Nga Mero Baze, 28 Shkurt 2012
Zoti Domenick G. Scaglione!
E mora letrën tuaj, shumë nervoze, të keqkuptuar dhe armiqësore. Ishte e udhës të merrja një përgjigje nga zoti Granoff, nëse kjo letër paska qenë kaq shumë shqetësuese për të. Është praktikë që shpesh vartësit shkruajnë ne emër të shefave dhe është ndoshta rasti i parë që shefat shkruajnë në emër të vartësve.
Nuk di kush ua ka përkthyer shkrimin pasi unë e kam botuar atë në gjuhën shqipe dhe shikoj plot ligësi dhe arrogancë të panevojshme për gjëra që nuk i kam thënë. Nuk jam njeri i rëndësishëm në këtë vend që mund të takohemi bashkë, por kur ju keni krijuar Fondin, kam qenë gazetar i Zërit të Amerikës dhe mbaj mend që kam bërë një raport për ju, nga ato raportet rutinë që nuk i hyjnë në punë askujt.
Po ju sqaroj një për një vërejtjet tuaja.
Ju shkruani se: “Unë nuk jam duke shkruar për të mirën tuaj, sepse nga toni i editorialit tuaj, mund ta kuptoj se ju nuk bëni kujdes për të mësuar dhe pranuar atë që është e vërteta e vërtetë. Unë shkruaj për të mirën e lexuesve që ju i keni keqdrejtuar totalisht duke i lënë të besojnë se atë që ju keni shpikur dhe që është e denjë për grupin e “washwomen” (pastrueseve) tradicionale.”
Nuk kam asgjë kundër konsideratës suaj negative për një editorial të gazetës Tema. Nëse ajo ka qenë diçka që nuk ia vlen, zemërimi juaj duket një luks i madh për një “washwomen” dhe unë ndjehem i respektuar që keni shkruar qoftë edhe kaq keq. Të jeni të sigurt se gazeta që unë drejtoj i ka lexuesit të kualifikuar, njerëz që dinë të lexojnë më mirë se një “washwomen”. Zakonisht kaq shumë ndaj nesh nervozohen njerëz që duan të fshehin diçka. Pak më butë se kaq më kanë folur dhe shkruar njerëz që më vonë dhe më kanë qëlluar dhe kanë dashur të më asgjësojnë fizikisht. Uroj të mos kesh halle të ngjashme me ta në këtë zemërim pa kuptim për ato që janë shkruar.
Më poshtë ju shkruani:
“Ma merr mendja se urrejtja që ju keni demonstruar në editorialin tuaj nuk do t’ju lejojë të publikoni atë që po shkruaj. Unë jam duke e bërë thjesht për të provuar nëse ju kujdeseni për të kaluar tek lexuesit të vërtetën reale.
• “Michael Granoff është i njohur në Shqipëri që nga viti 1995 kur Presidenti Clinton e zgjodhi Kryetar i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”. Kjo nuk është e saktë! Presidenti Clinton e zgjodhi Domenick G. Scaglione si kryetar dhe zotin Granof si anëtar të Bordit të Drejtorëve.
•Vite pas Fondi ishte operacional, për shkak të sëmundjes sime, Z. Granof u zgjodh nga Bordi i Drejtorëve të jetë kryetar, ndërsa unë kam mbetur si kryetar emeritus, dhe jam ende shumë aktiv si anëtar i Bordit.
•Befasohem kur shoh se ju pranoni faktin se AAEF ishte një “sipërmarrje e provuar të jetë e suksesshme dhe është ende aktive në Tiranë”. Është në sajë të AAEF, një vullnet i mirë miqësie i SHBA-së, që Shqipëria përshpejtoi rrugën e saj drejt përparimit në cilëndo fushë.
•Banka Amerikane e Shqipërisë, e lindur nën kryesimin tim, ishte banka më e mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më e mira në të gjithë rajonin e Ballkanit. Krijoi punësim për të ushqyer më shumë se 600 familje. Ajo ndihmoi industritë lokale me miliarda dollarë kredi dhe ofroi shërbime ultra-moderne për të cilat as që ishte ëndërruar ndonjëherë.”
Nga gjithë çfarë rendisni si gabime, është vetëm një gabim teknik, kur i referohem zotit Granoff si Kryetar i Bordit të Fondit, ndërsa ai ka qenë një anëtar. Për këta jam gati t’i kërkoj ndjesë lexuesve pasi atij nuk i duhet. Paragjykimi juaj se unë nuk do ta botoj këtë reagim tuajin, pa më njohur kurrë është një problem që duhet ta rishikosh tek personaliteti yt, jo tek unë. Unë jam një gazetar që luftoj për lirinë time të të shkruarit dhe të të menduarit në një vend ku atë e kam paguar me dhunë fizike, me dënime të padrejta, me përpjekje për eliminime fizike nga killer-a të kryeministrit dhe gruas së tij, që ju adhuroni, dhe me një terror më shumë se fizik ndaj familjes ime. Nuk je i detyruar të ndash me mua këto shqetësime, por nuk të lejoj që cenimin e lirive të mia dhe kolegëve të mi në këtë vend t’i quash si vlera. Je i lirë të flasësh për vlerën e lekut në këtë vend, por jo për vlerën e lirisë që na mungon ne që jetojmë këtu.
Jam i çuditur se në gjysmën e artikullit jeni bërë nervoz pse unë lavdëroj zoti Granoff si njeri të zotin dhe fondin tuaj si të suksesshëm. Nuk kam shpjegim për këtë paranojë. Përpiqu të gjesh specialist të fushës që shpjegon paranojat për tu sqaruar. Unë e vlerësoj zotin Granoff si një drejtues të zot të Fondit, siç kam thënë dhe në atë artikull dhe vetë Fondin një sipërmarrje të suksesshme. Fakti që keni bërë biznese me njerëz të rrethit të Berishës nuk ju komprometon, por thjesht na shton ne dyshime rreth “punës së dytë” të padeklaruar të zotit Granoff në favor të zotit Berisha.
Nëse do dhe emra unë mund t’ua dërgoj në e-mail pasi nuk dua të përgojoj bizneset ku jeni partner. Për lehtësi po të them se në një rast jam befasuar kur doli se në ndërtimin e fabrikës së Gërdecit, që shkaktoi 26 të vdekur, merrte pjesë me 40 për qind një drejtues i lartë i fondit tuaj, të cilin e keni ende në atë detyrë. Dy ortakët e tjerë të kompanisë e kishin mbiemrin Delijorgji dhe Balliu.
Por dua të ndalem veçanërisht tek një paragraf që dikush me ligësi ua ka përkthyer gabim dhe nëse ju nuk e keni kuptuar këtë, ua fal gjithë reagimin nervoz. Ju shkruani se unë ju kam fyer si qytetar amerikan pasi kam fyer qeverinë amerikane.
“Si një qytetar krenar amerikan, unë jam shumë i fyer me deklaratën tuaj për qeverinë time, një “qeveri që krijon probleme të përditshme për papërgjegjshmërinë e saj ndaj qytetarëve të saj dhe skandalet e korrupsionit dhe drejtësisë.” Përveç të qenit një përbuzës për të gjithë atë që kjo “qeveria e papërgjegjshme “ka bërë për vendin tuaj, ju ofendoni edhe dorën më miqësore të ndihmës që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Është mëse e vërtetë thënia se vetëm qentë kafshojnë dorën që i ushqen. Unë kërkoj që ju të kërkoni ndjesë. Një kërkim ndjese për qeverinë time, mikun më të madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Nga ajo që keni shkruar, mund të shoh se ju jeni plotësisht injorant në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të miqësisë. Dhe kjo është ajo që juve iu predikoni lexuesve tuaj?”
Zoti Scalione. Unë nuk e kam shkruar këtë paragraf për qeverinë amerikane, por për qeverinë shqiptare dhe i referohem asaj çfarë zoti Granoff bën për qeverinë shqiptare në Uashington, siç e thotë titulli i shkrimit dhe vetë përmbajtja e paragrafit që dikush ua ka përkthyer keq, ose që ju keni dashur t’ua përkthejnë keq. Shkrimi është i botuar në shqip dhe origjinali është ende online, mund ta ripërktheni. Kësisoj nuk dua të bëj asnjë koment për shpërthimin tuaj racist, duke e krahasuar ndihmën që i keni dhënë popullit shqiptar si një ushqim që ia keni hedhur një qeni mosmirënjohës.
Unë vetë nuk kam punuar kurrë për ju dhe nuk ndjehem qen i pabesë me ju. Kam punuar për dy radio të qeverisë amerikane, radion Zëri i Amerikës dhe radion Evropa e Lirë, por as ata nuk më kanë marrë në punë për mëshirë dhe as unë nuk i respektoj si bamirës. Kemi qenë në një punë bashkë. Shpërthimi juaj racist dhe përbuzës ndaj një gazetari shqiptar tregon realisht sa bezdi paske pasur kur ke qëndruar në këtë vend dhe me sa mllef na paske ndihmuar, nëse na ka ndihmuar.
Nëse akoma më keq i jepni vetes luksin e tepruar që si qytetar amerikan të flisni në emër të qeverisë amerikane, unë nuk të lejoj që të më quash mua përfaqësues të Shqipërisë, pasi nuk jam aq i sëmurë sa ta mendoj këtë. Nëse ke diçka personale me mua, je i lirë të shpërthesh dhe më ndyrë se ke shpërthyer, por kurrsesi të fyesh Shqipërinë në emrin tim duke e krahasuar me një qen mosmirënjohës. Ky vend i beson Amerikës dhe miqësisë me të, jo Domenik Skaliones dhe veseve apo virtyteve të tij.
Së fundmi dua të ndalem tek thelbi i atij shkrimi që ka të bëjë me faktin që Majkëll Granof është një menaxher i suksesshëm amerikan në Shqipëri, që ndihmon Berishën të mbulohen defektet e tij demokratike në Uashington. Kaq thotë gjithë editoriali ynë. Ato që ti i quan fakte apo mungesë faktesh nuk kanë shumë nevojë të verifikohen. Ne i referohemi kudondodhjes së zotit Granof pas Lulëzim Bashës, një ish- Ministër që është akuzuar nga drejtësia shqiptare për një abuzim prej 220 milionë eurosh dhe që nuk ka pranuar të gjykohet, por e ka mbyllur çështjen me procedurë. I referohemi mbështetjes së zotit Granoff për Sali Berishën, i cili më 21 Janar të vitit 2011 sipas ekspertizës së FBI ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm para zyrës së tij.
Ju jeni duke mbrojtur një njeri që ka hedhur në koshin e plehrave ekspertizën e Byrosë Federale të Hetimeve dhe nuk pranon që vrasësi i provuar nga FBI, i cili është komandant i Gradës dhe njeri personal i tij, të arrestohet. Unë kam kontakte thuajse të shkëlqyera me Ambasadorin e SHBA në Tiranë dhe i kam shprehur atij mirënjohjen për atë që qeveria amerikane po bën për zbulimin dhe gjykimin e këtij krimi politik. Unë dhe asnjë shqiptar nuk e ngatërron kurrë atë që bën ndonjë individ apo qytetar amerikan në mbrojtje të vrasësve me atë që bën qeveria amerikane.
Ne besojmë tek Amerika dhe jo tek qytetarët amerikanë, dhe nuk i zemërohemi kurrë asaj për lirinë që kanë qytetarët e saj të mbrojnë dhe kriminelët. Kur i referohem mbështetjes së tij për Berishën dhe Lulëzim Bashën kam parasysh dhe faktin që këta dy personazhe veç e veç dhe të dy bashkë, kanë konsumuar para syve të shqiptarëve krimin e vjedhjes dhe abuzimit të miliona eurove dhe nuk kanë pranuar të gjykohen, krimin e vrasjeve politike dhe nuk pranojnë të hetohen dhe krimin elektoral të 8 Majit në Tiranë, për të cilin nuk pranuan rezultatin dhe e përmbysën me gjykatë.
Nëse këta dy njerëz do të ishin në SHBA, do të ishin në burg, ose së paku nuk do të ishin në politikë. E konsideroj një urrejtje të madhe për shqiptarët cinizmin tuaj për të na i quajtur këta si udhëheqës që i meritojmë. Jo. Nuk i meritojmë dhe do të dimë të shpëtojmë prej tyre, sado miq me pare të blejnë këta njerëz në Uashington. Ata tani nuk janë në konflikt me shqiptarët, por me përfundimet dhe rekomandimet e qeverisë së SHBA. Kjo mund t’ju bëjë pak më të përmbajtur kur flisni me adhurim për ta.
Dhe këtu dua tu sqaroj dhe për atë çfarë shprehni për zonjën Berisha. Unë nuk kam shkruar asgjë për lidhjet tuaja me Liri Berishën dhe fondacionin e saj. Nuk di kush ju ka keqinformuar. Por në raste të tjera unë kam shkruar se zonja Liri Berisha organizon mbrëmje bamirësie në emër të fondacionit që ajo drejton, dhe shpesh herë donatorët e saj siç i ka publikuar dhe shtypi rezultojnë njerëz me probleme me ligjin apo ish të burgosur ordinerë që merren me biznes.
Në një rast konkret donator i saj më i madh ka qenë një rreth biznesmenësh që kanë tentuar të më zhdukin dhe fizikisht duke më sulmuar në një bar të Tiranës vetëm pse kam shkruar për historitë e tyre korruptive për shkak të raporteve me pushtetin. Ish- ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Withers u bë mbrojtësi im më i madh dhe më siguroi se unë do të kisha ndihmën e tij në atë betejë. Zonja Liri Berisha në shenjë kërcënimi ndaj meje dhe familjes sime të rrezikuar doli përkrah atij biznesmeni, duke pozuar para kamerave dhe duke pranuar para nga ai dhe rrethi i afërt i tij, të cilët kishin histori të errëta me ligjin.
Në këtë rast zoti Skalione nuk më ndalni dot të them që “engjëlli juaj” Liri Berisha, është dhe një engjëll për lirinë time apo kolegëve të mi. Do t’i kishte bërë më shumë nder Shqipërisë të këshillonte djalin e saj të mos përfshihej në biznese, që kanë shkaktuar vdekjen e 26 qytetarëve, apo të këshillonte burrin e saj të mos qëllonte për vdekje katër qytetarë, që protestonin para tij pasi kështu do kishim më pak fëmijë jetimë në këtë vend dhe më shumë qetësi. As ju nuk do t’u dilte kaq punë të mbronit një gjë, që në SHBA dënohet. Mund të mos na doni, por s’kini pse na impononi një fat, që nuk e pranoni për veten tuaj. Sa për ironinë tuaj në adresë të zonjës Rama nuk jam i qartë nëse e keni për zonjën Ina Rama, apo për zonjën Linda Rama.
E para është një grua e respektuar pasi është e vetmja grua që ka tentuar të vendosë ligjin dhe të bëjë diçka për demokracinë në këtë vend, por nuk ia ka dalë dot. E dyta është bashkëshorte e liderit të opozitës, të cilën e njoh vetëm nga televizioni. Për dreq me asnjë prej grave të tij nuk kam pasur marrëdhënie të mira. E vetmja që kam pasur më mike nga gratë e politikanëve ka qenë Liri Berisha, derisa ajo u bë inspiruese e krijimit të “Pushtetit të Familjes” në Shqipëri, në vend të inspirimit të një familje model në pushtet.
Nuk di ç’ju ka shtyrë që të mendoni meqë unë kam rezerva për Liri Berishën duhet të kem mikeshë një prej zonjave Rama. Ose atë që kërcënon me burg Sali Berishën, ose atë që ju e shikoni si pasardhëse të zonjës Berisha në krye të vendit. Të siguroj se ka pak gra në këtë vend, që duan ta kenë model atë grua dhe fare-fare pak, që duan të kenë fatin e saj si grua e një burri, që i ka bërë kaq dëm vendit tonë. Mos qofsh kurrë gruaja e një burri, që ka vrarë për pushtet, nëna e një djali, që i fshihet drejtësisë dhe e një vajze që bën miliona me firmën e babit në pushtet. Qofshin përjetë miqtë e tu, por s’ke pse urren Shqipërinë dhe mua, që nuk i duam. Qetësohu. T’i kemi falur. Mbaji.