Nga Zekerija Ibrahimi
Me 12 mars 2010 të gjitha mediat shqipe, po edhe ato serbe e të tjera njoftuan gjerë e gjatë se ministri i Jashtëm Shqiptar Ilir Meta, me ftesë të homologut të tij serb Vuk Jeremiq, qëndroi në vizitë në Beograd. Pastaj i pamë sesi u përshëndetën duke buzëqeshur vesh më vesh e sesi serbët edhe një herë deklaruan se sa të mirë janë shqiptarët e Shqipërisë dhe, që “t’i dijë Meta punt’ e veta”, edhe një herë na treguan se ata kanë problem vetëm me shqiptarët “e Kosmetit”, po edhe të gjithë ish-Jugosllavisë.
Nëse faqja e zezë e kësaj kohe merret publikimi i fjalimit fashizoid të atij priftit shqiptar katolik nga Amerika, atij mund t’ia shkojë vetëm Ilir Meta me vizitën e tij në Beograd. Derisa nënat shqiptare akoma i mbajnë në dorë fotografitë e familjarëve të tyre që ende nuk dihet se në cilin varr masiv janë varrosur, derisa për ditë në Kosovë zbulohen krime të reja serbe, dhunime grash, masakra që s’i ka parë bota që nga Lufta e Dytë e këndej, është faqe e zezë që t’i shtrëngohet dora një ministri, presidenti (a kopili të Millosheviqit) të një vendi që le që nuk është gjykuar ende për gjenocid ndaj boshnjakëve e shqiptarëve, por që bile as falje s’ka kërkuar kurrë për ato krime.
Vërtet është për t’u pyetur se cila shkollë diplomacie e lejon këtë. Tashmë edhe njeriu më i thjeshtë e ka mësuar se si bëhet diplomacia serioze, se përditë në TV e internet shfaqen lojëra të këtilla. Turqia e tërheq ambasadorin e saj nga SHBA-ja pse ata miratojnë rezolutë për gjoja gjenocidin turk mbi armenët para rrafsh një shekulli. Kina ende mban marrëdhënie të ftohta me Perëndimin dhe SHBA-të për shkak të Tajvanit, Kroacia e Sllovenia desh u përplasën për shkak të një cope toke a uji në kufi. Ndërkaq Ilir Meta shkel mbi krejt kufomat shqiptare të Kosovës, mbi gjakun e fëmijëve të vrarë, mbi dhunimet, zhdukjet e masakrat dhe si “burrë” shkon në Beograd, pa thënë madje as një fjalë se Beogradi u ka borxh shqiptarëve për atë që e ka bërë para jo më pak se dhjetë viteve. Nëse kësaj i thonë diplomaci, atëherë Ilir Meta as D-në nuk po e ditka prej diplomacisë. Madje, edhe shefi i tij, Sali Berisha, që shtiret si engjëll mulliri, duhet ta dijë se ky gjynah politik bie edhe mbi të. Dhe, se nuk do të mundet as ai të fshihet pas “patriotizmit” për dashurinë e madhe që e ka ai për Kosovën. Ec mos mendo tash se autostrada e re Durrës-Kukës-Prishtinë nuk është plan që e nxjerrë Serbinë në det, sepse si po del puna, ajo autostradë do të vazhdojë deri në Nish. Prandaj pallavrat për bashkimin kombëtar me këtë autostradë në fakt janë realitete që Serbinë e bashkojnë me Adriatikun. Kështu atë që nuk arriti ta bënte Serbia kur vriste shqiptarë, kur përzinte e ushtronte gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, madje edhe kur hynte si ia donte qejfi në territorin shqiptar të Shqipërisë, sot po e realizon me ndihmën e qeverisë shqiptare, të Saliut dhe të Metës.
Kështu me një të rënë vizë u harruan gjithë ato që kanë kaluar. U harrua madje edhe fakti se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndërsa Serbisë ia heqin vizat dhe askush nuk pyeti pse?!
Para nja dy javësh një ish-polic serb në Kosovë (që mbase atje nuk kthehet nga terrori që e ka bërë), tash i angazhuar me detyrë në policinë e Serbisë në Luginën e Preshevës, vrau pa pikë faji, pos asaj që ishte shqiptar, një shqiptar të Maqedonisë, ndërsa askush nga Serbia nuk doli të kërkojë falje nga familja e viktimës, e le më prej kombit shqiptar. Sepse ai u vra vetëm pse ishte shqiptar. Apo, si na quajnë shqiptarët e Shqipërisë, “maqedonc”. Kjo do të thotë se Serbia po vazhdon në mënyrë institucionale me avazin e vjetër, e padit Kosovën për pavarësi jolegjitime (paramendoni çfarë paradoksi: agresori e padit viktimën), vret shqiptarë si t’ia dojë qejfi, ende i ndan shqiptarët në “dobrih allbanci” si Ilir Meta dhe “lloshi shiptari” si Hashim Thaqi, ndërsa Evropa e mbështet – ia heq vizat dhe e fton në BE, ndërsa shteti jonë amë (ashtu si e quajmë ne Shqipërinë londineze) vazhdon të kultivojë marrëdhënie të mira me Serbinë. Thuajse viktima, të masakruarit, të humburit, të djegurit, të dhunuarit, të zhdukurit, janë banorë të Xhibutit a të Çadit, e jo bashkëkombësit shqiptarë që e flasin gjuhën e njëjtë, që besojnë në vlerat e njëjta dhe të cilët gjithmonë kanë dhënë shpirt me sy matanë, kah “nana Shqypni”.
Kur krejt kjo që e themi më sipër të shihet në mozaikun se kjo qeveri shqiptare po ashtu sillet edhe me Greqinë, që njësoj ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë terror të vazhdueshëm mbi çamët dhe Çamërinë, bile kohëve të fundit edhe duke i “rirregulluar” vijat kufitare në favor të Greqisë, nuk ke si mos konstatosh se kjo është vërtet faqe e zezë. Edi Rama ia jep çelësin e Tiranës Goran Bregoviqit në dalldinë e tiranasve me atë serb që dikur e motivonte vrasjen e shqiptarëve, Berisha lidh miqësi me grekun e serbin, ndërsa ne shqiptarët këndej si romantikë të përjetshëm që jemi, vazhdojmë të besojmë se e kemi “nanën Shqypni”.
Aman! Nuk na duhet një Shqipëri e tillë! Kur “nuk i di Meta punt’ e veta”.