2 prilli si simbol nderimi dhe zhgënjimi!

1
53

Afrim Krasniqi

Nga: AFRIM KRASNIQI

Më 2 prill 1991 forcat e sigurisë të regjimit komunist (policia dhe shërbimi sekret) ndërhynë dhunshëm në Shkodër kundër masës protestuese antikomuniste. Ato përdoren armët e zjarrit, qëlluan mbi organizatorët dhe turmën e protestuesve dhe për pasojë mbeten të vrarë 4 persona dhe të plagosur disa dhjetëra të tjerë. Midis të vrarëve ishte Arben Broci, një nga studentët drejtues të Lëvizjes Studentore, drejtues lokal në Partinë Demokratike. Broci ishte njëherësh viktima e parë e vrasjeve politike në periudhën pluraliste në Shqipëri.

Dy vjet më vonë nisi një gjyq, disa drejtues lokal të policisë u dënuan me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, më pas u liruan nga burgu dhe sot një pjesë e tyre kanë botuar libra përmes të cilave nga kontinenti i largët marrin pozat e disidentëve politikë. Zyrtarisht ende nuk ka një version përfundimtar, politika çdo 2 prill nderon, kërcënon, kujton, por tej përdorimit politik, nuk është ndërmarrë asnjë nismë tjetër për rihapje procesi dhe kështu, dosja e parë e vrasjeve politike mbetet ende një dosje e pazbardhur.

Monumenti për nder të 2 Prillit

Ka shumë arsye për të besuar se vrasjet e 2 prillit nuk ishin aksidente teknike. U bënë në qytetarin që votoi më hapur se kushdo tjetër kundër regjimit komunist, u bënë dy ditë pas zgjedhjeve të para ku komunistët rikonfirmuan pushtetin, u bënë ditën, u bënë në prani të një publiku shumë të madh, në një masë protestuesish ku shumica ishin të rinj, gjimnazistë e studentë. Si e tillë, në çdo rast dhe në çdo vend demokratik vrasje të tilla kanë një përgjegjësi shumëfishe. Janë autorët e vrasjeve, janë urdhëruesit e tyre, janë drejtuesit politikë që menaxhojnë këto institucione. Edhe në rastin e Shkodrës dhe në çdo rast tjetër kemi pasur vrasës me armë, shefa policie që kanë urdhëruar apo miratuar përdorimin e armëve gjatë protestës dhe drejtues politikë të qeverisë, të ministrisë së brendshme dhe të shtetit, të cilët kishin detyrën dhe përgjegjësinë të drejtonin organet e sigurisë.
Në kundërshtim me këtë praktikë demokratike në ngjarjet e 2 prillit nuk u dënuan vrasësit, as organizatorët, as urdhëruesit, por zyrtarët lokalë në terren dhe se përtej tyre, nuk pati madje as dënime morale dhe as vetëpërgjegjësi politike. Për pasojë, shumë prej atyre që më 1991 ishin përgjegjës moralë dhe politikë për vrasjet dhe plagosjet politike në Shkodër jo vetëm nuk morën ndëshkim politik (dorëheqje, shkarkim, apo largim nga vendimmarrja politike e zyrtare), por kanë qenë e vijojnë të jenë pjesë e niveleve më të larta vendimmarrëse politike e shtetërore në Shqipëri. Dy dekada më vonë, dy partitë më të mëdha politike, mazhoranca dhe opozita, kanë sot në stafet e tyre të larta politike protagonistë politikë të përgjegjësve të 2 prillit 1991. Ish ministri i brendshëm është drejtues politik tek e majta, ish kryeministri është de facto këshilltar politik në koalicionin qeverisës të djathtë, ish anëtarë të këshillit presidencial të vitit 1991 janë aktualisht në poste politike këshilluese në PD e PS.
Zhvillime të tilla kontraverse, në të cilat asnjëherë nuk kemi fajtorë dhe për të cilat ekzistojnë shumë arsye për ti cilësuar atentate / akte politike ose me pasoja politike, kanë ndodhur rregullisht në 19 vitet e tranzicionit shqiptar. Ne kemi qenë e jemi dëshmitarë të ngjarjeve të rënda ku deputetë qëllojnë me armë dhe qëllohen me armë në parlament, të incidenteve të rënda ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, të kërcënimeve verbale për jetën ndaj politikanëve e zyrtarëve, të viktimave të pafajshme të aksidenteve të bëra politikanë të lartë, deri edhe tek vendosje të lëndëve eksplozive apo atentate me armë kundër politikanëve apo zyrtarëve të lartë, deri edhe Presidentit e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Njëherësh jemi dëshmitarë se në periudha krize, sidomos 1997, politikanë të lartë, shtetarë apo ministra, drejtues politikë dhe kandidatë për deputetë janë shoqëruar me grupe kriminale, kanë pasur lidhje miqësie e biznesi me ta, kanë amnistuar banda të armatosura ose janë përfshirë në akte këshillimi e nxitje të veprave kriminale ndaj kundërshtarëve politikë. Më 1991 pati 14 persona të vrarë dhe 92 të plagosur në aktivitetet e opozitës në Tiranë (Shkolla e Bashkuar), në Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, Tropojë, etj. Më 1992 zyrtarisht u shënuan 3 të vrarë dhe 10 të plagosur në akte që politika u mundua t’i cilësojë politike. Më 1996 ende në faqet e gazetave ruhen njoftimet e opozitës për vrasje të një aktivisti të saj në Elbasan, një në Shkodër dhe një në Lezhë. Më 1997 shifrat e vrasjeve dhe sidomos plagosjeve janë alarmante edhe ndaj kandidatëve për deputetë. Më 1998-2000 opozita numëronte të paktën 7 vrasje politike në Fier, Lushnje, Tropojë, Shkodër dhe Tiranë. Më 2001 pati dy vrasje në komisionet zgjedhore, më 2005 gjithashtu pati vrasje komisioneri në Tiranë dhe një ngjarje të rëndë në Lushnje, më 2009, siç përmendet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit pati të paktën dy vrasje me pasoja politike, një deputet në Fier dhe një drejtues lokal të një partie në Malësinë e Madhe. Marrë së bashku vetëm 10% e këtyre rasteve janë hetuar, zbuluar dhe autorët janë vënë përpara gjykatës. Në rastet e tjera hetimet ose kanë dështuar ose dosjet mbeten ende të pazbardhura. Dhe kur krime me natyrë politike (secili rast ka shërbyer dhe është përdorur për luftë politike elektorale) nuk zbulohen, pasojat janë shumëfishe, mbi besimin ndaj politikës, mbi të vërtetën dhe mbi raportet reale midis shtetit dhe krimit.
Në mënyrë paradoksale gjatë këtyre viteve kemi parë të njëjtit politikanë kundërshtarë të përbetuar, të mblidhen ne tryeza politike ose në parlament dhe të nënshkruajnë amnisti kolektive për veten dhe mbështetësit e tyre politikë. Ata që akuzonin njëri tjetrin për vrasje, krijim bandash e drejtim të lidhjeve kriminale, periodikisht u panë të ishin partnerë në zgjidhje politike, dhe çdo 5-7 vjet erdhën përsëri në pushtet. Konkretisht, edhe viti 1991 dhe viti 1997 u amnistuan nga politika, por sipas statistikave zyrtare, vetëm më 1997 humbën jetën në atentate dhe gjatë kryerjes së detyrës më shumë se 140 oficerë dhe efektivë politike dhe të shërbimit sekret. Më 1997 një palë politike dogji selitë lokale të palës tjetër, ndaj një pjesë të tyre u ushtrua dhunë verbale dhe një pjesë tjetër e tyre, që sot është aktive edhe në parlament, shpëtoi nga vdekja vetëm nga rastësitë. Simboli i të djathtës, A.Hajdari u vra në detyrë, më parë iu bënë disa atentate, të vrarë në detyrë ishin edhe funksionarë të rëndësishëm shtetërore.
Sot këto dosje janë të mbyllura. Nuk ka përgjigje nominale dhe zyrtare për krimet ndaj shtetit të periudhës 1991-2010, për krimet ndaj bazave ushtarake, për vrasjet e policëve, apo oficerëve të shërbimit sekret, për atentatet ndaj politikanëve, për grabitjen e bankave, për vrasjen e qytetarëve të pafajshëm protestues, për granatat dhe breshëritë në mitingje dhe as për aktet e dhunshme kundër zyrave, simboleve apo drejtuesve të lartë të shtetit. Siç theksohet edhe në raportin e DASH në 19 vjet asnjë drejtues i lartë shtetëror dhe politik nuk është gjetur përfundimisht fajtor nga drejtësia. Të gjithë, të fshehur pas imuniteteve apo posteve politike, kanë fituar pafajësinë. Të gjithë presin sapo të vijë në pushtet partia e tij dhe bëhet i pafajshëm, madje merr edhe dëmshpërblim financiar.
Shqipëria ishte vendi me diktaturën më të ashpër në Evropën Lindore, por aktualisht është vendi i vetëm që nuk ka dënuar zyrtarisht asnjë drejtues të lartë politik të atij sistemi. Gjyqet e periudhës 1992-93 ishin me akuza qesharake, abuzim me kafe dhe ilaçe, kurse ato të viteve 1996 ishin me akuza maksimale dhe pa prova, genocid dhe krime kundër njerëzimit. Në dy rastet të akuzuarit, përfshi ish udhëheqësin e fundit komunist R.Alia, Byronë Politike apo drejtuesit e sigurimit të shtetit dhe organeve të tjera të dhunës, përfituan nga amnisti politike ose pafajësi të fituara në kohë krizash dhe rotacionesh politike.
Kultura e imunitetit politik mbi çdo vepër, qoftë edhe kriminale, vijon të jetë pjesë e kulturës politike. Për një qytetar shqiptar është e pamundur të fillojnë punë në administratë nëse ai është nën hetim gjyqësor, apo është dënuar për një vepër penale, ndërkohë që sot kemi deputetë e politikanë të lartë të dënuar në kohë të ndryshme nga gjykatat, siç kemi pasur një rast kur një i dënuar me vendim të formës së prerë erdhi nga burgu dhe u bë kryeministër. Ne kemi parë politikanë të akuzuar për krime, apo vepra të ndryshme penale me pasojë edhe jetë të humbura dhe që si “ndëshkim” janë zgjedhur deputetë e ministra; kemi pasur e kemi zyrtarë të akuzuar për rrëmbim e zhdukje personash, të cilët kanë qenë e janë pjesë e administratës së lartë shtetërore; kemi pasur djegie të redaksive të gazetave e tortura mbi gazetarë të cilët më pas janë bërë aleatë me përgjegjësit politikë; kemi pasur e kemi zyrtarë të lartë të akuzuar për vrasjet në kufij më 1990 apo që kanë urdhëruar vrasje individësh, siç kemi pasur e kemi diplomatë, ushtarakë, oficerë politike, njerëz të medias apo aktorë publikë protagonistë të skandaleve të mëdha publike e financiare, dhe që për shkak të lidhjeve politike, jo vetëm asnjëherë nuk kanë përfunduar në dyert e gjykatës, por sa herë forca e tyre politike riciklohet, ata riciklohen duke marrë poste të larta në qeverisjes qendrore.
2 prilli ishte fillimi, është një simbol, një ditë që na bën të ndjehemi kokëulur dhe përgjegjës për turpet e politikës dhe drejtësinë e munguar. Ajo mbetet një datë përkujtimi, por edhe abuzimi politik, një ditë kur plumbat tentuan të mbyllin fjalën e lirë, kur sistemi i ri demokratik u gjakos prej atij në ikje, por edhe dita kur politika filloi të abuzojë me vdekjen, të flasë, të flasë dhe asnjëherë të mos veprojë, madje të imunizojë përgjegjësit politikë të tyre. Në një vend demokratik si Gjermania javën e kaluar u zhvillua gjyqi dhe u dënua me burg një ish ushtar SS, i cili rreth 75 vjet më parë kishte kryer vrasje, në SHBA një regjisor i njohur ndërkombëtar vijon të jetë nën proces gjyqësor edhe pas 37 vjetësh, kurse në Shqipëri çudia zgjat vetëm tri ditë, më pas asnjë nuk lëviz, të gjallët mësohen e miqësohen me të gjallët, të vdekurit e pafajshëm mbeten viktima në këtë dhe atë botë.
Në këtë mënyrë Shqipëria mbetet unikale, një vend që nuk hapi dosjet e periudhës komuniste, dhe që çdo vit vijon të mbyllë dosjet e tranzicionit. Ky është lajmi më i keq, lajmi që na bën të ndjehemi të trishtuar dhe në zi çdo 2 prill, ditën kur faktikisht nisi mbyllja e dosjeve të dy periudhave dhe dy regjimeve.
(GSH/BalkanWeb)

1 COMMENT

  1. Me bere te rindjej edhe njehere emocionet, shpresat, endrrat, pasionet e atyre viteve te para.
    Historia e Shqiperise eshte nje dhe nuk i perket askujt, megjithate nuk ka filluar me Partine e Punes historia e Shqiperise dhe nuk i perket Partise Demokratike te beje historine e Shqiperise. Ajo, historia e Shqiperise duhet te shkruhet nga historianet tane me saktesi dhe materiale si ky i Juaji jane shume te rendesishem. Ne historine e vertete te Shqiperise ka lajthitje, gabime, krime, si ne te gjitha historite e vendeve te tjera, por ne nuk duhet te na vije turp nga historia e Shqiperise. Ne duhet te pajtohemi me te kaluaren, te bejme paqe me te. Ajo duhet te jete nje histori e lire nga sektarizmi, e hapur per tolerance e respekt te tjetrit dhe asnjehere politike. Kjo nuk eshte vetem premise, por kushti per t’ju krijuar te gjitheve mundesine per te bashkejetuar ne menyre civile, pertej diferencave sociale, opinioneve politike e traditave fetare. Presidenti francez N.Sarkozy ka dhene nje pergjigje mjafte te bukur kur e pyeten: Napoleoni apo De Goli? “As njeri dhe as tjetri. Duke shkuar drejt detit, lumi i qendron besnik burimit.”
    Me jep te drejten te quaj mik. I dashur mik jemi ne nje epoke te perendimit te ideologjive, te krizes se vlerave.
    Politika eshte e bere nga principe dhe vlera, pasione dhe ndjenja eshte e bere dhe nga ide. Nuk eshte thjeshte: drejtim dhe menaxhim.
    Nuk mund te ndertohet nje bote e re bazuar ne ide te vjetra. Nuk mund te shperndahet pasuri nese me perpara nuk e ke krijuar ate.
    Politika e vertete ka nevoje qe t’i jap nje shkundje klases drejtuese te dembelosur nga impotenca dhe dorezimi per t’ju kthyer qytetarve besimin tek politika duke filluar nga reformimi i institucioneve qe i ka zene mola. Indiferentizmi eshte mola kryesore e demokracise.
    Duhet çliruar politika nga idet e vjetra, duhet aktualizuar, modernizuar, preçizuar dhe i duhet hequr pluhuri qe ka marre. Pa nje projekt, nje program te percaktuar dhe te hapur por mbi te gjitha pa nje sforcim te Vullnetit dhe marrjes se nje pergjegjsie te qarte eshte e pamundur qe t’i çosh qytetaret ne qender te politikes dhe politiken ne pushtet. Te jesh i ndergjegjshem per kete eshte te pakten diçka. Mjafte me me politiken e atyre qe nuk duan te bejne asgje.

Comments are closed.