Beteja elektorale e sheshit ‘Skënderbej’

0
52

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja

Ashtu si në rastin e nënkalimit të “Zogut të Zi”, edhe rreth punimeve në sheshin “Skënderbej” është ndezur një debat i ashpër publik në disa rrafshe. Në rrafshin ligjor debatohet nëse Bashkia e Tiranës e ka kaluar projektin për ristrukturimin e sheshit në të gjitha hallkat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe nëse qeveria qendrore ka të drejtë të kryejë asfaltimin e sheshit, ndërkohë që qeveria lokale ka filluar zbatimin e projektit për ristrukturimin e tij.

Në rrafshin urbanistik, debatohet nëse ristrukturimi i sheshit sipas projektit të Bashkisë do të krijojë probleme për trafikun dhe nëse sheshi do të jetë funksional si një hapësirë pedonale. Në rrafshin arkitekturor, debatohet nëse projekti i Bashkisë përbën zgjidhjen më estetike për sheshin “Skënderbej”, ndërsa në rrafshin politik debatohet nëse projekti që është zgjedhur nga Bashkia favorizon interesat e disa përkrahësve të njohur të Kryetarit të PS-së.

Pavarësisht se në debatet e kryera në këto rrafshe mund të ketë argumente me bukë nga palët e ndryshme, beteja për sheshin “Skënderbej” në thelb, është një betejë elektorale – siç ishte edhe beteja për “Zogun e Zi”. Berisha, që kur u bë Kryeministër, ka ndjekur në lidhje me Bashkinë e Tiranës një strategji të lexueshme bllokimi. Në mandatin e parë të Berishës si Kryeministër, shenja e parë e zbatimit të kësaj strategjie ishte bllokimi i projektit të bashkisë për përpunimin e plehrave në Sharrë dhe ajo arriti kulmin me prishjen e mbikalimit të “Zogut të Zi”. Në mandatin e dytë, filloi me bllokimin/prishjen e dy ndërtesave në sheshin “Skënderbej” dhe po kulmon me përplasjen për ristrukturimin e tij.

Në themel të kësaj strategjie të Berishës duket se është ideja se elektorati tiranas mund t’i përgjigjet pozitivisht mesazhit “Pushtet qendror e vendor në duar të së njëjtës parti!”. Në rastin e nënkalimit të “Zogut të Zi”, kjo strategji nuk funksionoi – pas përplasjes së “Zogut të Zi”, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Bashkisë me një diferencë në përqindje më të madhe se sa kur PD-ja nuk e kishte në duart e saj pushtetin qendror. Por a do të funksionojë kjo strategji në zgjedhjet e ardhshme?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet analizuar së pari pse nuk funksionoi strategjia e Berishës në rastin e “Zogut të Zi”. Alternativa që ofronte Bashkia në atë rast, pavarësisht nga të metat e mundshme në rrafshet urbanistike, arkitekturore, ose ligjore, do të ndihmonte shumë në shfryrjen e trafikut. Dhe këtë mund ta kuptonte lehtësisht çdo Tiranas. Ndërsa alternativa që ofroi qeveria qendrore e shndërroi “Zogun e Zi” në ngërçin më të madh të trafikut në Tiranë.

Në qoftë se Bashkia do të kishte parapëlqyer rrethrrotullimin dhe qeveria qendrore do të kishte ndërtuar nënkalimin në atë nyje, tiranasit e thjeshtë do ta kishin kapërdirë hedhjen në lumë të miliona eurove dhe mund ta kishin shpërblyer me vota kandidatin e Berishës për Bashkinë e Tiranës. Por hedhjen në lumë të milionave për një projekt që u shtoi mundimet e tyre të përditshme ata nuk mund t’ia falnin Berishës.

Në rastin e sheshit “Skënderbej”, duket se kemi një situatë të anasjelltë. Alternativa që ofron Bashkia, të paktën në të ardhmen e afërt, do ta përkeqësojë trafikun në Tiranë. Edhe sikur punimet në shesh të mbarojnë para zgjedhjeve të ardhshme, përfundimi i plotë i unazës së vogël, me shumë gjasa, do të kërkojë më shumë kohë. Dhe pa ndërtimin e saj, sheshi “Skënderbej” do t’ia kalojë në një magnitudë të madhe “Zogut të Zi” si ngërçi numër një i trafikut në Tiranë. Por edhe kur ajo të përfundojë, trafiku përsëri do të jetë tejet i ngarkuar, përderisa nuk do të jetë përfunduar ndërtimi i unazës së madhe dhe riorganizimi i unazës së mesme e rrugëve rrezore.

Nga ana tjetër, alternativa që ofron qeveria qendrore do ta lehtësonte trafikun, ndërkohë që do t’i vinte kore një plage të mahisur prej 20 vjetësh mu në zemër të Tiranës. Asfaltimi që kërkon të bëjë qeveria qendrore është një ndërhyrje afatshkurtër, që shmang vështirësitë trafikore të shkaktuara nga gropat e panumërta të sheshit, ndërkohë që e kthen atë nga një shesh të denjë për Kandaharin në një shesh të pranueshëm nga pikëpamja estetike për një vend europian. Në këtë rast, tiranasit e thjeshtë mund t’ia falin qeverisë qendrore ndërhyrjen brutale dhe shpenzimet për një projekt që do ta ketë jetën të përkohshme – deri sa të vijë dita që të zbatohet një projekt përfundimtar.
Pra, në rastin e sheshit “Skënderbej”, mesazhi “Pushtet qendror e vendor në duar të së njëjtës parti!” mund të funksionojë elektoralisht…