Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Qeveria shqiptare duket se ka humbur komunikimin normal me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, dhe po detyron partnerin më të rëndësishëm të Shqipërisë, të komunikojë publikisht problemet që ka me qeverinë shqiptare. Raporti i djeshëm i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, ishte më i ngarkuari më vërejtje serioze se çdo raport tjetër dhjetë vitet e fundit. Në të vlerësohej qartë se vendi vuan nga korrupsioni, mosndëshkueshmëria me ligj, problemet elektorale dhe presioni i hapur mbi medien. Raporti kishte detajuar të gjitha rastet që ilustrojnë këto probleme, duke reflektuar kështu zyrtarisht pikëpamjet e kundërta që qeveria amerikane ka me qeverinë e zotit Berisha lidhur me krizën elektorale, korrupsionin, shtetin ligjor dhe sidomos dhunën mbi mediet kritike me qeverinë.
Por një ditë pas Raportit, Ambasadori i SHBA në Tiranë John Withers, u detyrua të dalë sot publikisht para gazetarëve. Siç është traditë, zakonisht ambasadorët dalin të prezantojnë apo komentojnë raportin e qeverisë së tyre ndërsa ambasadori amerikan doli për të komunikuar publikisht një qëndrim të thellë mospajtues me qeverinë shqiptare lidhur me ligjin për Shërbimin Informativ.
Ky projektligj, i cili është vazhdim i përpjekjeve për të futur nën kontrollin e qeverisë Shërbimin Informativ, u shty disa herë para se të futej në rendin e ditës për shkak të vërejtjeve zyrtare që qeveritë perëndimore dhe kryesisht ajo amerikane paraqitën për të. Por mosdëgjueshmëria e qeverisë së zotit Berisha duhet të ketë shkuar aq larg, sa ekspertiza zyrtare perëndimore për këtë ligj është injoruar dhe po tentohet të miratohet një ligj që nuk pranohet nga standardet perëndimore dhe sidomos një ligj që nuk ka respektuar ekspertizë që kanë dhënë ekspertët amerikanë për të.
Kjo është shenjë e një distance të madhe që ka krijuar qeveria shqiptare me partneret e saj perëndimorë. Fakti që diplomati kryesor i SHBA detyrohet të dalë në konferencë për shtyp dhe të bëjë publike tentativat e dështuara të qeverisë së tij për të ndikuar mbi qeverinë shqiptare që të respektojë kornizën ligjore të standardeve perëndimore për shërbimin informativ, do të thotë, se punët kanë shkuar larg dhe qeveria e zotit Berisha ka humbur komunikimin normal dhe miqësor me qeveritë partnere perëndimore, të cilat jo vetëm e mbështetën për anëtarësimin në NATO, por dhanë dhe garancitë e duhura se Shqipëria do të përmirësojë standardet e saj demokratike.
Ajo që po ndodh ndërkohë para syve tanë është e kundërta. Ne kemi në dorë një raport zyrtar të qeverisë amerikane, që kritikon hapur qeverinë shqiptare për presionet mbi medien dhe dhunën ndaj tyre, për korrupsionin financiar dhe politik si dhe mos respektimin e shtetit ligjor, si dhe një debat publik mbi konceptet e ndryshme të dy qeverive rreth standardeve ligjore që duhet të arrijmë për veprimtarinë e shërbimit sekret. Shpresojmë që detyrimi i palës amerikane për të folur publikisht dhe hapur për problemet që ka me qeverinë shqiptare, të kuptohen prej kësaj të fundit si kufiri i fundit ku mund të shkohet dhe t’i rikthehet me seriozitet përmbushjes së detyrimeve të saj si vend anëtar i NATO-s dhe partner serioz i vendeve perëndimore përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.