Periferi
Nga: ALBA MALLTEZI
Krahina e Puljas ishte kandidate për ndërtimin e centralit bërthamor në Itali, pasi është një krahinë jo sizmike. Ishte, pasi që sot, zyrtarisht, kryeministri italian Silvio Berluskoni, e tërhoqi një ide të tillë. Përmes një interviste dhënë në “La Gazzetta del Mezzogiorno”, publikuar ditën e mbërritjes së tij në Bari, për të mbështetur kandidatin e Polit të djathtë, përballë karizmatikut Niki Vendola, Berluskoni u tërhoq nga presioni dhe rezistenca e ashpër e politikanëve dhe shoqërisë së krahinës jugore.
Të majtët e të djathtët në Pulja ishin në një zë: jo centralit bërthamor! Italianët kanë bërë referendum në 1987 për të ndaluar ndërtimin e centraleve bërthamorë në territorin e tyre, por Berluskoni, duke patur zili francëzët dhe duke u frymëzuar nga Sarkozi, e ka hedhur disa herë për debat këtë projekt. Puljezët janë të vendosur: shtrihemi në rrugë e le të kalojnë mbi trupat tanë për të ndërtuar centralin bërthamor! Përballë një rezistence të tillë s’ka kryeministër që të mos ndërrojë mendim, sidomos kur vjen puna për të marrë votat.
Por meqë italianët nuk duan, kryeministri italian tërhiqet siç ndodh në demokraci e nga ana tjetër ka se ku i realizon kapriçot e tij. Për këtë e siguron homologu Sali Berisha, duke i ofruar një territor sa vetëm taka e çizmes italiane: Shqipërinë! Sizmike dhe me eksperienca katastrofike në projekte edhe me primitive, siç ishte ajo e demontimit të armëve (një abc e teknologjisë aq sa realizohej nga fëmijë, gra e të moshuar). Për fat të keq vazhdon të ketë një ndryshim të madh mes dy brigjeve të Adriatikut: Nga njëra anë një kryeministër që tërhiqet pasi dëgjon presionet e shoqërisë dhe të popullit të tij për një projekt të rrezikshëm dhe pa të ardhme (siç është ai i centraleve bërthamore), nga ana jonë këtëj, një kryeministër që ofron Atdheun e tij pa pyetur askënd, mesa duket i sigurtë që s’do të ketë këmbë shqiptari të kërcënojë se do të shtrihet në rrugë për të bllokuar një projekt të çmendur. Centrali Bërthamor nuk duhet të ngrihet në Shqipëri, le ta ngrejë kryministri në Salistanin e krijuar në kokën e tij.
(BalkanWeb)