1 prill, gëzuar festën z. Berisha!

0
46

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 01.04.2010

Sot është një ditë e shënuar për partinë që mban pushtetin për të pestin vit radhazi në Shqipëri. Ndonëse nuk është e shënuar si një festë zyrtare, 1 prilli, kjo ditë që në kulturën e shumë vendeve është futur si ditë e gënjeshtrës, për qindra arsye në Shqipëri duhet marrë seriozisht.

Sepse, falë qeverisjes së kryeministrit Sali Berisha, për shqiptarët çdo ditë është 1 prill. Sepse kjo është, siç thotë kryeministri Berisha, qeveria e burrave dhe grave që mbajnë fjalën. Dhe e kanë vërtetuar me:

– Uljen e papunësisë në mesataren e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës në ndërtimin 104 hidrocentraleve, mijërave km rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollave, spitaleve, porteve, aeroporteve, 6 parqeve të reja industriale në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Fier.

– Sigurimin 24 orë ujë për të gjitha familjet shqiptare, ndërtimin e akseve më të shkurtra kombëtare si Boshti i Jugut, Tiranë-Elbasan-Berat-Kuçovë-Tepelenë, Rrugën e Arbrit, Bulqizë-Tiranë, Fierzë-Koman, Konispol-Sarandë, Vermosh-Shkodër, Qafë Plloçë-Qukës.

– Rritjen e rrogave në të gjithë sektorët e administratës, duke kaluar 6 vende anëtare të BE, barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit, pensioneve më të larta se në 6 vende anëtare të BE, rritjen e ndihmës sociale mbi 2 dollarë në ditë.

– Rritjen e investimeve në zonat rurale me 600 për qind, duke ndihmuar familjet, fermat dhe bizneset, rritjen e financimit të granteve për prodhimin bujqësor, përpunimin e prodhimit dhe agrobiznesin, subvencionimin e naftës dhe imputeve për sipërfaqe të mbjellë, dhënien e kredive pa interes, krijimin e mundësisë së tregtimit të produkteve bujqësore në tregjet rajonale e ndërkombëtare dhe financimin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ulliri.

– Rritjen e buxhetit për arsimin në 6% të GDP, me rrogat e arsimtarëve të rritura më shumë se në 6 vende të BE, ndërtimin dhe rindërtimin e të gjitha shkollave të vendit me standarde europiane, dhënien gratis të të gjitha teksteve të 9-vjeçares dhe të shkollës së mesme për të gjithë fëmijët në nevojë, krijimin e mundësive që çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë të vazhdojë shkollën e mesme dhe çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të gjitha mundësitë të vazhdojë universitetin dhe hapjen e shkollave profesionale të standardit Europian në mbarë vendin.

– Rritjen e buxhetit për shëndetësinë me 60%, rrogave të mjekëve dhe infermierëve më shumë se në 6 vende të Bashkimit Europian, luftën me zero tolerancë për korrupsionin në shëndetësi.
– Zvogëlimin e qeverisë dhe uljen edhe më tej të shpenzimeve, ristrukturimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të patundshme dhe komisionet e kthimit e kompensimit të pronave për të garantuar të drejtën e pronës dhe për të luftuar korrupsionin.

– Sigurimin e 24 orëve ujë për të gjitha qytetet bregdetare, ndërtimin e impianteve të pastrimit që asnjë pikë uji i ndotur të mos derdhet në detet dhe liqene, landfille për trajtimin e mbetjeve urbane për çdo qytet bregdetar, ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në Durrës dhe Sarandë, të portit të Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit, aeroporteve të Vlorës dhe Sarandës, infrastrukturës moderne për të gjitha zonat bregdetare,

rrjetit rrugor Velipojë-Ksamil, resorteve turistike më ekologjike në Europë, dhjetëra marinave dhe hapjen e shkollave të Turizmit në të gjitha zonat bregdetare.

Dhe, së fundi, me zgjedhjet e 28 qershori 2009-të, që ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, duke nderuar kështu në mënyrën më fisnike bindjet e ndryshme të njëri-tjetrit, vullnetin e lirë, por dhe miqtë dhe dashamirësit kudo në botë, duke e hequr Shqipërinë nga lista e zezë e zgjedhjeve jo të lira.

Për këto premtime të mbajtura, por edhe për të ato të mëparshme, ku nuk mund të mos përmendet “Shqipëria 1 Euro”, “Shqipëria në moshën e internetit”, taksa e sheshtë, dhe veçanërisht aksidenti teknologjik i Gërdecit, rënia e tunelit të Kalimashit apo përmbytja e ultësirës së Nënshkodrës, 1 prilli, duhet të shndërrohet në një festë të Republikës.

Dhe jo si ajo që shpalli Republika Islamike e Iranit 31 vite më parë, ku askush nuk e merr seriozisht. Sepse, këtu 1 prilli është dita e të vërtetës.