Pse u djersit zonja Topalli?

0
48

Zamira Çavo, 04.03.2012

Në intervistat e saj zonja Topalli, gjithnjë ka demonstruar “fuqi”, ose më mirë pushtet. Me mënyrën, gati dramatike, me të cilën i drejtohet auditorit dhe me frazat që zgjedh të thotë, gjithnjë ka arritur të provokojë mjaftueshëm kampin politik kundërshtar, dhe njëkohësisht të garantojë mbështetjen e fanatikëve të kampit të saj politik. Prandaj, sapo shikon zonja Topalli në ndonjë ekran, e di se çfarë do flasë dhe si do sillet. Por këtë radhë, në daljen e fundit publike në emisionin “Opinion”, mendoj se zonja Topalli e ka ndier veten keq.

Ose të paktën këtë përshtypje më krijoi. Dhe fatkeqësisht, nuk jam vetëm unë që e paskam perceptuar në këtë mënyrë! Djersët e zonja Topalli ishin kaq të dukshme sa nuk mund t’i mbulonte dot as ngjyra e kuqe e ndezur e xhaketës, e as truket e gazetarit, për ta ndihmuar. Por mendoj se ka disa arsye që zonja Topalli tregoi pasigurinë e saj, ndaj pothuaj të gjitha pyetjeve që iu bënë.

Së pari; znj Topalli ishte gati e terrorizuar nga largimi i z. Oketa, e që ndoshta pasohet dhe me dikë apo, disa të tjerë, nga partia demokratike. Nuk do të ishte hera e parë që ndodh kështu, por duket se largimi i z. Oketa ka prishur shumë ekuilibra që janë vendosur brenda klaneve të PD-së. Pra ka prishur qetësinë dhe të vetë zonja Topalli, në llogaritë e saj. Më duket gati foshnjarake thënia e zonja Topalli për largimin e z Oketa: “E mormë, pau, mori, iku”!

Dhe nuk e kam fjalën për artikulimin qesharak të fjalisë, as për imitimin që do të kishte dashur të bënte, për të treguar njohuritë e saj në fushën e historisë. Më shumë, e kam në përmbajtjen e frazës., e cila i le shteg dy interpretimeve të ndryshme, që zonja Topalli i kuptoi me vonesë, ndaj dhe u djersit. Sipas saj, nga Partia Demokratike largohen ata që mbeten pa poste!

Le të vazhdojmë pak këtë arsyetim:

Nëse kjo do të jetë e vërtetë atëherë, pra nëse do largohen ata që mbeten pa poste, duhet të presim largime të tjera, madje të mëdha, nga kjo parti. Arsyen na e tregoi vetë zonja Topalli: “Qeveria nuk ndryshon, sepse mund të rrijë si ministër, edhe 13 vjet, një person që ka punu mirë”! Për rrjedhojë, ata që nuk janë shpërblyer nga kjo parti me poste, i bie që të pasojnë Oketën! Këtë e kuptoi me vonesë zonja Topalli, kur u mundua më tej të fliste për “misionarët e pushtetit”! Kjo frazë, mendoj se le pa mend edhe njeriun e zakonshëm, që ka pak njohuri nga politika.

Por thënia e zonja Topalli, na sjell në vëmendje një problem tjetër.: në postet drejtuese, PD zgjedh njerëz që shohin, marrin dhe ikin! A nuk tregon kjo një filozofi korruptuese dhe klienteliste? Me logjikën e thënies, së kryeparlamentares, në lidhje me punën e z Oketa( si zv.kryeministër apo ministër në momentin e pranimit në NATO,) i bie që, postet në PD ndahen pa asnjë kriter apo standard profesional.

Por ajo e di që nuk është kështu, pasi z. Oketa ka treguar, së paku për sytë e opinionit, një qëndrim korrekt dhe mjaft të pëlqyeshëm për postin. Kjo e ngatërroi zonja Topalli, e cila tha se nuk mund të jepte vlerësime për punën e tij, sepse nuk kishte pasur konfidenca!!! Një arsye jo vetëm për t’u djersitur, por edhe për t’u tharë goja! Do t’i lutesha lexuesit të gjente një rast në botë, që një politikan i rangut të lartë, të flasë për aftësitë apo performancën e një ministri, nisur nga konfidencat personale!

Së dyti: Marrëdhëniet e Partisë Demokratike me z. Topi tashmë janë qartësisht të dukshme për çdo njeri. Por dhe vetë z. Berisha, ka gjetur mundësira të tërthorta për të shmangur çdo pyetje rreth Presidentit, gjë që zonja Topalli do t’i kishte shkuar më për shtat nëse do ta kishte mbajtur parasysh. Por edhe në këtë rast duket se kryeparlamentarja e kishte “humbur” gjykimin. Në gjithçka artikuloi ndaj z. Topi tingëlloi naive, madje thellë -thellë, personale. Epitetet kooperativist, ose i përkëdhelur i komunizmit,( ajo vetë artikuloi se :“kush të jepte mundësi në kohën e xhaxhit të studioje në Bolonja”) etj., të ngjashme, e vunë në vështirësi zonja Topalli, sepse duhet ta ketë menduar edhe ndonjë kundërpyetje: Po nëse ishte i tillë pse e ngritët deri në Presidencë dikë që paskësh qenë komunist! Sepse në dijeninë time, z. Topi nuk hyri në PD, një ditë para se të bëhej President!

Së treti: Dëshira për postin e Presidentit duket i ka përkëdhelur jo vetëm sedrën zonja Topalli, por me sa u duk, i është kthyer në obsesion. Ajo e njeh mirë perceptimin që ka krijuar te njerëzit dhe është e bindur se nuk mund të përfaqësojë palët e kundërta politike, sepse nuk mund të ngrihet mbi palët. E ka demonstruar me dhjetëra herë këtë. Fjalimi i saj, kur u zgjodh për herë të parë Kryeparlamentare se : “do të jem avokate e opozitës”, mbeti vetëm një demagogji banale dhe aspak e sofistikuar. Prandaj ajo solli shembullin e Napoletanos, i cili na paskësh fituar me një pakicë prej 5 votash!

Dhe ka fituar sepse mbi të gjitha ka integritet, është profesional, dhe … kaq mjafton për të qenë President! Zj. Topalli beson, ndoshta sinqerisht, se i përmbush këto tipare, ndaj dhe ngulmoi shumë në këtë pikë. Mendoj se me këtë dalje publike, zonja Topalli , jo vetëm i uli në minimumin e mundshëm, pikët e saj në bursën politike, por krijoi dhe një imazh jo fort të pranueshëm për Partinë Demokratike. Kjo dëshmon edhe njëherë se në qeverisjen 8-vjeçare e ka konsumuar tërësisht një forcë politike, që realisht në gjithë këto vite qeverisje nuk ka demonstruar vizion.