E vërteta për 2 prillin 1991

0
20

Intervista: Nena dhe vellai i Arben Brocit

(arkiv)

Më 2 prill të vitit 1991 i është dashur të lërë një orë mësimi për t’u nisur në spital, sepse i kishin treguar se të vëllan ia kishin vrarë. Artan Broci, atëherë ishte maturant, ndërsa sot, pas 15 vjetësh, përveçse vazhdon të jetë vëllai i një dëshmori, është edhe një ndër gjyqtarët më të njohur. Pas gjithë këtyre viteve, duket se ai jo vetëm është kujdesur që emri i vëllait të mbahet mend ashtu siç i takonte, por duke iu besuar shqisave të veta si jurist ruan me fanatizëm një kopje të dosjes.

Arben Broci
Portret, Arben Broci

Madje më shumë se aq, ai e ka shumëfishuar atë në disa kopje duke ruajtur kështu një pjesë të së vërtetës së asaj dite. Në një intervistë për “Tirana Observer”, gjyqtari rrëfen se e di se Masakra e 2 Prillit ishte përgatitur në kulisat e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe.

Në prillin e këtij viti mbushen plot 15 vjet që nga dita ku ndodhi ngjarja. Cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend kur e kujtoni atë?

Sigurisht që ndjej dhimbje, pasi humba njeriun më të afërt që kisha. Ne ishim dy vëllezër dhe, si dy krahët e një trupi që harmonizohen në jetë, ishte dhe vëllazëria e jonë. Me vdekjen e Arbenit mund të them që e kam humbur një krah.

Ku ndodheshit gjatë kësaj periudhe?

Gjatë kësaj periudhe ndodhesha në qytetin tim të lindjes, në Shkodër ku vazhdoja studimet në shkollën e mesme në vitin e katërt.

Është fakt që vitet e fundit sikur është harruar ngjarja e rëndë e 2 Prillit. Sipas jush, përse ka ndodhur kjo?

Pa dyshim që çdo ngjarje ka rëndësinë e saj historike, po kështu ka hyrë dhe 2 Prilli 1991, si dita që do të shënonte fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Mbas ngjarjeve në Rumani u kuptua se sistemet diktatoriale nuk largoheshin në rrugë demokratike, por me revolucione popullore, siç ishte dhe 2 Prilli në Shkodër. Por duhet theksuar gjithashtu fakti se gjatë 15 viteve në Shqipëri ka pasur edhe mjaft ngjarje të tjera mjaft të rëndësishme, si p.sh. Tragjedia e Otrantos, ngjarjet e vitit ’97, vrasja e liderit të PD-së, Azem Hajdari në ’98, Tragjedia e 9 Janarit etj. Dhe nga kjo pikëpamje do të thosha se ngjarjet kanë ardhur duke i lënë vendin njëra-tjetrës dhe nuk do të thosha se ato janë harruar.

Vëllai juaj ishte një nga drejtuesit e lëvizjeve kundër sistemit. A bisedonit me të në lidhje me problemet e kohës?

Sigurisht, Arbeni ishte një nga firmëtarët dhe themeluesit e PD-së dhe protagonist i lëvizjeve studentore. Ai dhe unë u formuam dhe u rritëm në një familje disidentësh politikë të regjimit të asaj kohe dhe vazhdimisht diskutonim ngjarjet e zhvillimet e ndryshme të asaj kohe në vend, por edhe me gjerë, pasi mbaj mend se kishim mbi 3-4 vite që së bashku dëgjonim “Zërin e Amerikës” apo ndonjë stacion tjetër radiofonik të asaj kohe.

A mund të na risillni bisedën e fundit që keni shkëmbyer me Arbenin?

Mbaj mend se diskutimin e fundit me të e kam bërë natën e 1 prillit, mbas një dite të lodhshme dhe plot me emocione për shkak të zgjedhjeve të 31 marsit. Në Shkodër ishte përhapur fjala se Partia e Punës kishte fituar dhe se këtë fitore e kishte arritur me manipulimin e votave. Qytetarët shkodranë dhe të rinjtë e gjimnazeve kishin dalë të protestonin qetësisht përpara komitetit të partisë dhe kishte pasur përplasje të vogla me policinë. Arbeni dhe drejtues të tjerë të PD-së në Shkodër ishin njoftuar nga punonjës të policisë për të qetësuar protestuesit dhe për të kontrolluar situatën, e cila, kishte të dhëna se mund të precipitonte të nesërmen më datën 2 prill, por tek ne nuk ekzistonte as ideja më e vogël se çfarë masakre ishte përgatitur për Shkodrën në kulisat e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe.

Si kanë qenë marrëdhëniet mes teje dhe Arbenit? Ju kishte shprehur ndonjë shqetësim kohët e fundit?

Marrëdhëniet i kishim brilante, mbas vdekjes së babait tonë, Beqirit, në vitin ’88, Beni ishte si të thuash i pari familjes dhe për mua fjala e tij ishte ligj. Mbaj mend se mbas fillimit të lëvizjeve të dhjetorit ’90 Beni kishte filluar t‘i shihte gjërat ndryshe, dhe për rrjedhojë shqetësimet e tij kishin të bënin pikërisht me zhvillimin e ngjarjeve, forcën që kishte akoma Policia Sekrete dhe Sigurimi i Shtetit . Ne shpesh diskutonim për veprimet e mundshme që mund të ndërmerrnin ata jo vetëm kundrejt Arbenit dhe familjes, por kundrejt të gjithë Lëvizjes Studentore.

A e dinit se sa i angazhuar ishte dhe çfarë pozicioni kishte vëllai juaj në këto lëvizje?

Ai ishte një nga nismëtaret e Lëvizjes Studentore dhe një nga firmëtarët e krijimit të Partisë Demokratike, 300 firmëtarët e parë, fill mbas takimit me z. Ramiz Alia, Arbeni në një intervistë televizive të asaj kohe, ishte padyshim i pari që do të artikulonte shprehjet se “I UROJ PARTISE TONE QE KRIJUAM SOT, NJE RRUGE SA ME TE MBARE” . Mbas ngjarjeve të Dhjetorit, Arbeni do të caktohej nga lideri i Lëvizjes, z. Azem Hajdari, si i deleguari i Grupit Nismëtar për të krijuar Degën e PD-së në Shkodër si dhe për të përhapur programin fillestar të PD-së në këtë rreth. Duhet të theksoj këtu se aktiviteti i tij politik ishte i shkurtër, dhjetor ’90 – mars ’91, por mjaft i suksesshëm, pasi në zgjedhjet e 31 marsit ’91 Shkodra i nxori të gjithë deputetët nga PD-ja.

Ju ka treguar ndonjëherë se çfarë objektivash kishte për të ardhmen?

Sigurisht Arbeni po përfundonte Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike pranë Universitetit të Tiranës, ishte në vitin e 5-të dhe krahas angazhimeve të reja politike, primare për të do të ishte mbarimi i këtyre studimeve. Ai ishte i fejuar dhe se shpejti do të krijonte familjen e tij, në planin politik ishte anëtar i Kryesisë së PD-së në Shkodër dhe sigurisht kishte planifikuar të vazhdonte të kontribuonte në këtë drejtim.

Kur e mësuat atë që ndodhi më 2 prill? Si kujtohet kjo ditë në familjen tuaj?

Unë në atë kohë vazhdoja vitin e fundit të shkollës se mesme dhe gjatë zhvillimit të mësimit dëgjuam të shtëna armësh, kemi lënë mësimin dhe kemi dalë nga shkolla duke marrë drejtimin për në qendër të qytetit. Dikush që nuk kam arritur ta fiksoj, por sigurisht që na njihte të dyve, më tha që të kthehesha fillimisht në spitalin e qytetit, instinktivisht jam kthyer në spital dhe kam gjetur familjarët e afërmit e mi që më lajmëruan se Beni ishte vrarë. Menjëherë mbaj mend se më janë prerë gjunjët dhe kam rënë në tokë, por shumë shpejt kuptova se duhej të forcohesha dhe u ngrita për t’i dhënë kurajë vetes dhe nënës që erdhi aty pranë. Një ditë që personalisht për mua do të mbetet e pashlyer në kujtesë.

A mendoni se janë gjetur autorët, dhe se kanë marrë dënimin e merituar?

Një pyetje relativisht e vështirë, pasi sot kanë kaluar shumë vite dhe unë vetë jam pjesë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Është e vështirë të ndash mendimet dhe të gjykuarin si familjar dhe si gjykatës, por për ta përmbledhur do të thosha se pjesërisht Drejtësia e ka thënë fjalën e saj.

Dilemën se kush i vrau protestuesit më 2 prill e ka shuar kriminalisti Estref Myftari, sipas të cilit autore ka qenë policia. A do t’i shtonit ndonjë gjë më tepër këtij konkluzioni?

Duke qenë me një eksperiencë mbi 10 vjet si gjykatës, kuptohet se konkluzionet e ekspertëve janë kategorike për drejtësinë, por në rastin e Arbenit ekspertët nuk kanë arritur të përcaktojnë llojin e armës që është përdorur dhe në varësi të kësaj, mund të përcaktohej nëse i dispononte policia e Shkodrës këto lloje armësh apo jo. Kjo mbetet një nga dilemat e forta të kësaj çështje.

A e di Artan Broci se kush ia ka vrarë vëllain?

Unë di më shumë se kaq, çështja nuk shtrohet dhe nuk është shtruar asnjëherë se kush tërhoqi këmbëzën, por kush dha urdhrin dhe përgatiti Masakrën e 2 Prillit të Shkodrës.

A jeni interesuar se çfarë ka ndodhur me dosjen gjithë këto vite?

Sigurisht ka pasur tentativa për t’i asgjësuar 12-13 volumet e dosjeve të kësaj ngjarje nga persona të ndryshëm qofshin me pushtet gjatë këtyre 8 viteve që kaluan apo dhe të ndryshëm, kuptohet që për interesa të tyre, por nuk janë arritur dot se të gjitha volumet origjinale i disponoj unë, të cilat i kam shumëfishuar tashmë dhe në forma dixhitale me skanim dhe ruhen në disa kopje.

Tirana Observer

—————————————–

NENA E “DESHMORIT TE DEMOKRACISE”, ARBEN BROCIT, LIJE BROCI AKUZON PAS 15 VITESH:”GJYQI PER NGJARJEN E 2 PRILLIT, NJE FARSE”.

SHKODER “Vazhdoj te jem e zhgenjyer edhe 15 vjet pas vrasjes te djalit tim, Benit”. Keshtu ka deklaruar per “Koha Jone”, Lije Broci, nena e Arben Brocit, i vrare me 2 prill te vitit 1991. Me nje plage te madhe ne zemer qe nuk mbyllet sa nena te jete gjalle, ajo rrefen disa detaje lidhur me ate qe ndodhi para dhe pas 2 prillit te atij viti te “zi”. Sipas nenes se Deshmorit te Demokracise, tre jane personat qe urdheruan vrasjen e kater te rinjve dhe plagosjen e disa dhjetra te tjereve.

Lirie Broci akuzon si persona pergjegjes per vrasjet e 2 prillit te vitit 1991, Ramiz Aline, Fatos Nanon dhe Gramoz Rucin. Sipas saj, keta jane personat qe mbajne mbi supe kete ngjarje ndersa shton se ka njohur ne menyre te rastesishme edhe personin qe ka shtene mbi te birin. Enderron te rihape gjyqin por mbetet e zhgenjyer se si nuk eshte mundesuar kjo gje. Sipas Lije Borcit, vrasja ka qene e qellimshme. “Im bir ishte percaktuar te vritej. Ai e dinte kete dhe shpesh me thoshte se do te me vrasin nene, por ti duhet te jesh e forte. Ishte pikasur qe ne dhjetor te vitit 1990, ne takimin qe studentet e Dhjetorit, paten me presidentin e asaj kohe, Ramiz Aline. Pas fjaleve mashtruese te Alise, im bir kishte kundershtuar duke i kujtuar presidentit qellimin e atij takimi, pluralizmin.

Kur dolen Beni me ka treguar se Ramiz Alia i kishte kapur lehte floket. Ishte nje veprim tipik i Enver Hoxhes, qe u rrihte shpatullat atyre qe donte t’i eleminonte. Beni e kishte kuptua kete dhe e ruajten rastin me 2 prill” tregon Lije Broci. Sipas saj, ajo qe ka ndodhur me pas ka qene edhe me e rende, kur, dy muaj pas ngjarjes, eshte thirrur nga Ramiz Alia. “Edhe pse nuk desha ne fillim, me pas me shtyu kurioziteti. Ai me eshte lutur te mbyll ceshtjen. Ti, me ka thene Alia, duhet te falesh, ose te dhurosh gjakun e djalit tend dhe ne mund te te pergjigjemi edhe me leke sa te duash ne milione. Ndersa une i jam pergjigjur se edhe sikur te me shtrojne ne ar te gjithe Shqiperine nga Vermoshi ne Konispol, nuk e fal gjakun e tim biri. Pas kesaj Alia me pyeti nese ndokush e dinte qe isha aty. I thashe se kam biseduar me doktorin (Berishen) dhe se kane ardhur me mua te pakten 2000 shkodrane.

Edhe nje fije floku po te me preket do te behet nami ne Tirane. Kur dola nuk kam folur me askend deri ne Shkoder” shton me tej Lija. Ajo vazhdon te kete te njejtin mendim se gjyqi qe i eshte bere ne Shkoder ngjarjeve te 2 Prillit nuk ka qene asgje me shume se nje farse. Me pas ajo shton se “Nuk doli asnje nga te vertetat. Gjyqi dihet se u shpejtua nga qe ne, nenat e deshmoreve, e kerkuam sa me shpejt. Ata qe ishin ne banken e te akuzuarve nuk ishin pa faj. Ne radhe te pare per shkak se pranuan te qellonin me arme”. Ajo ka shprese te rihape nje gjyq, kesaj radhe te vertete. Mendon se e di se kush ia ka vrare te birin, edhe pse zbulimi ka qene nje rastesi. “Ka qene nje polic qe vinte pas 2 prillit ne shtepine time dhe vinte para gjoksit nje kuran e thoshte se ate e kishte mbrojtur ai kuran nga plumbat.

Dy vjet me pare ne vitin 2004 teksa kam qene duke ardhur nga varrezat ky polic donte te me paguante 20 lekeshin e biletes se urbanit. I thashe te me linte te qete dhe ai reagoi shume keq. Nuk desha ta vrisja me tha. Me urdheruan. I gjithe autobusi reagoi keq. I thashe se kishte shume per te paguar dhe per kete jam e tronditur akoma. Per me teper mbante dhe akoma mban uniformen e policit, ruajtesit te rendit” thote Lije Broci. Ajo mban te njejten plage qe duket se nuk ka per t’iu sheruar kurre. Jeton ne Tirane dhe here pas here vjen ne Shkoder vetem per te shkuar ne varresa.

“Kam shkuar edhe ne mes te plumbave ne 1997. Madje, mbaj mend se nje djale i ri me ndaloi dhe me pyeti se ku po shkoja. I thashe tek im bir, Beni. Kur mori vesh se kush isha, u foli me ze te larte shokeve dhe i urdheroi qe te mos qellonin sepse isha nena e Arben Brocit” shprehet me lot ne sy Lija. Sipas saj, Arbeni qe u vra ne lule te moshes, nuk eshte vleresuar aq sa duhet, asnjehere. Lija si nene vazhdon te jete e zhgenjyer po njesoj si pak dite pas ngjarjes edhe sot, 15 vjet me pas.
Rudina Llazari

Marre nga “Koha Jone”

——————————————–

Sipas Ramiz Alise

Në vëmendjen e Ramiz Alisë, këtë herë është ngjarja e dy prillit në Shkodër, ku menjëherë pas fitores së Partisë së Punës në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, pati një reagim në formën e një demonstrimi masiv, i cili përfundoi me vrasjen me armë të katër personave, një prej të cilëve Arben Broci, një prej drejtuesve të Partisë Demokratike dhe iniciator i lëvizjes studentore. Ramiz Alia kujton se për ngjarjen e Shkodrës për herë të parë kam marrë njoftim gjatë zhvillimit të mbledhjes së përbashkët të Presidiumit të Kuvendit Popullor e të Këshillit Presidencial, që është mbajtur në datën 2 prill më 1991. Madje ai kujton se në intervalin midis orës 11:30-12:00, ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Gramoz Ruçin, e kërkuan në telefon me urgjencë nga ministria që drejtonte.

Kur u kthye ai njoftoi se në Shkodër kishte pasur një manifestim përpara Komitetit të Partisë së Punës, i cili ishte djegur nga demonstruesit, se atje kishte pasur dhe të shtëna me armë, nga të cilat ishin vrarë dy njerëz dhe plagosur disa të tjerë. Pa e mbyllur mbledhjen e Këshillit Presidencial, kërkuan takim me Alinë, Sali Berisha e Preç Zogaj. Nisur nga pesha e ngjarjes, Kuvendi Popullor krijoi një komision të posaçëm parlamentar, të kryesuar nga deputeti Ali Alushani dhe me nënkryetar deputetin Emin Mysliu. Por Ramiz Alia kujton se grupi Parlamentar i PD-së nuk mbeti i kënaqur nga hetimi i këtij komisioni, gjë që bëri që të sakrifikonin dhe deputetin e tyre.

Gazeta Ballkan