Edi Rama, 30.03.2010
TIRANE – Kryetari i PS-së, Edi Rama, i është drejtuar me anë të një letre Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, ku e vë në dijeni të komisionit hetimor parlamentar vetëm me deputetët e mazhorancës. Rama tregon se ky komision nuk mund të bëjë transparencën e zgjedhjeve që është problem jetik për opozitën shqiptare, ndaj i drejtohet atij të marrë edhe një herë në konsideratë këtë problem.
LETRA E PLOTE E RAMES PER FULE
Fort i nderuar komisioneri Fule,
Ju shkruaj me shpresën se udhëtimi Juaj në Shqipëri ishte një kujtim i bukur për Ju dhe se së shpejti vendi im do të marrë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, duke u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t’i kalojnë kufijtë Europës pa asnjë pengesë.
Unë Ju falënderoj për ardhjen Tuaj në Shqipëri, për fjalët me të cilat nënvizuat vullnetin e Bashkimit Europian për të na bërë pjesë të vetën, po edhe ekzigjencat që ky Bashkim i ngritur mbi parime, vlera e detyrime reciproke ka ndaj nesh.
Arsyeja e këtyre rreshtave nuk është ringritja e çështjes tanimë të njohur prej Jush dhe as rirreshtimi i të gjithë argumentave të opozitës shqiptare lidhur me domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të shkuara për të shpëtuar nga korrupsioni zgjedhjet e ardhshme.
Këtu dëshiroj vetëm të ngre shqetësimin për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes në Shqipëri, si pasojë e anashkalimit brutal të atyre dy elementëve të patjetërsueshme që Ju i vendosët në mesazhin e vizitës Suaj si piketat bazë të dialogut të domosdoshëm mes forcave politike për zgjidhjen e krizës së sotme politike në vend: Kushtetuta dhe transparenca.
Dhe nuk do ta shkruaja këtë letër nëse pikërisht gjatë rrugës Suaj të kthimit drejt aeroportit “Nënë Tereza” pas lënies së një mesazhi kuptimplotë për forcat politike shqiptare, shumica parlamentare nuk do të kishte adoptuar në sallën e Kuvendit, madje duke pretenduar se po zbaton porosinë e mesazhit Tuaj, një zgjidhje tërësisht të njëanshme, të pambështetur as mbi Kushtetutën as mbi transparencën.
Zgjidhja në fjalë jo vetëm nuk mundëson hetimin e plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve
të shkuara përmes një komisioni parlamentar, por e pengon forcërisht ushtrimin e plotë të kontrollit kushtetues të parlamentit mbi shkallën e zbatimit të ligjit gjatë procesit të fundit zgjedhor. Ashtu siç pengon në këtë mënyrë edhe realizimin e transparencës së plotë, duke përshirë kutitë zgjedhore, ku fshihet fenomeni jashtëzakonisht shqetësues i tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë falë një mekanizmi korrupsioni që duhet çmontuar me çdo kusht.
Sikurse e kemi bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme, përmes transparencës opozita nuk kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por të mos lejojë që zgjedhjet e ardhshme të kushtëzohen nga ky mekanizëm korrupsioni. I cili, siç e tregon edhe rasti dramatik i të vetmes kuti të hapur deri tash në fshatin e quajtur Ruzhdie, as mund të kapet gjatë monitorimit të ditës së zgjedhjeve dhe as mund të kufizohet në forcën e vet tjetërsuese të vullnetit të zgjedhjeve nëqoftëse nuk çmontohet paraprakisht. Vetëm transparenca sot e çmonton këtë mekanizëm nesër.
Lejomëni të nënvizoj se në këtë parlament, ku hymë e do qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin që i’a heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor.
Ne e konsiderojmë jetike për demokracinë në Shqipëri realizimin e transparencës së procesit zgjedhor dhe më lejoni t’i mbyll këta rreshta duke shpresuar se Ju do të gjeni vendin e kohën për ta riadresuar këtë problem, që nuk ka të bëjë me interesin e opozitës shqiptare si palë, po me interesin e shqiptarëve si popull për të bërë zgjedhje me standardet e çdo populli evropian. Dhe, pse jo, edhe me interesin e Europës si familje popujsh, ku nuk mund të konceptohet e jo më të lejohet që korrupsioni të vendosë fatin e një procesi zgjedhor, duke u hequr qytetarëve të drejtën të gjykojnë me votë qeverinë e tyre.
Me mirënjohje për angazhimin Tuaj në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë drejt integrimit europian dhe urimin që misioni Juaj në krye të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian të jetë plotësisht i suksesshëm, Ju falënderoj për vëmendjen që i kushtuat rreshtave.