Forumi Shqiptaro-Amerikan për Demokraci, 09.04.2013
Nga Grid Rroji, Doktorant i Shkencave Politike, CUNY.
Marrëveshja për të dënuar me vdekje zgjedhjet e 2013ës në Shqipëri është një ngjarje politike që meriton të analizohet në thellësi. Në gjykimin tim, analiza e arsyeve të saj, duhet të shkojë përtej “rrjedhës normale të politikës” siç argumentojnë cektësisht disa analistë. Analiza e arsyeve ka të bëjë me thelbin e demokracisë në Shqipëri dhe përfshin jo vetëm palët e parisë, degëzimin e interesave të tyre kriminale dhe pushtetore por edhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare si një shoqëri normale demokratike. Me fjalë të tjera, pyetjet që shtrohen janë ku po na shpien këto lloj taktikash të parisë dhe në favor të kujt punon ajo?
Sipas politilogut amerikan Brus Bueno De Meskita në çdo sistem politik krijohet një shtresë njerëzish jo homogjenë (Selektorati) të cilët marrin pjesë aktivisht në politikë. Selektorati përbëhet nga grupe të cilat kanë interesa të ndryshme, por që kanë të përbashkët qëllimin për të ndikuar në përcaktimin e udhëheqjes së bashkësisë. Brendapërbrenda këtij grupi, ekziston një grupim më i vogël që Bueno De Mesquita e quan “shumica përcaktuese” brenda Selektoratit. Ky grupth i siguron udhëheqësit shumicën e domosdoshme për të qëndruar në pushtet por edhe për të mënjanuar rivalë të mundshëm brenda Selektoratit. Më konkretisht, në Shqipëri Selektorati përbëhet nga militantët e të gjitha forcave politike, ndërsa shumicat përcaktuese përbëhen nga drejtuesit e partive, si dhe biznesmenët dhe drejtuesit e grupeve të interesit të cilët i lidhin interesat me secilën palë.
Bueno De Meskita gjithashtu thekson se udhëheqësi ka një rol kryesor në çdo lloj sistemi. Ai ka vetëm një interes parësor, të zgjasë periudhën e pushtetit të vet. Për pasojë udhëheqësi ka si prioritet kënaqjen e shumicës përcaktuese -me anë të dhurimit të të mirave private apo publike- sepse nga mbështetja e saj varet vazhdimësia e pushtetit të tij. Për shembull, në Shqipëri si kryetari i bashkisë së Tiranës ashtu edhe kryeministri bëjnë emërime në poste publike duke u shpërndarë të mira private anëtarëve të shumicës së tyre përcaktuese. Gjithashtu ata kanë mundësinë tu shpërndajnë të mira publike mbështetësve të tyre, si për shembull lejet e ndërtimit apo kontratat për ndërtimin e infrastrukturës.
Nga ana tjetër, opozita kontrollon një pjesë të madhe të bashkive dhe komunave të mëdha dhe përdor të njëjtat metoda shpërndarjeje të të mirave publike për interesat e veta. Nga kjo shpërndarje përfiton jo vetëm shumica përcaktuese përkatëse dhe në një masë më të vogël selektorati (me punësime dhe tendera të vegjël), por edhe vetë anëtarët e parisë të cilët kanë perfeksionuar sistemin e ndarjes së pjesës për vete. Ose me anë të njëzetpërqindëshit të bërë të famshëm nga Edi Rama, ose me anë të apartamenteve e vilave, llogarive bankare jashtë dhe kompanive fantazëm për qarkullim dhe pastrim parash të bëra të famshme nga familjarët e kryeministrit aktual, paria punon për të maksimizuar përfitimin për vete. Pra, edhe lufta për pushtet ka si logjikë kontrollin e shpërndarjes së këtyre të mirave.
Por le ti vendosim këto parime teorike në kuadër të situatës aktuale. Nga një analizë e kujdesshme e veprimit politik të palëve, del se marrëveshja u konceptua nga paria si element i rëndësishëm strategjik për të ruajtur sistemin dhe pushtetin oligarkik pas përfundimit të zgjedhjeve. Duket se kryetari i PS-ë gjykoi se nuk mund të rezistonte në krye të partisë së tij nëse nuk përvijonte një rrugë të qartë drejt pushtetit qendror për anëtarët e shumicës së tij përcaktuese. Po ashtu Berishës i duhej një garanci për veten, familjen dhe shpurën e atyre që kanë përfituar rëndshëm nga pushteti tetëvjeçar.
Gjithashtu marrëveshja i garanton atij një opozitë të fortë numerikisht e cila të mund të marrë një pjesë më të madhe të tortës publike se sa kishte PS-ja kur ishte në opozitë. Kësisoj, Berisha kënaq deridiku edhe pakicën e vet të selektoratit. Në fund por jo nga rëndësia, roli i Metës në politikë është tashmë qartësisht i drejtuar nga pozita të zgjedhjes racionale. Në qoftë se nuk i garanton të mira materiale mbështetësve LSI shpërbëhet. Marrëveshja i garanton një rritje të tortës nga 20 në 30 % si dhe një numër më të madh deputetësh. Kësisoj Meta kontrollon më shumë se më parë se cila do të jetë shumica përcaktuese për pushtetin.
Në këtë pikëvështrim, marrëveshja Berisha-Rama-Meta, megjithë retorikën justifikuese të lehësve të tyre mediatikëtë tipit “Muçi Puçi Rrushi Rrapatushi” nuk është lëvizje e forcës por demonstrim i frikës të parisë nga lëkundja e pozicionit të sistemit. Paria reagoi sepse ndjen se kriza e thellë po e rrezikon legjitimitetin e saj, e rrjedhimisht edhe pushtetin e saj oligarkik. Pra, paria e ka të qartë mekanizmin pushtet-sundim dhe rëndësinë e zgjedhjeve si mekanizëm legjitimues.
Pra, teoria e zgjedhjes racionale e bazon analizën thjesht në interesat e palëve dhe nuk le vend për gjykime morale apo parime. Mirëpo, ndonëse tepër e vlefshme për t’i bërë përshkrimin situatës në aspektin deskriptiv, zgjedhja racionale nuk mund të na thotë shumë për mekanizmat perverse të krijuara nga palët e parisë për të shfrytëzuar pushtetin, vendosjen e një oligarkie hiperpragmatike si dhe mënyrat e daljes nga kjo situatë në Shqipëri. Më tej, torta e pushtetit është zvogëluar, dhe të mirat që rrjedhin poshtë shumicës përcaktuese janë pothuajsë jo ekzistente. Ndaj, në kushtet kur sistemi i shërben vetëm vetes qytetari bëhet kundështar dhe jo legjitimues i tij. Pra, për rastin e Shqipërisë zgjedhja racionale nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar dukuritë e mjedisit politik. Ajo përdoret nga analistë të tipit “Muçi Puçi Rrushi Rrapatushi” për të dhënë idenë e paevitueshmërisë së parisë së Tiranës.
Zgjedhja racionale e aplikuar shabllon nuk lejon një qasje ideologjike e morale, e cila bëhet e domosdoshme në rastin e Shqipërisë jo si qëllim në vetvete, por si mekanizëm i nevojshëm për një shoqëri normale demokratike.Për qytetarin marrëveshja e pamoralshme midis palëve të parisë ja ka humbur legjitimitetin klasës politike. Kjo e rrezikon së tepërmi sistemin. Mungesa e moralit mund të funksionojë vetëm përkohësisht, në të kundërt shoqëria kriminalizohet dhe shteti është i destinuar të dështojë.
Qytetarët shqiptarë në këto zgjedhje duhet të shqetësohen për devijimin e debatit nga çështjet që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si strategjitë e palëve për zhvillim ekonomik, punësim, forcimin e kapaciteteve shtetërore tek ngjalat, pragmatizmi katundar dhe kush ja futi kujt. Në fakt, pakti mafjoz i parisë tregon se askush nuk e vret mendjen për të gjetur rrugëdalje, fushata është tërësisht propagandistike dhe e imazhit.
Pra, delegjitimimi i politikës nuk krijon kushte për zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Përkundrazi, klima e përhershme e konfliktit politik, të pasuar nga marrëveshje ngjalash i ka lodhur njerëzit dhe i ka bërë të humbin besimin tek dëshira e parisë për t’a nxjerrë vendin nga kriza.
Për t’a përfunduar, marrëveshja e ngjalave nuk përfaqëson një zgjidhje për problemet e popullit, megjithë përpjekjet titanike të makinerisë mediatike të palëve. Ajo përfaqëson luftën e një grupi brenda Selektoratit për të fituar privilegjet e pushtetit në kurriz të grupit që i gëzon ato sot. Pra, kur sistemi përbëhet prej këtyre forcave pushtet-kërkuese e të pamoralshme, bllokimet dhe krizat bëhen të paevitueshme.
Qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen për papërgjegjshmërinë e palëve të parisë dhe të reagojnë kundër tyre në bllok. Zgjidhjet nuk duhet të kërkohen për të mbyllur vrimat e të tashmes e për të ruajtur imazhin, sepse nëse vazhdojmë të pranojmë në sistem sjellje të tilla, nesër rolet dhe argumentimet e palëve mund të jenë të anasjellta. E kjo do të na kthente në pikënisje. Zgjidhjet që kërkohen duhet të përfshijnë interesa më të gjera se sa përfaqëson Selektorati i sotëm duke patur parasysh ndryshimin që ka pësuar shoqëria shqiptare nga 91’ deri më sot. Zgjidhjet duhet të mbështeten detyrimisht në ideologji të qartë, të kenë një bazament etiko moral dhe të kenë përparësi interesin kombëtar.Por kjo nuk mund të ndodhë përpara se palët e parisë që dinë vetëm të përdorin taktikat ekstreme për pushtet të futen njëherë e përgjithmonë në sirtar. Duhet një fillim i ri.
* * *
Referenca
Bruce Bueno de Mesquita, Alastair Smith, Randolph M. Siverson ,James D. Morrow, The Logic of Political Survival, MIT Press, 2004.