Një popull i tërë i marrosur pas politikës

0
27

Mentor Kikia, 14 Nëntor 2011

Ashtu, si edhe pritej dhe ishte paralajmëruar nga lajmet e shpeshta të medias, në panairin e sivjetshëm të librit ishin biografia dhe letërsia me autorë politikanët ato që shënuan shitjet më të mëdha. Biografia e Enver Hoxhës, libri i Edi Ramës, libri i Ben Blushit dhe libri i Helena Kadare, një rrëfim mbi jetën dhe tradhëtitë e Islamil Kadaresë. Në fakt, gjatë pesë ditëve të panairit, intervistat me botuesit dhe autoret e këtyre librave sunduan edhe lajmet që mediat përcillnin nga panairi.

Në dukje të parë nuk ka asgjë për tu shqetësuar, pasi çdokush ka të drejtë të shkruajë, pasi është lexuesi ai që vendos. Dhe është plotësisht kështu. Por problemi qëndron gjetkë, e që duket të jetë vërtet shqetësues, jo për autorët dhe botuesit, por për vetë shoqërinë. Përse librat më të shitur të jenë një biografi e Enver Hoxhës dhe ato me autorë dy politikanë të njohur?

A ishin ata librat më të mirë në panair, apo shitja e tyre eshtë diktuar nga emrat, të qenit në politikë dhe tendenca që u prodhua nga media? Personalisht më duket shumë shqetësuese që një panair libri, u sundua sërish nga politika dhe emrat e politikanëve. Mu bash ashtu siç ndodh edhe me festat fetare, ku shumica e mediave përpara se të njoftojnë se sot është “X” apo “Y” festë, njoftojnë se presidenti apo kryeministrit uruan besimtarët.

Sot gazetat janë të mbushura me histori dhe kulista, të qëna e ta paqëna nga Sigurimi i Shtetit dhe Byroja Politike, rrëfime të njerëzve që i kanë dëgjuar nga dikush që as i ka parë e as i ka dëgjuar vetë. Edhe pas 20 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit, njerëzit këtu vazhdojnë të jetë të etur të mësojnë më shumë për diktaturën dhe diktaroin. Eshtë kjo nevojë për të njohur të vërtetën deri në themel apo mani për të mos u shkëputur nga e kaluara?

Seriozisht këtë nuk mund ta thuash në mënyrë të prerë as njërën e as tjetrën.

Një panair libri është një rast i mirë që botuesit jo vetëm të shesin por edhe të hetojnë tendencën e tregut. Të ngrejnë probleme të librit, siç është mungesa e oponencës, kritikës, cilësia e botimeve e përkthimeve, kostoja etj. Por në këtë panair, asnjë nga këto nuk u trajtua. Lajmet më të rëndësishme nga panairi i këtij viti ishin: Hapja dhe fjala e Lulzim Bashës. Prezantimi i librit të Edi Ramës. Rama viziton stendën dhe firmos libra për lexuesit e tij. Pastaj sërish Rama që firmos librat për lexuesit. Berisha viziton panairin dhe thumbon Ramën për librin. Rama i përgjigjet në Twiter Berishës për bibliotekën e gjyshit të Blushit. Blushi firmos librat për lexuesit e tij. Helena Kadare firmos librat për ata që pëlqejnë telenovelat. Topi viziton panairin dhe merr dhuratë një libër të Ramës nga botuesit. Pastaj Ambasadori Amerikan viziton panairin dhe gazetarët që i marrin frymën me mikrofona për ta pyetur për krizën politike. Pastaj Rama sërish firmos librat për lexuesit dhe në fund konferenca: Librat më të shitur janë “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut(asnjë historian nuk do ta arrinte këtë sukses), Edi Rama, Ben Blushi dhe “Dashnoret e Kadaresë”.

Më shunë se një paradë e librit, ajo ishte një paradë e politikës përmes librit. Dhe sërish nuk është faji i politikanëve dhe botuesve. Është i yni, gazetarëve, kush më pak e kush më shumë, dhe njerëzve që edhe në një panair ku ekspozohet letërsia, sërish i ngjiten nga pas intrigave të politikës, historive të Byrosë Politike dhe thashethemeve me dashnore.

Duket se nuk bëjmë ndryshe. Edhe nëse do të ishte një festival filmi dhe bashkë me filmat e Hollyvoodit do të konkuronin edhe filmat “Mbledhja e Kryesisë së PD-së”, me regji të Sali Berishës dhe ”Asambleja Kombëtarë e PS-së” me regji të Edi Ramës, këta do të ishin padyshim më të shikuarit.

Jemi një popull që edhe kur martoheshim, edhe kur festonim ditëlindjen e fëmijës, dollinë e parë e ngrinim për partinë dhe Enver Hoxhën. Nuk bëjmë dot ndryshe. Duhet të jetë bërë pjesë e ADN-së sonë kolektive.