Përse S. Berisha është i gatshëm të sakrifikohet për SHISH?

0
29

Mero Baze

Mero Baze, 18.03.2010

Pikëpyetja e madhe tani është pse Berisha është i vendosur të paguajë çdo çmim për të vendosur nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror.

Edhe në vitin 2005, ai tentoi ta fuste SHISH-in nën kontroll përmes ndryshimit të ligjit, por paralajmërimet e ashpra të partnerëve perëndimorë të Shqipërisë e stepën.

Në shenjë hakmarrjeje ai për katër vite, nuk komunikoi me këtë institucion duke thyer një rekord historik: ai nuk priti për asnjë moment gjatë pesë viteve në pushtet kryetarin e SHISH-it në zyrën e tij, për t’i raportuar sipas ligjit.

Nga ana tjetër, ai shkurtoi ndjeshëm buxhetet e shërbimit duke vënë në alarm partnerët perëndimorë mbi misionin e këtij shërbimi.

Në disa raporte ndërkombëtare përfshi raportet e qeverisë amerikane për luftën kundër trafikut dhe drogës, theksohet qartazi se Shërbimi Informativ në Shqipëri është i keqfinancuar dhe lufta kundër terrorizmit mund të vihet në pikëpyetje prej këtij fenomeni.

Të gjithë këto nuk funksionuan. As ndërprerja e buxheteve, as armiqësia publike që reflektoi ndaj shefit të SHISH-it dhe as përpjekja për ta degraduar misionin e tij. Tani Berisha është i gatshëm ta paguajë çdo çmim për ta marrë SHISH-in nën kontroll.

Por kostoja, me të cilën kërkon ta marrë, është shumë e madhe. Së pari, ai po injoron statusin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Nëse ne ja kemi dorëzuar një pjesë të sovranitetit tonë NATO-s si aleancë politiko-ushtarake, ne nuk kemi as të drejtë dhe fuqi, të bëjmë një ligj që nuk e pranon NATO-n.

Ne dhe ligjet e tjera që kemi dhe që bien ndesh me praktikat e NATO-s po i ndryshojmë. Është e pakuptimtë, ndërkohë që ne të bëjmë një ligj, të cilin duhet ta konsultojmë me një zyrë konkrete të NATO-s.

Deklarata e shqetësuar e zyrës së NATO-s për këtë ligj tregon qartë se kryeministri Berisha është duke bërë një atentat të rëndë ndaj sigurisë kombëtare, pasi po rrezikon statusin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s për interesa të tij personale.

Së dyti, Berisha po tregohet mosmirënjohës, por dhe politikisht i rrezikshëm, në sjelljen ndaj SHBA. SHBA ishin vendi që dhanë garancitë për vendet e tjera dyshuese kur Shqipëria aplikoi për anëtarësim në NATO.

Nën kredencialet e garancive amerikane ne nuk u konsideruam më shtet i falimentuar dhe batakçi, dhe u radhitëm përkrah vendeve dinjitoze anëtare të Aleancës. Me këtë gjest të zotit Berisha, Shqipëria po i kthen një resto të hidhur SHBA, dhe po i vë ato në pozita të vështira me vendet anëtare të NATO-s, te të cilat dha garanci se vendi ynë do të ecte përpara sa i përket kredencialeve demokratike.

Dhe së fundmi, Berisha po rrezikon dhe në planin e brendshëm pasi krizave të tjera politike dhe financiare që ka prodhuar po i shton dhe një krizë me partnerët më të rëndësishëm perëndimorë. Ky është një çmim i rëndë që ky vend nuk ka fuqi ta rimbajë mbi supe.

Pavarësisht nga problemet politike apo psikologjike që Berisha ka me zyrat e SHISH dhe ato çfarë janë arkivuar aty që pas vitit 1997, për të dhe familjen e tij, interesi i vendit është më i gjerë dhe ai s’mund të vihet në rrezik për shkak të problemeve personale dhe familjare që ka një kryeministër me një institucion të shtetit shqiptar.

Është mirë që nesër ai ta rikthejë atë ligj në zyrat e NATO-s dhe të marrë ekspertizën e duhur për t’u kthyer në një ligj që na afron me Perëndimin dhe në një ligj që na fut në krizë me Perëndimin.