ShBA: Qeveri thellësisht e korruptuar. KQZ e politizuar. Rama: Kjo qeveri është një trup kombëtar

0
24

Shekulli, 19.04.2013

SHBA – Shtetet e Bashkuara fshikullojnë fort, Shqipërinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, korrupsionin e thellë, vrasjet politike, KQZ-në thellësisht politike etj. Raporti i të Drejtave të Njeriut në 2012-ën është prezantuar direkt nga Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry dhe është publikuar në faqen zyrtare të DASH.

“Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz”- është shprehja që spikat në raportin prej 27 faqesh, kushtuar Shqipërisë.

Aty përmendet edhe vrasja e katër protestuesve në janar të 2011-ës. Në të flitet edhe për rastet e gjakmarrjes, problemet serioze në burgje, vrasjet e grave dhe fëmijëve etj.

“Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz”, – thuhet në raport.- “Agjenda e reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, faktikisht ngeci teksa partitë politike e zhvendosën vëmendjen e tyre tek zgjedhjet kombëtare të vitit 2013-ës. Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit në duart e partisë në pushtet godet më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit. Mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin probleme të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për u nxjerrë rrëfime.

Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kryenin abuzime ishin sporadike dhe jokonseguente. Shumë zyrtarë të qeverisë dhe politikanë në përgjithësi, ashtu si dhe gjykatës, gëzonin imunitet nga ndjekja penale, dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale. Disa zyrtarë të niveleve më të ulëta u ndëshkuan për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë që ishin të implikuar qartësisht në raste abuzimesh u lëvizën dhe iu dhanë poste të tjera në qeverisje pa ndonjë ndëshkim.

Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standartet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit.

Rama: Flakërim syve të pushtetit të korruptuar

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama në rrjetin social Twitter, ka shkruar se ky raport është një kundërpërgjigje ndaj pushtetit të korruptuar, që sipas tij po rrënon Shqipërinë.

“Raporti i Departamentit të Shtetit, një flakërimë syve të pushtetit të korruptuar që po rrënon Shqipërinë! Ky pushtet është një turp kombëtar”,-ka shkruar Rama.

/Shekulli Online/Përgatiti: E.Sh/