Ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen

0
48

BUJAR ABEDINAJ

Këtë reflektim po e nis nga premisa e parë, sipas të cilit shpresa e prof. Shenasi Ramës për të ardhmen e shqiptarëve fillon dhe mbështetet pikërisht te egzistenca e shtetit tonë, megjithë dobësitë e konstatueshme. Atëherë, si një punonjës çfarëdo i shtetit, mendoj se më takon të kontribuoj me sa dhe si mund, përfshirë edhe ndarjen e opinionit përmes këtij rrjeti, në Facebook.

1.-Jam dakord me mendimin e shprehur në intervistë, por edhe nga shumë persona publikë këtu në Shqipëri, përfshirë konstitucionalistë të nderuar, që ka ardhur koha për disa ndryshime në Kushtetutë. Pikësëpari, mendoj se është më mirë të respektohet ndarja tradicionale sipas tre shtyllave kryesore të pushtetit, gjyqësor, legjislativ, ekzekutiv, se sa (praktikisht), pothuaj me 5 apo 6 ndarje, që e kemi ne. Sepse, de fakto, mendoj se funksionojnë thuajse si pushtete me vete edhe ai i Prokurorit të Përgjithshëm, i Guvernatorit të Bankës së Shtetit, apo i Drejtorit të SHISH, etj. Përshembull, në kushtet kur ky i fundit emërohet apo shkarkohet me propozim të Kryeministrit dhe me miratim të Presidentit, lënia pa një mandat (të themi 5 apo 7 vjeçar) e Drejtorit të SHISH e ndikon këtë të fundit, kushdoqoftë ky, të ndihet i lumtur, sa herë që Kryeministri nuk shkon mirë me Presidentin. Nuk besoj se ka pasur ndonjë ndikim në këtë mes por është fakt që, te ne, thuajse asnjëherë Kryeministri nuk ka shkuar si duhet me Presidentin. Kjo ndarje pushtetesh mbase është parashikuar nga qëllimi i mirë i ndërkombëtareve për të pasur më tepër leva ndikimi, në rast se ndonjëri nga pushtetet mund të dilte “jashtë kontrollit”, por them se tani udhëheqësit tanë janë “pjekur” dhe pirustia mund të qëndrojë edhe vetëm mbi tre këmbë.

2.-Sa i përket punës së qeverisë, mendoj se me të drejtë pranohen elemetët pozitivë, ndërsa theksohet se një qeveri gjykohet jo aq nga ajo që ka bërë se sa nga ajo që nuk ka bërë. Ky vlerësim mendoj se qëndron, edhe për qeverinë ‘Rama’, natyrisht, por çështja është se, përsa kohë do të ishte e mundur në kushtet konkrete? Ndërsa mundësia e dështimit lidhet, sipas prof. Ramës, me vlerësimin për mungesën e vullnetit për të bërë atë që duhet, megjithese numrat ekzistojnë. Tani, vullneti mbetet për t’u parë edhe per ca kohë. Por, sot për sot, unë mendoj se nuk ka ndonjë pritshmëri tjetër realiste, përveçse nga qeveria ekzistuese dhe kryeministri Rama. Këtë e them jo sepse këta janë, por sepse rrezikojnë të dështojnë vërtet, nëse nuk do të demonstrojnë vullnetin e duhur. Argumenti i mandatit të gjerë popullor është i pakundërshtueshëm dhe koha ka rrjedhur në atë mënyrë, që njerëzit mund të mos durojnë deri në fund të mandatit të rregullt, nëse kuptojnë që politika është tërhequr.

3.-Një premisë tjetër e rëndësishme në intervistë, ku mbështetet shpresa për ardhmërinë e vendit (premisa e shtatë), lidhet me rezultatin (faktin) e politikës ndërkombëtare në dobi të krijimit të shtet-kombit të shqiptarëve, por edhe me logjikën ekonomike, kulturore, politike e shqërore, “e bile edhe i organizimit të klaneve kriminale.” Unë mendoj se kjo premisë mund të lidhet deri diku me vetë konceptin e autorit për parinë e Tiranës, që shtjellohet më gjerësisht në pjesën e parë të Intervistës. Por këtu fjala nuk shkon aq për konceptin e autorit në përgjithësi, sesa për rezultatin përfundimtar në momentin e tanishëm, që ka rrjedhur nga evoluimi dhe produkti i kësaj parie (të presupozuar), gjat këtyre 24 viteve tranzicion. Sipas meje, jashtë “Parisë”, ky rezultat përfundimtar nuk mund të jetë tjetër veçse shtresa e re e kapitalistëve shqiptarë, me çfarë shkon më së shumti logjika ekonomike, kulturore, politike, etj. Pra, premisa e shtatë mendoj se mund të riformulohet edhe ndryshe: faktori ndërkombëtar dhe kapitali vendas (kapitalistët e rinj) janë duke u bërë vetë të interesuar për shtet-kombin e ri shqiptar. E po shumë mirë ! Atëhere, përveç shtetit, në dobi të shtet-kombit të shqiptarëve kemi edhe një forcë tjetër lëvizëse: klasën e kapitalistëve të rinj shqiptarë. Përpara se ta paragjykojmë dhe politizojmë, për shkak të origjinës dhe historisë, si dhe duke qenë përballë një fakti të kryer, le ta shohim si kontributore. Por, në gjykimin tim, kapitalistët e rinj shqiptarë, paraqesin disa veçori:

Së pari, kapitalistët shqiptarë nuk e respektojnë si duhet pasurinë që kanë fituar. Si shembull ilustrues mund të merret rasti i të ndjerit Artan Santo, për të cilin ruaj përshtypjet më të mira për atë si person, si qytetar dhe si figurë publike. Në perceptimin tim ishte krejt dashamirës, human dhe miqësor. Një kapitalist – bir i këtij vendi, me të cilin edhe shqiptarët e thjeshtë mund të krenoheshin. Por pavarësisht mirësisë njerëzore, humanizmit, qytetarisë, vetë-sigurisë dhe qetësisë shpirtërore që mund të ndjejnë dhe kenë kapitalistët shqiptarë, ata duhet ta kuptojnë seriozisht se pasuria e tyre, përveç kontributeve prodhon edhe armiqësi. Pra kapitalistët shqiptare nuk shpenzojnë sa dhe si duhet per sigurinë vetjake, familjare, të biznesit, të shtetit, por edhe për sigurinë e shoqërisë në tërësi. Për më tepër kjo neglizhohet edhe në rastin e sigurisë fizike, sikurse u duk me të ndjerin Artan Santo. Mirëpo, të mos harrojmë se kapitalistët janë taksa-paguesit më të mëdhej të shtetit, dhe dështimi i tyre, rast pas rasti, në fakt mund të jetë edhe një cënim i sigurisë kombëtare. Sidomos kur dështimi i tyre shkon në përfitim të kapitalit të huaj. Prandaj, shteti, përfshirë edhe Shërbimet sekrete, kanë detyrime të mbrojnë bizneset e mëdha nga konkurrenca e huaj, por edhe bizneset kanë detyrime që ta mbështesin shtetin për forcimin e institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës.

Së dyti, kapitalistët shqiptarë, ashtu sikurse edhe vetë shteti ynë 24 vjeçar I tranzicionit, kanë një kulturë tepër të mangët për informacionin dhe inteligjencën, falë edhe lojës idiote të politikës gjatë këtyre 24 vjetëve lidhur me rrjetin e fshehtë të Shërbimit informativ gjatë regjimit komunist. Sepse masat për sigurinë fizike janë mjeti i fundit për të frenuar dhe për t’u mbrojtur nga një sulm i momentit. Por siguria inteligjente (apo inteligjenca e sigurisë) është diçka tjetër, sepse synon mbrojtjen nga rreziqet e ardhshme dhe synimet afat-gjata, që mund t’i kanosen jo vetëm shtetit, por edhe një biznesi të rëndësishëm privat, duke përfshirë titullarin e biznesit dhe familjen e tij, personelin që ka pasur, që ka apo synon të punësojë në të ardhmen, si dhe gjithë pasurinë dhe asetet e tjera, që ka në shfrytëzim, përfshirë këtu edhe planet dhe kontratat që synon të realizojë për të ardhmen. Sepse konkurrentët (për më tepër ata të huaj) mund të të gërryejnë si mola, që në një perspektivë disa-vjeçare të sigurojnë transferimin e kapitalit nga vendasi tek i huaji, biles ndoshta edhe pa prekur fare mirëqenien familjare të biznesmenit vendas. Nga një këndvështrim i ngushtë, (shpesh shqiptarçe), shumë nga ne mund ta presin me kënaqësi një çast të tillë. Por çfarë përfiton Shqipëria, nëse gjithë pasuritë e saj të rëndësishme tjetërsohen nga të huajt ose administrohen si pronësia e tyre vetjake? Cfarë do përfitonte ky shqiptari i varfër nga fatkeqësia e si-vëllaut të vet të pasur, kur një hyrje 1 plus 1 në Tiranë të mos ketë më asnjë kuptim më tepër se sa një hyrje 1 plus 1 kudo tjetër, në çdo shtet të botës?

Kjo lloj mendje-lehtësie besoj se rrjedh nga periudha relativisht e shpejtë e krijimit të klasës së re kapitaliste. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se pasuria e kapitalistëve evropianë, psh, ka rrjedhur përmes dhjetra e qindra viteve intrigash oborri mbretëror, vrasjesh dhe luftrash. Kjo eksperiencë shekullore ka krijuar kulturën e nevojshme informative te kapitalisti perëndimor, ku në segmentin përkatës të ADN-së së vet besoj se është kodifikuar komunikimi dhe ndarja e informacionit sekret, thuajse sekret, konfidencial, privat, familjar apo personal. Në Shqipëri kemi 24 vjet që po bërtasim ‘spiun’, ‘spiun’, ‘spiun’. Në fakt, kjo lloj propagande shkon për shoqëritë mafioze, por nuk ka asfare kuptim për një shtet ku presupozohet sundimi i ligjit (qoftë edhe për atëherë, kur sundonte ligji komunist.)

4.-Ndarja e informacionit është, në radhë të parë, çështje komunikimi. Po ne çfarë bëjmë tërë ditën: në kafene, në rrugë, në punë, në facebook? Shkëmbejmë informacion. Sigurisht është një informacion që kemi zgjedhur vullnetarisht ta ndajmë. Kurse informacioni sekret, sipas teoricienëve, është ai lloj informacioni që tjetri nuk do ta ndajë, por që ti arrin t’ia vjelësh; ose këtë informacion ai do dhe pranon ta ndajë vetëm me ty, por ti e përcjellë atë (pa dijeninë e tij) edhe diçka mëtej. Në këtë kontekst, do sugjeroja, sikur ish të persekutuarit e ndërgjegjjes nga regjimi komunist të provonin t’i përgjigjeshin pyetjes: a ka faj, p.sh., ish oficeri i sigurimit se perse i ka dhënë detyra dhe përse i ka kërkuar informacion bashkëpunëtorit sekret dhe a duhet të kërkojë falje për veprime të këtij lloji? A ka faj bashkëpunëtori sekret pse ka zbatuar detyrat duke e siguruar këtë informacion dhe duke ja përcjellë oficerit, apo duhej të “spiunonte” te objekti duke tradhëtuar oficerin? Unë mendoj se, nëse këtyre dy pyetjeve do t’u gjendej përgjigje pozitive, atëhere është njësoj sikur të kritikosh që, përse ish Sigurimi i shtetit me rrjetin e vet informativ nuk ka punuar për përmbysjen e regjimit komunist, (mundësisht përpara se ish të persekutuarit të përfundonin në burg.) Në këto kushte, besoj se rezultati do të ishte një gjendje krejt e përmbysur, ku “persekutorët” me të persekutuarit, do të kishin ndërruar vendet, por në bilancin e përgjithshëm asgjë nuk do të kishte ndryshuar dhe ne prapë, do të ishim këtu ku jemi sot.

Ka dhe dy aspekte të tjera nga mendoj se mund të shikohet ky problem:

Së pari, harrohet atdhedashuria dhe patriotizmi i shumicës dërrmuese të rrjetit të fshehtë (Ju kërkoj ndjesë ish të persekutuarve të ndërgjegjjes për këtë lëndim), sado që edhe objekti i punës së tyre – pra ish të persektuarit, të themi, në shumicën e tyre mund të kenë qenë ndoshta po aq atdhetarë dhe patriotë. Por secila palë ka, dhe ka pasur bindjet e veta, që nuk ka kuptim t’i gjykojmë dhe ndajmë ne, sot pas 25 – 30 a më shumë vjetësh. Sepse, atëherë ashtu ishin të pozicionuar dhe kjo nuk mund të ndryshohet sot. Në terma profesionalë, është normale që, pavarësisht regjimit, rrjeti i fshehtë si rregull do të jetë nga lidhjet e objektit. Epo, a nuk është më mirë dhe a nuk u ka takuar më tepër ish të persekutuarve, të falnin? Sigurisht, ata e kanë bërë këtë dhe nuk ka pasur as nevojë dhe as kuptim që ta shprehnin me fjalë, sepse ata janë shprehur me vepra dhe plot fisnikëri, duke bashkëjetuar paqësisht. Në këtë kuptim, rindezja e diskutimit për lustracionin me konotacion shqiptar, vetëm sa acaron. (Konotacioni shqiptar besoj se lidhet vetëm me nenin për heqjen nga puna, se po hoqe këtë nen, (le të jenë të tëra ato të tjerat që kërkon BE), të tërë do thonë: a e di çke? Më mirë lëre fare.) Pra riçelja e debatit të dosjeve është e dhimbshme në aspektin personal, sepse pasojat dhe vuajtjet e ish të persekutuarve nuk mund të zhbëhen. Por pranimi prej tyre se edhe lidhjet e veta (familjare, miqësore apo shoqërore) të përfshira në rrjetin sekret, kanë qenë dhe mbeten po aq atdhetarë dhe bashkë-patriotë sa edhe ata vetë, megjithë koston morale a brengën në zemër që mund të vuajnë, besoj se më shumë do t’i lehtësonte se sa do t’i mbingarkonte. Unë mendoj se kjo do t’i shërbente paqëtimit të shoqërisë në përgjithësi, por sidomos edhe paqtimit midis vetë ish të persekutuarve. Por do ringjallnin besim, dhe jo perçarje. (E thënë ndryshe: kur kacafytemi midis vedi – përfitimi është i të tretëve.)

Së dyti, harrohen dëmet e pallogaritshme që i sjellim dashur – padashur njëri-tjetrit, (biznesit privat, shoqërisë, shtetit) për shkak të një procesi komunikimi (primitiv) që ushtrojmë çdo ditë, shumë herë më me pasoja se sa informacionet që përcillen nga rrjeti i fshehtë. Në radhë të parë, ne i bëjmë dëm vetes, sepse shumë informacione që ndonjëherë i ndajmë me mendjelehtësi, si të padëmshme sot (madje ndonjëherë edhe si të dobishme), ato mund të kthehen në të dëmshme nesër. Ose, tek e fundit, informcioni ka vlerë për atë që di kur ta përdorë dhe si ta përdorë. Ti mund të dish një sekret të rëndësishëm, por kur nuk e di rëndësinë e tij, se për çfarë lloj vendim-marrjeje të rëndësishme mund të shërbejë (qoftë kjo vendim-marrje jo vetëm shtetërore por edhe individuale, personale ose private – por ndaj tjetrit), ose kur nuk parashikon që ai informacion në dukje i parandësishëm mund të përfundojë te “vendim-marrësi” që e bën të rëndësishëm, atëhere t’i e ndan atë pa të keq me mikun, shokun, partnerin, homologun, ambasadorin apo ministrin e huaj, etj., etj. (Biles ti vetë mund ta harrosh që të nesërmen, ndërsa ajo “fluturon” për t’u dokumentuar diku.) Dhe aq më keq pastaj, kur shpesh herë njerëzit përcjellim në mënyrë të qëllimshme informacione për të dëmtuar të tretët. Dhe këtë mënyrë komunikimi shumë shqiptarë e kanë të vetin nga mëngjezi në darkë, ku shumica e tyre, besoj, kanë qenë “pa dosje” dje, dhe janë “pa dosje” sot. Pra, ne kemi një problem si shoqëri në lidhje me çështjet e komunikimit. Atëherë, a ka moral të ndëshkojmë qoftë edhe vetëm moralisht ata që e kanë bërë, ose e bëjnë këtë detyrë zyrtarisht dhe në një frekuencë kohore shumë herë më të ulët (dhe nën frenim, përzgjedhje a kontroll të rreptë), vetëm sepse u është çelur dikur nga një dosje apo kartelë? Kur të tjerët kanë marrë e dhënë, apo marrin dhe japin informacion “pa doganë”? Unë mendoj se ky nuk do të ishte “lustracion”, por pisllëk, hipokrizi dhe vërtetim i tezës për paaftësi shtet-formuese, sepse nuk ka shtet në botë që të mbijetojë pa informacion dhe inteligjencë. Dhe tani, në epokën e globalizimit, pa informacion dhe inteligjencë nuk mund të mbijetojnë as kompanitë serioze të biznesit privat. (Të paktën këta të fundit duhet ta kuptojnë këtë.) Prandaj unë jam dakord me tezën e prof. Shenasi Ramës, që dosjet të hapen vetëm për politikanët, madje pa prekur edhe privatësinë e këtyre të fundit. (Etj., etj, le të flasim kur të vijë rasti, ndonjëherë tjetër.)

5.-Tash le ta evoluojmë më tej mendimin, duke supozuar se kapitalistët vendës do të binin dakord me mangësitë e tyre (edhe tonat) në sferen e informacionit dhe intelligjencës. Atëhere, “në cilën Kishë duhet të falen”? Normalisht, në “Kishën” e shtetit. Mirëpo vjedhja spektakolare në Bankën e Shtetit tregoi se edhe shteti ka mangësitë e veta dhe kjo jo aq për faje të Shërbimit sekret, sesa të politikës që ka cenuar, bojkotuar, …ose që nuk e ka mbështetur Shërbimin, sa dhe si duhet. Që të mos e zgjasim këtu, niveli i gjërave mund të ketë mbrritur në atë pikë ku kapitalistët vendas, për momentin, duhet të jenë të gatshëm për të kontribuar, më tepër se sa për të përfituar, derisa gjërat të vijnë në ekuilibër. Ky kontribut (në radhë të parë financiar) mendoj se duhet të mbështesë përpjekjet e qeverisë dhe parlamentit për ndërtimin e shtetit dhe forcimin e strukturave të sigurisë dhe inteligjencës, pa cënuar dhe duke ruajtur ballancat me pritshmëritë publike.

Më urgjente mendoj se është mbështja që mund të ofrojë kapitali vendas për ruajtjen e balancave kritike në lidhje me pritshmëritë nga shtresat e gjera të publikut, që rrezikohen seriozisht nga barra e rëndë ekrizës. Modeli më i mirë për t’u ndjekur nga kapitalistët tanë mendoj se do të ishte ai francez, ku kapitalistët e mëdhenj të atij vendi u vet-ofruan, duke propozuar të paguanin më tepër taksa, me qëllim përballimin e krizës së euros në vitet efundit. Aq më tepër, ky shembull duhet ndjekur nga kapitalistët tanë relativisht të rinj, për vetë origjinën dhe kohën e shkurtër të krijimit të kësaj pasurie.

Në shkrimin e tij prof. Shenasi Rama thekson se “Paria e Tiranës ka dështuar me turp të pashembullt në detyrën historike që morën përsipër në vitin 1990 e në vazhdim”, duke vlerësuar se kjo detyrë ishte vendosja e bazave për një të ardhme të qëndrueshme, të sigurtë, të begatë dhe me ekuilibra shoqërore e politike normale për shoqëritë e përparuara të kohës. Këtu mendoj se mund të saktësojmë, që, edhe nëse kjo detyrë nuk ishte diçka e mbartur apo e trashëguar nga regjimi i kaluar apo strukturat e tij, (përndryshe përgjegjësia do të ishte shumë më e rëndë – sepse riprivatizimi i pasurisë publike do duhej të vijonte pa shkelur ligjet e kohës dhe pa prekur parimet e sistemit të vjetër të barazizë, kontributit klasor, etj.), mjafton vetë-marrja e përgjegjësisë për të nisur një rrugë të re, drejt një vizioni të synuar, për të presupozuar se kjo detyrë nuk mund të ishte shumë e ndryshme nga ajo që ka formuluar prof. Shenasi Rama.

6.-Për rrjedhojë, përgjegjësia historike për gjendjen e vështirë ku ndodhemi sot, nuk mund të bjerë tjetër veçse mbi klasën e re politike, që ka përcjellë zhvillimin e vendit gjatë këtyre 24 viteve tranzicion, megjithëse faktori subjektiv mund të jetë një pasqyrë e paditurisë dhe maska mbrojtëse e kësaj klase politike. Por kapitalistët vendas, në përgjithësi, nuk mund të identifikohen me klasën politike në fjalë, pavarësisht disa pikë-prerjeve momentale e sporadike, pasi mendoj se ata janë më tepër një produkt ose pasojë, që ka evoluar hap pas hapi, se sa një shkak, që ka diktuar rezultatin. E megjithatë, pasuria dhe kapitali i tyre kanë nevojë edhe për pak më tepër legjitimitet, sepse ato nuk janë vetëm mall dhe para, por janë edhe frymë, moral, marrëdhënie, paqe dhe siguri; në fund të fundit ato kanë evoluar mbi bazën e një konteksti të caktuar shoqëror dhe, për pasojë, nuk mund të shkëputen lehtësisht nga ky kontekst.

Nga ana tjetër, situata është shumë e vëshirë dhe vetë prof. Rama (Shenasi) e pranon: “Realiteti është i zymtë e jo rozë, nuk ka para, shteti është në borxh deri në fyt, detyrimet që ka marrë përsipër kjo qeveri janë të papërballueshme.” Po atëhere, nëse këto detyrime janë vërtetë të papërballeshme, çfarë mund t’i kërkojmë më tepër qeverisë ‘Rama’, përveçse ta mbështesim?

Pra, faktikisht, vendi jonë sot është në një krizë të padeklaruar dhe kapitali vendas ka për detyrë të bëhet pjesë e përballimit dhe zgjidhjes. Me atë shkallë vështirësie apo lehtësie, që mund të jetë krijuar ky kapital vendas, po me atë lehtësi duhet përdorur, deri në masën që problemet të mos shpërthejnë: pjesa që mbetet pastaj besoj se është kapitali legjitim. Sepse shoqëria arrin të mbijetojë në ballancën, ku shtresat e sajë kontribuojnë sipas fuqisë.

7.-Megjithatë, në perceptimin tim, ose si rezultat i kufizimeve që mund të kem në inputet informative (gjithësesi nga burimet e hapura të mediave) më krijohet përshtypja se, ose kapitalistët vendës me një farë mendje-lehtësie nuk po tregohen shumë të gatshëm për të mbështetur qeverinë, ose politika po rrezikon për t’u shkarkuar nga disa barra të tepërta elektorale, që ndoshta nuk ua përmbush dot pritshmëritë dhe me ndërjegjje mund të lejojë rrjedhjen e tyre drejt destinacioneve të tjera.

Pak a shumë diçka e tillë konformohet edhe nga prof. Shenasi Rama, kur njerën nga alternativat për krijimin e të djathtës e lidh me përpjekjet e parisë së Tiranës (duke nën-kuptuar më tepër pjesën pranë koalicionit qeveritar), “për të ndarë ata që nuk janë pjesë e saj dhe për të përdorur ndasitë shoqërore që mbajnë bashkëmbështetësit e tyre….”, etj. Ndërsa alternativën e dytë për krijimin e të djathtës prof. Rama e lidh me përpjekjet e PD-së, “që me ndërgjegjje mbështet këtë projekt të pandryshuar të parisë, por që përpiqet që të mbledhë rreth vetes të përndjekurit…, militantët politikë, të pakënaqurit e të gjithë llojeve dhe armiqtë e palës tjetër…”, etj.

Druaj se, këtë radhë. gjërat mund të mos shkojnë kaq vaj. Sepse “tufat” elektorale që mund të përzihen nga njëri “stan” drejt “stanit” tjetër, a ku të duan ato, janë pak si tepër dhe ca si të mëdha. Përveç, që po fillojnë të kuptojnë përdorimin e tyre deri në ekstrem dhe mund të mos kenë as dëshirën për të shkuar te alternativa e dytë dhe as nerva për të pritur deri sa të mbushin alternativën e tretë. Për më tepër (në perceptimin tim) kanë një dozë të lartë të sensit, se po u bëhet një padrejtësi. Në një përplasje të tillë të mundshme, përveç që mund të konfirmohet vlerësimi i prof. Ramës për dështimin e klasës politike, apo të Parisë së Tiranës, siç e quan ai, por mund të deligjitimohet në pasurinë e vet edhe vetë paketa kontrolluese e kapitalistëve kryesorë në vend. Shumë mund ta duan këtë rezultat, madje edhe unë si person mund të mos kem ndonjë kundërshtim imediat; por e menduar më mirë dhe si shqiptar, më dhemb, sepse eliminimi i kësaj klase kapitalistësh rrezikon të nënkuptojë kalimin e pasurisë së tyre (që në fakt është edhe pasuri shqiptare) te shumë-kombëshet e huaja, çfarë mund të na kthejë të gjithëve – të huaj në vendin tonë.

8.-Po kush janë këto kategori sociale që rrezikojnë të përdoren si valvula shkarkimi të elektoratit? Ato mund të jenë disa, por në mënyrë të drejtpërdrejtë unë perceptoj dy:

Së pari, kategoria e kreditorëve “të këqinj”. Nuk janë edhe aq pak, por po “kullufiten” veç e veç, dhe një nga një, nga “ushtritë e panumërta” private të përmbarimit. Këta kreditorë të “këqinj”, nuk ishin edhe aq të këqinj kur u joshën drejt marrjes së kredive në fillim, sidomos nga 2005 e këtej. Shembja e Piramidave të 1997 shërbeu si një bazë e mirë mega-mashtrimi, mbi truallin e së cilës do të lulëzonin më pas Bankat, me interesa të tilla të larta, sa mund të quhen pa frikë si piramidat numër dy. Këtu po ndal, për të mos e zgjatur më tej, sepse shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndaj kreditorëve “të këqinj” janë ulëritëse – por nuk janë një dhe dy, që të quhen tragjedi, ndaj mbeten thjeshtë statistikë. Minimalja, që mund të bëhet nga qeveria dhe kuvendi, mendoj se është rrezimi i disa amendimeve ligjore në 2008, 2009 dhe dhe 2013, që kanë qenë tërësisht në favor të Bankave dhe në dëm të klientëve. (Ligjvënësit kanë shitur votuesit për të mbrojtur Bankat. Shih gazeta Dita, dt. 23 mars 2014, ose:http://gazetadita.al/udhezimi-ja-kur-do-te-fshihen-kredite-me-probleme-nga-bilanci-per-tatimet/) Gjithashtu, gjatë nxjerrjeve në ankand duhet respektuar një lloj koeficenti mes sekuestrove të mëdha dhe të vogla. Sepse kreditorët e mëdhenj të këqinj kanë më tepër mundësi (korruptive, ndoshta) që ankandi i pronave të tyre të zvarriset për në fund, duke eliminuar fillimisht pronat e vogla. Nga kjo zvarrisje, për një pronë të madhe mund të sakrifikohen disa ose dhjetra prona të vogla, me gjithë elektoratin që i pason.

Së dyti, kategoria e debitorëve të energjisë elekrike. Në pamje të parë, këta duken si më fajtorët. Por e vërteta mendoj se nuk është tamam kështu, sepse ky numër ka ardhur duke u shtuar pak e nga pak që nga viti 1991. Shtimi gradual i numrit të këtyre personave, nuk ka qenë thjesht dëshira e tyre për të mos paguar energjinë elektrike, por përherë e më tepër ka qenë edhe protesta e tyre për të mos paguar një çmim më të lartë, për sa kohë kanë paguar edhe për ata që nuk paguanin. Pastaj u janë shtuar këtyre të fundit, duke u bërë edhe vetë fajtorë. Pa folur për vjedhjet dhe diferencat mes matësave të personave që kanë rezistuar duke paguar deri në një farë kohe, deri sa janë thyer, …etj. etj. Ose vjedhje te tjera të hapura por pa ndonjë lidhje të dokumentuar – pra që nuk figurojnë fare si debitorë. (Natyrisht, këta janë më “të ndershmit”, se janë në rregull me detyrimet.)

Po më kryesorja, kjo kategori ka një shtrirje me theks të qartë gjeografik, që mund t’i bëjë rajonet kompakte në marrjen e vendimeve të veçanta, ose t’i përplasi ato me njëra – tjetrën. Për shëmbull, me sa kujtoj sipas një harte të vitit 2012, numri i debitorëve në zonat veriore vërtitej diku te rreth 80-90 %. Te zona e Tiranës, sidomos e përiferisë së saj – diku te rreth 40-60 %, dhe në zonat jugore diku te 20-30 %. Për më tepër, në radhët e debitorëve ka pasur edhe ndërmarrje shtetërore dhe ente publike që figuronin si debitorë në shuma të mëdha, por pagesat e tyre janë rimbursuar nga qeveria e re. (Kjo le një shije të hidhur te debitorët e tjerë familjarë, se vërtetë rimbursimi është shtet me shtet, por njerëzit e kuptojnë se ato janë borxhe, që prapë do shlyhen nga taksat që do t’u mbahen. Në këtë mënyrë, privati ndihet i diskriminuar në raport me shtetin.)

Pra zgjidhja e problemeve për këto dy kategori sociale ka një kosto financare, që unë mendoj se duhet përballuar nga shteti. Kaptitali vëndas është i interesuar ta mbështesë qeverinë në këtë drejtim, jo për arsye elektorale, (se ka edhe forma të tjera për t’u distancuar “me lezet”nga elektorati i “panevojshëm”, që nuk mbulohet nga programi), por thjesht për të ulur nivelin e padrejtësive ndaj shtetasve dhe për të zbutur masën e pakënaqësisë. Unë mendojse edhe vetëm për kaq, do t’ia vlente!

Sigurisht, nuk përjashtohet as mundësia që njerëzit të pajtohen me realitetin edhe këtë radhë, duke pritur të votojnë me qetësi ndonjë alternativë tjetër në zgjedhjet e ardhshme të radhës, por duhet mbajtur mend se ky do të ishte rasti më i mirë. Megjithatë, unë nuk besoj se kjo alternativë e tretë duhet të jetë me patjetër një alternativë e djathtë. Ose më saktë, nuk më duket bindëse që alternativa e shtet-kombit apo e kombëtarizmit shqiptar, sipas cilësimit të prof. Shenasi Ramës, të jetë vetëm një domen apo preferencë e së djathtës. Por edhe nëse rezulton kështu nga teoritë apo librat e ndryshëm të historisë, në kontekstin shqiptar, këtë alternativë nuk mund ta lerë pa e rrëmbyer edhe e majta, ose një numër i tërë fraksionesh nga e majta. Për rrjedhojë, unë do sugjeroja që kjo alternativë ideologjike mund të trajtohet si neutrale e gjithë-përfshirëse, por zbatimi i saj në mënyrë pragmatike herë mund të jetë një prioritet i majtë dhe herë tjetër një prioritet i djathtë, ose anasjelltas. Megjithatë, nuk pretendoj të jem shumë këmbëngulës në këtë sugjerim, pasi nuk e kam pasur objekt studimi deri tash.

Duke përfunduar, nga tërësia e intervistës do veçoja duke nxjerrë në krye pjesën ku prof. Shenasi Rama shpalos vizionin e tij për ideologjinë dhe parimet kombëtariste, ku rendit shumë qartë dhe me elegancë 10 parimet udhë-rrëfyese për ndërtimin e një shoqërie moderne, me të cilat Ai do mund të nderonte çdo qeveri.