Bardhi Sejdarasi
Për hir të së vërtetës unë kam qenë më i vëmendshëm kur fliste Sali Berisha, ndërsa nuk e kam pasur të njëjtin interes kur flet Kryeministri ynë. Nuk është se kjo që po them është një diskordancë apo lojë fjalësh. Jo! Ja sepse: Kryeministri ynë foli pak ditë më parë për “Shqipërinë që po vrapon” dhe duke iu referuar një SMS-je në celularin e tij tha se iu dërgon “Një përshëndetje shumë të përzemërt të gjitha bizneseve shqiptare, të cilat shënuan në dy muajt e parë të vitit një rritje rekord të prodhimit dhe eksporteve të tyre. Shqipëria po vrapon në këto dy muajt e parë të vitit”, tha Kryeministri ynë. Por në fakt nuk ishte tamam si në SMS-në e Kryeministrit, që ia kishin çuar me ngut këshilltarët e tij.
Në të njëjtën ditë foli edhe z. Sali Berisha, në një nga mbledhjet e zakonshme të qeverisë, ku me të drejtë ngriti një shqetësim. Çfarë tha z. Berisha në këtë mbledhje?
“Reformat janë perpetua mobile e shoqërisë sonë. Konsultat e hapura me të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare janë në traditën më të mirë të qeverisë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që në programin dhe në axhendën tuaj të parashikoni konsulta në tërësi për të gjitha problemet…, për të gjitha reformat që ne ndërmarrim. Konsultat duhet të përfshijnë grupet e interesit, të cilat për shkak të profilit të tyre kanë një ekspertizë të shkëlqyer”, tha z. Berisha duke shtuar edhe se “ne nuk mund të përfillim gjithçka, por duhet të dëgjojmë sa më shumë, të debatojmë sa më shumë”.
Bukur fort, por edhe me realizëm. Pra do të dëgjojmë dhe do të vendosim.
Le të kalojmë në terrenin konkret
Marrim një sektor, për shembull atë të hidrokarbureve, një sektor nga më të rëndësishmit e vendit, që kontribuon dukshëm në të hyrat fiskale të buxhetit. Por edhe që prek ndjeshëm konsumatorin shqiptar për shkak të koniunkturës së çmimeve dhe të nevojës së lartë për konsum të këtyre produkteve.
Sipas vendimit nr. 13, datë 10.3.2009 të Këshillit të Ministrave dhe Udhëzimit Nr. 3085/3, datë 2.4.2009, të firmosur nga ministrat R. Bode e S. Olldashi, janë përcaktuar tarifat e shërbimeve portuale për përpunimin e mallrave të lëngshme, ku hyjnë edhe shkarkimi i benzinës, benzolit, vajgurit të avionëve, si dhe të naftës, mazutit dhe bitumit në kalatat e porteve të Porto Romanos në Durrës, si dhe të Petroliferas në Vlorë.
Këto tarifa janë atribut i Këshillit Konsultativ të Autoritetit Portual, që drejtohet nga ministri, i cili mbulon portet dhe përbëhet nga 11 anëtarë prej sektorit privat dhe shtetëror, ku shumicën e zë sektori privat (Ligji nr. 9130, datë 8.9.2008 “Për Autoritetin Portual”, neni 15 dhe 16). Po sipas ligjit të mësipërm, (Kap. IV, neni 35-38) përcaktohet autoriteti për caktimin e tarifave, përgjegjësia për to, paanësia (për të mos shkelur barazinë e subjekteve përdoruese) e deri njoftimi për tarifat e reja ose të rishikuara, të cilat, sipas nenit 38, pika 2/b “Autoriteti portual duhet: a) ta botojë njoftimin në gazetën kryesore me tirazh më të lartë, që del në Republikën e Shqipërisë; b) t’u dërgojë me postë ose me mjete elektronike njoftim organizatave, anëtarët e të cilave ndikohen drejtpërdrejt nga tarifat e reja”.
Kujtojmë gjithashtu se zbatimi i këtij ligji mbikëqyret dhe zbatohet nga Organi Shtetëror i Autorizuar (OSHA), që përbëhet nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë dhe e Energjetikes, Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit, (i krijuar me vendimin nr. 297, datë 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave).
Hollësi që duhen për të “vlerësuar” çmimet e larta
I shkruam të gjitha këto “hollësi” për një arsye: që të bëhet sa më e kuptueshme për të gjithë ata që sot e gjithë ditën ankohen për çmimet abuzive në tregun e karburanteve nga operatorët e këtij tregu. Që do të thotë:
1. Tarifat portuale të porteve shqiptare të Porto Romanos në Durrës dhe Petroliferës në Vlorë janë rritur pa asnjë njoftim DYFISH, duke shkelur ligjin që iu referuam, si dhe duke dëmtuar në mënyrë të ndjeshme rieksportet e karburanteve në shtete të tilla si Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Nga 210 lekë/ton naftë që ka qenë tarifa portuale ajo është bërë aktualisht 580 lekë/ton, ose është rritur 276%. Tarifa portuale për një ton benzinë nga 480 lekë/ton është bërë 1139 lekë/ton ose është rritur 237%. E njëjta gjë edhe për produktet e tjera, por nuk po zgjatëm për to.
2. Kjo rritje “në mirëkuptim” e tarifave midis ministrave përgjegjës (OSHA) dhe koncesionarëve të dy pikave të hyrjes së karburanteve në vendin tonë nuk është se ka dëmtuar doemos kompanitë e importimit të hidrokarbureve në vendin tonë. Ajo u ka krijuar atyre sigurisht probleme që lidhen me ligjshmërinë dhe zbatimin e saj, por ajo që është për t’u shqetësuar është se këto tarifa të rritura dëmtojnë veçanërisht konsumatorët shqiptarë, madje edhe qeverinë, si konsumatore e karburanteve, sepse çdo tarifë e rritur kalon menjëherë në rritjen e çmimit të karburanteve.
3. Një qeveri tregon seriozitet jo vetëm kur duke mirëmenaxhuar resurset e saj (Portin e Durrësit dhe të Vlorës dhe dhënien e tyre me koncesion) ka rritur avantazhet e të bërit biznes dhe ka ndikuar në një performancë më të mirë të kompanive private të importimit e tregtimit të karburanteve, por sidomos kur respekton e zbaton vendimet e marra prej saj. Është e papranueshme që të rriten në mënyrë klandestine tarifa të tilla, të ndjeshme për këtë treg, duke mos zbatuar atë që ke firmosur e vulosur në një mbledhje të kabinetit qeveritar.
Kjo është aq e vërtetë sa tre ministri, METE, MPPTT dhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) në shkresat respektive nr. 6569, dt. 4.9.2009, nr. 5204, dt. 7.9.2009 dhe nr. 1688, dt. 10.9.2009 kanë marrë vendim për rritje tarifash, kur Organi i Autorizuar Shtetëror (OSHA) e ka firmosur këtë shkresë me nr. 6 që në datën 1.9.2009.
4. Duke mos respektuar pikërisht Këshillin Konsultativ të Autoritetit Portual dhe praninë e sipërmarrjes private në të, (siç me të drejtë kërkon z. Berisha) janë fiksuar tarifa të kalatës, të sigurisë në port, të rrezikut kundër zjarrit, të sigurimit të anijeve e të spedicionimit në shifra të palogjikshme e të pajustifikueshme ekonomikisht, duke anashkaluar në mënyrë të qëllimshme dispozitën ligjore të përshkruar në nenin 35, kreu IV i ligjit “Për Autoritetin Portual”, sipas të cilit “Tarifat e përcaktuara nga autoriteti portual, sipas pikës 1, janë në një nivel që i lejojnë atij të veprojë në baza vetëmbështetëse financiare dhe ato duhet të jenë të arsyeshme dhe të favorshme”.
Si paraqiten tarifa të ngjashme në vendet rreth nesh?
Informacioni është lehtësisht i lexueshëm vetëm nga një “vozitje” në internet. Pa u zgjatur në analizë, mësohet se taksa portuale në Itali është aktualisht (për një ton naftë) 350 USD, në Greqi 330 USD, në Kroaci 290 USD, në Mal të Zi 260 USD. Këtu përfshihen edhe taksat e pilotimit, ndërsa nëse i referohemi produktit benzinë, për shkak të nivelit më të lartë të sigurisë që kërkohet në stokazh, këto taksa portuale rriten në një mesatare nga 10-15% mbi taksat e deklaruara të naftës. Në Shqipëri sigurisht që ky tregues është mjaft më i lartë. Dhe arsyeton edhe opinionin e përgjithshëm se “në Maqedoni, p.sh., nafta është më e lirë se në Shqipëri!”. Po le të vijojmë me të tjera argumentime ekonomiko-financiare.
Sa kushton nafta në Shqipëri?
Tregu ndërkombëtar, pra edhe ai i hidrokarbureve, u përfshinë në krizën globale ekonomike dhe ndien efektet e kësaj krize. Pas kalimit të rreth 10 muajve të kësaj krize, u vu re një stabilizim, që u duk edhe te vetërregullimi i çmimeve në bursë për produktet dhe nënproduktet e naftës. Aktualisht çmimi i një fuçie naftë në bursë për vitin 2009-2010 varion nga 50-81 USD/fuçi. Për ekonomistët që njohin çmimet e tregut kjo do të thotë se 1 ton naftë mund të gjendej me çmimin 490-730 USD/ton.
Rëndom në mjedise mediatike dhe joprofesionale e madje edhe te ndonjë autoritet shtetëror gjykohet për abuzivizëm në tregun e karburanteve. E kam përmendur edhe më parë dhe detyrohem ta përmend edhe në këtë shkrim, se “abuzimi” i shoqërive të hidrokarbureve duhet provuar. Dhe kjo mund të bëhet edhe me një analizë të thjeshtë ekonometrike. Për shembull, duke analizuar “formulën” shqiptare të formimit të çmimit të një litri karburant.
Çmimi i karburantit formohet nga më shumë se dy elemente.
Së pari, nga çmimi i bursës (Platts) dhe çmimi i transportit nga pika e furnizimit deri në hyrje të territorit shqiptar (ky çmim është frekuent, ndryshon me orë dhe varet nga koniunktura botërore e çmimit të naftës).
Së dyti, nga kursi i këmbimit USD/lekë, i cili gjithashtu është variabël, i ndryshueshëm.
Të dy treguesit e mësipërm janë lehtësisht të disponueshëm për cilindo që dëshiron të bëjë një analizë çmimesh (burimi: Reuters, Bloomberg, BSH). Nga studimi i tregut, dy treguesit e mësipërm nuk kanë mundur asnjëherë të përbëjnë më shumë se 40-45% të çmimit real të tregut për një litër karburant.
Elementi i dytë, jo më pak i rëndësishëm në analizën e formimit të çmimit të një litri karburant, që përbën 55-60% të çmimit real (pa llogaritur këtu pagat, investimet kapitale të kompanive, interesat e kredive dhe borxheve të tyre, amortizimin etj.) përbëhet nga:
1. Akciza, që tashmë është një shifër fikse (37 lekë/litër karburant); 2. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH = 20%); 3. Taksa e karbonit aktualisht (1 lekë/litër); 4. Taksat portuale, lehtësisht e verifikueshme në autoritetet portuale shqiptare; 5. Shpenzimet e shkarkimit të anijeve, taksa e kalatës, e zjarrfikëseve etj.; 6. Kompanitë paguajnë Inspektoratin Qendror Teknik për analizën e cilësisë së produkteve.
Kjo është “faza e parë” e taksave të paguara nga shoqëritë e hidrokarbureve, që e çon produktin deri në depozita. Në një fazë tjetër, kur produkti i drejtohet tregut të shumicës, analiza kërkon përfshirjen e tarifave të tjera si tarifa e gjelbërimit, ajo e reklamës, tarifa e tabelës, e pastrimit apo edhe taksa e pasurisë. Të gjitha këto janë detyrim ligjor dhe paguhen “deri në një” nga çdo subjekt i licencuar. Por, duhet të mos harrojmë se, në këtë fazë të shitjes (shitja me shumicë e hidrokarbureve) detyrime të tjera kanë të bëjnë me pagesat për Drejtorinë e Peshëmatjes dhe Kalibrimit, IQT etj. Sipas ligjit të TVSH-së, kompanitë duhet të paguajnë edhe 20% TVSH në shitje.
Duke iu referuar “algjebrës elementare”, është e kollajshme të kuptohet se totali i taksave dhe tarifave që paguhen në territorin shqiptar për një ton karburant të shitur është saktësisht 765 dollarë amerikanë.
Çdo të thotë kjo?
Kjo do të thotë që çdo operator i licencuar në tregun e hidrokarbureve, për çdo litër naftë të shitur derdh në buxhetin e shtetit 765 USD/ton. Referuar kursit mesatar të konvertimit të dollarëve në lekë, si dhe densitetit të produktit, rezulton që për vitin 2009, për çdo litër karburant të shitur është paguar vetëm në arkën e shtetit (buxhet) rreth 600 lekë/litër. Kjo do të thotë se rreth 55% e çmimit total të produktit të shitur është taksë fikse, që nuk mund të shmanget kurrsesi dhe as që ka lidhje me koniunkturën ndërkombëtare.
Dua të theksoj edhe një herë që nuk kam llogaritur në këtë analizë asnjë prej kostove të tjera të biznesit të karburanteve, (amortizimin, nivelin e investimeve, pagat), ndërsa për statistikë përmend se mesatarja e investimit vjetor të kompanive të hidrokarbureve shkon jo më pak se 10 milionë euro/kompani. Përveç kësaj, kompanitë (dhe kjo verifikohet lehtësisht) janë pothuajse të gjitha kliente të bankave të nivelit të dytë me kredi qindra milionëshe dhe me problem të paaftësisë paguesve të interesave të këtyre kredive. Treguesi është aq sinjifikativ, sa llogaritet që për 100 USD të investuara, kompanive të hidrokarbureve iu bie të paguajnë 120 USD në shtet.
Nuk mbaron këtu!
Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë ndryshimin e ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar. Ligji nuk është diskutuar ende, por ai parashikon rritjen 200% të taksës së karbonit. Në të vërtetë, në të gjitha vendet e BE-së përdoret taksa e karbonit, e cila aplikohet mbi sasitë e emetimit të gazit karbonik (CO2) në natyrë. Kjo taksë është paguar deri sot për çdo litër gazoili, benzinë dhe benzoli të importuar apo të prodhuar në vend. Askush nuk e ka marrë vesh se si është llogaritur kjo taksë dhe përse përdoret ajo pasi vilet. Në Shqipëri nuk ka ende struktura të specializuara që të mund të përcaktojnë sasitë e emetimit të CO2 nga përdorimi i lëndëve djegëse, në kuadër të mbrojtjes së mjedisit.
Qeveria ka kërkuar rishikimin me synim rritjen e taksës së karbonit nga 0.5 lekë për benzinën dhe benzolin në 1.5 lekë/litër dhe nga 1 lek/litër për gazoilin në 2 lekë/litër për këtë produkt. Argumentimi i qeverisë është logjik: sjellja e këtyre taksave në nivelin e vendeve të BE-së! Sipas burimeve nga Ministria e Financave, ky dyfishim i taksës së karbonit i shton buxhetit të shtetit rreth 800 milionë lekë të ardhura vjetore. OK! Por edhe kjo taksë do t’u shkarkohet konsumatorëve të karburanteve dhe ata do të vijojnë të thithin të njëjtën sasi CO2 si deri më sot, sepse nuk ka asnjë shans që kjo të përdoret për reduktimin e ndotjes dhe për mbrojtjen e mjedisit.
Në përfundim…
Kur këtyre iu shton edhe marifetin e ndryshimit klandestin të tarifave portuale, me qëllimin e favorizimit të pandershëm të një apo dy kompanive koncesionare dhe të përfitimit që sjell vetë duopol-i i magazinimit të produkteve e nënprodukteve të karburanteve, kjo do të thotë se jo vetëm që “perpetua mobile” e z. Berisha duhet të bëhet partneriteti dhe konsultimi ligjor me aktorët e interesit, por entet ligjore si Autoriteti i Konkurrencës etj., duhet të ndërhyjnë në frenimin e abuzimeve nga kompanitë koncesionare apo vërtetimin si të tillë të tyre dhe marrjen e masave respektive ligjore.
Në të kundërt, z. Berisha do të kërkojë sërish në mbledhjen tjetër të qeverisë konsulta të hapura me biznesin, ky i fundit do të paguajë tarifa të rritura për të mbushur arkën e qeverisë, por sigurisht jo nga xhepi i tij, por ai i konsumatorëve të shumtë të tregut të hidrokarbureve.