Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Bashkimi Evropian mund të ndikojë në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri vetëm nëse merr një qëndrim të qartë ndaj saj dhe kryesisht nëse përdor politikën e inkurajimit të konsensusit. Deklaratat e para të komisionerit për zgjerim, Stefan Fule, janë vazhdim i qëndrimeve konkrete evropiane, që konstatojnë situatën e rëndë në Shqipëri, por nuk inkurajojnë asnjë palë të hedhë një hap përpara.
Që presioni politik mbi palët të ketë efekte reale, ndaj liderëve politikë të Tiranës duhet folur me terma të qarta dhe oferta konkrete. Kështu për shembull, çështja e Liberalizimit të Vizave është pika më e ndjeshme për shqiptarët. Nëse Komisioneri për Zgjerim që është dhe personi kyç që e ka në dorë këtë çështje, thotë qartazi se mos zgjidhja e krizës do të lërë shqiptarët pa viza, efekti i presionit qytetar mbi politikën do të rritej shumëfish.
Po ashtu presioni do të rritej nëse Brukseli merrte qëndrim të qartë ndaj pengesës kryesore për zgjidhjen e krizës. Deri më sot problemi i përgjegjësisë shpërndahej mes opozitës dhe qeverisë për shkak të bojkotit të opozitës jashtë parlamentit. Por sot që Fule është në Tiranë, opozita po debaton pa shpresa në Kuvend për të drejtat e saj. Kështu që tashmë dy pikat që Fule renditi si kryesore, luftën parlamentare dhe transparencën e zgjedhjeve, në të vërtetë janë vetëm një, është vetëm transparenca e zgjedhjeve. Termi bojkot tashmë nuk është më problem i opozitës.
Ajo ka hyrë në Kuvend ka marrë mandatet e saj dhe qëndrimet e mëtejshme ndaj Kuvendit janë pjesë e taktikave të saj të luftës parlamentare dhe jo pjesë e bojkotit. Distanca mes dy palëve është aq e madhe, sa duket se shanset që të arrihet një marrëveshje e gjerë politike është i pakët. Për këtë arsye Bashkimi Evropian përmes komisionerit Fyle është mirë të ikë nga Tirana i qartë për hapat që duhet të hidhen më tej. Seanca e sotme u bë 48 orëshe me qëllim që zoti Fule të përcillej nga Tirana, pa marrë një përgjigje.
Ndaj, para se të ikë në Rinas Komisioneri për Zgjerim duhet t’u thotë qartë shqiptarëve hapat që duhet të hedhë politika shqiptare për zgjidhjen e krizës. Debati parlamentar dhe lufta politike këtu mund të vazhdojnë pafundësisht pa asnjë rezultat. Nëse kjo vizitë nuk përcakton hapa konkrete se si duhet të ecet më tej, ajo nuk do të ketë asnjë rëndësi dhe do të defaktorizojë zyrën më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për shqiptarët, atë që ka në dorë hapjen e dyerve të BE për Shqipërinë. Rekomandimet që çështja e hapjes së kutive të çohet në Komisionin e Venecias apo të ndiqet ndonjë rekomandim i ri nga BE, janë i vetmi shans që mund t’i jepet konsensusit politik në vend.