Ngjarjet e dhjetorit ’90-të

0
25

Shinasi Rama

INTERVISTE e SHINASI RAMA ME ‘GAZETA SHQIPTARE’, 3 DHJETOR 2009

PJESA E PARE

A mund të sillni në vëmendjen e lexuesve ato ditë të fillim dhjetorit të vitit 1990… Si i kujtoni sot?

Ato ditë kanë qenë ditët e vërteta të romantizmit rinor shqiptar. Të gjithë e dinin se sistemi duhej shembur, puna ishte jo vetëm që gërmadha të mos zinte njeri brenda, por edhe se duhej menduar mirë se çfarë sistemi do të ndërtohej. Tash gjykoj se, në vija të trasha, për aq sa më takon mua e shokëve të mi, idetë i kemi pasur shumë të dobishme e shumë të qarta si për gjendjen, ashtu edhe për rrugën ku duhej shkuar.

Mendoj se Lëvizja Studentore, e cila filloi në dhjetor të vitit 1990, por vazhdoi deri në prill të vitit 1991, luajti një rol të dorës së parë në fillimet e tranzicionit. Lëvizja Studentore ka merita të pakrahasueshme për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike, për shmangien e luftës civile, për vendosjen e sistemit pluralist, për krijimin e partive opozitare, për shembjen e mitit të Enver Hoxhës e të legjitimitetit të PPSH-së, për çlirimin e energjive intelektuale e për dhënien e shembullit të shërbimit publik në një moment shumë kritik për shqiptarët.

Unë i kujtoj ato ditë me respekt e nderim, dhe më vjen shumë keq kur shoh e dëgjoj ish-pjesëmarrës që e shtrembërojnë të vërtetën për përfitimet e ditës. Është e vërtetë që shumë studentë u përdorën nga intelektualët, por është edhe më e vërtetë që ne i përdorëm intelektualët duke i detyruar që të bënin atë që donim ne, veçanërisht gjatë rrëzimit të mitit të Enver Hoxhës, dhe pasojat dihen. Ajo periudhë është pjesë e çmuar e historisë së shqiptarëve. Veprimet tona kanë qenë të menduara mirë e në shërbim të interesave të tyre. Ne mund të kemi humbur shumë si njerëz e si individë, e prandaj nuk jemi në politikë, por vendi e kombi fitoi nga sakrificat tona dhe për këtë jemi e duhet të jemi gjithnjë krenarë.

Ju keni qenë në takimin me Ramiz Alinë. Ekzistojnë disa të vërteta të atij takimi. A mund të na e riprodhoni me pak fjalë kërkesat e studentëve dhe përgjigjet e zotit Alia?

Nuk ka 100 të vërteta, ka një të vërtetë. Ajo është e regjistruar dhe të gjithë e kemi nga një kopje të regjistruar të takimit, pavarësisht manipulimeve e shtrembërimeve që i janë bërë në media, e pavarësisht asaj çka flitet nga ish-pjesëmarrësit apo të tjerët. Ne kemi shkuar atje me një listë kërkesash që ishin shumë të drejta për një kohë tjetër, por krejt të tejkaluara për momentin historik që u krijua. Thelbi i veprimit tonë ishte që të përdoronim masën studentore, entuziazmin e krijuar dhe mbështetjen popullore për ta transformuar këtë Lëvizje Studentore në një Lëvizje historike, shumë të ndryshme nga revoltat e rebelimet e mëparshme si demonstratat në Shkodër e në Tiranë, ikja nga ambasadat, rebelimi i Kavajës, i Elbasanit, traktet e Korçës e me radhë.

Duhet t’i vëmë pikat mbi ‘i’. Ka pasur një debat lidhur me atë se çka do të kërkonim. Në bisedë me drejtuesit e tjerë të Lëvizjes, unë iu thashë se do të shkoj për të kërkuar vetëm pluralizmin politik. Mirëpo, Azem Hajdari këmbënguli se duheshin respektuar kërkesat e studentëve, ku pluralizmi ishte vetëm një pikë e shurdhër dhe e humbur diku në mes të listës. Ndjehej shumë përgjegjësia që kishim dhe ishte shumë e qartë se çfarë potenciali kishte ajo lëvizje. Për këtë arsye, ndër të tjera, kërkoja që të krijonim kushte edhe për intelektualët e Tiranës që të dilnin hapur kundër sistemit e të kërkonin atë që duhej.

Personalisht iu kam thënë si Gramoz Pashkos, ashtu edhe Sali Berishës që të vinin e ta kërkonin pluralizmin me gojën e tyre e të provonin se kush ishin, por që të dy refuzuan. Kur ndërruan mendje, dihet se studentët nuk i lanë as të hynin në sallën ku po takohej Përfaqësia Studentore për të diskutuar se çfarë do të bisedohej në takimin me Presidentin Ramiz Alia.

Nga ana e tij, Presidenti Ramiz Alia kishte ardhur i përgatitur për ta përdoruar këtë takim ashtu siç i interesonte atij, d.m.th., që ta përdorte për të konfirmuar vendimin e KQ të PPSH për pluralizëm mendimi e subjektesh. Këtë vendim ne e njihnim përmendësh, se na e kishte sjellë i dërguari i tij Sali Berisha herët në mëngjesin e datës 11 dhjetor, dhe ai e kishte marrë po nga vetë Ramiz Alia. Kështu, me atë vendim do të na lejohej krijimi i një organizate intelektualësh të rinj e studentë, organizatë paralele me BRPSH. Mbas asaj ngjarjeje, Ramiz Alia do të shkonte gjithkah në botë duke thënë se, “nuk ka kërkesë për më tepër,” “në këtë fazë kaq mund të bëjmë”, “do të zhvillohemi gradualisht” e me radhë. Ai e urrente pluralizmin politik, nuk kishte si ta donte, mirëpo e papritura ishte se ai nuk priste që ne të ishim aq të pjekur sa ta dinim mirë se çka donim e si ta kërkonim.

Gjendja u acarua shumë kur ai e mbylli fjalën e tij hyrëse me ton kërcënues: “Tashti të dëgjojmë ça keni juve e ça doni juve”. Në atë kohë kjo ishte shumë e rëndë, sepse ai ishte diktatori i shtetit dhe njeriu i plotfuqishëm që e kishte lënë Enver Hoxha në vend të tij; nuk ishte e lehtë për askënd t’i kundërviheshe as atij, as atyre që të zhduknin edhe hijen me një shenjë të tij.

Mbas ndërhyrjes së Arben Demetit, e mora fjalën unë dhe mbasi bëra një ekspoze të shkurtër të historisë së pluralizmit ndër shqiptarët, vura në dukje rëndësinë e momentit historik, ia hodha poshtë vendimin e KQ të PPSH si të mangët dhe i kërkova pluralizmin e vërtetë politik në emër të kombit shqiptar e të interesave madhore të kombit. Ai dredhoi dhe nisi të hidhte fjalë andej këndej, debati midis nesh u acarua keq. Ndërhynë studentë e pedagogë, dhe në dialogun midis meje e tij ne shkëmbyem ca fjalë jo të këndshme e të rënda, mirëpo unë nuk kisha shkuar atje për të aprovuar çka thoshte Ramiz Alia.

Mbi të gjitha, pluralizmi ishte një e drejtë që ne duhej ta fitonim vetë e për të gjithë shqiptarët, nuk mund të ishte dhurata e Ramiz Alisë. Mbas kërkesës sime për pluralizëm politik të mirëfilltë e pa kushte, të gjithë studentët e pedagogët e pranishëm, në vend që të më mbështesnin e ta mbyllnim takimin aty, filluan të flisnin edhe një herë për nëntë kërkesat në letër: jo duam ujë, jo duam drita, pse e lejon apo s’e lejon partia jonë krijimin e organizatës së studentëve e intelektualëve të rinj, pse na rrahën, e kështu me radhë.

Pat momente të rëndësishme, dhe ndërhyrja e Tefalin Malshytit që e ndau rolin e tij të Presidentit nga Sekretari i Parë, e Ben Likës që e vuri me shpatulla për muri në lidhje me rrahjen e studentëve, e Mimozës nga Vlora, lidhur me rrenat e shtypit të atyre ditëve dhe e ndonjë tjetri si Blendi Gonxhe apo Adrian Petrollari, janë momente shumë interesante të atij takimi. Megjithatë, për nja dy orë Ramiz Alia u mundua të tregonte se ishte në kontroll të gjendjes, mbajti fjalime për gjendjen ekonomike e të jashtme, u diskutua edhe një herë çështja e pronës dhe rrahja e studentëve, pati shumë shprehje respekti e përulje karshi tij, ku natyrisht u shqua Arben Imami. Në një moment, edhe Azemi i tha duke bërë me kokë nga unë: “Shoku Ramiz, këta që i çojnë dy gishtat nuk na e duan të mirën ne”. Aty e kam ndjerë veten shumë vetëm dhe jam habitur me poshtërsinë e dyfytyrësinë e disave.

Si po shkonte ai takim, ishte e qartë se do të përfundonte me një fitore të madhe të tij, edhe personale, edhe politike. Kështu, në një moment, mbasi e humba durimin, u ngrita në këmbë dhe i ulërita: “A don me e dhanë apo jo?”, dhe ai tha një ‘po’ të mekur. Kështu u fitua edhe pluralizmi politik. Edhe ai e dinte se pluralizmin e fituam ne, nuk na e bëri dhuratë njeri, as ai, askush tjetër.

Kujtoj një moment mbas takimit, kur desha t’i them se politika është politikë e se jemi të gjithë shqiptarë e duhet të punojmë për të mirën e kombit. Ai as nuk pranoi të më shihte, e jo të më fliste.

Natyrisht, ai kishte edhe gurin, edhe arrën në dorë dhe kishte kohë të përgatitej që gjendja të mos i dilte prej dore. Dhe, unë e dija se ashtu do të ndodhte. Kështu, sapo u fitua pluralizmi, paria e Tiranës nuk humbi fare kohe dhe përfitoi nga momenti; ato e dinin se tash do të dilnin të gjithë të bënin partinë e vet, sepse ishte lejuar formimi i tyre. Nga ana e tij, të nesërmen, më 12 dhjetor Ramiz Alia u takua fshehurazi me të gjithë ata që u bënë lojtarët kryesorë të këtij tranzicioni, një e nga një e në grupe të caktuara dhe iu dha dritën jeshile.

Mirëpo, thelbi i atij takimi ishte se mbas takimit me ne kishte ndodhur një ndryshim i thellë politik, sepse ne i kishim ndërruar rregullat bazë të lojës. Pluralizmin e kërkuam dhe e fituam vetë ne, ishte një kërkesë e pastër politike, një kontribut që nuk e jepte dot njeri dhe që e nxori vendin nga qorrsokaku ku ishte. Si Ramiz Alia, ashtu edhe të gjithë të tjerët ishin krejtësisht të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm kishte qenë ai takim e pse ishte aq i rëndësishëm.

Kush e dha idenë për të themeluar Partinë Demokratike?

Mendimin për të formuar Organizatën e Studentëve e të Intelektualëve të Rinj e kemi diskutuar gjatë, por mendimin për të formuar partinë opozitare e kam dhënë unë, dhe veprimet e para për të bërë bashkë njerëzit i kam ndërmarrë po unë. Shiko, në atë kohë ka pasur shumë presion mbi të gjithë ne. Sistemi ishte shumë funksional dhe si u mor vesh ‘kush ishte kush’ edhe në Lëvizjen Studentore që sa kishte lindur, strukturat e shtetit u munduan që të sillnin pjesëtarët me influencë të familjeve për të ndikuar mbi ne.

Në rastin e Azemit, atij i sollën të vëllanë, Rasimin, që ishte instruktor në KQ të Partisë në Tropojë. Komiteti i Partisë në Shkodër çoi një njeri tek im atë, por im atë ia la në dorë teserën e Partisë dhe i tha; merre, unë do të shkoj mbas djalit tim e nuk pranoi të bisedonte më gjatë me të dërguarin e Komitetit të Partisë. Tash, nën influencën e Rasimit, të Saliut e të Besnik Mustafajt, Azemi u ndryshua shumë. Shumë nga studentët i besonin, mirëpo tash ai kishte mendime të tjera. Ai këmbëngulte që intelektualët t’i bashkëngjiteshin Lëvizjes Studentore e ne të viheshim nën drejtimin e tyre, gjasme sepse ato dinin më shumë se ne, dhe për çdo gjë ai u bë zëdhënësi i mendimeve të tyre. Unë kisha mendimin e kundërt, d.m.th., mendoja që intelektualët e të tjerët duhej të vepronin më vete dhe ne duhej të kishim fytyrën tonë e të ndiqnim rrugën tonë.

Gjendja u bë kritike në mëngjesin e datës 11 dhjetor, kur morëm vesh se KQ i PPSH e kishte lejuar formalisht krijimin e organizatës së Studentëve e të Intelektualëve të Rinj, gjithnjë brenda rregullave ekzistuese, si organizatë paralele e rinisë. Sali Berisha, si i dërguar i posaçëm i Ramiz Alisë, na e solli vendimin e KQ të PPSH në mëngjesin e 11 dhjetorit dhe tha se, “ky është vendimi e mos kërkoni më se mandej nuk i dihet”. Pra, u pa se ata do të lejonin që të bëhej një organizatë, mirëpo unë nuk u pajtova me këtë rrugë. Isha i vendosur që në takimin që do të bëhej në darkë me Ramiz Alinë të kërkohej me forcë pluralizmi politik i mirëfilltë dhe të mos iknim prej andej pa e ndryshuar sistemin, edhe sikur të hupnim fare.

Me këtë synim, para mensës, më datën 11 dhjetor, aty nga ora 10-10:30 e mëngjesit i kam thënë gruas së Gramozit, Mozës që ta sillte Gramozin nga Fakulteti Ekonomik. Ajo shkoi dhe e thirri dhe mbasi i kam prezantuar Saliun me Gramozin, iu kam thënë që të shkonin e të mblidhnin edhe intelektualët e tjerë e të bënin partinë politike se ne do t’i mbështetnim deri në fund. Mbas atij momenti ata nuk u ndanë nga njëri-tjetri. Mirëpo, kishin frikë dhe atyre që i thirrën me urgjencë tek shtëpia ku jetonte Gramozi me familje, Sokol Neçaj, Genc Ruli, Aleksandër Meksi e disa të tjerë, iu thanë se do bënin partinë e studentëve kur në fakt unë iu kam thënë hapur se ata duhej të bënin partinë e tyre.