Zogaj: Roli i Argitës në krijimin e KOP dhe ‘klani i Kosovës’

0
50

Preç Zogaj, 23.03.2010

Mashtrimi i madh me krijimin e KOP-it dhe figurat e dala prej kësaj organizate. Roli i Argita Berishës në hyrjen e njerëzve të rinj në PD, krijimi i atij që do të quhej më pas “Klani i Kosovës” dhe lindja e fenomenit “Lulëzim Basha”

Hapja pati kulmuar me krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP-i ), një lloj forumi që kishte për qëllim të afronte me PD-në ekspertë, figura publike, specialistë të rinj të diplomuar jashtë vendit, pra një fashë intelektualësh me ambicie politike, që nuk ndiheshin rehat të futeshin drejtpërsëdrejti në PD si anëtarë të thjeshtë seksionesh.

KOP-i ishte një goditje tjetër e madhe në rrafshin e paragjykimeve për Partinë Demokratike si parti e mbyllur dhe e huaj për elitën intelektuale. Për të bërë karrierë në këtë parti nuk ishte e nevojshme të ishe domosdo një militant partiak i kalitur në kudhrën e durimit dhe qëndresës, në mbledhje të gjata, në mitingje, në tribuna, në studio radiotelevizive, në kulisa; nuk ishte e nevojshme të përlesheshe me shkak dhe pa shkak me vërsnikët e partisë përballë; nuk ishte e nevojshme të ndyje gojën në beteja verbale me ta; nuk ishte e nevojshme të bije në sy të kryetarit dhe të fitoje besimin e simpatinë e tij me çmimin e tjetërsimit, shpërfytyrimit dhe vetëmohimit si njeri.

Me KOP-in muzika kishte ndryshuar në PD. Atë pozicion, që një qëndrestar i spikatur e kishte fituar përgjatë viteve në llogoret e ashpra të politikës, një intelektual kishte mundësi ta kapte me diplomën e tij të lëshuar nga një universitet perëndimor dhe natyrisht edhe me rekomandimet e mira të njerëzve të besuar të Berishës. Me KOP-in mund të zbrisje në politikë drejt e nga katedra e Universitetit, madje drejt e nga bankat e shkollës. Dhe jo në pikën zero, aty ku zë fill një karrierë politike e zakonshme, por diku afër kreut. KOP-i ishte konceptuar si një akademi e të zgjedhurve të Berishës.

Kjo ishte e bukura, e reja. Dija dhe kultura po thirreshin në statusin e fuqive orientuese, drejtuese. Berisha, që ishte akuzuar e akuzohej pa pra nga kundërshtarët e tij se e kishte pastruar partinë për të sunduar i qetë mbi një kabalë injorantësh, nuk kishte asnjë problem të bashkëpunonte dhe të përballej mu në partinë e tij me kriticizmin e elitës së re.
Ky ishte Berisha i ri, Berisha tjetër, i panjohuri, që befasonte çdo ditë me daljet apo me ikjet e vrullshme dhe pse jo ekstravagante nga dogmat dhe steriotipet, nga karikatura dhe portreti i vet i mëparshëm. Po të mos ndodhej prej tetë vjetësh në opozitë dhe po të mos ishte duke ndërtuar me thonj e me dhembë dekorin e madh të ëndrrës për të fituar zgjedhjet, njerëzit, në shumicë dërmuese dhe jo vetëm bashkëpunëtorët e tij, do të besonin në mrekullitë e pendimit.

Por Berisha ishte në politikë dhe po bënte atë që i dukej më e mira për të përgatitur fitoren.
Me gjithë shkëlqimin e jashtëm, KOP-i nuk mund të fshihte cenet e një manovre politike. Tregomë forcën tënde të të tregoj dobësinë tënde, thoshte Rusoi. Brenda qëllimit për të hapur një dritare të re në tremen e PD-së, për t’i dhënë ndriçim asaj partie dhe për të përtërirë e pasuruar burimet njerëzore të saj, Berisha ndoqi qëllimin e tij për të realativizuar nëpërmjet KOP-it figurat e afirmuara apo në afirmim e sipër të partisë demokratike. Ai e kishte parim ketë: kushdo që krijonte një figurë të veten në parti, nën kontrollin e tij apo, më keq, jashtë kontrollit të tij, duhej relativizuar me figura të përafërta, të ngjashme. Ishte një mënyrë në dukje e butë për të tretur individualen në shumëfishimin e saj, pra në uniformimin.

Kur kjo nuk funksiononte, politikani me integritet do të ndeshte rrugës stërkëmbësha të tjerë, deri në gremisje. Në këtë kontekst, në qoftë se do të ndodhte që KOP-i i parë të afirmonte personalitete me integritet të spikatur, që do të sillnin vërtetë vlerat e kriticizmit intelektual në PD, Berisha do të krijonte një të dytë për të relativizuar të parin dhe kështu vazhdimisht. Por, falë të parit, nevoja për të dytin nuk do të shtrohej kurrë.

Berisha ndoqi me KOP-in edhe një qëllim tjetër: kooptimin apo katapultimin e rrufeshëm në elitën e partisë, me etiketën e qarkullimit të elitave, të disa individëve të panjohur deri atëherë. Ai i zgjodhi vetë, sipas kritereve të veta. Nuk mund ta dija a kishte KOP-i emra të propozuar nga Ridvan Bode, Bamir Topi, Jozefina Topalli, Spartak Ngjela apo Mero Baze, që ishin bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës. Emrat që propozova unë, Henri Çili, Agron Gjekmarkaj dhe Albert Nikolla nuk u përfshinë asnjëri. Në të vërtetë, me KOP-in e paraqitur si akt kulmor të hapjes, Berisha përmbushi edhe një akt të pastër të arbitraritetit në parti. Por askush nuk e kishte mendjen te përmbajtja e lëvizjes. Forma ishte e mirë. Ajo kishte rëndësi. Publiku shqiptar ishte i lodhur të shihte njëherësh përmbajtjen dhe formën e gjërave.

Një gjë nuk mbeti mister ditën kur Berisha e shpalli listën e anëtarëve të KOP-it në një nga sallat e hotelit Tirana Internacional. E bija, Argita, kishte miqtë e saj në atë listë. Ishin më shumë se dhjetë vetë nga i ashtuquajturi “grupi i Kosovës”. Kryesori ndër ta, që do të rezultonte edhe kryesori i krejt listës, ishte Lulëzim Basha, një djalë i gjatë rreth të tridhjetave, i shkolluar në Holandë, i punësuar pastaj në Kosovë pranë UMNIKU-t, ku ishte njohur me vajzën e Berishës. Ky detaj, që u komentua nga këndshikime të ndryshme në sallën ku po shpallej KOP-i , ishte një lajm i mirë për disa prej nesh. Do të thoshte se njerëzit më të afërt të Berishës, të larguar prej shumë kohësh nga Shqipëria, po përfshiheshin kësaj radhe në betejë, madje po ndjenin erën e fitores.

“Dil zonjë të të njohë populli”! i thirri Berisha një gruaje rreth të pesëdhjetave, të cilën sapo e kishte paraqitur me superlativa si anëtare e KOP-it. Në një cep të sallës ishim disa që vumë buzën në gaz. “Shumë paska pritur ta njohë populli”, i thashë nën zë Spartak Ngjelës. Ky, qëmtues i përjetshëm i ironive prapa ballove me maska, e ngriti pak më shumë zërin dhe tha frazën e errët: “KOP-i po bëhet për fëmijët”!

Atë që e kuptuan për çfarë ishte fjala dhe të tjerë drejtues të PD-së nga grupi i qëndrestarëve, që mund ta kishin menduar vetë se KOP-i po bëhej për fëmijët, po shihnin në atë ceremoni zhvendosjen në një të ardhme pa cak të ëndrrës së tyre për të bërë një karrierë normale e të merituar në PD. Me KOP-in, siç do të rezultonte qartë më vonë, Berisha po shumëfishonte vetveten. Nuk po hapej, por po mbyllej.

Por njerëzit, sa kohë që një lëvizje politike nuk i ka treguar frytet e veta, janë të prirur të besojnë në qëllimet e mira. Meqenëse me KOP-in dhe me thirrjen e ish-themeluesve të larguar Berisha po e hapte partinë, kjo do të thoshte se ai nuk do ta ushtronte pushtetin me një dorë, si herën e parë. Kësaj radhe do ta ndante pushtetin me intelektualët, me këtë racë që respekton hierarkitë, por nuk e njeh nënshtrimin, konfirmimin.

Me këtë bindje, me 3 korrik, njerëzit kishin votuar edhe për KOP-in, siç kishin votuar për qendrestarët, për themeluesit, për të kthyerit, për Berishën, në radhë të parë për Berishën, për duart e tij të pastra, që kishin mbetur të tilla edhe pse shpeshherë gjatë karrierës së tij kishte pasur mendje të keqe. Në politikë, mendja dhe duart nuk kishin lidhjen që kanë në fusha të tjera.
Kishte ende një mundësi që PD të rriste numrin e deputetëve të saj.

Në dy zona elektorale në Jug të vendit zgjedhjet do të përsëriteshin për shkak të parregullsive në disa kuti. Në zonën elektorale numër 2 në rrethin e Shkodrës, ku përfshihej Dukagjini, zgjedhjet do të zhvilloheshin nga e para meqenëse nuk ishin zhvilluar në 3 korrik. Partia Demokratike i kishte të gjitha mundësitë t’i fitonte këto tre mandate. Numri i deputetëve të shumicës nga 71 shkonte në 74. Në këtë kufi priste kryetari Partisë Agrare, Lufter Xhuveli, me tre deputetet e tij. Berisha i kishte shkelur syrin “eja”. Nano kishte ngritur vetullën “shko”! Dhe Xhuveli, që ishte votuar majtas, po përgatitej të hidhej djathtas, pra të festonte në të njëjtën zyrë ministrore ndryshimin e pushtetit. Mandatet e deputetëve agrarë kishin vulën e zgjedhësve socialistë në kuadrin e manovrës së “Dushkut”. Xhuveli do të ftohej nga Berisha jo për të siguruar numrat e qeverisjes – koalicioni i qendrës së djathtë i kishte numrat – por për të relativizuar e ulur peshën e aleatëve dhe politikanëve me pretendime në gjirin e shumicës.

Me ardhjen e agrarëve numrat shkonin nga 74 në 78. Të shtojmë këtu edhe tre deputetët e partisë së minoritetit grek, që bëheshin si rregull me qeverinë. Ja ku u bënë plot 81. Qeveria kishte boll, jo vetëm për të qeverisur qartë, jo vetëm për të sprapsur pasionet dhe orekset e Genc Pollos e Nikollë Lesit, që mëtonin kërcënueshëm llokma më të mëdha se sa kishte ndërmend t’u jepte Berisha, por për të përballuar edhe ndonjë rebelim hatërmbetjeje të dy-tre deputetëve demokratë që kujtonin se do të thirreshin në qeveri, por s’do të thirreshin.
Më parë duheshin fituar tre mandatet e mbetura.

Duhej fituar zona elektorale numër dy. Ne ishim një grup i madh deputetësh që ishim ngjitur në Dukagjin për të mbështetur kandidatin tonë, zotin Astrit Bushati. Ishte me shumë një shëtitje, se sa një dalje e mirëfilltë në fushatë. Hareja dhe optimizmi ndriçonte fytyrat e të gjithëve. Fitorja e Bushatit dukej e sigurt. Bajraktarët e Shalës dhe Shoshit na siguruan se popullin e kishim me vete. Bajraktari i Shoshit erdhi me kalë në vendin ku ishin mbledhur njerëzit. U hodh nga kali me një sforcim të kërkuar për t’u dukur në formë.

Ne u afruam për t’i dhënë dorën. Bajraktari na ktheu respektin, duke folur nga pak me secilin prej nesh. Ishte një burrë i hijshëm rreth të gjashtëdhjetave, ndoshta me shumë, i mbajtur, i përzemërt, faqekuq, me pak bark.

Deputeti i Shkodrës, Ramiz Çoba, vetëm qeshte me sy, si dikush që magjepset kollaj, por edhe ne, deputetët e tjerë, ishim pushtuar nga një mahnitje e veçantë, e kërkuar, që nuk na u nda gjatë gjithë kohës nga Shoshi në Shalë, nga Shala në Theth, teksa kundronim herë nga dritaret e makinave madhështinë e Dukagjinit, shtëpitë e rralla, të shpërndara andej këndej në ato shpate me enigmën e kuptimit të jetës brenda tyre.

___________________________

Pse erdhi PD në pushtet në vitin 2005

Përçarja e së majtës, rastësia fatlume që i dha Berishës postin e kryeministrit për herë të parë. Prapaskenat e një fitoreje të propaganduar si “epike”

Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005, roli i Berishës, tolerimi i Nanos apo “ndihma” e LSI-së shpjegohen në një mënyrë të veçantë nga shkrimtari dhe politikani, Preç Zogaj.

Njeriu që në atë kohë ishte pjesë e strukturave (kandidoi dhe fitoi si deputet për PD-në) trajton në librin e tij “Të gjithë nëpër vendet e tyre” ngjarje, zhvillime dhe dukuri që i përkasin periudhës 2005-2009.

Episodet në këtë libër, të njohura dhe të panjohura, vijnë për të dëshmuara në lidhjen e tyre shpërbërjen e një realiteti politik shumëvjeçar, krijimin e dikotomive te reja ku kundërshtaret e dy dekadave, apo kryeministrat që kanë shënuar historinë e konfrontimit dhe alternancës politike në Shqipërinë postkomuniste, e shohin njëri tjetrin krah për krah në varkën e pushtetit, ndërkohë që aleatët e së njëjtës periudhë vinë e pozicionohen në anët e kundërta të spektrit të ri.

Verë e vitit 2005

E kujtoj gjithnjë, me feksjen e një buzagazi të çuditshëm, udhëtimin e parë dhe të fundit në Dukagjin, në atë farë habitati të hedhur tutje tëhu në shpatet e maleve, që ishte ngjitur atje, njëherë e një kohë, për t’ju larguar e fshehur një armiku mizor.

I pakapshëm prej syrit, por plot jehonë në kujtesë, Dukagjini të jepte përshtypjen e një vendi që ka jetuar prej shekujsh në ekzil. Në të vërtetë, Dukagjini kështu ishte: ekzili i një pricipate nga ultësirat në male. E shkruan Shuflaj.

Dukagjinët e dikurshëm, pasardhësit e Gjin Tanushit, që mbante titullin Dukë, ishin një derë e fortë që sundonte në territorin midis Lezhës dhe Fanit. Ata ishin aty deri në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, me kancelarinë, vulat dhe stemën e një oborri të vërtetë. Kishin luftuar deri në fund nën Gjergj Kastriotin kundër ushtrive pushtuese të sulltanëve.

Shpërthimi i hakmarrjes turke, pasi u shemb kjo qëndresë, vuri në shënjestër pikësëpari familjet e mëdha. Shumë syresh u shpërngulen në Italinë e Jugut apo në Peloponez të Greqisë. Dukagjinët u ngjitën në male bashkë me emrin dhe stemën e tyre që paraqiste një shqiponjë të bardhë. Të gjithë mendonin të ktheheshin një ditë.

Por nuk u kthyen kurrë.
Nuk u kthyen më kurrë, po thosha pa zë, duke xhiruar në mendje, bashkë me shpatet e thepisura ku mëtoja të gjeja kushërinjtë e mi të largët lezhjanë, jehona këngësh të trishta arbëreshe.

Ishte muaji korrik 2005. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara pak javë më pare i kishin dhënë një fitore të brishtë Partisë Demokratike dhe koalicionit të qendrës së djathtë: 71 deputetë nga 140 që numëronte gjithsej Kuvendi i Shqipërisë. Ishte një rezultat që e vendoste fituesin e zgjedhjeve, zotin Berisha, në vartësi të dy partive të vogla aleate, PDR dhe PDK, që kishin marrë respektivisht 5 dhe 2 deputetë.

Përveçse e brishtë, ajo fitore ishte edhe pa shumë shije, sepse nuk kishte ardhur e nuk po vinte nga fusha e betejës, por nga një rastësi fatlume, siç ishte përçarja e së majtës në pushtet, dalja në zgjedhje e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) e ish kryeministrit socialist Ilir Meta si një alternativë dhe opozitë e Partisë Socialiste të kryeministrit Fatos Nano.

Konflikti LSI-PS, apo Meta-Nano, që nuk kishte reshtur gjatë gjithë fushatës elektorale, kishte “shkundur” falas në oborrin e PD-së dhjetë-dymbëdhjetë deputetë nga njëqind zonat një emërore. Sipas ligjit zgjedhor, në zonat një emërore votohej me sistemin anglez të mazhoritarit të thatë: kush dilte i pari shpallej fitues, pavarësisht nga përqindja e votave. Në këto kushte, copa e LSI-së nga blloku i majtë, kishte rezultuar qari i PD-së. Kjo nuk do t’i kishte marrë dot në kushte të tjera deputetët e votuar mes shifrave tridhjetë deri në dyzet për qind.

Për të mos u dukur thjesht përfitues-dhe s’kishim pse dukeshim të tillë- në kampin tonë demokrat ishim të prirur të shikonim anën epike të fitores: pas tetë vjetësh në opozitë me klanet me të rrezikshme politiko-mafioze të së majtës, më në fund ylli i partisë sonë kishte shndritur në qiellin e shpresave e të tjera e të tjera.

E gjithë kjo ishte e vërtetë. Por e vërteta tjetër, ajo sipas së cilës, po të kishin dalë të bashkuar Meta dhe Nano, ne do të kishim mbetur sërish në opozitë, trazonte herë pas here si një puhi e ftohtë ndjenjat tona.

Oh, ishte një mrekulli që të dielën e 3 korrikut kishim fituar plot 53 deputetë, përkundrejt 42 deputetëve që kishte marrë partia e kryeministrit Nano; ishte një mrekulli që elektorati ynë e kishte luajtur me mirë se PS lojën e “Dushkut”, atë manovër të pështirë, por të ligjshme, sipas së cilës zgjedhësit e PS-së dhe PD-së ftoheshin që në votimin për kuotën proporcionale prej dyzet deputetësh të mos votonin partitë e tyre të zemrës, por njërën prej partive të vogla aleate me qëllim që “të hamë me dy lugë”, siç thuhej; Ishte një mrekulli që kishim kaluar matanë, ç’rëndësi kishte falë kujt.

Të dukej se zoti i shqiptarëve, i përgjumur shpeshherë, apo edhe i tërhequr nga detyrat e përkujdesjes për to, kishte urdhëruar kësaj radhe, si për sport, kokëfortësinë dhe mendjemadhësinë e Ilir Metës dhe Fatos Nanos për të shpërblyer demokratët e Sali Berishës.

Opinionet në lidhje me rezultatet e korridës elektorale të 3 korrikut ishin një festival hamendjesh në një vend që ka shkallmuar të gjitha skemat e gjykimi.

Disa mendonin se Fatos Nano ishte velur me pushtetin, të cilin ishte mësuar ta hidhte e ta priste si zhongler dhe prandaj nuk e kishte vrarë mendjen shumë se ç’do të ndodhte. Po fitova, mirë! Nuk kam çfarë t’i bëj këtij populli, që nuk gjen më të mirë se mua edhe kur e kam mbushur kupën.

Po nuk fitova, do të bëj pushim dhe do të fitoj radhën tjetër. Shqipëria vete nga vete, te unë e ka qejfin, te unë kthehet. Berisha do të zhgënjejë shpejt me dorën e tij të fortë e të shtrënguar, që nuk jep asgjë.

Disa të tjerë shkonin më larg në këtë shestim dhe dallonin përtej sjelljes së kërkuar prej prestixhiatori të kryeministrit, fillim e një mendimi të ndritur që shkrepte herë pas here nga përbuzja e tij proverbiale për politikën, nga dyzimi i tij prej intelektuali dhe vagabondi.

Pas gjithë damkave që kishte marrë Shqipëria nga Transparency International dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe informalitetit, një fitore tjetër, e treta radhazi e së majtës ish komuniste, do të ishte një njollë turpi për popullin shqiptar.

Por do të ishte edhe trampolina e re e malavitës për t’u lëshuar pa fre drejt rekordeve të panjohura. Kryeministri tashmë ishte familjarizuar në atë masë me atë botë, sa ndihej i pafuqishëm për ta ndalur. Por mund ta luftonte në një mënyrë tjetër, duke e tradhtuar, domethënë duke ia lënë stafetën e pushtetit kundërshtarit të tij që përbetohej për “duar të pastra”, “tolerancë zero” ndaj korrupsionit.

Me kalimin e kohës, edhe pasuesi, zoti Berisha, do të përfundonte paevitueshëm brenda sistemit të malavitës bashkë me përbetimit e tij. Por në vrullin e parë të qeverisjes do të shënonte disa rezultate pozitive. Kaq duhej.

Në këto kushte, thellë-thellë, pavarësisht se inercia e zakoneve dhe fryma e partisë e shtynte përpara në fushën e lojës, Fatos Nano motivohej gjithashtu nga mendimi i humbjes. Jo se punonte për humbjen. Një mendim si ky nuk mund t’i zbulohej ndërgjegjes së tij.

E kishte gjetur zgjidhjen që edhe të luftonte, edhe të humbte: duke u fshehur pas krenarisë dhe përbuzjes ndaj Ilir Metës. Pra duke shërbyer konfliktin dhe jo bashkimin brenda llojit, ai shërbente një rezultat të hapur, pse jo të favorshëm për rivalin e tij kryesor, Sali Berishën.

Disa socialistë, të mërzitur, madje të revoltuar që Nano, si më i vjetër e më me përvojë, nuk e kishte gjetur gjuhën me Ilir Metën, i prisnin drutë shkurt, shumë më shkurt. Sipas tyre Nano kishte rënë viktimë e megallomanisë së tij, e jetës së re në çift me gruan e dytë, që ishte e re, e bukur, e kamur.

Ilir Meta na ka dhënë fitoren? Në kampin tonë të PD-së, ku vetëm kryetari kishte të drejtë të rehabilitonte kujtime të hidhura, nuk donim të dëgjonim për këto fjalë.

Ilir Meta ishte përpjekur për vete, me mish e me shpirt, me para dhe propagandë, duke i konkurruar në këtë pikë dy partitë e mëdha si askush tjetër në historinë e tranzicionit shqiptar.