Mashtrimi si vokacion

0
23

Nga Ardian Ndreca, 15 prill 2013

Pashë se Respublica e Mustafa Nanos i kishte dhanë strehë nji shkrimi të nji të panjohuni, për të cilin po më thonë se qenka student inxhenjerie në ShBA, i cili përpiqej me polemizue me mue tue përdorë të vetmen armë që mundte me përdorë: mashtrimin dhe falsifikimin.

Individit në fjalë, njifarë A. Taraj, s’do t’i ishe përgjegjë aspak, pse s’ka asnji kuptim me faktorizue çdo student apo regjisor dështak që engledisen me punë që s’ia dinë fillin, por tue qenë se ky Taraj në shkrimin e tij ka tregue se mashtrimin e paska vokacion, vendosa me ia thanë dy fjalë siç i meriton.

E para e punës me identifikue islamin me Perandorinë Osmane asht nji falsitet historik që mund të konceptohet vetëm në sheken e mendes së plogët të këtij rishtari të inxhenjerisë.

Në shkrimin që citon ky shtjerakeqi un as që e kam përdorë ndopak substantivin “islam”. Qëllimi i shkrimit tem “Deliri si ndërshkim” ishte me vu në dukje topitjen shpirtnore të Kim Mehmetit në nji pohim të tijin të kohëve të fundit dhe me shprehë kundërshtinë me idenë e shkrimit të historisë sonë nën mbikqyrjen e funksionarëve të shtetit turk.

Po kur studenti i inxhenjerisë s’asht në gjendje as me e riprodhue drejt titullin e shkrimit me të cilin mëton me polemizue, çka ke me pritë prej inxhenjerisë së tij!

Kulmin e mashtrimit ai e arrin kur i ndërron kryefjalën nji frazës teme tue ekstrapolue prej kontekstit me nji dell mjeran prej falsifikatori, nji togfjalësh që ndodhet dy paragrafë ma poshtë.

Un shkruej:

Edhe pse kontakti gjeografik me Turqinë mungon, mes nesh endet si nji shpirt i keq gërmadhash nji frymë që s’asht tjetër veçse gërbula që na ka lanë barbaria otomane. Ka 100 vjet që e tërheqim zvarrë mbas nesh ketë hije të zezë ase kufomë që na e qelb rrugën, tue shpresue gjithnji që të shkundet ma në fund prej jermit të etheve të liga, por më kot”.

Prej vetë frazës dhe ma gjanë prej kontekstit, edhe nji mendje mjerane, e pamësueme me lexue dhe e ndotun prej paragjykimesh, mbërrin me kuptue se bahet fjalë për nostalgjinë e disa shqiptarëve për perandorinë osmane, asht kjo nostalgji që na ndjek tash 100 vjet, që Turqia ka dalë së ketejmi.

Mendizi Taraj shkëput nji frazë tjetër ma poshtë e cila ndodhet në nji kontekst tjetër që tingllon kështu:

Në Maqedoni nji pjesë e madhe e shqiptarëve e ka humbë krejtësisht vetëdijen etnike tue u asimilue kulturalisht e tue u ba turq e në këtë gja nji rol tejet negativ e ka luejt mënyra e paemancipueme sesi e konceptojnë besimin e tyne, tue mos e nda “dinin” prej kombësisë. Vetë lutjet në arabisht janë tregues i nji unjisimi shpirtnor me nji botë që gjithnji e ma tepër po shkatrron indin e shqiptarizmës. Edhe ata që janë shpërgulë në katër valët kryesore të emigracionit drejt Turqisë e kanë humbë krejtsisht gjuhën dhe zakonet shqiptare, në nji kohë që kemi arbëreshët që tash pesë shekuj i ruejnë me fanatizëm këto visare”.

Përfundimi i këtij mashtruesi, që edhe pse i ri paraqitet si profesionist, shprehet tek ky mendim që mendja e tij e përçudnueme formulon kështu:

“Sipas kryeredaktorit të “Hylli i Dritës” Islami “endet si nji shpirt i keq gërmadhash”.

Islami, ore gdhë, nuk ka 100 vjet që jeton ndër shqiptarë, ka shumë ma tepër, ajo që ka 100 vjet që na ndjek asht nostalgjia e turqve me banim në Shqipni për kohën e dovletit.

Do të isha tregue zemërgjanë në qoftë se kush ia ka botue ketë palo shkrim do të më siguronte se ky individ asht i metë për nga trutë, pra nji idiot i ekzaltuem, që nuk arrin me kuptue as edhe nji shkrim të thjeshtë. Por nji gja e tillë duket e pangjashme.

Atëherë nuk mbetë tjetër veçse me mendue se ky asht nji mashtrues, nji falsifikator i mirëfilltë që rrenën e ka kthye në ideal ende pa iu tha qumështi në buzë.

Mendoni çfarë mjerimit, nji i ri shqiptar, të cilit i asht dhanë mundësia me studjue në atdheun e demokracisë, asht aq i manipuluem dhe i përulun shpirtnisht përballë ish pushtuesve të vendit të vet, sa që i identifikon ata me besimin e tij fetar!

Nuk gjeta asnji fjalë të tijën për atë që ishte thelbi i shkrimit tem: a mundet qeveria turke me diktue dhe me kontrollue sot historishkrimin tonë të teksteve shkollore, tue e rehabilitue pushtimin osman në nji administrim të thjeshtë?

Vetëm kaq.

Ky ishte thelbi i debatit dhe jo feja islame e cila asht nji çeshtje private ndergjegjet dhe nuk pengon askend sot që të jetë shqiptar i mirë.

Pyetjes së masipërme rreth legjitimitetit të ndërhymjes së qeverisë turke mund t’i përgjegjet edhe nji student, madje edhe nji student me neurone të ngadalsueme. Por ai s’merret me atë që shkruej un, ai merret me besimin islam, për të cilin un, për nji milion arsye, nuk kam shkrue kurrë asnji rresht të vetëm, as tue e vlerësue dhe as tue e prozhmue.

Studentit mashtrues do t’i kujtoja në mbyllje do rreshta të Faik Konicës, e ndoshta do t’i vijë dëshira me nisë e me lexue yjet që kanë ndriçue formimin e shtetit shqiptar:

Ne, Shqiptarët e anës kombëtare, nukë kemi tjatër mendim përveç t’a heqim Shqipërinë nga balta. Kërkojmë të jetojë kombi yn me gjuhë të tij, me mendime e me nder të tija.

Sa Shqiptarë janë të ndershëm, do të mbajnë të gjithë anën kombëtare. Ata që janë zuzarë, shpirtrobër e bij kurvash, le të mbajnë me anët e tjera” (Albania, 1901).