Andrea Stefani
“Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: Respekti për Kushtetutën dhe transparenca”, u shpreh ndër të tjera sapo shkeli në Tiranë, Stefan Fule, komisioneri europian për zgjerimin. Kështu ky përfaqësues i lartë i Europës, ka prekur indirekt atë që është edhe thelbi i krizës politike në Shqipëri, mosrespektimin dhe dhunimin nga pushteti të transparencës në emër të Kushtetutës. “Habia” është se për sa kohë Fule ishte në Tiranë, Kryeministri Berisha nxitoi të deklaronte se “Kushtetuta dhe transparenca kanë përputhje”. Por sapo Fule u largua, gjuha e Berishës nisi të ndryshojë gjithashtu. Tashmë ai nuk deklaron më që Kushtetuta dhe transparenca kanë përputhje”, por që “transparenca duhet të realizohet duke respektuar Kushtetutën”.
Dallimi mes dy deklarimeve është i hollë pra, thelbësor. Në deklaratën e parë nuk ka nevojë të shtrosh fare kërkesën penguese që transparenca të respektojë Kushtetutën sepse ato, nga vetë thelbi i tyre, vetiu përputhen. Në rastin e dytë, transparencës i vihet si kufi Kushtetuta, gjë që nënkupton se ato nuk përputhen dhe se transparenca mund të dhunojë Kushtetutën. Dhe duke luajtur me terma dhe gjuhë të ndryshme, Berisha ka arritur “t’u hedhë trutë e gomarit” jo vetëm pak europianëve të stacionuar në Tiranë, por të nxjerrë “fyl” edhe të dërguar të rëndësishëm të Europës si Fule.
* * *
Që në krye të herës të kësaj krize, kemi theksuar se është nonsens të përpiqesh t’i kundërvësh Kushtetutën një procesi kaq të rëndësishëm për të drejtën dhe të vërtetën sikundër është transparenca. Sepse kurrë transparenca, hedhja dritë mbi të vërtetën e gjërave, në rastin konkret edhe të së vërtetës që mbahet fshehur brenda kutive, nuk mund të jetë kundër së drejtës që është thelbi i çdo Kushtetute. Transparenca, si mjet për të arritur tek e vërteta, e vërteta si mjet për të arritur tek e drejta dhe e drejta si thelbi i shtetit dhe Kushtetutës, janë në aleancë organike dhe të pazgjidhshme.
Atje ku transparenca kufizohet, ku gjërat tentohen të mbahen të fshehta, në errësirë në emër të Kushtetutës, ky është sinjali se pikërisht atje, Kushtetuta po përdoret kundër vetë frymës së Kushtetutës. Kufizimi i transparencës në emër të së “drejtës” apo “pavarësisë së drejtësisë”, është shenjë e kalbëzimit të sistemit, e denatyrimit të tij. Ajo tregon se pushteti nuk qeveris dot më i bazuar në të vërtetën dhe të drejtën, por vetëm duke fshehur të vërtetën për ta paraqitur padrejtësinë si drejtësi. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh në Shqipëri. Pushteti berishist i themeluar mbi vota të vjedhura më 28 qershor, nuk mund të rezistojë nëse kjo e vërtetë del në shesh dhe prandaj lufton me thonj e me dhëmbë kundër mjetit të gërmimit të kësaj të vërtete, që është transparenca ose hapja e kutive.
Në ndihmë i ka ardhur dhe një mjet tjetër antidemokratik, sikundër është kapja e pushteteve të tjera sikundër ai i drejtësisë. Duke shfrytëzuar gabimet e opozitës së majtë, pushteti berishist ia arriti të kapë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duke siguruar shumicën në të. Ky dominim ishte thelbësor për zhvillimet e mëvonshme, sepse ishte pikërisht KQZ, që duke mbrojtur me partishmëri interesat e pushtetit berishist, dhunoi në mënyrë flagrante Kodin Zgjedhor duke mos lejuar transparencën e kutive të votimit për tri zona sipas kërkesës ligjore të dy komisionerëve të majtë. Kjo padrejtësi e realizuar në shkelje të hapur të ligjit nga shumica berishiste në KQZ, u “pastrua”, sikundër pastrohen paratë, duke u shpallur si drejtësi nga një Kolegj Zgjedhor po i kapur nga pushteti berishist.
Dhe është pikërisht ky vendim i Kolegjit që po përdoret sot nga berishistët si barrierë kundër transparencës dhe hapjes së kutive. Ata pretendojnë se po u hapën kutitë, sikundër kërkojnë socialistët, dhunohet një vendim gjykate pra, edhe Kushtetuta që sanksionon pavarësinë e gjykatave. Duke kapur Kolegjin Zgjedhor, berishistët i kanë krijuar hapësirë vetes të kundërshtojnë transparencën me gjoja pacenueshmërinë e vendimit të një gjykate, duke kapur gjykatën mbrohen me “pavarësinë e gjykatave”. Ky është sot grotesku i mashtrimit berishist në rrjetën e të cilit kanë rënë jo pak “ndërkombëtarë”.
Edhe sikur një moment të supozojmë se vërtet kërkesa për hapjen e kutive cenon pavarësinë e vendimit të një gjykate, “argumenti” në fjalë do të kish vlerë të mirëfilltë kushtetuese sikur në Shqipëri të kishim të bënim (aq më tepër në rastin e Kolegjit Zgjedhor) me gjykata vërtet të pavarura. Por tashmë dihet se kapja e gjykatave nga politika është një nga gangrenat e shtetit shqiptar. Një shqetësim i tillë është prezent prej vitesh edhe në raportet e “ndërkombëtarëve”. Prandaj habitesh kur shikon se në trajtimin e krizës së sotme, disa “ndërkombëtarë” e marrin seriozisht klithmën e Berishës për “respektim” të Kushtetutës dhe “pavarësisë” së gjyqësorit (në fakt një hipokrizi e tipit hitlerian) ndërsa kritikojnë tentativa të qarta të tij për të vënë përfundimisht nën thonj gjyqësorin, prokurorinë, shërbimin sekret dhe shumë institucione të tjera. Ja ne e dimë si 1 edhe 1 bëjnë 2, që nuk do të vonojë dhe Berisha do të nisë luftën për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Ruajtja e pavarësisë së kësaj gjykate do të jetë beteja politike e radhës me autoritarizmin berishist, që pritet të shpërthejë shumë shpejt.
* * *
Është e pafalshme për ca ndërkombëtarë të vazhdojnë të mashtrohen nga hipokrizia politike e berishistëve me gjoja respektin për pavarësinë e gjykatave dhe Kushtetutën. Akoma më e pafalshme do të ishte për ta që autoritarizmi në pushtet ta përdorte me sukses këtë truk për të bllokuar transparencën e plotë, hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sepse edhe berishistët kanë nisur të flasin lart e poshtë për hetim të plotë, por puna është se çfarë kuptojnë ata me këtë? Tashmë është e qartë, sidomos pas seancës së 18 marsit, se berishistët me hetim të plotë nënkuptojnë moshapjen e kutive pra një hetim të paplotë, një hetim që nuk heton dot asgjë. Madje ata janë kundër edhe hapjes jo vetëm të kutive ku ndodhen fletët e votimit, por edhe të atyre kutive ku ndodhen procesverbalet.
Të tmerruar nga se transparenca do rrëzojë mitin e zgjedhjeve më të mira në këto 20 vjet, berishistët kanë dalë edhe kundër hapjes se kutive që përmbajnë vetëm dokumentacionin e qendrave të votimit, listat e zgjedhësve dhe procesverbalet e ndryshme. Përse? Përgjigjen e gjejmë te “Ruzhdia”, tek ato falsifikime të përbindshme që një hetim i një prokurorie konstatoi në listat e asaj qendre votimi. Prandaj berishistët dalin kundër hapjes së të gjitha kutive. Ata dalin kundër hapjes edhe të kutive në ato zona zgjedhore që nuk kanë qenë objekt i vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Është manipulimi dhe vjedhja që i bën t’i kundërvihen transparencës, të sajojnë kufizime “kushtetuese” për të.
Krejtësisht në kundërshtim me deklaratën që Berisha i bëri komisionarit Fule se “Kushtetuta dhe transparenca përputhen” për berishistët ka dy lloje transparence. Njëra është e mirë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe tjetra është e keqe dhe jo në përputhje me Kushtetutën. Njëra, e mira, është transparenca “e plotë” që nuk i hap kutitë. Tjetra, më shumë se e plotë, është e keqe sepse i hap kutitë. Prandaj dhe detyrë e të gjithë “ndërkombëtarëve”, nëse vërtet duan të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës në Shqipëri, është t’i shpërfillin këto sofizma banale dhe të këmbëngulin për transparencën, e cila është një dhe e vetme, pa kufizime për të nxjerrë në shesh të vërtetën që ushqen drejtësinë dhe prandaj nuk mund të mos jetë në çdo rast, në përputhje të pazgjidhshme me Kushtetutën fryma e së cilës është drejtësia.