Nga Isidor Koti, 17 nëntor 2011
E ndiejmë instiktivisht se ritmi i tyre i ftohtë e tepër i ngadaltë është si diçka e huaj për ritmin e gjakut tonë të shqetësuar dhe nuk përputhet me ritmin e përshpejtuar të kohës.
U bënë jo pak, plot dy dekada, që shqiptarët jetojnë ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, me shpresa për të ardhmen. Në njëfarë mënyre jemi ende ta pastabilizuar, një pjesë e mirë e jona pa kurrfarë identiteti. Ata dhe ato që dominojnë janë thuajse të paemancipuar, por kanë fuqi vendosëse. Vendosin për vlerat duke krijuar vlera të reja, të paqëndrueshme, të çoroditura. Kështu, vlerat e përhershme intelektuale, artistike, letrare, shkencore, profesionale, morale, njerëzore dalëngadalë zëvendësohen me rrugaçëri, përtacëri, mashtrime, vjedhje, gënjeshtra, arrogancë, kërcënime, dhunë psikologjike, dhunë fizike etj.
Në të gjitha nivelet dominon dhe përhapet mediokriteti. Dominon abuzimi me njerëzit, me mjetet tona materiale, me vlerat e përgjithshme. E thënë copë, zhvillohet betejë e fuqishme ndërmjet dy skajshmërive: vlerave dhe antivlerave. Antivlerat janë më ta fuqishme sepse kanë shtrirje më të gjerë, sepse i kanë në dorë të gjitha mjetet, edhe ato propagandistike, të etiketimeve primitive, të qëllimshme, për të dërmuar kundërshtarët, plangprishësit që në heshtje, nën zhurmën e batakçinjve, lexojnë dhe mundohen të krijojnë diçka që do t’u shërbejë edhe fëmijëve të tyre.
Është e tmerrshme, trishtuese, sepse sistemi i ri nuk e ndihmoi individin e nëpërkëmbur. Përkundrazi, krijoi jo sistem, por individë që nëpërkëmbin. Prandaj, tashmë faji nuk qëndron te sistemi, por te individi, te ne të gjithë. Tani është koha e antivlerave! Ka ikur koha e vlerave. Nëse në të përditshmen nuk je në nivelin e boom-ve harrohesh në skutat e paaftësisë, në skutat e mjerimit të profesionit ku s’ke çfarë i duhesh edhe dreqit. Përgjigja që të kthehet është e rrufeshme: “Kush është i zoti të ecë përpara. Kush nuk është “të marrë trenin”.
Jemi në kapitalizëm, jo në komunizëm”. Në fakt, sot është koha e konsumit, njerëzit përtypin pa filtruar, pasi kriteret e vlerësimit dhe të ngritjes nuk bazohen më në vlera dhe moral, të cilat e ngrenë nivelin kulturor të gjithë shoqërisë, por në inversin e këtyre vlerave. Sot po ofendove, po u zhveshe, po qave, po qeshe, po u shite je kthyer automatikisht në Njeri të vërtetë. Dhe këto anti-vlera që po gëlojnë në jetën tonë të përditshme nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e shkatërrojnë gjithnjë e më shumë organizmin e shoqërisë sonë.
Format e këtij degradimi moral janë të shumtë por, mbi të gjitha, ajo që duhet të na brengos seriozisht është se ato nisen dhe zyrtarizohen që nga nivelet më të larta të hierarkisë politike vendimmarrëse shtetërore. Pra, fillojnë nga koka dhe shprehen në formë të antivlerës dhe mediokritetit. Kësaj, fillimisht i paraprijnë procesi i imponimit të tyre si autoritete të rrejshme shoqërore, e që, më vonë, në bindjet tona na familjarizohen si personalitete të shquara me vlera të larta profesionale.
Të besosh se të pa emancipuarit, të pa shkolluarit, të pa aftët dhe militantët mund ta zhvillojnë vendin tonë paralelisht me vendet e tjera të zhvilluar është një lloj sikur të presësh të ziejë fasulja që Nastradini e kishte hequr nga furnela dhe e kishte vendosur në dritare për ta zier dielli. Qasja me kritere partiake ndaj vlerave dhe antivlerave të kulturës kombëtare provon të ç’niveli janë përfaqësuesit tanë, po edhe se si po rrëshqet teposhtë peshorja kombëtare e meritës dhe e nderimit, peshore që mban gjallë kombet e qytetëruar!
Çdo mal e di barrën e vet, thotë një proverb popullor. Çdokush peshon në kandarin e vet, është pokështu një proverb tjetër. Çdo sistem ka rregullat dhe vlerat e veta që përpiqet t’i promovojë si më të qëndrueshmet. Pra, vlerat që prodhohen duhet të reflektonin të mirën e përgjithshme të përcaktuar nga një qendër që “përkujdesej” për gjithçka. Edhe për nevojat e shtetit, edhe për nevojat e individëve, sepse në fund të fundit individët e përbëjnë shtetin.
Por, unë po pyes: në çfarë raporti qëndron shteti me individin? Në raport kundërshtues. Pse? Sepse roli i individit është krejtësisht i margjinalizuar. Individi është i tjetërsuar dhe si rrjedhojë hapat e tij janë skajshmërisht të kontrolluar dhe të orientuar. Roli, kreacioni, aftësia e tij individuale intelektuale pothuajse është e pamundur të shprehen. Vetë sistemi nuk prodhon begati dhe vlera të mirëfillta intelektuale.
Shembull tipik i ndryshimit të vlerave të djeshme, duke i kthyer në vlera të sotme, janë të gjitha shoqëritë dhe shtetet europiane, të cilat janë shquar për traditën e tyre të fortë si: Spanja, Suedia, Italia, Belgjika, Polonia, etj. Ishin këto shtete, të cilat gjatë viteve 70’-80’ të shekullit XX, thyen tabutë dymijëvjeçare, duke i kthyer antivlerat në vlera. Tipar kryesor i këtyre dekadave u bë individualizmi i theksuar, të cilin në formën më konçize të tij e përcaktoi kryeministria britanike e asaj kohe M. Thatcher (1979-1991), duke thënë se: “Nuk ka shoqëri, por vetëm individë.”
Sot, pas shumë vitesh e dekadash regresi e shtypjeje edhe “Pranvera e vendeve arabe”, tregoi se tirania e sunduesve të paligjshëm nuk mund të mbahet dhe s’ka si të ekzistojë në këtë mijëvjeçar! Në fund le ta mbyllim me një shprehje të vjetër popullore, por me shumë kuptim. “Njeriu ka brenda qenies së tij edhe delen, edhe ujkun. Varet kë ushqen më shumë”. Këto dy dekada ne shqiptarët kemi ushqyer më shumë dhe e kemi “fryrë” ujkun.