Lërini dramat e forta për soap operat televizive

0
68

Shëndeti dhe kënaqësia seksuale arrihen më mirë, kur dashnorët e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, kur janë mendjehapur dhe të kujdesshëm. Kush ka dhembshuri dhe kujdeset për partnerin, nuk mund të jetë egoist dhe agresiv. Seksi, kurrë, nuk duhet të jetë një detyrim. Mos përdorni kurrë shprehje si kjo: “Në qoftë se më do me të vërtetë, ti duhet të bësh seks me mua”. Këtu dëshira ngatërrohet me detyrimin.

Përpiquni të jeni vetja juaj, që të gjeni mënyrën më të mirë për të vepruar së bashku. Nuk është as e shëndetshme e as tërheqëse, kur përpiqeni të bëheni si dikush që nuk jeni. Mos e gjykoni e mos e krahasoni veten me të tjerë. Vlera juaj unike, nuk qëndron në ngjashmërinë me shokët, ose me yjet e medias. Ju do të dukeni kallp, po qe se imitoni të tjerët dhe nuk paraqiteni si vetja juaj.

Që të jeni vetja, ju duhet të ndjeni e të dini se kush jeni në të vërtetë. Përqendrohuni në përsosjen dhe lartësimin e personalitetit tuaj. Vetëm kështu, do të bëheni më interesantë dhe më specialë. Për të qenë të ndershëm dhe të dashur me të tjerët, ju duhet të jeni të ndershëm me veten dhe ta doni veten tuaj. Ju duhet të jeni të vërtetë me veten, që të jeni të vërtetë me të tjerët. Është me rëndësi të jeni të ndershëm, por duhet të tregoni simpati e dhembshuri për shokët e shoqet.

Shokët tuaj gay, lesbike dhe biseksualët nuk duhet të diskriminohen dhe të trajtohen si qytetarë të klasit të dytë. Mungesa e barazisë dhe e respektit të vërtetë për ata që janë ndryshe, përgatit skenën ku më vonë do të shfaqet agresioni seksual, përdorimi i forcës, abuzimi, violenca dhe përdhunimi në takime. Përdhunimi në takimet e të rinjve, ndodh, sepse vajzat portretizohen prej djemve si “kundërshtuese seksuale”, ndërsa, djemtë, shikohen prej vajzave si të “vendosur për seks”. Për sa kohë që ju u besoni këtyre roleve tradicionale, ju i vini kufij kënaqësisë dhe intimitetit.

Ju i hapni rrugën shfrytëzimit seksual. Në qofte se djemtë i trajtojnë vajzat si të barabarta, shoqërisht dhe ekonomikisht, vajzat do të inkurajohen për më shumë seks, madje, për seks më të mirë. Me këtë dua të them se vajzat duhet të jenë po aq të lira sa edhe djemtë, për të filluar marrëdhënien. Barazia i bën më të përshtatshëm kufijtë fizikë dhe emocionalë midis djemve dhe vajzave.

Studimet në të gjitha kulturat e botës tregojnë, sa më represive të jetë një shoqëri lidhur me seksin, aq më shumë inkurajohet frustrimi, agresioni dhe violenca seksuale. Suedia është më pak violente, nga ç’janë shumë vende të tjera. Pse? Sepse në Suedi ka më shumë mbështetje për kënaqësinë seksuale dhe për edukimin seksual.

Seksi duhet të jetë aktivitet serioz, por në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe gëzim, edhe lojë, edhe kujdes edhe kënaqësi e madhe. Pavarësisht zgjedhjes që keni bërë, ju e keni të vështirë të kontrolloni tërësisht ndjenjat tuaja, kur jeni duke bërë seks. Nuk është mirë të shtireni sikur nuk çani kokën për dashnorin, kur në të vërtetë shqetësoheni për të.

Tregoni kush jeni, pa i mbytur ndjenjat tuaja dhe pa u përpjekur të jeni zotërues. Kur jeni emocionalë, kjo nuk tregon dobësi. Krejt ndryshe, kjo tregon se jeni të shëndetshëm dhe normalë. Në qoftë se, gabimisht, e shikoni seksin si një lojë, të jeni të sigurt, që askush nuk do ta fitojë këtë lojë. Të dy mund të jeni të humbur.

Disa nga ju, mund të kenë më shumë se një partner, ndonëse, emocionalisht, janë më të lidhur me njërin prej tyre. Kjo tregon se ata nuk janë akoma gati për jetën seksuale. Dhe, shumica nga ju, nuk janë akoma gati dhe të aftë, që të jenë seriozë dhe të përkushtuar ndaj një personi tjetër. Deri sa e vërteta është kështu, atëherë, pse nuk prisni deri sa të rriteni edhe pak.

Duke pritur, ju do të bëheni emocionalisht më të përshtatshëm dhe do të ndjeni se jeni gati? Po nuk vepruat kështu, ka shumë mundësi, që ju të shkoni nëpër një seri marrëdhëniesh dramatike dhe prishjesh të dhimbshme. Këtë askush nuk e dëshiron. Vetëm zgjedhjet e mençura që do të bëni, do t’u japin qetësinë mendore. Juve nuk u duhen dramat e forta. Lërini dramat e forta për “soap” operat e televizionit.

Dr. Adem Harxhi
Këshillat e Dr. Harxhit mund t’i lexoni çdo të diel në Shekulli