të qytetit. Në kompleksin e banimit me kulla i ngritur në qytetin e Parisit në vitin 1975, i quajtur “Fronti i Senës”, kullat kanë lartësi 85 metra.
4- Në Muzeun Historik Kombëtar, në oborrin e brendshëm të tij parashikohet të ndërtohet një 15katësh i dytë, biblioteka e qytetit, që do të thotë me gjuhën e arkitektit eliminimin e muzeut dhe në aspektin urbanistik krejtësisht i pamotivuar. Për një studio prestigjioze franceze është varianti me destruktiv.
Si një ndër projektuesit kryesorë të MHK, e konsideroj këtë ndërhyrje si një akt kundër arkitekturës tradicionale të qendrës.
***
Projektin francez të qendrës në saje të mbrojtjes entuziaste të Bashkisë dhe kryetarit të saj, shoqëria shqiptare dhe sidomos tiranasit e pritën mirë me entuziazëm dhe shpresë se francezi do ta bënte Tiranën si Parisin. Shkroi gjerë shtypi dhe u shfaqën shumë pamje nga projekti në ekranet televizive të vendit. Me këtë plan, mendoi qytetari i thjeshtë, Shqipëria do të pranohej më lehtë në BE. Shpejt filloi zbatimi i tij dhe konkurse ndërkombëtare të tjera u organizuan për projektet e gradacieleve I, II, III.
U arrit të lartësohet gradacieli i parë, tek sheshi “Sulejman Pashë Bargjini”, i dyti ende në themele dhe i treti, gradacieli “Syri i Tiranës” (që bukur e pagëzoi analisti i njohur, Fatos Lubonja, “Ciklopi i Tiranës”), i cili nuk mund të realizohet sepse papritmas projekti francez pushoi të jetë i plotfuqishëm. Për këtë në vitin 2008 u organizua një konkurs i ri dhe fitoi ai i studios belge, që sot po zbatohet.
Natyrshëm lind pyetja: Pse i parrëzuar një projekt zbatohet një i dytë, ligjërisht i paaprovuar? Për mendimin tim projekti belg është krejtësisht i ri, një projekt hibrid, i dalë nga kryqëzimi i atij francez dhe belg. Është një martesë shterpë ndërmjet planit francez dhe atij belg, rast i paparë, i patakuar në historinë e urbanistikës të rikonstruksionit të qendrave evropiane. Për këtë projekt jam katërcipërisht kundra për këto arsye:
E para: Në këtë histori dhe praktikë mungon morali dhe përgjegjësia. Rezulton se paskemi aprovuar një projekt-ide qendre pa vlera në trajtimin dhe mobilimin e sheshit “Skënderbej”. Projekti belg ndryshon rrënjësisht nga ai i francezëve, i cili na ofron një formë të re. Sikundër dihet, plani francez i miratuar është i ligjshëm për të vendosur për gjithçka që ndërtohet në zonën e qendrës së Tiranës. Kërkush deri më sot nuk ka guxuar ta shkelë atë. Ndërkohë, zoti Rama duke aprovuar planin belg, rrëzon planin francez…! Absurd apo diçka tjetër…
E dyta: Sheshi “Skënderbej” me formë piramide, veshur me pllaka guri, e kthen sheshin në një Saharë betoni. Literatura shkencore rekomandon që sipërfaqja e çdo lloj sheshi qoftë, duhet të jetë e rrafshët ose në të kundërt konkave dhe jo kunvekse, sepse pritet në disa pika shikimi i plotë i kateve përdhe të ndërtesave dhe ansambleve që rrethojnë sheshin. Shpjegimi apo interpretimi që i bëhet kësaj forme piramidale në majë të së cilës do të qëndrojë tashmë qytetari i lirë, është një demagogji shterpë dhe ironike që ngjason me dogmat e komunizmit në art dhe arkitekturë: “socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma”.
E treta: Ndërtimi i një kulle qytetare që nënkupton Bashkinë e qytetit, që parashikohet të ndërtohet ndërmjet MHK dhe hotelit 15-katësh, mbyll hapësirën e bulevardit “Zogu i Parë” që është hap fatal i këtij projekti. Zoti Rama, si organizatori dhe i dyti nga anëtarët e Komisionit, që ka vendosur për këtë plan, pas kryeministrit Fatos Nano, në fjalën e tij të rastit i ka thurur himn studios franceze, që me linjën e lirë të bulevardit të madh ka respektuar hapësirën emblemë të qytetit dhe zemrën e qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë; njëkohësisht ka respektuar dhe veprën e arkitektit të madh italian Brazinit, themeluesit të një kryeqyteti. Mbylljen e hapësirës së bulevardit të madh e konsideroj një ATENTAT KUNDER QYTETIT.
E katërta: Plani belg nuk është një studim bindës në rrafshin teorik dhe praktik të mënyrës së organizimit të lëvizjes mekanike dhe të këmbësorëve në qendër. Nuk është e mundur që vetëm Unaza e vogël të përballojë të gjitha llojet e trafikut, si atë tranzit, lokal penetrues dhe difuzues nga qendra, pa shfrytëzuar dhe urbanizimin nëntokësor që do ta lehtësonin shumë këtë nyje tejet të vështirë transporti.
Shpreh bindjen se nëntoka e sheshit ka potencial ndërtimi për parkime madje dhe rrugë tregtare, sikundër të tilla ndodhen dhe në shumë qendra qytetesh. Në projektin që dhunshëm po zbatohet, nuk lexohet asnjë shenjë se ku janë pikat e hyrjes dhe daljes së makinave dhe ato të njerëzve. Bashkia po nxitohet pse po ndërton çatinë e shtëpisë para hedhjes së themeleve.
Si përfundim të këtij shkrimi mendoj se:
Qendra e Tiranës nuk ka ende të përgatitur projektin e duhur për zbatim, sepse sikundër shkrova më sipër, mbart mungesa, dobësi dhe gabime në shumë aspekte dhe të shumë gjinive si: funksionale, formë dhe përmbajtje, urbano- strukturore, sociologjike, ekonomike, tekniko-inxhinierike, hapësinore, estetike, mjedisore, të cilat nuk mund t’i anashkalosh. Me projektin belg po godasim gabuar qendrën në zemrën e saj. Atë duhet ta ruajmë si gjënë më të shtrenjtë.
Dhe Tirana, në saje të zhvillimit të vrullshëm ekonomik e shoqëror, është në rrugën e kristalizimit të një shoqërie mekaniciste, sikundër kanë kaluar simotrat e saj të Evropës në fillim të shekullit të XX. Dhe Tirana po vuan, sëmuret nga pasojat e motorizimit dhe zhvillimit. Për këtë është detyrë e të gjitha forcave krijuese: urbanistëve, arkitektëve, planifikuesve, inxhinierëve dhe ekologjistëve dhe politikanëve shqiptarë, të punojmë për ta ruajtur dhe shëruar nga plagët e marra Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Apeloj në cilësinë e një njeriu të lindur në Tiranë, që e dashuron dhe ka punuar për Tiranën dhe qendrën e saj, në cilësinë e autorit arkitekt të Muzeut Historik Kombëtar, si dhe në cilësinë e profesorit të një karriere të gjatë akademike.
*Dekani i Fakultetit të Arkitekturës “UFO University”







