Qeveria po udhëheq trukimin e Kampionatit Kombëtar!

0
41

Nga Mero Baze

Disa vite më parë, për të dytën herë, Shqipëria rrezikoi të përjashtohej nga UEFA, për shkak të ndërhyrjeve të politikës në Futboll. Megjithëse jam nën nivelin mesatar të një tifozi të kampionatit të futbollit shqiptar, sërish e kam parë me shqetësim betejën që mund të prodhonte pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit në atë kohë ia kishte dalë të detyronte qeverinë e zotit Berisha të s’prapsej edhe pse vetë Berisha ishte angazhuar në një betejë publike kundër atij që ai e quante “Klani i Zemunit” në Futboll. Thelbi i sulmeve të qeverisë ndaj kreut të Federatës ishin dyshimet se ai trukonte ndeshjet e ekipit kombëtar, apo dhe të kampionatit të Futbollit shqiptar për interesa financiare. Grupi i biznesemenëve që ishin afër kreut të Federatës dhe ortakë me të në biznesin e paketës së Supersportit, ishin njëkohësisht miq të afërt të Berishës. Ata bënë sa mundën që konflikti të zbutej, por në të vërtetë ai u mbyll duke u mundur Berisha dhe qeveria e tij.

Tani disa vite më vonë, situata është krejt më e shëmtuar. Unë nuk e di sa të drejtë ka pasur Sali Berisha për trukim ndeshjesh disa vite më parë, por di dhe jam i sigurt se së paku katër ndeshjet e fundit të ekipit të Skënderbeut, në të cilin janë bërë “Ortakë” me urdhër të Ridvan Bodes, të gjithë aksionerët e Superpsortit, pra dhe të Armand Dukës, dhe që shetisin në çdo stadium dhe vetë kreun e Ministrit të Financave, ndeshjet janë qartazi të trukuara. Ministri i Financave Ridvan Bode, po përdoret nga ky grup biznesmenësh si arsye përse presidentët e klubeve, në tërësi biznesemenë të mëdhenj, t’i lënë ndeshjet ekipit Skënderbeu, në të kundërt, Ritvan Bodja ose “Kuanti i Gimes, President i Skënderbeut”, i dërgojnë kontrollet financiare te biznesi. Kjo shfaqje e shëmtuar u përsërit sërish këtë fundjavë në Korçë, ku ekipi, tashmë kampion i Shqipërisë, Dinamo, bëri një “lojë luftash” të turpshme në stadiumin e Korçës dhe humbi 4 me 3. Ky turp, i cili është ideuar dhe po zbatohet me dhunë nga Ministri i Financave të Shqipërisë, është shenjë e qartë se ku ka degradaur pushteti i Sali Berishës në vitin 2010. Tashmë për Sali Berishën, jo vetëm që Armando Duka nuk është më Klani i Zemunit (dhe besoj që nuk ka qenë), por gjithë bashkaksionerët e tij në biznes, janë bërë si grup shoqërimi i Ridvan Bodes stadium më stadium për të terrorizuar presidentët biznesmenë, ose për t’i joshur ata në shkëmbim të pikëve për një ekip, i cili nuk di pse u dashka ngjallur me zor, vetëm pse qyteti i tij ka deputet Ministrin antisportiv të Financave.

Tanimë, nuk di pse Shqipëria nuk përjashtohet sërish nga UEFA, pasi nëse ka një rast konkret, kur politika ndërhyn në sport, madje duke buzëqeshur me cinizëm tribunave, duke bërë që asnjë shqiptar të mos besojë më në këtë lojë. Kushdo që e njeh Ridvan Boden dhe që është edhe më pak tifoz se unë, e di mirë se ai po shetitet realisht nga një grup mafioz triubunë më tribunë, për të trukuar ndeshje, që përkthehen pastaj në baste të fituara, në favore dhe falje për presidentë klubesh dhe deri në pazare në emër të pushtetit. Nëse disa vite më parë UEFA tentoi të na zbonte për shkak se qeveria tentoi të luftonte trukimin, tanimë kemi arsye të plota të na përjashtojë pse qeveria po udhëheq me Ministrin e Financave në krye, trukimin e një kampionati, i cili është dhe shkatërrimi i fundit i çdo gjëje të ndershme në këtë vend.