NGA AFRIM KRASNIQI
Në teoritë politike, “fundi i politikës” vjen atëherë kur ajo (vepra, akti politik) e humb sensin qytetar e përgjegjësinë ligjore dhe transformohet në një mall tregu, ku nuk kanë vlerë fjalët dhe vlerat, ku vendin e ideve e zënë interesat dhe ku vendin e burrave të shtetit e zënë demagogët e radhës. Në shoqëritë e emancipuara politika ende ka moral, bëhet nga njerëz të ditur e të përgjegjshëm, ka ndjeshmëri, bazohet në vlera e virtyte, ka respekt për fjalën dhe ligjin, është mjet kundër sjelljeve jopolitike dhe rrugës, ofron gjithnjë zgjidhje dhe konkurron me ide e projekte. Politika pra, është përgjigje ndaj populizmit, aventurës dhe destabilitetit; ajo bazohet në besimin e qytetarëve dhe kur e humb këtë besim, ajo korrigjohet, ndryshohet, largohet dhe lejon që përgjegjësitë t’i kalojnë ideve të reja, njerëzve të rinj, vizioneve të reja mbi shtetin dhe shoqërinë.
Vetë politika institucionale bazohet në sjellje institucionale dhe ushtrohet nga partitë politike, si forma me e lartë e grupimit të ideve institucionale. Partitë kanë detyrimin të konkurrojnë me programe dhe individë, të synojnë pushtetin jo si mundësi privilegji, por si shans për realizimin e këtyre programeve. Ato mund ta ushtrojnë këtë funksion kur kanë potencial, kanë nivel përgjegjësie dhe sjellje politike të njëjtë me premtimet që ofrojnë për shtetin dhe shoqërinë. Nuk mund të ndodhë kurrë që një parti që nuk është demokratike nga brenda të jetë demokratike nga jashtë, një parti që nuk siguron funksionim të brendshëm demokratik, të sigurojë funksionim demokratik të shtetit kur ajo vjen në pushtet ose qëndron në opozitë parlamentare. Nuk mundet që një parti në të cilën nuk numërohet e nuk respektohet vota e fshehtë, nesër në pushtet ose në opozitë të garantoje votim të fshehtë e të drejtë edhe për kundërshtarët politikë. Nuk mundet që një parti e cila dëshmon sjellje antishtet, të jetë njëherësh edhe model e shpresë për ndërtimin e shtetit.
Këto kontraste të thella midis nocioneve të të bërit politikë dhe të të sjellit sikur po bëjmë politikë, takohen prej më se dy dekadash në tranzicionin shqiptar. Por, 48 orët e debatit parlamentar në lidhje me krizën politike dhe problemet që burojnë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ofruan një rast tjetër të qartë të keqkuptimit të madh midis politikes si profesion dhe atyre që paguhen si politikanë. Politika nuk e konsideron parlamentin një vend ku secili mund të “parlare”, siç u tha nga drejtuesit e seancës, por një institucion lider kushtetues, në të cilin duhet të ofrohen ide dhe merren vendime ligjore në emër të vullnetit qytetar, në dobi të qytetarëve dhe të shoqërisë. Në kuptimin e demokracisë moderne, deputetët nuk shkojnë në parlament për të demonstruar aftësitë e tyre retorike, por për të konkurruar me projekte e argument ligjore, për të kërkuar zgjidhjen e çdo problemi në frymën e demokracisë dhe të ligjit dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe transparence përpara elektoratit që e ka zgjedhur dhe të vendit që përfaqëson. Ata që shkojnë aty janë përgjegjës përpara kombit (neni kushtetues) dhe përpara partisë që i ka zgjedhur (statutet e partive). Në dallim nga ky model modern i politikës parlamentare, ata që paguhen si politikanë përbëjnë një model tjetër të politikes, janë individë e grupe që shkojnë në parlament për të nxjerrë në pah aftësinë e tyre për retorike, për replika, për batuta, për agjitacion e propagande, për bllokim seancash apo fushatë agresive personale ndaj atyre që konsiderohen e keqja e madhe e vendit dhe që në fakt janë vetëm kundërshtarët politikë të radhës.
Në seancat e 18-19 marsit, ne pamë shumë pak deputetë që ofruan politikë dhe stil të të menduarit si politikanë, ndërsa pamë një shumicë të dukshme deputetësh që ofruan fjalime boshe propagandistike dhe stil të të menduarit, si njerëz që paguhen si politikanë. Në një parlament serioz dhe të përgjegjshëm do të duhej që një seancë e tillë me rëndësi politike të programohej dhe zhvillohej me të gjithë seriozitetin që meriton. Për shembull, në praktikat perëndimore, kryetarët e grupeve, me ndërmjetësimin e kryetarit të parlamentit negociojnë të gjithë periudhën dhe seanca parlamentare mbetet në pritje të negociatave, kurse në rastin tonë nuk pati asnjë kontakt midis drejtuesve të grupeve apo ndërmjetësim nga drejtuesit e seancës, por vetëm përqendrim të të gjitha baterive dhe energjive parlamentare në një paradë akuzash e kundërakuzash, pa vlerë politike dhe juridike. E gjithë seanca ishte një zhgënjim, një teatër absurd, me aktorë ata që e konsiderojnë veten elita politike e vendit, të deputetë të vjetër që ushqehen me politikën prej një dekade dhe deputetë të rinj, të cilët patën rastin të prezantojnë vetën për herë të parë në publik. Absurditeti qëndron në faktin se dy palët, fillimisht, përpara seancës ishin të ndërgjegjshëm për dështimin e saj, për pamundësinë e një kompromisi dhe në këto rrethana, në vend që në tërhiqeshin në negociata zyrtare, morën vendimin e kundërt, tipik për vendet me mentalitetin politik të kohës së revolucionit kulturor kinez – urdhëruan deputetët të mbajnë fjalë për dy ditë, pa ndërprerje dhe pa një objektiv të caktuar.
Pasojat ishin të dukshme. Një retorikë e ashpër, e ushqyer nga vetë liderët partiakë, bëri që papërgjegjshmëria e tyre ndaj pozitës që kanë dhe detyrimin ligjor e moral ndaj qytetarëve, të kthehej në papërgjegjshmëri të të gjithë parlamentit. Deputetë që kanë përvojë të gjatë politike, ata që njihen si liberalë dhe moderatorë, figura arti, sporti, kulture, juristë apo oficerë të forcave speciale të policisë, folën me të njëjtën gjuhë, ishin në të njëjtin provim, u gjykuan me të njëjtin kriter dhe për pasojë, dhanë të njëjtin produkt – një shfaqje aspak dinjitoze, një zhgënjim të madh për ata që mendonin se parlamenti i vitit 2010 ka lënë pas parlamentin e kohës së Bardhyl Faskos. Lajmi më i keq nuk ishin hartimet e gjata, nën nivel letrat mesatar dhe pa mendim politik.
Lajmi më i keq ishte se shfaqja absurde që pamë ishte produkti i sistemit të ri zgjedhor, listave të mbyllura proporcionale, për të cilat qytetarët nuk kanë e nuk do të kenë mundësi zgjedhjeje, dhe që gjithçka ishte e mbetet vullnet personal i hartuesit të listës, kryetarit të partisë respektive. Më 2008 u premtua me të madhe se ligji i ri elektoral do të krijonte një parlament ndryshe, pa të fortë dhe biznesmenë, pa militantë dhe deputetë që ngatërronin parlamentin me ringun e boksit. Në dy seancat e mesjavës, çdo shqiptar pa të kundërtën, një parlament formal, më të fortë dhe militantë, pa mendime liberale, mendimtarë apo elitë politike. Ne pame një skenë të njëjtë të debatit politik në rrugë e konferenca shtypi midis dy liderëve kryesorë, me dallimin se në sallë, liderët zëvendësoheshin herë nga burra flokëthinjur, here nga gra, herë nga anonime të veshur me kostume firmato, herë nga aktore, herë nga sportistë, herë nga policë, herë nga zyrtarë dhe nëpunës, të cilët ende nuk e kanë të qartë se përse ndodhen në atë sallë parlamenti. Ne pamë një seancë që nuk pati respekt për veten, për institucionin e parlamentit, për zgjedhësit, për qytetarët, dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk pati respekt për fjalën dhe politikën si profesion.
Shqiptarët më 28 qershor kanë votuar njësoj për dy palët, diferenca u bë nga formula zgjedhore, por në seancë ne pamë një palë që sillet sikur i ka fituar të gjitha votat dhe një palë tjetër që sillet sikur i ka humbur të gjitha, një maxhorancë që mendon se është caktuar nga Zoti për të qeverisur Shqipërinë, dhe një opozitë që mendon se Zoti nuk është treguar i drejtë me votat e saj. Në fakt, janë dy palë politike të cilat në prill 2008, për katër orë të dashurisë së madhe ndryshuan Kushtetutën dhe sistemin politik, kurse tani, në urrejtje të madhe, janë të gatshme që në emer të Kushtetutës të mos lejojnë as transparencën e votave dhe qeverisjes, as plotësimin e standardeve të afrimit me BE, as realizimin e parametrave minimalë të stabilitetit demokratik dhe as shansin për të ndryshuar në të ardhmen. Është e njëjta sjellje, e njëjta gjellë që na kërcënon se do të përsëritet e njëjtë edhe në të ardhmen. Mundësitë e zgjedhjes nuk ekzistojnë, sepse nuk kemi politikë, nuk kemi oferta politike, nuk kemi ide, por vetëm sjellje e forma veprimi të njëjta si 120 vjet më parë, në periudhën e sundimit të perandorisë otomane.
Cila është zgjidhja? Jo të gjitha janë zgjidhje që vijnë nga politika, edhe qytetarët kanë pushtet, thjesht nuk kanë mundësi ta përdorin ose nuk kanë instrumente përfaqësues. Kjo është një krizë e sistemit politik, e aktorëve politikë, e sjelljes dhe kulturës se tyre politike, ndaj edhe zgjidhjet gjithnjë mund të vijnë vetëm përmes mekanizmave politikë. Një përgjigje afatgjatë dhe e qëndrueshme do të ishte korrektimi i sistemit politik, firmosja e një peticioni kombëtar për kalimin e zgjedhjes presidenciale direkt nga populli, ndryshimi i ligjit elektoral për rikthimin e listës se hapur konkurruese, korrigjimi i proporcionalit me votën kombëtare për partitë e vogla, përfshirja në votim e emigrantëve shqiptarë në botë, kalimi nga një sistem njëdhomësh me 140 deputetë në një sistem dydhomësh me 100 plus 36 deputetë, si dhe heqja përfundimtare e monopolit të partive politike mbi procesin zgjedhor, përgatitjes, zhvillimit dhe administrimit të votave. Pa reforma të tilla, të thella, serioze, afatgjata dhe kushtetuese, historia e jonë e luftës për të kërkuar “djaj dhe engjëj” në një pellg politik ku të gjithë na duken djaj, vetëm do të ripërsëritet, në forma të ndryshme, por me të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtën pasojë.
(g.sh/BalkanWeb)