Pse në Romë funksionon ajo që në Athinë dështon?

0
72

TemA, 22 Shkurt 2012

Sa shpejt mund ta ndryshojë një qeveri vendin e saj? Pas tre muajve në detyrë, kryeministri italian Mario Monti e ka kthyer Italinë nga fëmija problematik i Europës në një vend shprese. Grekët mund të mësojnë nga kabineti i tij i teknokratëve, shkruan gjermania Spiegel. Natyrisht shumë detyra të vështira mbeten përpara. Por pas 100 ditësh në detyrë, Monti ka filluar tu japë përgjigje disa pyetjeve ekzistenciale.

Ai mbajti një fjalim në Strasburg, aty ku sa herë fliste Silvio Berluskoni, shkaktonte skandale. Edhe kur flet në senat, atij i ndërpritet fjala nga duartrokitjet. Por profesori i urtë dhe i sjellshëm i ka dhënë një ton tjetër politikës italiane. “Në vend që të më duartrokisni, më mirë më dëgjoni,” u thotë ai ligjvënësve. Revista Time e quajti atë si ‘njeriun më të rëndësishëm në Europë këtë javë’.

Por përse ajo që bën Roma funksionon, kurse në Athinë gjërat dështojnë?

Spiegel sjell disa arsye. Kabineti i teknokratëve i Montit nisi punë njëkohësisht me qeverinë e ekspertëve në Athinë. Por në Itali gjërat po ecin shumë më mirë.

Së pari për shkak se Monti ka krijuar një kabinet të pastër teknokratësh, duke refuzuar pjesëmarrjen në qeveri të përfaqësuesve të partive të mëdha, ndryshe nga sa ka ndodhur në Athinë. Liderët politikë në Itali kanë pranuar madje që reformat të ecin përpara edhe me dekrete qeveritare. Një marrëveshje e tillë duket problematike për demokracinë, por funksionon.

Së dyti, pas largimit të Berluskonit, presidenti Napolitano nuk thirri zgjedhjet e parakohshme menjëherë, duke i thënë kohë Montit deri në pranverën e vitit 2013. Ndryshe ndodhi në Athinë kur zgjedhjet u thirrën për në prill të këtij viti.

Së treti, Monti ia ka bërë të qartë popullit të tij se nuk është Europa që po i detyron të bëjnë reforma, por situata dramatike në vend. Ndryshe nga Berluskoni që shfrynte kundër Europës, Monti i ka bërë me dije gjërat dhe ka vepruar me shpejtësi e seriozitet. Menjëherë në shënjestër kanë qenë ata që abuzojnë me pagimin e taksave. Vetë hoqi dorë nga paga e tij. Me gjithë shkurtimet, anketat tregojnë se ai ka pas vetes shumicën e njerëzve.

Problemet që ka përpara Monti janë shumë të mëdha, nuk ka dyshim. Por ai e ka nisur duke ndryshuar italianët. Më përpara ishte Berluskoni, që mbante fjalime se gjërat janë shumë mirë, kurse tani Monti u kërkon italianëve të ndërgjegjësohen se rruga do jetë e vështirë dhe situata nuk është e mirë. Por së bashku do ia dalin.