Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe E Lumja Nënë Tereza në gjoksin e Imzot Rrok Mirditës

0
51

(Komuniteti shqiptaro-amerikanë i New York-ut ndan gëzimin me ish-bariun e vet shpirtëror Imzot Mirdita)

Nga Tomë Mrijaj, New York

Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, dekoroi me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë. Arqipeshkëvi Tiranë-Durrës Shkëlqësia e Tij Imzot Mridita, u dekorua me motivacionin: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.

Imzot Vinçenc Prennushi dhe Imzot Rrok Mirdita

Dy personalitete të shquara:
Imzot Vinçenc Prennushi dhe Imzot Rrok Mirdita

Muaji i shtatorit, ishte periudha vjeshtore, kur lindën dy prelatët: Imzot Vinçenc Prennushi dhe Imzot Rrok Mirdita.
Po dëgjoja tingujt e bukur dhe fjalët kuptimplote të këngës: “Porsi fleta e Engjullit t’Zotit”. – Sa bukur! – thashë me vete. Diku kisha lexuar për një ngjarje, që kishte lidhje me këtë këngë dhe me të rinjtë gazmorë të qytetit kulturëdashës antik të Shkodrës, menjëherë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Të rinjtë shkodranë, antarë të Shoqërisë “Vllaznia”, organizuan një demostratë të madhe në përkujtim të 28 Nëntorit. Qyteti ishte lënë në duart e aleatëve, nën komandën e gjeneralit francez Bardi de Fourtou, i cili, bashkë më flamurin francez, kishte ngritur në kështjellën legjendare të Rozafës edhe flamurin e Serbisë, si bashkëluftëtare të saj. Të rinjtë i ishin ngjitur kodrës dhe kishin shkuar në kështjellën historike.

Këtij grumbulli të rinjsh entuziastë, që u vlonte në gji ndjenja e thellë e atdhedashurisë, i printe frati trupvogël i Urdhërit të Shën Françeskut, por me shpirt të madh, Ipeshkvi, Imzot Vinçenc Prennushi. Me fjalimin e tij të ngrohtë, që e përshkonte fryma e thellë atdhetare, zgjoi në ndërgjegjen atdhedashëse, vrullin e entuziazmit të rinisë vendase, në mënyrë të tillë, sa lulja e rinisë shkodrane u vërsul si shqiponjë kundër flamurit pushtues serb, e hoqi me urrejtje nga shtiza dhe, në vend të tij, shpalosi në ajrin e lirë të tokës arbërore rubën e kuqe me shkaben dykrenare.

Njerëzit, të gëzuar nga ai çast prekës dhe solemn, e ngritën tërë gëzim në krahë Imzot Vinçencin, i cili, me afshin e rinisë, që ziente në damarët e tij të brishtë, ia mori këngës patriotike: “Porsi fleta e Engjullit t’Zotit” (shkruar nga Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta OFM (1870-1940)), tingujt e së cilës, të shoqëruar nga mbarë populli, jehuan si oshëtimë larg e larg… Shkodrës i erdhi buzëqeshja dhe iu largua trishtimi.

Valët e liqenit të qytetit dhe rrjedhja e ujërave të lumenjve Drin e Bunë i shpërndanë ato në qiellin arbnor, duke mbërritur në veshin e Perëndisë. Prej kësaj shfaqjeje magjiplote, që prej këtij çasti të mrekullueshëm, shkrimtari, Imz. Prennushi, shkroi plot frymëzim romancën: “Grueja shqiptare”, vargjet mallëngjyese të së cilës, në atë kohë, nuk ka pasur shqiptar, që të mos i dinte përmendësh:

Ka ra rreza ndër bajana!
T’bin e vet kshtu e pvet e ama:
Ç’ke, moj bijë, që kjan e fshan?
Kjan e fshan e vetllat vran?
Merr pelhurën, qi pat endë,
Bija e saj kishte pas kenë
Kuq e zi m’te qindisë
Gjen dashtnin qi e kish molisë…”

Shërbëtor i Zotit
dhe njohës i thellë i letërsisë

Imzot Vinçenc Prennushi

Kush ishte Imzot Vinçenc Prennushi, ky njeri me vizion të madh, misionar i paqes, që gjithnjë u mundua me përkushtim e përvuajtje të veçantë, të qetësojë zemrat e të varfërve!?
Cila ishte jeta e atij njeriu, që natyra e kishte pajisur me virtyte të rralla, që me gojën e ëmbël e plot elokuencë, me urtësinë në fjalë dhe me veprime të matura, me jetën e pastër fetare e atdhetare, kishte fituar dashurinë dhe nderimin e të gjithëve!?
Emri i tij ishte bërë simbol burrërie, ndershmërie e drejtësie.

U lind më 4 shtator 1885, në Shkodër. Që në moshë të re, i veshur me zhgunin e Shën Françeskut, Patër Vinçenci tregoi takt dhe durim të rrallë në zbutjen e fanatizmit të theksuar fetar në qytetin e lindjes, fill pas krijimit të shtetit shqiptar. Qysh atëherë, ai u shqua për atdhetarizmin e zjarrtë në mes të bashkëvëllezërve të Urdhërit të Shën Françeskut, këtij kuvendi fetar, që ishte fidanishtja e kultivimit dhe zbatimit të binomit lutu për fe dhe puno për atdhe.
Atdheu ynë, Shqipëria, i detyrohet shumë me nderim dhe respekt antarëve pararendës të Kuvendit të Shën Françeskut, për shërbimet e mëdha dhe të përhershme ndaj popullit, kulturës, artit, shkrimkëndimit, ruajtjes dhe ripërtëritjes së dokeve e zakoneve të lashta etnike, që, në përgjithësi, spikatin me një forcë të madhe në lëmin e atdhedashurisë së pakufishme për çështjen kombëtare. Përfshihet me afsh të zjarrtë në veprimet e vijueshme të klerit katolik për pavarësinë e vendit nga nata e gjatë turke. Me rastin e ngritjes së Flamurit kuq e zi në kalanë “Rozafat”, më 14 mars 1914, Patër Vinçenci mban fjalimin kryesor, ku spikat orotoria e tij elokuente.
Në moshën 25-vjeçare, më 1915, atij iu besua drejtimi i Kolegjit Françeskan në lagjen Arra e Madhe, e mirënjohur si vatër e përhershme e tyre, nga i cili dolën shumë fretër të zot të punës e të fjalës, si Atë Bernardin Palaj, shkrimtar me vlerë dhe poet i zoti.
Patër Vinçenci, përveç punëve të shumta si drejtues i Kolegjit “Saverian”, shkruante vjersha dhe përmblidhte nga goja e këngëtarëve të moçëm shkodranë këngët e bukura të gurrës burimore popullore, të cilat, me përkujdesje, i botoi më 1911 në Sarajevë, me titullin “Visari kombëtar”.
Me botimin e këngëve popullore gegnishte, autori Prennushi i dha një shtysë të re, në një drejtim më shkencor, folklorit shqiptar dhe, me lirikat e tij të para, të botuara në të përkohshmen zëmadhe “Hylli i Dritës”, “Ora e Maleve”, “Zani i Shna Ndout”, “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, skaliti me dinjitet dhe krenari emrin e tij origjinal në historinë e letërsisë shqipe.
Asokohe, ai mbante ligjerata të bukura me tharm patriotik, në raste të ndryshme në lidhje me datat historike. Rruga për t’u ngjitur në shkallët më të larta të Urdhërit të vet ishte e shkurtër për Patër Vinçencin. Nuk kaloi shumë kohë dhe e shohim fratin e ri si guardian, Kryetar i Kuvendit Françeskan në rrugicën Gjuhadol, ku qëndroi 6 vjet.
Edhe këtu i dha rëndësi rregullimit të arkës së Shna Ndout, d.m.th. atij fondi të themeluar posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë të varfërve, midis më të varfërve shqiptarë.

Nuk ka pasur shkodran, që nuk e di se sa të varfërve u janë fshirë lotët me anën e kësaj vepre të dashur njerëzore. Më 1929, u zgjodh në zyrën më të lartë të familjes së madhe të (Organizatës) Fretërve Minorë Françeskanë (O.F.M.) Shqiptarë, si Provincial, detyrë, të cilën e kreu me nder deri në vitin 1933 Imzot Vinçenc Prennushi ishte një nga punëtorët e palodhur dhe më të frytshëm të letërsisë sonë amtare. Përveç veprës së tij kryesore “Gjeth e lule”, ku, përmendet për lirikat e tij të bukura, ai përshtati ose shqipëroi në gjuhën amtare shumë vepra nga fondi i artë i letërsisë botërore, i udhëhequr gjithmonë në zgjedhjen e vet nga kriteri i pajtimit (ose shërbimit) të artit ndaj fesë.
Ai jetoi dhe krijoi, kur pendat më të ndritura të kombit e ngritën në piedestalin më të lartë artin, letërsinë dhe kulturën shqiptare. “Ai diti, -sikurse thotë linguisti i shquar Atë Justin Rrota O.F.M., – me mbledh gjithçka gjeti të hijshme në fjalë e frazeologji të qytetit të vet, i mblodhi si bleta dhe i vendosi me shije të madhe në shkrimet e veta.”
Një tjetër kritik i Prennnushit, duke bërë krahasimin me Fishtën, thotë: “Ndërsa Fishta na shfaqet me fuqinë e viganit të Malcisë, Prennushi të pret me përkdheljen e ngjyrave, që ai i rradhit, herë të buta e herë të forta, por pa prekur kurrë dramacitetin. Në poetin e “Lahutës”, ndjejmë fuqinë vullkanike të majave të Alpeve shqiptare, kurse në poetin “Gjethe e lule”, lihet me një anë fjala e fortë, për të dhënë nektarin e luleve të freskëta, të pranverave shkodrane.”
Në librin: “Ndër lamijet e demokracisë së vertetë” Ipeshkëvi i Durrësit, Prennushi, jep mendime të sakta për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor, mendime origjinale, të cilat mbeten të gjalla edhe për kohën e sotme. Ai përktheu shumë romane e drama. Kështu, më 1924 përktheu romanin e përmendur të Kardinalit Wiesemann në dy vëllime “Fabiola”, (1935) “Quo vadis!?” (1939) të Sienkiwiecz-it, “Burgjet e mia” të Silvio Pellico-s dhe ka përpunuar nga gjermanishtja veprën “Dreizchnlinden” të Weber-it etj. Ai ka shkruar dhe vepra me përmbajtje fetare, ku përmendim tre vëllimet me titull “Fjala e Zotit” (1918), ku, zhvillohet Ungjilli në të dielat e motmotit.
Më 1940, emërohet Ipeshkëv i Durrësit, deri në vitin 1947, vit kur arrestohet nga komunistët, që ishin kundër fesë dhe kombit e për të, në moshën 65-vjeçare, nis kalvari i tmerrshëm i vuajtjeve, vuajtje që dinin t’i krijonin e t’i shkaktonin vetëm xhelatët komunitë. Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947, por vdes më 19 shkurt 1948 nga astma. Shpallet “Martir i Demokracisë”, më 8 maj 1993, në Durrës.
Shkrimtari dhe studiuesi, bashkëqytetari i prelatit shqiptar, Prof. Arshi Pipa, që ishte një nga bashkëvuajtësit në burgjet e ftohta komuniste me Imzot Vinçenc Prennushin, ndër të tjera kujton: “Imzot Prennushi më ka rrfye qysh Enver Hoxha e kishte thirrë gjoja të këshillohej me te për punët e Kishës Katolike Shqiptare, në të vërtetë për t’i imponue atij pikëpamjet e tij politike komuniste ndaj fesë. Nuk kishte mundë ta bindte. Ma vonë, mbasi Imzot Prennushi u burgos, ai u vërsul ashpër kundër tij në njenin prej fjalimeve të veta. Mbasi e burgosën, e torturuen. Prej vetë gojës së tij, dij se e kanë rrahë ma parë me dru, mandej e kanë lidhë për kambësh e për duersh, i kanë kallë mes tyne nji dru me nji çengel në të, mandej e kanë varë drunin me nji gozhdë të madhe në murin e nevojtores, tue e lanë aty deri sa i ka ra të fikët. “Si dashin në krraba”, shtonte buzëqeshun Imzoti, të cilit nuk i mungonte nji damar shakaje.”( [1])
E vuajtja e torturat e munduan shumë prelatin shqiptar, Imzot Prennushin. Në momentet e fundit të jetës ai kërkoi dritë dhe vetëm dritë. Pikërisht çastet e fundit të jetës së tij në mënyrë dramatike i përcjell, i prekur thellë, miku i tij dhe bashkëvuajtësi Prof. Pipa, tek kujton me dhimbje atë skenë: “Po ndodhte shpesh që nuk kishim dru sa duhej. Dhe kur fikeshin xhixhat e fundme dhe errësina peshonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit herë njeni, herë tjetri dhe i rrijshim të smundit te kryet, tue folë (të folunit ia davarite disi travajin), tue i dhanë zemër, tue e gënjye se do të bishim dru të tjera ose se nata ishte në të sosun…
Nji natë të këtillë më tha copa-copa:
“Tash po kujtoj fjalët e Goethes “Mehr Licht! (Më shumë Dritë!).
Ajo dritë, së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti, nuk ishte, sigurisht drita qi shohin sytë tanë shqisorë. Dhe këtë Imzoti e dinte mirë. Po cili njeri nuk pau në dritën e ambël të qiellit simbolin e jetës? “Me të ba sytë dritë mbi dhe”, thotë populli ynë me nji shprehje egërsisht poetike, për me cilësue jetën. Dhe, kur mendja e njeriut u rrek me gjetë nji orë kalimi mes landores dhe palandores, u ndal, si nji herë përherë, por te drita. Prej neoplatonizmi, tërthuhet Augustinit, te shkolla françeskane e Oxford-it, përfytyrimi i dritës ndriçoi konceptin e filozofisë, tue ndërmjetësue mes poezisë dhe mytikes. Dhe Foscolo pat thanë afër ditëve tona: “Perche gli occhi dell’uomo cercon morendo il Sole…”
Imzot Prennushi, u nda këso jete nji natë të frorit 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhun e të shterrun, që aq shumë kishin rektue për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrime, të paqueme mbas aq mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndoshta mue me bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqrremta të zjarrit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, nder zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti, qi në grahmat e dhimbës fizike topitet, tkurret, terrtiset, si kullohet prej saj, kur dhimba të prajë si ujt prej lymit, që e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale.”( [2])
Kur Imzot Prennushi pyetet në hetuesinë e Sigurimit komunist, për vajtjen e tij pranë Misionit Amerikan në Tiranë, ai përgjigjet: “Në Misionin Amerikan, kam shkue për kryeshndosh për Ruzveltin… Në Tiranë, në nji mbledhje të Klerit, kemi diskutue, për mbylljen e shkollave, të seminareve dhe shoqnive fetare, si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946). Kemi paraqitë në qeveri nji memorandum, me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga nji kopje ia kam çue misioneve amerikane e franceze në Tiranë” (Dosja 1245, Arkivi i Ministrisë së Brendshme Tiranë).( [3])

Lindja e një Prelati të ri dhe vuajtjet e Imzot Prennushit

Kur Ipeshkëvi i Durrësit, Prennushi, po vuante dhe po hiqte të zitë e ullirit, jo shumë larg Shkodrës zonjë, po rritej e po hidhte shtat një prelat i ardhshëm i fesë. Ai quhej Rrok Mirdita.
U lind më 28 shtator 1939, po në atë muaj që u lind Ipeshkvi i Durrësit, Imzot Vinçenc Prennushi. I pari u lind në Shkodër, i dyti jo shumë larg Shkodrës së Imzot Prennushit, por në katundin Kllezën, të rrethit të Ulqinit, në vendlindjen e Gjon Buzukut, autorit të veprës “Meshari” (1555). Në këtë vit (1939), Imzot V. Prennushi, po shqipëronte romanin “Burgjet e mia”, të shkrimtarit italian Silvio Pellicio.
A e dinte Imzot Prennushi, se çfarë e priste më pas!? A i kishte lexuar ato, që do të kalonte në burgjet e errëta e barbare komuniste me përkthimin e tij!?
Sigurisht, që Provinciali i përvujtur i Shën Françeskut, nuk i parashikonte këto tmerre, që kaloi mbi kurrizin e tij. Atij nuk i shkonte ndërmend se torturat çnjerëzore do t’i vinin nga mendjet e çmendura të bashkëkombasve të tij, që ishin lindur, rritur e flisnin gjuhën shqipe, sikurse Ipeshkvi Prennushi. E Zoti i shihte këto masakra dhe e la Ipeshkvin të bëhej martir në qelitë e ftohta të burgjeve komuniste, për të mbetur shëmbëlltyra e Krishtit, duke kaluar kalvarin e vuajtjeve për Fe e Atdhe.
Nga ana tjetër, prelati martir nuk e dinte se, me vullnetin e Zotit, po lindte një filiz i ri, për të ruajtur të gjallë në tokën e arbërit farën e krishtërimit, vaditur me gjak martirësh. E kështu, po në afërsi të Shkodrës, i riu klerik që ndiqte nga afër persekutimin e ajkës dhe krenarisë së Kishës Katolike në Shqipëri, po ecte i sigurtë për të ruajtur të gjallë fenë e Krishtit, në zemrat e besimtarëve shqiptarë, në tokat e Arbërit, në Ulqin.
Këtë udhë të shenjtë të meshtarisë, mbas shumë e shumë vitesh të diktaturësateisto-komuniste, si kryebari i grigjës së salvuar në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës, do ta ndjekë me krenari e përkushtim shembullor tash 15 vjet, Arqipeshkvi i sotshëm metroplitan, Imzot Rrok Mirdita.

Ndërsa në Shqipëri po zhvillohej me tërbim të madh lufta kundër elitës intelektuale (me mendime të begata përparimtare, të brumosur thellë më kulturë e dije të gjithanshme europiano-perëndimore) dhe njerëzve me petk klerikal, që predikonin fenë e zbusnin zemrat e shpirtrave njerëzorë, në anën tjetër të kufirit shqiptaro-shqiptar një djalë i ri energjik, plot vrull e përkushtim fetar, Dom Rrok Mirdita, rritej dhe mëkohej me kulturë fetare e atdhetare.
Ndonëse po hiqte shumë, Imzot Vinçenc Prennushi, para se të kalonte në amshim,në një përpjekje të fundit plot vështirësi, i vuri dorën në kokë dhe e bekoi meshtarin e Vlorës, Dom Jul Bonatin, i cili, i kërkoi bekimin e fundit Imzot Prennushit. Famullitari Dom Jul Bonati, ishte shumë i vjetër në moshë dhe kishte kaluar disa kampe pune dhe burgje komuniste. Më vonë ai u transferua në Durrës, atje ku vuante privimin e lirisë edhe Ipeshkvi Prennushi. Ai kshte qenë në Firence të Italisë, ku ishte përpjekur të shtypte përkthimin e tij “Lahuta e Malcis”, shkruar nga poeti i madh, Atë Gjergj Fishta…

Vazhdimësia e veprës së tij

Ç’është ai kryq i bukur në gjoksin e Imzot Rrok Mirditës? Kush e ka mbajtur më parë atë!? Cilin personalitet të Fesë dhe Atdheut na kujton ky kryq!?
Me krenari, Imzot Rrok Mirdita mban në qafë kryqin e Imzot Vinçenc Prennushit, rrugën e të cilit po e ndjek edhe sot me ndershmëri e devotshmëri shembullore, duke përçuar në popullin shqiptar dashurinë për atdhe e për njeri-tjetrin, të predikuar aq bukur nga paraardhësi i tij, Ipeshkëvi Imzot Prennushi.
Imzot Mirdita shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Zadër të Kroacisë, ku gjenden dhjetra e mijra shqiptarë, të cilët u vendosën aty për t’i shpëtuar masakrës së barbarëve turq. Ata gjetën mikëpritje bujare dhe mbrojtjen e Ipeshkëvit Zmajeviq, asokohe Arqipeshkëv i Tivarit. Nën këtë Ipeshkëv u zhvillua dhe Koncili Nacional i Arbërit gjatë periudhës, kur në Vatikan, ishte Papa me origjinë shqiptare Klementi XI, Gjon Françesk Albani (1649-1721). Studimet e larta filozofike dhe teologjike i mbaroi në Fakultetin Teologjik të Zagrebit, në Kroaci.
Ai ishte 24 vjeç, kur u shugurua meshtar nga Shkëlqësia e Tij, Imzot Aleksandër Tokiç, Arqipeshkëv i Tivarit dhe Primat i Serbisë. Don Rroku kreu njerën pas tjetrës detyra të ndryshme baritore dhe administrative apostolike. Ishte administrator i famullisë në Kishën e Shën Pjetrit e Shën Palit, në Salçi, famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit, në Kllezën, afër Ulqinit.
Më 1973, me lejen e Arqipeshkëvit të Tivarit, vjen në Qendrën dhe Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Bronx, NY, ku, menjëherë fillon veprimtarinë e tij meshtare. Në fillim ai ishte ndihmësadministrator i dy prelatëve të mëdhenj, i Monsinjor Simon Filipajt (1925-1999), shqipëruesit të librit të shenjtë “Bibla”, në vendlindje dhe Monsinjor Dr. Zef Oroshit (1912-1989), shqipëruesit të veprës: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, këtu në New York.

Të dy, për shumë vite u morën me përkthimin e Ungjillit dhe me shumë shkrime me karakter fetar e kombëtar, botuar nëpër revista dhe gazeta të kohës Ardhjen e Dom Rrokut në New York, revista “Jeta Katolike” e priti me një shkrim mirëseardhjeje. Në shkrimin: “Mirëseardhje Dom Rrok Mirditës”, ndër të tjera lexojmë: “Me 6 qershor 1973, arriti përgjithnji në New York, në Kishën tonë, i përnderëshmi Dom Rrok Mirdita, prift dioçezan i Argjipeshkvis së Tivarit, për të punue në Kishën shqiptare bashkë me At Zef Oroshin.
Dom Rroku, arriti këtu me të gjithë kërkesat e duhuna kanunore kishtare, d.m.th., simbas shprehjes së nenit të Kanus Kishtare (C.I.C.) me pranimin e “Episcopus a ad quem” dhe me lejen e “Episcopus a quo”, që don të thotë me pranimin e Argjipeshkvit të New York-ut dhe me lejen e Ordinarit të vet, Arqipeshkvit të Tivarit.
Kryeurë zyrtare për këto veprimtarina kanunore kishtare u ba At Zef Oroshi, administrator i Kishës Katolike shqiptare në New York…
Vjen vetvetiu se dhe për Dom Rrokun, porsa inkardinohet (të përfshihet) në këtë Arkidioçez, vlejnë të gjitha rregullat kishtare të përgjithta dhe ata partikolaret e Kishës sonë shqiptare.
Nderkaq “Jeta Katholike Shqiptare”, uron me zemër mirëseardhjen Dom Rrokut, në gjinin e bashkësisë sonë katholike shqiptare, ku jemi të sigurtë se ai ka për të zhvillue nji veprimtari të dobishme shpirtnore në vëneshtën e Tenzot.”( [4])
Me daljen në pension të Monsinjor Oroshit, dioqeza e New York-ut, emëron të përndershmin Dom Rrok Mirdita administrator të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Me blerjen e tokës për ndërtimin e Kishës së re në Hartsdale, NY, Eminenca e Tij, Kardinali i New York-ut, John J.O’Connor, e lartësoi Qendrën në famulli, ku mori emrin “Zoja e Shkodrës”.

Më 28 shtator 1989, ditën e tij të lindjes, Dom Rroku emërohet famullitar i kësaj kishe. Në të njëjtën kohë, Dom Pjetër Popaj emërohet ndihmësfamullitar, duke qenë kështu krahu i djathtë i bashkatdhetarit të vet. Nën drejtimin e Dom Rrokut dhe Dom Pjetrit, Kisha dhe Qendra Kulturore Shqiptare “Nënë Tereza”, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të çmuara fetare e kulturore.

Për 10 vjet me radhë, me mbylljen e përkohshme të revistës “Jeta Katholike Shqiptare”, Dom Rrok Mirdita çdo të shtunë në mëngjez ka përgatitur dhe folur në radoi, në emisionin “Zani Katolik Shqiptar”, me një diksion të admiruar nga të gjithë dëgjuesit e programit të tij.

Ringjallja e hierarkisë së Kishës

Në Shqipëri filluan të fryjnë erërat e Perëndimit, ndryshe nga erërat shkatërrimtare të Lindjes bolshevike komuniste, ku meshtarët dhe besimtarët ishin vënë në shenjestër të asgjësimit total. Hapja e Shqipërisë drejt botës përparimtare u shoqërua gradualisht me ringjalljen e fesë në vend, duke ringritur nga themelet e përgjakura çfarë kishte mbetur pa u zhdukur me themel. Të parët, që dhanë përkushtimin e tyre ishin të rinjtë shkodranë të të tre besimeve. Më 4 dhe 11 nëntor 1990, filloi mesha e parë në varrezat e vjetra të Rrmajit, nga ish i burgosuri për 26 vjet, kleriku Dom Simon Jubani (1923). Njerëzit e fesë (ata që kishin mbetur pas kalvarit komunist) u mbrojtën nga i gjithë populli i Shkodrës.

Institucionet fetare, që ishin kthyer në magazina, depo ushtarake, qendra sportive e pallate “kulture” bolshevike, filluan të kryenin misionin e parë të tyre fetar, ndonëse objektet e kultit ishin shkatërruar dhe thyer me tërbim e urretje fanatike. Frymëmarrja e Kishës së tejsalvuar kishte filluar të jepte shenjat e saj të ringjalljes. Brenda një kohe të shkurtër njerëzit nxorrën nga nëntoka dhe nga shtëpitë e tyre, simbolet e fesë dhe pajisjet e ruajtura me shumë kujdes e sakrificë. Thjesht e me dashuri, u krijuan kushtet e favorshme për ringritjen e institucioneve fetare. Katedralja e Madhe e Shkodrës (1858), brenda dy vjetëve, u ndërtua e bukur, me kontributin e të gjithëve. Por duheshin edhe prelatët, predikuesit e fesë.
Lajmi i vizitës së Papa Gjon Palit të II-të në Shqipëri, gëzoi të madh e të vogël, në të gjithë trojet etnike shqiptare dhe diasporë. Kujtojmë se Papa Gjon Pali II dhe Shqipëria, kanë qenë të lidhur ngushtë gjatë viteve të historisë, kur shqiptarët gjendeshin nën gjumin letargjik komunist. Përvoja e Atit të Shenjtë, për t’i bërë ballë pushtetit armiqsor shekullor, është ndoshta unikal midis papëve të historisë moderne. Asnjëri nga papët e Romës, nuk e ka dashur aq shumë Kishën në Shqipëri, sa i ndjeri, polaku i përshpirtshëm, Gjon Pali II (Karol Woytila).
Më 25 prill 1993, ora 8:30 paradite, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas (Tiranë), mbërriti kreu më i lartë i katoliçizmit botëror, i cili do të shuguronte katër ipeshkëvijtë e hierarkisë kishtare shqiptare: Dom Frano Illia (1918-1997), Dom Robert Ashta (1918-1998), Dom Zef Simoni (1928) dhe Dom Rrok Mirdita (1939).
Ati i Shenjtë, ndërmjet të tjerave, tha: “Ty, o popull fisnik shqiptar, të drejtoj përshëndetjen time më të ngrohtë e më të dashur. I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme, që është dashur të përballosh, ngjarje të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha do të arrijë me vështirësi t’i fshijë dhe Europa e bota nuk mund t’i harrojë.”
Pas përshëndetjeve të rastit, mbasi kaluan në revistë nderi truprojën, nën tingujt e hymneve të Vatikanit dhe Shqipërisë, Papa dhe përsonat që e shoqëruan u nisën me karvanin e gjatë të makinave për në qytetin e lashtë të Shkodrës.

Në hyrje të qytetit verior Ai bëri një ndalesë të shkurtër pranë rrënojave të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës), rrëzë kështjellës legjendare të Rozafës. Peligrinazhi i shqiptarëve nga Amerika, me flamuj kombëtarë, të Papës e të ShBA-së, hyri në katedrale, pas një proçesioni të prirë nga barinjtë e tyre shpirtërorë Dom Anton Kçira, Dom Prek Ndrevashaj e diakoni Marash Shkreli.( [5])
Dom Pjetër Popaj, me një grup prej 150 shtegtarësh nga Kisha Katolike Shqiptare e New York-ut, mori pjesë në ceremoninë, që u zhvillua në Kathedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, me udhëheqjen shpirtërore të të përndershmit Dom Pjetër Popaj dhe djakonit Marash Shkreli. Organizimin e bëri një komision i zgjedhur nga Këshilli i Kishës.( [6])
Në atë ceremoni madhështore ishte e pranishme Nënë Tereza (1910-1997).

Dom Rrok Mirdita shugurohet Ipeshkëv i Durrës-Tiranës (koinçidencë, se deri më 1947 kishte qenë në atë detyrë Imzot Prennushi), një nder i madh ky, që i bëhet komunitetit katolik shqiptar në New York. Ky lajm sa e gëzoi, aq edhe e dëshpëroi bashkësinë tonë. E gëzoi, sepse njeriut të tyre iu bë një vlerësim i jashtëzakonshëm nga kreu i Selisë së Shenjtë dhe e dëshpëroi, se ky komunitet e desh në mesin e tij. Ne jemi krenarë për meshtarin tonë, që sot administron apostolikisht Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.
Monsinjor Rrok Mirdita, është vijues i denjë i traditës duke predikuar mirësinë e paqen mes njerëzve, ashtu sikurse gjithnjë porosiste Monsinjor Vinçenc Prennushi.
Sot detyra e Imzot Mirditës është më e madhe, se ajo që kishte paraardhësi i tij Prennushi për faktin, se imzot Mirdita, është Arqipeshkëv Metropolitan me Pallium, vlerësim, të cilin kohët e fundit ia dha Selia e Shenjtë në Vatikan. E tani, më vijnë ndër mend fjalët e Imzot Prennushit, i cili, para gjyqit komunist tha: “Nuk ia kam dasht kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë.”
Sa herë që vjen për vizitë dhe shërbime fetare në famullinë “Zoja e Shkodrës” në New York, ai flet për arritjet e shpejta dhe shumë të suksesëshme, që po pëson nga dita në ditë Arqipeshkvia, që ai udhëheq me krrabën e kryebariut të mirë. Në rastin e parë të predikimit të tij para famullisë së komunitetit shqiptaro-amerikan, Imzoti tha edhe këto fjalë: “Në Shqipëri gjeta çdo gjë të rrënuar, por fenë e gjeta shumë të fortë e të gjallë në zemrat e popullit shqiptar.”
Imzot Mirdita, u interesua shumë për refugjatët kosovarë mbas eksodit biblik (1999),që pushtoi tokën martire të Kosovës nga kolonizatorët barbarë serbë. Dëbimi masiv i shqiptarëve nga tokat stërgjyshore, preku thellë zemrën e Arqipeshkvit Mirdita. Ai bënte ç’ishte e mundur për t’ua lehtësuar vuajtjen dhe dhimbjen atyre njerëzve, që kishin parë e provuar tmerret e krimet e bëra nga makina ushtarake e Sllobodan Millosheviçit.
Prelati u ndodhej pranë njerëzve fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht, sepse në ato ditë të vështira kishin nevojë për shumë gjera elementare, për fjalën e ngrohtë njerëzore, që të mjekonin dhe shëronin shpirtin e trazuar rëndë dhe për anën materiale e ushqimore.

Ashtu si Imzot Prennushi, që kujdesej gjithnjë me përkushtim për të varfërit e fatkeqët e kohës së tij, edhe Imzot Mirdita shërbeu me devocion e përvuajtje, për shërimin e shpirtit të atyre, që i mbijetuan dhunës e masakrës së egër serbe dhe kujtohet gjithnjë nga ata me dashuri dhe mirënjohje, për gjithçka bëri në ndihmë të tyre.
Ai vijon edhe sot me përkushtim misionin e shenjtë fetar, në vazhdimësi të punës së gjithë atyre, që nuk janë më dhe që kurrë nuk u gjunjëzuan para djallit komunist. Shpirti i tyre sheh i kënaqur, se vepra e nisur me aq përkushtim e flijime nuk shkoi dëm. Atë e vazhdojnë pasardhësit e tyre, bijtë e Krishtit.
Për Imzot Mirditën, ruaj shumë kujtime të bukura e të kthjellta. Kësaj radhe po veçoj edhe këtë histori të vogël, por shumë domethënëse.
Ipeshkëvi i Kosovës, i ndjeri Imzot Mark Sopi, ishte për një vizitë private në New York. Në ato ditë ai shërbente si meshtar dhe drejtor i Caritas-it në Durrës. Lajmi ishte përhapur me shpejtësi, se Dom Marku, do të emërohej Ipeshkëv i Kosovës. Unë isha sëbashku me dy meshtarët, kur po udhëtonim me makinën time nga Kisha, që ishte në Park Avenue në Bronx, New York, tek ndërtesa e Kishës së re në Hartsdale, NY. Meshtari Mirdita, ishte ditë e natë shumë i angazhuar shpirtërisht, për mbarëvajtjen e punimeve të projektit për ndërtimin e Kishës së re. Toka ishte blerë, falë bujarisë së besimtarëve dhe pritej çasti solemn, për hedhjen e gurthemelit të objektit të ri kristian.
Dom Rroku, i tha Dom Markut këto fjalë: “Dashtë Zoti, që ju si Ipeshkëv, të bekoni gurthemelin e Kishës së re në Hartsdale”. Dom Marku, nuk tha asnjë fjalë dhe me përvuajtmëri uli kokën. Ditët dhe muajt kaluan shpejt. Në një ditë të re dhe në një mot të bukur populli ishte mbledhur dhe priste përurimin e themeleve për ndërtimin e Shtëpisë së Zotit. Kështu, në ditën e bukur, kur u hodh gurthemeli i Kishës në Hartsdale, NY, ishte i pranishëm si Ipeshkëv, Imzot Rrok Mirdita.
Ndryshe sa kishte dëshiruar zemra bujare e Imzot Mirditës për Imzot Sopin, tashmë fati dhe nderi i veçantë për bekimin e Kishës së re shqiptare, u bë nga ish famullitari shqiptaro-amerikan Imzot Rrok Mirdita, sot Arqipeshkëv Metropolitan i Arqipeshkëvisë Tiranë-Durrës, në Shqipëri. Ishte me të vërtetë një kënaqësi e dyfishtë, për besimtarët e devotshëm, sepse bariu i përvujtur Mirdita, merrte pjesë në gëzimin e përbashkët.
Klerikët ishin rreshtuar dhe, me lopata në duar, filluan të hedhin materialin ndërtimor në themelet e Kishës së re. Mbas ceremonisë së bekimit, me radhë filloi i pari Imzot Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, At Prof. Dr. Andrea Nargaj OFM (1919-1999) dhe shumë udhëheqës të komunitetit, përfaqësues të trojeve etnike shqiptare, individë, që përfaqësonin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Mal të Zi.
Këtë nder dhe privilegj solemn e pata edhe unë, duke përfaqësuar popullin martir të Dardanisë. Kjo për mua, mbetet një ndër ditët më të bukura të jetës time.
Në vitin 1994, Arqipeshkvi merr detyrën e presidentit të Caritas-it shqiptar dhe, në vitin 1996, zgjidhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, të cilën e drejtoi për dy mandate. Më 4 korrik 2005, festoi me modesti 40-vjetorin e meshtarisë dhe marrjen e Palluimi-t (Palluimi, simbolizon ngritjen e dioqezës në rang Metropolitan, shënimi im T.Mrijaj) nga Papa Benedikti XVI, për Metropolinë Tiranë-Durrës.
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, më 24 prill 2006 dekoroi Arqipeshkvin Metropolitan të Tiranë-Durrësit me Urdhërin e lartë “Nënë Tereza” në një ceremoni, që u mbajt në ambientet presidenciale në Tiranë. Në motivacionin e dekorimit, është shkruar: “Imzot Rrok Mirditës: Për ndihmën e dhënë në ringritjen e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për përkujdesjen e veçantë për dialogun dhe mirëkuptimin ndërfetar; për angazhimin e Tij, në ngritjen e insitutucioneve të ndihmës sociale për njerëzit në nevojë.”
Publicisti Tonin Mirakaj, në artikullin e tij kryesor, ndër të tjera vlerëson: “Arritjet e Shkëlqësisë së Tij në 13 vjet janë të rëndësishme. Përveç anës fetare, ndërtimit e rindërtimit të kishave, ai mundi të ndërtojë shkolla nga ato elementare tek Universiteti Katolik në Tiranë, të ndërtojë klinika, spitale, foshnjore, shtëpi për pleq, Katedralen e Shën Palit në Tiranë, për të cilën, janë kryelartë qytetarët e kryeqytetit etj. Shkëlqësia e Tij, Imzot Mirdita, solli në Atdhe atë vizion e guxim që pati në New York gjatë 20 viteve, që shërbeu pranë emigrantëve shqiptarë pranë Kishës, të cilën, e ngriti (nga Qendra Katolike në South Bronx) në famulli me emrin “Zoja e Shkodrës”, në një ndër vendet më të bukura në Hartsdale, N.Y. Ishin vizioni e vendosmëria e Tij, që bënë të mundur suksese të vazhdueshme, që u arritën e po arrihen pandërprerje nga kjo famulli e drejtuar sot nga të përndershmit Dom Pjetër Popaj e Dom Nikolin Përgjini.”( [7])
Në Mirditë, në vitin 2006, në 1-vjetorin e përkujtimit të Papa Gjon Pali II, në një ceremoni festive mirëpritën në gjirin e tyre me titullin “Qytetar Nderi”, njërin ndër klerikët më të spikatur të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Rrok Mirditën. Një vendim i tillë i Këshillit Bashkiak, është mirëpritur jo vetëm nga prelati Mirdita, por edhe pothuajse i gjithë komuniteti i bashkësisë së Rrëshenit. Ceremonia u zhvillua në sallën e kulturës, me pjesëmarrjen e shumë miqve dhe të ftuarve.
Mbas marrjes së titullit, ai tha: “Lidhja ime me Mirditën është aq sa kanë pas mundësi prindërit e mi. Babai më ka treguar se jemi të ardhur prej Mirdite. Unë do të thosha se jemi dikund prej Oroshit dhe ne dy-tri familje jemi larguar prej aty, për t’u vendosur diku në afërsi të Ulqinit, 5 km në fshatin Pesell. Kjo traditë asnjëherë nuk është zbehur edhe atëherë, kur kemi pasur probleme për shkak të këtij mbiemri në kohëra të ndryshme, si në kohën e Jugosllavisë së vjetër, qoftë në këtë të fundit. Këtu kam një kënaqësi të madhe, ndoshta një lloj krenarie, mbasi asnjëherë, në asnjë moment, në asnjë dokument a tapi, nuk e kemi ndërruar mbiemrin Mirdita.”( [8])

Imzot Rrok Mirdita, në rezidencën e tij në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë, në vitin 2003, shkroi librin voluminoz: “Për një Shqipëri me Zotin” (10 vjet Arqipeshkëv në Tiranë), ku përfshihen shkrime të zgjedhura. Në hyrje të veprës autori, Imzot Mirdita, shkruan: “Ne, këtu në Shqipëri, do të përpiqemi të ruajmë harmoninë vëllazërore dhe të ndërtojmë një Shqipëri, rreth së cilës, sikurse rreth një vatre, mblidhen të gjithë shqiptarët, pa dallim.”