Vëllai i Kuliçit vrau një vajzë në Irlandë

0
51

• Eduard Kuliçi, i dënuar i përjetshëm. Ngjarja ka ndodhur më 22 shkurt 2003 në qytetin Sligo

Nikoleta Kovaçi, 09.04.2013

– 22 shkurt 2003. Qyteti i Sligos në Irlandë do të tronditej nga një vrasje barbare. Një femër gjendet e pajetë në ambientet e banesës së saj, ndërkohë që ishte strehuar në këtë shtet nga misionet fetare. Vrasja ishte kryer orëve të para të mëngjesit, ndërsa sipas të dhënave të mëvonshme të dosjes në ngarkim të Eduart Kuliçit, vëllait të të kërkuarit si i dyshuar për vrasjen e balerinës, mësohet se gjithçka u zbulua pikërisht nga shoku i autorit të krimit. Viktima 23 vjeçe, Lindita Kukaj, ishte njohur me shqiptarët pikërisht në këtë qytet dhe kishte bërë shoqëri me ta.

Mbrëmjen e 21 shkurtit ajo kishte dalë nën shoqërinë e dy djemve shqiptarë dhe kur ishin kthyer në banesë, Kuliçi kishte kërkuar të flinte në dhomë me miken. Vajza kishte refuzuar e për pasojë Kuliçi e kishte sulmuar duke i marrë jetën me duar. Mirëpo shoku i tij, i cili kishte qenë në dhomën tjetër të banesës nuk kishte kuptuar asgjë, gjersa Kuliçi i kishte kërkuar të largoheshin nga banesa pasi kishte vrarë Linditën. Miku i tij i shokuar ka hapur derën e dhomës së mikes së tyre dhe kur e ka parë të pajetë, është bindur të niset.

Rrugëtimi i tyre ishte në drejtim të Bruklinit, ndërsa në një pikë karburanti, shoku i Kuliçit ka mundur të telefonojë policinë duke i dhënë informacion të saktë për sa i përket mjetit. Kapen në rrugëtim e sipër, para se të mbërrinin në kryeqendrën e Irlandës, ndërsa hetimet për ngjarjen e rëndë vijuan për shumë kohë. Aso kohe ekspertët e hetimit irlandez mbërritën edhe në vendin tonë për të mësuar më shumë rreth viktimës dhe autorit, ndërsa në drejtim të të riut nga Tropoja, prokuroria dhe gjykata nuk ngurruan ta linin në burg të përjetshëm shqiptarin.

Viktima ishte një njeri mjaft i njohur në qarqet fetare të Sligos dhe gjendej atje që në vitin 1999, kohë kur nga një mision i Kishës Katolike ishin nisur në drejtim të Irlandës një grup të rinjsh pukjan, ndër ta edhe Lindita Kukaj, që më vonë ra pre e afrimit me shqiptarët që i konsideroi miq. Dy vite pas vrasjes dhe marrjes së dënimit me burgim të përjetshëm, mbrojtësit ligjor të shqiptarit i kërkuan drejtësisë irlandeze që i dënuari i tyre të kryente burgun në vendin e tij e jo në Irlandë, pasi legjislacioni i dy vendeve e lejonte.

Mirëpo në seancën për shqyrtimin e kësaj kërkese prokurori i çështjes, i cili kishte hetuar për javë me radhë në vendin tonë gjithçka që kishte të bënte me agresorin që i mori jetën vajzës, nuk lejoi kthimin e tij në burgjet shqiptare. Ai argumentoi para gjykatës: “Autori kishte lidhje të forta në vendin e tij dhe se drejtësia e vendit të tij është aq e korruptuar sa për një grusht parash, vrasësi i Linditës mund të fitojë lirinë”.