Andrea Stefani
U mbushën 20 vjet tranzitim nga diktatura komuniste për në demokraci dhe Shqipëria e gjen veten përsëri në darën e një krize të thellë dhe të tejzgjatur politike. Eshtë një skenar konfliktual që është përsëritur vit pas viti, dekadë pas dekade, duke e tërhequr zvarrë Shqipërinë në drejtim të kundërt me atë të integrimit në Europë. Shkaqet, pretekstet e krizave, kanë qenë të shumta, aktorët gjithashtu kanë ndryshuar në vite, por në të gjitha ato mbetet i pandryshuar dhe përherë prezent emri i një politikani: Sali Berisha.
Sa herë që faktet tregojnë për praninë konstante të një personi në vendin e një krimi që përsëritet, edhe hetuesi më i rëndomtë do të bënte lidhjen e këtij personi me krimin që përsëritet. Për çudi, kjo logjikë nuk përdoret kur vjen puna për të shqyrtuar shkaqet e krizave kronike në Shqipëri. Janë shumë pak ata që shtrojnë pyetjen: Si shpjegohet që Berisha, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, përfaqëson prej vitesh njërin pol të krizave politike? Edhe në krizën e ’92-shit Berisha është aty, edhe në ’96-n Berisha po ashtu, edhe në ’97-n Berisha nuk mungon, edhe në ’97-n Berisha është në qendër të krizës së përgjakshme të marsit, edhe në ’98-n po Berisha, edhe në 2001-shin po Berisha, edhe në 2005-n përsëri Berisha, edhe në 2010-n është përsëri i njëjti Berishë. Ndaj nuk mund të mos shtosh edhe një tjetër pyetje: A ka lidhje mes veprimtarisë politike të Berishës dhe faktit të shndërrimit të krizave politike në një domosdoshmëri fatale për Shqipërinë?
* * *
Përgjigjja është pa asnjë ekuivok pohuese: Politikani Berisha, kulti dhe klani i tij politik, është një nga shkaktarët kryesorë të krizave kronike politike që e zvarritin Shqipërinë duke vonuar integrimin e saj. Krizat nuk janë asgjë tjetër veçse pasojë e përplasjes së epshit të tij të çmendur për sundim dhe pasurim absolut nga njëra anë dhe, në anën tjetër, e forcave opozitare që e kundërshtojnë realizmin e këtij gjakimi despotik, duke refuzuar t’i nënshtrohen atij. Duhet të theksojmë se forcat kundërshtare me Berishën dhe berishizmin, nuk është se janë engjëllore, të dedikuara pafundësisht ndaj demokracisë apo të imunizuara nga korrupsioni. Por askush si Berisha dhe berishizmi nuk ka gjakuar kaq fort për një qeverisje autoritare të Shqipërisë gjatë gjithë këtyre dekadave pas rënies së komunizmit.
Qeverisjet e majta, kanë vuajtur nga shumë të këqija, nga korrupsioni galopant apo papërgjegjshmëria, por asnjëra nga ato nuk ka manifestuar një epsh të tillë për kapjen e të gjitha institucioneve dhe pushteteve sikundër ka manifestuar, që kur shkeli për herë të parë në politikë 20 vjet më parë, Sali Berisha. Në këtë kuptim kemi theksuar me kohë se Berisha dhe berishizmi, përfaqësojnë enverizmin e kohës sonë, enverizmin pas Enverit, kriptokomunizmin apo edhe kriptofashizmin, një despotizëm që kërkon të sundojë i kamufluar me maska dhe fjalor “demokratik”. Duhet një listë shumë e gjatë për të rreshtuar gjithë aksionet antikushtetuese të Berishës dhe berishistëve për kapjen e institucioneve dhe pushteteve.
Më i fundit është kërcënimi që iu bë pavarësisë së Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH). Dhe u desh ndërhyrja deri edhe e NATO-s për ta ndalur vrullin e tërbuar të pushtetit berishist për kapjen e këtij institucioni. Berisha dhe berishizmi nuk jetojnë dot pa sundim absolut, prandaj edhe krizat nuk do të pushojnë në Shqipëri derisa ata të mposhten nga demokracia ose derisa, berishizmi t’i mposhtë të gjitha forcat liberal-demokrate të rezistencës. Kjo e fundit do të qe e fundbotshme për integrimin e Shqipërisë në Europë.
* * *
Edhe kriza e sotme politike ka përsëri të njëjtin baba: Kryeministrin Berisha. Kjo krizë është fryt i hidhur i strategjisë së tij gebelsiane për të mos ia zbritur asnjëherë kalit të pushtetit. Fillesa e krizës nuk është 28 qershori, por shumë muaj më parë. Sepse pikërisht në momentin kur e ndiente se nuk do të mund të fitonte dot me vota të ndershme, Berisha u bazua fuqimisht te taktika e grabitjes dhe manipulimit të votave. Këmbëngulja e Berishës për të mos hapur kutitë, është indikatori më bindës për plojën e grabitjeve që fshihet brenda tyre.
Llumi i falsifikimeve kriminale që nxori hetimi i Ruzhdies e bën pretendimin e Berishës për moshapjen e kutive në emër të gjoja moscenimit të pavarësisë së gjykatave, një alibi tejet banale për të mbajtur në errësirë një krim elektoral, me shumë gjasa, mjaft masiv. Por kjo strategji për të qëndruar në pushtet me çdo kusht, pra edhe me vota të vjedhura, ka ndeshur një qëndresë të fortë të një opozite që tashmë duket më koshiente se kurrë se po e toleroi krimin e votës, do të jetë krimi i votës në pushtet, që nuk do ta tolerojë më opozitën.
Kriza e sotme është kështu fryt i një përplasjeje ekzistenciale mes forcave që shohin shpëtimin në objektiva krejt të kundërt, pushteti te kutitë e mbyllura, opozita te kutitë e hapura, pushteti te errësira, opozita te drita, pushteti te verbëria, opozita te tejdukshmëria. Kjo krizë nuk do të qe e tillë sikur Berisha dhe pushteti i tij të ishin të interesuar sado pak për mbrojtjen e votës së lirë dhe të ndershme. Janë pikërisht këta që nuk krijojnë mundësi për konsensus, sepse në përpjekje për të fshehur votat e vjedhura që i sollën në pushtet, kërkojnë të përjashtojë transparencën.
Kaq gjë kanë nisur ta kuptojnë (më në fund) gjithnjë e më shumë edhe “ndërkombëtarët”. Nuk qe rastësi që dy ditë më parë, Victor Bostinaru, zv.kryetar i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian dha mesazhin, më të qartë deri më sot për Berishën dhe qeverinë e tij, duke i kërkuar të gjejnë një zgjidhje për krizën. Sipas Bostinaru, nëse Berisha do të refuzojë propozimet e PS, “…duhet të jetë i përgatitur për kostot”. Dhe ka pak shanse që Berisha të dëgjojë këto kambana të ndërkombëtarëve.
Nuk ka veshë t’i dëgjojë, sepse fati i tij politik është i lidhur ekzistencialisht me votën e vjedhur. Ashtu si në të kundërt, fati i kundërshtarëve të tij është i lidhur po ekzistencialisht me hapjen e kutive. Ndaj Berisha do të këmbëngulë deri në fund për moshapjen e kutive. Rrjedhimisht do të marrë mbi vete të gjitha kostot e zgjedhjeve të parakohshme që po shfaqen gjithnjë e më të pashmangshme, si i vetmi shpëtim nga një krizë që ka për baba, si gjithnjë në këto 20 vjet, Sali Berishën dhe epshin e tij të sëmurë për pushtet.
Urrejtja nuk mund të jetë luks i analizës, madej kaq kot ja fut ky “analist” sa të bënë të ndjehesh keq, se ka shqiptar të tillë qe për kryeministrin e vendit mëndon si për ni shka. Duke harruar se shka a grek mund te jet vet.
Politika mbeshtet mbi raporte forcash. Mbi bazen e ketyre raporteve Berisha eshte fitimtar. Ju flisni per kriza dhe ato zakonisht jane frute i ideve, sistemeve, i programeve. Dhe nuk jane vetem idetë por jane dhe njerezit. Une mendoj se ka ikur koha e egoizmit dhe e te bertiturit me pretendimin se ke gjithmon te drejte, duke ofenduar ata qe nuk jane nga ana jote. Eshte koha e nje stine te re, stines se rinovimit. Vendimi eshte shpirti i demokracise dhe jo nje vend ku gjithsecili thote ate qe mendon sa per te thene. Te vendosesh eshte nje pergjegjsi gjiganteske sepse ka te beje me jeten e shume personave. Problemi numer nje i politikes eshte nje problem morali. Nje problem i linjes shoqerore, i raporteve jo vetem ndermjet qytetarve dhe perfaqsuesve te tyre, por dhe vete ndermjete qytetareve, ndermjet nenave dhe bijve, ndermjet burrave dhe grave, mesuesve dhe nxenesve, sipermaresve dhe punetorve, puntoreve dhe sindikatave, prandaj eshte nevojshme te mobilizohen njerezit ne planin e vlerave, te projekteve dhe te rregullit jetesor. Mjaft me vetem me te drejta pa detyra, eshte ora te ndryshohemi. Indiferenca eshte mola e demokracise. Duhet te kthehemi tek pergjegjsia e gjithe secilit duke filluar nga vetja. Anti-autoritarizmi çon ne nje spirale te dhunes qorre e shkaterruese ne emer te lirise dhe te kritikes. Te paret qe e hane dhe e pesojne nga dhuna jane me te dobetit, sepse dhuna dhe padrejtesia nuk godet me te fortet dhe te pushteteshmit qe jane ne gjendje te vetembrohen, por me te dobetit, ata qe nuk kane mjete per t’u mbrojtur. Te prishesh rendin do te thote te qellosh me te dobetit. Kete socialistet nuk e kene kuptuar kurre.
Comments are closed.