Në instancën e lartë të protestës

1
47

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 30.03.2010

Kriza për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit përfundoi udhëtimin tremujor në pallatet kombëtare dhe ndërkombëtare të politikës dhe po zbret e paprekur aty ku nisi, në rrugë dhe sheshe. Nuk gjeti zgjidhje as në Këshillin e Europës, as në tryezën e Presidentit të Republikës, as në Kuvendin e Shqipërisë. Një shpresë e madhe u fashit, një investim i madh shkoi kot.

Ndodhi një gjë që pakkush e priste: në vend që institucionet të “bluanin” krizën, kriza dëmtoi ndjeshëm, për të mos thënë nxori jashtë loje disa nga ingranazhet e institucioneve. Këto, kësaj radhe, e humben betejën.

Gjysma e së keqes! Së paku tani e dinë të gjithë se ngërçi i krijuar është shumë më i fortë se sa dukej, se nuk është një trill apo një flatër kalimtare e njërit dhe tjetrit politikan, por një koncentrat i problemit të pazgjidhur zgjedhor, prej nga gjenerojnë e burojnë sëmundjet politike dhe prapambetjet e këtij vendi. Kushdo që do të merret tani e tutje me krizës shqiptare, do t’i bëjë hesapet ndryshe, duke llogaritur “koncentratin” që përmendëm.

“Çdo e keqe e ka edhe një të mirë”, thotë populli. Natyra e krizës përcakton edhe natyrën e mjeteve dhe metodave të përshtatshme për ta zgjidhur.

Ndërkombëtarët mund të jenë duke menduar një recetë të re. Ndërkaq, Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar kanë vendosur ta çojnë sërish në instancën e lartë të protestave popullore. Që, ndryshe, do të thotë t’i japin zë kërkesave dhe propozimeve të tyre me zërin e gjithë qytetarëve që mendojnë se çlirimi i zgjedhjeve është çlirimi i zgjidhjeve.

Në vështrimin e jashtëm, duket sikur kriza do të kthehet aty ku ndaloi në nëntor dhe në dhjetor të vitit të kaluar. Por, po ta shohim nga brenda, do të kuptojmë se protestat e reja do të jenë një përsëritje në një pikë me të lartë të protestave të vitit të kaluar.

Pra, protestat do të jenë sa të mëparshme, aq edhe të tanishme. Pse? Sepse gjatë këtyre tre muajve të vërtitjes së krizës në pallate janë konsumuar lëvizje dhe qëndrime, që nuk mund të mos kenë ndikim në gjykimin e qytetarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj.

Grupi parlamentar i PS-së ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar, por gjithsesi një marrëdhënie pranie me Kuvendin e Shqipërisë. I njëjti grup paraqiti në Kuvend një projektligj për transparencën e zgjedhjeve. Partia Socialiste njoftoi tërheqjen nga shqyrtimi i fletëve të votimit, mandej edhe nga tre qarqet për të cilat ka pasur vendime të Kolegjit Zgjedhor, duke e fokusuar hetimin te nëntë qarqet e tjera.

Më tej, ka pasur një artikulim të hetimit me përzgjedhje kutish, sipas qarqeve, duke e lehtësuar edhe më tej barrën e hetimit parlamentar. Të gjithë këto “hapa prapa” kanë qenë njëkohësisht “hapa para” drejt përafrimit të qëndrimeve me shumicën qeverisëse, me qëllim që të shkohet drejt marrëveshjes në tryezë, në Kuvend.

Nga ana e shumicës qeverisëse ka pasur një propozim informal për nxjerrjen e hetimit të zgjedhjeve nga aula e parlamentit, duke ua deleguar “njëqind prokurorëve” dhe një seancë që u konsiderua botërisht e padobishme si ajo e datës 19 mars, kur shumica, pasi hodhi poshtë projektin e opozitës, mori vendimin e panjohur deri me sot në praktikën parlamentare dhe botërore për të hetuar në mënyrë të njëanshme vetveten, por pa hapur kutitë!

Duke shqyrtuar fishën e opozitës dhe atë të qeverisë për çështjen në fjalë, kushdo e ka të lehtë të krahasojë evoluimin e qëndrimeve të palëve dhe vullnetin e tyre për të shkuar drejt një zgjidhjeje.

Në të vërtetë, 19 marsi i qeverisë e ka marrë tashmë notën në të gjitha kryeqytetet e Perëndimit. Shumica u ekspozua gjerësisht si palë që ofroi një sfidë kartonësh, por jo zgjidhje të urta e të arsyeshme që do të vinin në vështirësi opozitën, nëse kjo do merrte pozicione prej të llastuare.

Parada institucionale e krizës ka qenë gjatë gjithë kohës në vëmendjen e shtuar të opinionit publik shqiptar. Tani, pasi janë konsumuar gjithë këto përpjekje, qytetarët kanë një mendim edhe më të qartë se perse nuk hapen kutitë, qoftë edhe pjesërisht, qoftë edhe vetëm në ato qarqe ku nuk ka vendim gjykate, qoftë edhe për të parë vetëm materialet zgjedhore, pa i zënë me dorë fletët. Simotrat e kutisë së Ruzhdijes, në pikëpamje të mënyrës si janë falsifikuar votat e votuesve absentë, mund të jenë të përhapura andej këndej në mbarë vendin.

Nuk ka dyshim se shumica dërmuese e qytetarëve të çdo orientimi politik kanë dëshiruar e dëshirojnë një zgjidhje të drejtë në Kuvend; një zgjidhje që do t’u kursente atyre telashet e angazhimit në një problem që i përket politikës për ta zgjidhur.

Por, aty ku nuk ia del parlamenti thirret në kauzë opinioni publik, qytetaria, populli. Ky është avantazhi i madh që dallon demokracinë nga diktatura. Manifestimi, mbledhja, grumbullimi, protesta – të gjitha këto janë vlera dhe mjete të demokracisë. Në parlament, qytetari e delegon përfaqësimin.

Në protestë shkon vetë, përfaqësohet vetë. Nuk shkon për të bërë kryengritje apo revolucion, por për të shprehur me praninë e tij aktive mendimin e tij për çështjen e shtruar, në rastin tonë për hetimin e zgjedhjeve. Secili pjesëmarrës në protestë gjykon duke qenë atje. Të gjithë bashkë krijojnë instancën e epërme të protestës, që është medalja e një populli të pjekur dhe e një demokracie të pakthyeshme.

1 COMMENT

  1. Ju shkruani shume bukur dhe qarte, por si eshte mundur qe gjerat ne Shqiperi vazhdojne te ecin ne kete menyre. Si eshte e mundur qe edhe ne Keshillin e Europes nuk u be asgje per kete problem.
    Sipas meje problemi eshte tek njerezit e te dyja paleve.
    Lewis Carrol ve ne gojen e Humpty-Dumpty, tek “Liza ne boten e çudirave” kete dialog :
    – Kur une e perdor nje fjale, ajo fjale ka ate kuptim qe me pelqen mua, as me shume e as me pak!
    – Puna eshte se ju nuk mund t’u jepni fjaleve kuptime te ndryshme nga çfare kane – ngulmoi Liza
    – Puna eshte se ketu urdheroj une! – ia preu shkurt Humpty-Dumpty.
    Dhe per ta mbyllur i nderuar Zogaj po te shtoj se çfare thote nje tjeter shkrimter i njohur nga Juve,
    William Makepeace Thackeray (Theçer):
    “Te kesh gjithmon te drejte, te ecesh gjithmon perpara, te shkelesh gjithçka, te mos kesh kurre dyshime:
    Nuk jane valle keto cilesite e medha, me te cilat marrezia qeverise boten?”

Comments are closed.