Rreth Këshillit kombëtar të shqiptarëve të Luginës

0
46

Opinion

Nga: Fehmi Ramadani

Fillimi

Kuvendi i Serbisë në vitin 2009 kishte nxjerrë një ligj për formimin e Këshillave nacionale për pakicat kombëtare në Serbi. Kështu, ky shtet me ligj i detyron të gjitha pakicat e saj të marrin obligime shtetërore dhe të sillen sipas ligjeve të tij. Këto Këshilla nacionale duhet të ketë mbi 25 mijë nënshkrime të votuesve dhe të zgjedhin nga votuesit e saj 29 përfaqësues në zgjedhjet që do të mbahen deri në fillim të muajit qershor të këtij viti. Këta 29 anëtarë do të përfaqësojnë(mbrojnë) të drejtat e shqiptarëve të Luginës në Serbi, si në arsim, kulturë, informim, përdorim zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit, përdorim të simboleve kombëtare, dhe për çështje tjera të rëndësishme për jetën e banorëve shqiptarë. Ndërsa, për sigurinë, gjygjësinë, policinë dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve as që bëhet fjalë. Me një fjalë, sipas këtij Këshilli, shqiptarëve të Luginës do t’iu jepen të drejta, aq sa të dojë shteti serb dhe jo se ata luftuan për të drejtat e tyre duke sakrifikuar shumë në të kaluarën e saj.

Kontradiktat e subjekteve politike të Luginës

Kontradiktat e subjekteve politike lidhur me formimit e të ashtuquajturit Këshillit Nacional të Shqiptarëve po krijon edhe një hendek të panevojshëm politik në mes vet këtyre subjekteve politike dhe po e ngarkojnë edhe më shumë gjendjen e përgjithshme në Luginë. Kështu, partia më e madhe opozitare në Luginë PVD-ja veç ka deklaruar se ka mbledhur mbi 25 mijë nënshkrime dhe gjithçka është gati për zgjedhjet e ardhshme dhe formimin e Këshillit Nacional. Ndërsa, subjektet tjera PDSH, BDL dhe ndonjë satelit i tyre, të cilat janë në pushtet komunal kishin shfaqur qëndrime të kundërta.

PVD më herët kishte shpalosur projektin e vet për zgjidhen problemeve të shqiptarëve të Luginës në kuadër të shteti serb dhe të gjitha problemet e shqiptarëve të këtij rajoni duhet të zgjidhen nën juridiksionin e tij. Kjo, tashmë është shumë e qartë, por problemi qëndron në subjektet refuzuese të këtij Këshilli, të cilët përkundër refuzimit të tyre nuk kanë shpalosur ndonjë projekt konkret se si duhet zgjidhur problemi i Luginës. Vetëm fjala refuzim nuk mjafton dhe të mos kesh asnjë projekt konkret për këtë problem dhe të qëndrosh në pushtet lokal nuk është e kuptueshme. Prandaj, ky Këshill është bërë aq banal, sa që e ka humb kuptimit e formimit të tij, por ka filluar të prodhojë edhe deformime të ndryshme.

Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës (KKSH)

Modeli më i mirë i formimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, ( jo nacional, sepse fjala nacija është në gjuhën serbe) është modeli i Këshillit Kombëtar të serbëve të Kosovës, të cilët kanë arritur që me Kushtetutë të sigurojnë të gjitha të drejtat e tyre, jo si pakicë, por si entitet i barabartë me shqiptarët në këtë shtet. KNS-ja nuk është nën suazat e ligjit të Kosovës, por është organ i pavarur në shërbim të interesave jetike të serbëve të Kosovës. Nuk ka dyshim, se ata i mbështet edhe Qeveria serbe si në aspektin logjistik, por edhe atë material. Por, këta gëzojnë edhe të mira materiale nga Qeveria e Kosovës dhe shumë donacione nga Bashkësia ndërkombëtare. Pra, KNS-ja ka një mbështetje të fortë dhe të organizuar. Edhe Lugina duhet të formojë Këshillin Kombëtar Shqiptar(KKSH-në), në të cilin do të përfaqësohen individë, shoqata, grupe të ndryshme të interesit dhe parti politike.

Ky organ duhet të jetë mbipartiak, duhet të jetë organ ekzekutiv mbi të gjitha problemet e shqiptarëve të Luginës. Ai nuk duhet të mbështetet në ligjet e Beogradit, sepse ato janë diskriminuese. Ky Këshill Kombëtar duhet të ketë mbështetjen e Tiranës dhe Prishtinës. KKSH-ja duhet të zgjidh problemet, si individuale, kolektive, të sigurisë, gjygjësisë, policisë, sigurisë, demilitarizimin e rajonit, por edhe të drejtën e deklarimit të lirë kombëtar të këtij populli se në cilin shtet dëshiron të jetoj. Këto të drejta duhet të garantohen nga Bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi, dhe kurrsesi shqiptarët të trajtohen si pakicë kombëtare. Ata në këtë fazë duhet të trajtohen si serbët e Kosovës që janë pjesë e barabartë në shtetit e Kosovës. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për Luginën dhe jo kontradiktat e subjekteve të tyre politike , të cilat punojnë në mënyrë të pjesshme, pa ndonjë plan dhe strategji të qartë kombëtar. Njëherësh, kjo do të ishte hap vendimtar drejt shtendosjes së marrëdhënieve ndërnacionale në rajon, por edhe për paqe dhe stabilitet më afatgjatë, si dhe për një të ardhmen më me perspektivë në rajon e më gjerë.