NDUE DEDAJ, 9 Prill 2013
A do të jetë ndryshe kjo fushatë elektorale, për nga ligjërimi politik? Të gjithë do të donin që gjuha përballëse mes të kundërtve të moderohej, elektoratit t’i flitej me argumente dhe jo me bërtima “shpartalluese” të tipit AK. Sot votuesi peshon provat dhe jo oratoritë kërcitëse, pasi fjala në politikën tonë është bërë si një rrobë e keqpërdorur. Ajo është zhvlerësuar në radhë të parë nga vetë politikanët, të cilët sa nuk thonë: ç’të bëjmë, as që e duam këtë politikën, por qenka një e keqe e domosdoshme. Ama pa iu përveshur asaj për ta bërë ndryshe, më të fisme, më europeiste, më qytetare. Veçanërisht një politikë jo abuzive me pushtetin. Por deri tani fushata ka tone jo nervoze. Duket se konfigurimi më i fundit politik, koalicioni PS-LSI, i ka lënë të gjithë pa fjalë.
Vetëm ndonjë batutë aty-këtu është dëgjuar, duke u përmendur ajo “ngjala” dhe aq. Sikur ka dhe pak humor kësaj here. Nuk duam të zgjatemi në këtë, por, për pragmatizëm elektoral, ka gjasë që gjuha politike të jetë më pak agresive. PS nuk do ta shajë rëndshëm qeverisjen (por më e pakta duke kursyer: Ministrinë e Ekonomisë, Shëndetësisë dhe atë të Jashtme, si dhe disa sektorë të tjerë të drejtuar nga partnerja e rikthyer), kurse PD gjithsesi do të ruhet të mos preket aleatja e saj e deridjeshme në qeverisje. Do të flitet, por nuk do të shkelet në kallo, nga asnjëra palë, si në pikën më të nxehtë që është 21 janari etj. Një “modus vivendi” i rrethanave, mund të thuhet.
Vërtet që ka qortime të shumta për politikanët, por puna nuk duhet të mbërrijë deri te denigrimi i tyre. Ata, thuajse pa dallim, janë në shënjestrën e gjithkujt. Se sa shpërdorues të fjalës së lirë jemi, mjafton të kujtojmë jo vetëm si i janë hakërryer njerëzit e politikës njëri-tjetrit me nofka “allaturka” për vite të tëra, një komedi më vete kjo, po dhe disa media të njëanshme e sidomos rrjetet sociale me shumë publik fjalëkeq, ndotës të ekologjisë politike e njerëzore. Një sulm verbal në zhargon ndaj politikanëve, opinionistëve dhe ndaj njëri-tjetrit. Dhe ku? Bash në atë që është tribuna më e gjerë e fjalës së lirë, ku mund të shprehen e të dëgjohen të gjithë, të shfaqin ide e dialogojnë me qytetari.
Është e habitshme se si këtë instrument kaq të çmuar “dhuratë nga perëndia” (gazetarinë online, facebook-un, twitter-in etj.) po e shpërdorojmë në këtë farë feje, duke derdhur në internet një gjuhë të shpëlarë, të helmët, plot urrejtje. Në vend që kjo liri që na jepet falë teknologjisë së lartë të informimit dhe pjesëmarrjes pa kurrfarë pengimi të secilit, si atij që është profesionist, si atij që nuk është i tillë, të përdoret për t’i zhvilluar dhe ndriçuar më shumë ato që thuhen, ngrihet një shpurë pseudonimesh që ia kërcet mbarë e mbrapsht, duke mos u marrë me thelbin e çështjes, por duke sulmuar më së shumti politikisht.
A thua se opinionistët duhet të shkruajnë sipas shijeve ideologjike të këtyre? Kësaj në gjuhën popullore i thonë “njëri thumbit dhe tjetri patkoit”. Shqetësohesh sidomos kur lexon si nën rreshta për dallime apo epërsi krahinore, fetare etj. Mund mos të pëlqejë sjellja politike e një lideri, por është mëkat ta pësojë gjuha që ai flet, dialekti që njeriu e mbart me vete gjithë jetën pafajësisht. E nuk janë vetëm të gjallët që e kanë pësuar nga zgjyra e shkruesve kuturu, por dhe të vdekurit e mëdhenj, paçka statusit të tyre kombëtar dhe historik, ku janë marrë nëpër gojë qysh nga Skënderbeu, Ismail Qemali, Gjergj Fishta, Fan Noli e deri te Kadareja. Dhe e gjitha kjo stihi fjalamane në emër të lirisë së fjalës!
Nuk guxon kush të hyjë në politikë, se do ta përflasin me të parën, duke i nxjerrë të “palarat” në shesh, si në rastin e dekanes së Ekonomikut të Universitetit të Elbasanit, po nuk guxon kush as të mos hyjë në politikë, të rrijë në punën e vet, se do ta përziejnë se s’bën në ndonjë çorbë të gatuar keq, si në rastin e Gjeneralit që mban postin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nga një media. Me siguri derisa të jenë qepur listat për deputetë do të kemi të tjerë njerëz që do të lëndohen nga shpërdorimi i fjalës së lirë. E udhës do të ishte që popujt që kanë vuajtur në diktaturë dhe mungesë lirie, t’ia dinë vlerën fjalës dhe jo të gjuajnë me to si më gur.
Po nëse një deputet, një gjeneral, një dekane, një ministër, një gjykatës i ka mundësitë të mbrohet, nuk është se e ka gjithë komoditetin e nevojshëm për një gjë të tillë një vajzë e diskutuar për çështje morali diku në periferi, ku media i zbardh asaj mesazhet intime për publikun, si të kishte qenë Madona. Kjo veç në Shqipëri ndodh, që të luhet me fatin e njerëzve të thjeshtë, duke i kthyer ata në VIP-a të paqenë, për shkak të ndonjë fatkeqësie që kanë pasur. Askund tjetër nuk ndodh ta marrësh një viktimë dhe ta kthesh në personazh mediatik, me javë të tëra, medemek se kështu e do mileti. Gazetaria në një shoqëri në zhvillim e ka për detyrë të ndikojë në formimin e publikut. Por ne kemi një tërheqje të habitshme ndaj thashethemeve dhe “fallit” dhe ky është një problem i yni.
Pa u hyrë teorive të komunikimit mbi të drejtën e informimit etj., kur njihesh me përsëritjen pikë për pikë të krimit, nga një familje shqiptare në një tjetër, kryesisht në zonat rurale, mendja ta thotë se krimi në familje nuk duhet dhënë në ekran, pasi me sa duket bën efektin e kundërt, shërben si “model” për të tjerët. Tipik është rasti i vrasjes së vjehrrës nga dy kunata në një fshat të Peshkopisë, pas lajmërimit të disa rasteve të ngjashme të krimit në familje. Krizat ekonomike e sociale, kodet ende të paformurara të shoqërisë globale, bëjnë që të gjallojnë praktika të errëta të njerëzimit. Aq më tepër në një vend që përjeton një krizë morale prej dy dhjetëvjeçarësh tranzicioni, prirja për krim është e fortë. Mbase për këtë është më mirë që krimet monstruoze të mos jepen me imtësi dhe intensitet në media.
Mendime jo fort entuziaste ka dhe për disa debate televizive, që janë bërë të përditshme e të përnatshme, ndonjëherë deri në bezdi. Tryezat debatuese me shumë pasion e pa shumë etikë nuk janë modeli më i mirë. Ka ndodhur dhe në këtë rast, si në çdo gjë tjetër të re të demokracisë, që herët a vonë ne e kemi shpërdoruar. Panelet me profesionistë shpesh janë më efikase se ato me analistë të përhershëm që qarkullojnë andej-këndej nëpër studio. Ka nevojë të dëgjohen më shumë juristët, sociologët, psikologët, mjekët, oficerët e policisë, teknicienët etj., siç flitet në rrethe profesionistësh, ndryshe nga deri më sot ku foltoret mbizotërohen nga politikanët dhe opinionistët e prirur nga politika.
Ka njëzet vjet që nuk kemi parë të jenë mbledhur në ndonjë studio, bie fjala, shkrimtarët, që të rrahin mes tyre trashëgiminë e realizmit socialist, prurjet e letërsisë së sotme, çmimet letrare dhe juritë e tyre etj. Por për psikologjinë e komercializmit audioviziv, me mbarsje politike, po u more me gjëra si këto pa interes për një publik të indoktrinuar partiakisht, bie shikueshmëria, pasi kush dëgjon tri orë rresht se ç’është realizmi magjik, postmodernizmi në letërsi etj. Jo, ky publik do patjetër Berishën, Jozefinën, Ramën, Metën dhe në programet e humorit! Ndryshe nuk ngopet me politikën.
Kurse ai publiku tjetër, i paindoktrinuari me politikën, si të rinjtë, ndihet i lodhur nga ato që i serviren nga tribunat elektorale, disa media shërbyese të politikës, apo rrjetet sociale, sot e mot i njëjti stil i të thënit të gjerave, ku arroganca ende është një tipar i ligjërimit tonë. Dikur bërtiste vetëm drejtori, shefi, kryetari, sot bërtasin të gjithë. Është zgjidhur gjuha, jo duke u bërë me e thukët, por më e drunjtë. Nuk ka kod etike që të na mbajë në frerët e fjalës së lirë – si liri e fjalës dhe ndërgjegjes dikur të ndaluar.