TemA, 8 Prill 2013
Pas publikimit në gazetën “DITA” të disa pyetje të analistëve Mustafa Nano, Mero Baze e Andrea Stefani për Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën, Bamir Topin e Kreshnik Spahiun, Edi Rama ka reaguar duke iu përgjigjur pyetjeve që i janë drejtuar atij.
Pyetja e Mero Bazes: Na thuaj muajin kur u binde se pa Ilir Metën nuk fitoje?
Edi Rama: Që ne mund të fitonim edhe pa LSI, këtë nuk kam vënë ndonjëherë në dyshim, por që ne mund të zgjidheshim edhe pa LSI, kjo ishte një pikëpyetje që lindi në qershor të 2009 dhe u bë mal në majin e Tiranës 2011. Askujt më shume se sa mua (por besoj edhe Ilir Metës në anën tjetër, për arsyet e tij e jo të miat natyrisht) nuk i është dashur të kapërcejë kaq lart mbi vetveten për të ndërtuar, me durimin e një viti të gjatë këtë bashkim tejet të vështirë. Të cilin të gjithë e quanin të pamundur, megjithëse shumica dërrmuese e atyre që sot predikojne fundin e moralit e thoshin gjithnjë, ma kanë thënë edhe mua, se vetem ky bashkim i jepte fund sundimit të Saliut… Ejani në vete, s’jeni ju që më keni parë e kritikuar vazhdimisht e fare padrejtësisht deri edhe si diktator me të njëjtat tipare si të Saliut, ata që duhet të mërziten! Lërmani mua keqardhjen që nuk fitova vetëm…
Pyetja e Andrea Stefanit: Ç’farë do bëni për të risjellë ndarjen dhe balancën e pushteteve në shtet prishur me amendimet e Kushtetutës të vitit 2008?
Edi Rama: Ndërkohë do të kërkojmë një shumicë kushtetuese që do të na ndihmonte t’i riktheheshim edhe dokumentit themelor të shtetit për të riparë çka koha ka provuar se nuk shkon. Por edhe ne rast se kjo shumicë nuk do të gjendet në Kuvend, ne do të provojmë se edhe brenda kornizës së sotme kushtetuese mund të kemi pushtete të ndara, institucione të pavarura, procese gjyqësore të drejta, media të lirë, qytetarë të lirë.
Pyetja e Mustafa Nanos: Berisha përballë jush është një alamet alibie për dështimet e deritashme si lider opozite, apo është njeriu që do duhej ta kishit mundur me kohë?
Edi Rama: Ja pra ja, dështimet e mia si lider opozite thoni ju! Po cilat janë ato në të vërtetë? Me siguri humbjet “me nder” të 2009-tës dhe 2011-tës, ku vota e shqiptarëve u vodh dy herë qoftë në mbarë Shqiperinë e qoftë në Tiranë në majin 2011. Por ku edhe ju vetë, paladin i lirisë e demokracisë, nuk thatë ndonjeherë se i dështuari ishte Saliu që i grabiti votat, po unë, lideri i opozitës që nuk i mbrojta ato… Një zot e di se si mund t’i mbroja unë apo Partia Socialiste, votat e grabitura në një vend ku i vjedhuri linçohet e shpotitet si humbës ndërsa hajduti pranohet si fitimtar përderisa faji i mbetet të vjedhurit?! … Saliu nuk është një alamet alibie, po një alamet problemi që duhet ta zgjidhë 23 qershori dhe unë mbase jam njeriu që duhet ta kisha mundur me kohë, por mbase edhe s’mund ta mundja me kohë kur koha e Shqipërisë ka mbetur kaq mbrapa me gjykimin kaq relativizues të vjedhjes së votës…/A.XH