Shefqet Dibrani: Poezia e Sadik Krasniqit
Sadik Krasniqi „OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008, faqe 96. ISBN 978-9951-06-210-7
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Poeti Sadik Krasniqi në përmbledhjen poetike „OFSHAMË NË URNË“, ka artikuluar motivet dhe dramën jetësore të poetit në mërgim, dramë të cilën e ndërlidh me zhvillimet dhe aktualitetin e gjithëmbarshëm kombëtar. Me gjithë nuancat e theksuara të poezisë që merren me zhvillimet nacionale, një tufë e tërë e poezive të këtij autori kanë motive lirike të cilat bashkë me të tjerat kanë bërë për të besuar se ky poet (si gjithë poetët tjerë) të shprehë sinqeritet dhe përkushtim për të regjistruar jetën e tij, qoftë në atdhe me tërë zhvillimet dramatike, qoftë si mërgimtar, poezi këto të cilat ku më shumë e ku më pak kanë shprehur çiltërsinë dhe ndjenjën krijuese.
Libri me poezi „Ofshamë në urnë” ndahet në pesë njësi ciklike: „Kllapi e blertë“, „Pikëllim i ngrirë“, „Vello ujore“, „Unazë dheu“ dhe cikli poetik „Hija e grisur“. Këto njësi ciklike nuk ndryshojnë edhe aq për ndonjë motiv poetik që e specifikon dhe e dallon njërin cikël nga tjetri, që do t’ia vlente për t’u theksuar më shumë, por si tërësi këto cikle kanë regjistruar një lloj kronologjie të krijimeve poetike që ky autor prej vitesh i ka vjelë e sistemuar me kujdes.
Gjithsesi në ciklin e parë: „Kllapi e blertë“, poeti i ka përfshirë poezitë që kanë një ndjenjë dhe një përjetim specifik. Në njërën sysh ai ka edhe këtë përkushtim: “Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt”, kjo poezi mund të klasifikohet edhe si poezi lirike, ku poeti i kushton vargjet e bukura të të dashurës për “buzët, sytë dhe shpirtin”, por në anën tjetër poezia i kushtohet atdheut të tij dhe fatit tragjik që përjetoi kombi ynë në kapërcyell të shekullit që ia kthyem shpinën. Në poezinë “Tri miniatura për Kosovën” poeti ka bërë vargje për “emrin, shtëpinë dhe gjuhën” të cilat si miniatura poetike qëndrojnë dhe lartësojnë vlerën poetike të këtij cikli.
TRI MINIATURA PËR KOSOVËN
(Emri)
Nëse përsëri më pagëzojnë
Kush do ta mbajë në mend
Emrin tim të vjetër
A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë(Shtëpia)
Nëse m’i lëkundin muret
A thua sërish do ta gjej
Në vatër
Gjarprin e shtëpisë(Gjuha)
Nëse ma shterin detin
Me çka t’ua turbulloj fëmijëve
Lumin në përrallën
Mbi ujkun dhe qengjin(Faqe 12)
Poezia që cituam ngërthen dramën reale të të sotshmes sonë në të cilën si kurrë më parë, Kosova ka gatishmëri për ndryshim të identitetit të saj, duke iu imponuar një Flamurë që s’ka asnjë ndjenjë nacionale me tendenca në rritje për të folur një gjuhë tjetër e cila që nga rrugët e deri në instancat shtetërore po aplikohet pa asnjë rregull dhe asnjë normë. Poezi të realizuara që kanë një ndjenjë përjetuese po aq sa poezia që përfolëm më lart janë edhe poezitë: “Kllapi e blertë”, “U(r)në pranë lumit”, “Ofshama bëhet flutur”, “Loti i jetës”, “Të keqes” e ndonjë tjetër.
Në ciklin „Pikëllim i ngrirë“, poeti merret më shumë me dramën nacionale nëpër të cilën kaloi kombi ynë, poezi këto që në një mënyrë a në një tjetër kanë bërë biografinë jetësore të poetit, kanë shprehur ndjenjat e tij dhe kanë përshkruar me hollësi edhe idealin e tij. Ndër poezitë më të realizuara që gjenden te ky cikël padyshim janë: “Kronikë për qytetin tim”, “Krrokamë e krisur”, “Urdhri, kushtuar Martin Çunit”, “Shqipet morën dhenë”, “Gjarpri i shtëpisë”, “Varri i humbur”, “Shqipëria ‘97” etj. Te poezia “Guri i truallit”, ndeshim këtë refren: “Me këtë gur/ ngrijmë kulla/ harkojmë ura/ gjejmë gurra/ pagëzojmë burra”, kurse kundër pesha e këtij refreni sendërtohet me vargjet ose siç shprehet poeti “kur luan vendi ky gur trolli” do të “kallen kullat/ prishen urat/ shteren gurrat/ tmerrohen burrat” të cilët “nëse s’i gjeni brigjeve/ kërkoni shtigjeve”, elemente këto që i gjejmë edhe te poezia “Guri i kullës”, që ia kushton poetit Din Mehmeti:
GURI I KULLËS
(Din Mehmetit)Kur m’i këndon Kosovës
më bëhesh
gur i kullës së djegur në gjak
yll në kap(t)yll të djepit në galdim
frëngji malli në shikim kah deti
pushkë në krismë
“Zog i Dielli”
në tel të lahutës
me këngë drite në zemër(Faqe 36)
Cikli „Vello ujore“, përbëhet nga poezitë lirike të cilat kanë një finesë dhe një realizim artistik, herë, herë meditativ dhe provokues ta zëmë:
VAJZË
Vaj vaj vaj
E vaj me zë
VajzëFaqe 53.
Poezi të tjera që kanë një invencion artistik janë edhe poezitë: “Sytë e asaj vashe”, “Prishtina në korrik”, “Ulqinakja”, “Pritja e lagur”, “Dashuria e hijeve tona”, “Pas vdekjes tënde”, “Fushë e ngrirë” e ndonjë tjetër.
Poezitë e përfshira në ciklin „Unazë dheu“ sikur qesin në pah mallin dhe dashurinë e poetit për Atdheun pasi “… Dheu i Kosovës/ mban erë molle”, aromë me të cilën poeti “Do t’ua sjell rreth koke/ Albinit e Galdimit” për “t’ua nyjëzuar shpirtin me Kosovën”: Jo vetëm te këto vargje por edhe te poezitë ”Në Çamëri”, “Bisedë në Aksaraj”, “Atje dhe këtu”, “Vdekja në kurbet”, “Takimi me nënën në kurbet”, “Letërzeza” etj, flasin për dramën jetësore të poetit në mërgim të cilën e shpreh me pezëm dhe dëshpërim kudo nëpër vargjet e këtij cikli, po më ndjeshëm, më drejtpërdrejtë e gjejmë te poezia:
REFUGJATI
As qetë e premtuar për lavër
As dele në vath për tambël
As dhe për arë e farë
Askund as bar
Vetëm gurë e gurë
Për varr(Faqe 69)
Cikli „Hija e grisur“, i përmbledh poezitë të cilat për kah gjuha shprehëse janë më kritikuese, duke shprehur pezmin për një sërë mangësish që e përshkojnë shoqërinë tonë njerëzore. Ky cikël më mirë së ciklet tjerë e artikulon përditshmërinë tonë e cila si reflektim i ka nxjerr poetit një tip poezie që shprehë një lloj proteste qytetare siç do të vërehet ku më shumë e ku më pak edhe te poezitë: “Gjuha thikë”, “Hija e grisur”, “Kohë e sëmurë”, “Përrallë për kalorësit e zi”, “Pa titull” etj, por për ilustrim po sjellim poezinë “Hipokrizia” e cila më së miri shpreh protestën tragjike në mënyrë poetike.
HIPOKRIZIA
Kur Patrioti
Bëhet PartiotAtdheu
Bëhet xhepLulet e vjedhura
Pikëllohen mbi varreMe ironi
U fishkëllehet lapidarëve(Kosovë ’06, faqe 85)
Nga kjo që thamë më lart shihet se autori ka bërë një sërë përpjekjesh poetike për të artikuluar më mirë mendimin poetik për realitetin nëpër të cilin ai si qytetar ka kaluar, duke e përshkruar jetën dhe të jetuarit e tij nëpër poezi ai ka prezantuar ndjenjën dhe përjetimet që dalin si një metaforë e cila e ka nismën qysh në rinin e hershme, duke vazhduar sikurse rrjedha që lë gjurmë të dukshme, ashtu edhe poezia e këtij poeti ka regjistruar jetën e njeriut në mes kësaj drame kolektive që do të shprehet bukur te këto katër vargje të një poezie më të gjatë: “Kroi i Çamurlisë/ pikon dhimbjen në gjak/ fushat mbushen lulëkuqe/ yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës/ ofshama gjallëron frymëmarrjen”, faqe 14.
Sadik Krasniqi ka nisur të shkruaj qysh në kohën e studimeve, do të thotë në kohën e një pjekurie akademike, atëherë kur jeta e tij sado kudo ka marrë kuptimin e plotë, por që ishte përplot ideale e ambicie s’ka dyshim, por rrjedha si rrjedha, dhe Kosova me gjithë dramën e asaj kohe ndryshoi jetën e kosovarit si një proces që nuk i dihej saktësisht se ku do të përfundoj, ashtu sikurse që nuk i dihet as rrjedhës së lumit që nuk shteron kurrë, pra jeta e poetit mbetet rrjedhë aq sa poezia që ka shënuar vazhdimësi, tamam sikurse lumi që nuk ndal shtegtimin e tij. Pra këto tri komponente sikur e ndërtojnë metaforën jetësore të poetit në mërgim. Prandaj mendojmë se rrjedha jetësore e ka bartë poetin bashkë me fatin e tij krijues diku në vende e dhera që domosdo duhet të lëshonte rrënjë, ashtu sikurse pema që shkulet e mbillet kudo mbi këtë tokë dhe përsëri jep frutat e saj, ashtu ndodh edhe te njeriu i cili mbarësohet, mbushullohet e trashëgohet me pasardhësit e tij, kurse e veçanta te poetët është se ata mbushullimin dhe lulëzimin e artikulojnë në poezitë e tyre. “Atje lash/ një pjesë zemre peng/ për një copë gur/ këtu/ Gjarpri i shtëpisë/ Helmohet nga pikëllimi”, poezia “Atje dhe këtu”, faqe 68.
Sadik Krasniqi në poezinë e tij ka elemente elegjiake si “fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes”, ku drama e gjithëmbarshme e braktisjes së atdheut i ka caktuar edhe atij rolin e imituesit që detyrimisht jep imazhin e përjetimit poetik, si vlerë e realitet me një përjetim tragjik, ku fundi i imazhit nuk e përcakton përjetimin poetik si lëndë dhe si strukturë poetike, por e përshkruan imazhin si një përjetim emocional të cilit mundohet t’i jap nënqeshje lirike përplot nuanca jete e shprese ku e sotmja dhe e nesërmja shihen me syrin e perspektivës duke shkrirë të sotmen e duke ngjizur të djeshmen e cila te ky bllok i poezive shikohet e kujtohet me mall e nostalgji. Poezitë lirike janë përjetime më racionale dhe kanë një ndërtim artistik të qëndrueshëm që kurdoherë shprehin ndjenjën e përjetimit a të flirtit si kryekreje e një elementi që i jep poezisë jetë e gjallëri, dhe emocione gjithsesi më përjetuese.
Këto nuanca përjetimi i ndeshim qysh në vargjet e poezisë “Pas vdekjes tënde”, faqe 57, (vargje të cilat i ka vënë edhe kredo të këtij vëllimi poetik), në të cilën poeti beson se “edhe pas vdekjes tënde/ prapë do të ketë fushë të blertë”, ku do të simbolizojnë synimin si qëllim për të ndërtuar imazhin lirik të kësaj poezie që bartet e përshkohet nga cikli në cikël.
Një bllok i tërë i poezive të këtij poeti mëton të regjistroj, e pse jo të ballafaqohet me të kaluarën si një lloj sfide për ta përballuar të sotmen me nuanca porosie për ta ndërtuar të nesërmen e cila pa dyshim do të vjen më e begatë se e sotmja e tendosur nga streset e përditshmërisë së hallakatur siç e kemi rastin te poezia kushtuar “gjyshërve tanë” në të cilën poeti nuk do t’ia fal vetës “që s’e mësova/ orën e diellit mbi rërë/ që të dija të ligat e motit”, faqe 15.
Kjo dramë e ballafaqimit me të sotmen duke iu referuar të djeshmes për ta sendërtuar të nesërmen sikur bëhet një temë obsesive e autorit i cili mëton që lëndën e tij krijuese të vë në një sfond të bardhë mbi të cilën do të luhet drama njerëzore e cila është përplot përpjekje e gjakosje. Jo rrallë na duket që ky lloj sfondi i bardhë i vënë si në prapaskenë, por, tashmë në teatrin poetik të Sadik Krasniqit shërben si shtrojë mbi të cilën aktorët shkelin pa mëshirë për t’i dhënë jetës jo vetëm të bukurën e artin por edhe për ta shëmtuar e gjakosur më shumë, si një përpjekje që do të dallon a diferencon edhe më shumë të shëmtuarën dhe të ligen të cilat sikur i ka vënë përball të bukurës dhe dinjitetit të qytetarit i cili mëton dhe beson për të ardhmen e tij më të mirë, më të bukur dhe më fatlume se “shqipet e lidhura/ fluturonin/ e të lirat ranë për tokë”, kurse në këtë tokë, në këtë vend “të shenjtë/ mbetën vetëm varret”, faqe 86.
Në këto përjetime poetike, askush më mirë se vet poeti nuk ka ditur dhe nuk do ta përjeton dramën e tij jetësore, dhe dramën e popullit si kolektivitet me të gjitha tragjizmat dhe ngadhënjimet e mundshme. Deri sa drama personale regjistrohet si një lloj e përjetimeve emocionale me mjaftë nuanca dëshpërimi e zhgënjimi, te drama kolektive sado që ka nuanca pesimizmi gjithmonë gjendet një shtegdalje dhe shihet një shenjë dhe dritë për të ardhmen më të ndritur më të përparuar ashtu sikurse “Galdimi dhe Albini/ Kosovën do ta gjejnë të bleruar/ edhe pas njëmijë vjetësh/ kur ta puthin për herë të parë/ kanë për të ditur/ se kanë puthur Diellin e vet…”, (Ninda ’99, faqe 65).
Ky poet qysh me librin e parë me sukses relativizon përmasat e jetës në mërgim si ekzistencializëm historik dhe përjetues të cilat me një çiltërsi ka arritur të ringjall kujtesën historike për data dhe bëma që historinë e një kombi e bëjnë më të kujtueshme dhe shumë më të pranueshme.
Poezia e Sadik Krasniqit që është përfshirë në librin “Ofshamë në urnë” shpresojmë se i paraprinë poezisë së këtij autori që do të pason në librat e ardhshëm. Megjithatë edhe me këtë përmbledhje ai ka dëshmuar një përvojë që ka kaluar nëpër sfida jetësore.
St. Gallen, dhjetor 2009.
Shefqet Dibrani
SHËNIME PËR AUTORIN
Sadik Krasniqi (24.05.1961). Lindi në fshatin Llukar të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme si dhe studimet i ka kryer në Prishtinë. Është diplomuar në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas studimeve ka punuar si arsimtar i Gjuhës Shqipe në fshatin e lindjes deri sa ka emigruar në Gjermani.
Me shkrime është marr si student dhe krijimet e tij janë botuar pothuaj në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar poezi, tregime si dhe vështrime kritike.
Poezitë e Sadik Krasniqit janë shpërblyer nëpër konkurse letrare, janë përfshi në antologji si dhe është e përkthyer edhe në gjuhën frënge.
Sadik Krasniqi jeton në Gjermani.
Vepra letrare:
„OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008.
(Sh.Dibrani)
Cikël me poezi nga libri „OFSHAMË NË URNË“
SADIK KRASNIQIKLLAPI E BLERTË
Te ky i shenjti krua
Me etjen e plasur
ujin e treqind pranverave pijë
Plagët më gjelbërohenVorbullës flluskat ia heq
Ia gjej damarët e lagur
Hijes plot vesë të shelgut bluRrjedhën e tjerr me sy
Në rrjetën ujore
Bëhem merimangë e njelmëtMe pikla në buzë
Më zënë ethet e Zanës
Treqind vjet e pres një vetëtimë
Të ma heq nga bebëza kllapinë e blertëU(R)NË PRANË LUMIT
Jam u(r)në gjetur pranë lumit
plot dhembje me erë ashti
Ofshamë që dridh
një gjeth të blertë mbi valëNë zgavrat e syve
qiell i pafund
me një pikë të zezë me flatra
e dalë nga bebëzat e përmalltaEdhe pas dymijë vjete
hirit m´i bën hije
krahu i dallëndyshes
me fluturimin gri drejt pranvereOFSHAMA BËHET FLUTUR
(Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte
diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt)Për atë shpirt të djegur
Ofshama bëhet flutur
Fluturon në pranverën gri
Lëshon dhimbje në lulet e hirit
Për ata sy të shterë
Loti bëhet yll
Dhe bie si dritë
Mbi varret syçelë
Për ato buzë të hirta
Puthja bëhet mjellmë
Fërfëllima e krahëve të bardhë
dridh hënëzën e liqenit valëmallTRI MINIATURA PËR KOSOVËN
(Emri)
Nëse përsëri më pagëzojnë
Kush do ta mbajë në mend
Emrin tim të vjetër
A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë(Shtëpia)
Nëse m’i lëkundin muret
A thua sërish do ta gjej
Në vatër
Gjarprin e shtëpisë(Gjuha)
Nëse ma shterin detin
Me çka t’ua turbulloj fëmijëve
Lumin në përrallën
Mbi ujkun dhe qengjinLOTI I JETËS*
(Kroit të Çamurlisë)Pikon lotin e gurit
mbi syrin e verbër
bebëzës ia jep blerimin
dhe zë fill drita në liqe
Pikon shpirtin e ashtit
Shqiponja merr fluturimin
kalon ylberin
dhe hedh plisa mbi djepa
Pikon shkëlqimin mbi vetull
me puthje vajza zë diellin
hijet masin gjatësinë e jetës
me dridhjen e hënës së trembur
Pikon dhimbjen në gjak
fushat mbushen lulëkuqe
yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës
ofshama gjallëron frymëmarrjen.*Fituese e çmimit te parë në konkursin letrar të ”UPSH” në Gjenevë
S’DO T’IA FAL VETES*
(Gjyshërve tanë)S´do t´ia fali vetës
Qe s´e plaka një hije lisi me ju
Deri të gërvishtej hëna në rrem
E t á mësoja dhembjet natës
S´do t´ia fali vetës
Që s´e ftohëm gurin
E t´ia mpija gjarprit
Dhëmbin me helm
S´do t´ia fali vetës
Që s´e mësova
Orën e diellit mbi rërë
Që të dija të ligat e motit
S´do t´ia fali vetës
Që s´ua nxora fjalët e ashtit
E të dija për shpirtin e gjakut
Në atë flakë që më digjte të gjallë.*Fituese e çmimit te dytë në konkursin letrar të ”UPSH” ne Gjenevë
TË KEQES
Të keqes
Verboja sytë
Para se t´i dalin dhembëtMadje pa drojë
Fshehe pragun në dritëSHI DHE TROK KALI
Në këtë natë me shi dhe trok kali
Shaloj hingëllimën e trembur
Mbërrij tek babai dhe varri i çelë
Zë çastin e ndarjes
E puthë të gjallë
Me urnën e pikëllimit
Ia marr lotin e mallit
Në dhimbje më bie drita e kometës
E në qiell shndrit nuri i tijKRONIKË PËR QYTETIN TIM
(Lumit)
Ia ndotën bukurinë në kaltërsi
ç´u bë damar i sëmurë i qytetit
E varrosën solemnisht me duartrokitje
Qytetarët e moçëm
ku do t´i lajnë fytyrat e djersitura
nga kujtimet për kohën
vashat ku do t´i njomin bebëzat për dashuri
Me qerpikë të pluhurosur djemtë
Si do t´i gjejnë vashat
në takime të humbura
Të vegjlit do t´i harrojnë format e peshqve
(në ëndrra të luajnë me ta do të përpiqen)
Nekrologjinë e lumit të vdekur
e gozhduam në zemër të blirëve
Ata nga dhembja lotuan gjethe
Pranvera se ç´na u tha trotuareve(Moti)
Tri herë stinët në ditë ndjekim njëra-tjetrën
(qytetarët kurrë s´e humbën ngrohtësinë e gjakut)
mysafirët kurrë s´arritën t ´i veshin rrobat e motit
erdhën me ëndrra të vonuara si mollët e pjekura
u kthyen me sëmundjen e eshtrave(Varri)
Varre prapa »Kodrës së Diellit »
Varre prapa « Kodrës së Dragodanit »
Qytetarët në mëdyshje
se ku t´i amshojnë eshtrat
shtyjnë vdekjen për nesër
përditë vdekjen shtyjnë(Spitali)
portën sëmundjeve ia mbyllën në fund të qytetit
Jetën aty e arnojnë fëmijët
në atë anë ku perëndon dielliPrishtinë `87
KRROKAMË E KRISUR
Krra krra krra
N´bredhin e trishtuar pranë dritares
Krrakos sorrë e krisurKrra krra krra
Krrokamë e harlisur
Grith terrin si ferrinKrra krra krra
Sorrë si katrani
Gërvisht ëndrrën deri në përgjakjeKrra krra krra
Krrokamë e harbuar
Prapa kreje trurin ma krryenKrra krra krra
Tmerr
Ferr
N´terr
Në tru më therURDHRI
(Mikut M. Çuni)Në qelinë nr. 3
Mos e lejoni gjumin
se djaloshi i pabindshëm
sheh në ëndërr lirinë
puthë vashën që e pret
dhe çmallet me nënën…SHQIPET MORËN DHENË
(Shtëpisë së alfabetit në Manastir)Kot e prishni folenë
Shqipet kanë atdhenëKot e kallni folenë
Shqipet morën dhenëGJARPRI I SHTËPISË
Natën
fëmijës në djep lulak i bëhet
po e shkele ditën
zemrën ia gërryenNatën e gëzimit
nuses gjerdan i bëhet
po e shkele ditën
ia helmon bukurinë
bleruar në bebëzaDitën e mbaj në zemër
tmerrësisht të bekuar
në etje për takim
natën më mban në rreth
duke ia ruajtur fshehtësinë vatrësprill’ 87
GURI I KULLËS
(Din Mehmetit)Kur m’i këndon Kosovës
më bëhesh
gur i kullës së djegur në gjak
yll në kap(t)yll të djepit në galdim
frëngji malli në shikim kah deti
pushkë në krismë
“Zog i Dielli”
në tel të lahutës
me këngë drite në zemërGURI I TROLLIT
Me këtë gur
ngrijmë kulla
harkojmë ura
gjejmë gurra
pagëzojmë burraMedet kur luan vendi
ky gur trolliKallen kullat
prishen urat
shteren gurrat
tmerrohen burratMedet ky gur trolli
shpesh rrasë vorriVARR I HUMBUR
(Micit)Nëse s´e gjeni brigjeve
E kërkoni shtigjevePa ia gjetur plisin
Mos ia rrëzoni lisin…tetor ’88
SHQIPËRIA ’97
Qava kur s’të pashë
Qava kur të pashë
Qava si të lashëPaqja e qiellit
Raft mbi ty
ShqipëriNidda ’97
XIXËLLONJAT
Flutura që s´ vdesin kurrë
Vetëm pranverat ndërrojnë
Prej lumit dalin ujore në brigje
Mbi grunaja qiellin zbresin
Ato bëhen yje larg hëne
Në xham në pikënatë duke i soditur bebëzat i përmallin
Duke lypur udhën qumështore për atdhe
Në ballin e bardhë të fëmijëve dritë engjëllore bëhenSYTË E ASAJ VASHE
(N-së)Vetulla hark i zi
Nga vetulla në sy
largësia yllësi
Qerpikët
plepa blu në qiellin gri
hijesojnë njomësinë në urtësi
ç ´bukuri
n´ sy
ndry
n´frëngji
Oh mos të rëntë kurrë lot i zi
në ata sy
Kurrë mos t´u djegtë
ajo bukurigusht `87
PRISHTINA NË KORRIK
(Pa Ty)Diell diell diell
Prush tokë e qiell
Sheshi shkretëtirë pa erë
Blirët kordon helmetverdhë
Trotuaret (kah vjen ti) plot mall
Lulet në bebëza zjarr
Pritja e pluhurosur me tmerr
Prishtina pa ty vetëm ferr ferr ferr…Prishtinë, korrik ´91
ULQINAKJA
Në atë kaltërsi
Fustani yt i flakur
Bëhet pulëbardhë
Mbi valëE ti kripë e krisur
Në puthjeUlqin ’07
PRITJA E LAGUR
Në këtë pritje të lagur
nëse s´ma heq brengën
bile ofshamën ma ndiej
Për shenjë dhembjeje në fytyrën tende
vuajtjen do ta vari në cep të yllit
gjersa bebëzat të pikojnë mallVAJZË
Vaj vaj vaj
E vaj me zë
VajzëDASHURIA E HIJEVE TONA
1
Ndërsa të ndrojtur ndërronim lulet
hijet tona etshëm putheshim
Në rërën prush me thembra të djegura
këmbë pas këmbëve masim dashurinë e tyre
Ec ec e ec
për ta zërë diellin para kodre
për ta harruar diellin para nesh2
Në natën e kthjellët si loti pa faj
ne të mbështetur në heshtje
e hijet tona nyjëzoheshin në përqafim
Në roje të dashurisë
ç´na zbehi hëna si hije baladash
kujdes mos të shkelë këmbë e keqe
se na i përhënë hijet në lojë…PAS VDEKJES TËNDE
Edhe pas vdekjes sate
Prapë do të ketë fushë të blertëLulet do të lulëzojnë zjarr
E unë do t´i prek me zemër.FUSHË E NGRIRË
Mos më thuaj
se dhimbje do të kesh në pranverë
Ofshama jote
nënën do ta çojë te lulet e lumitDeri te ai lumë
s´do mund ta kalosh fushën e ngrirë
Kolla e thatë
frymën do ta zëDEGË ULLIRI NË ËNDËRR*
Me malin e kallur mbi kokë
Ujiti lulet në verandë
Që fëmijët të kenë pranverë në dritare
Përmes etjes së zhuritur në lëkurë të gjarprit
Kaloj hejzën e shkretëtirës
E në prehër mbaj thërrmija buke
Të merr pakëz cicërimë
Fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes
Në natën me hënën e kuqe
Në majë gishtërinjsh marr flakë në yll
Ta ndritë rrugën e fjetur
Dhe ëndrrën e fëmijëve ta zë para agimit
E në atë ëndërr
Lë një zog një lule
Fytyrën e blertë të nënës e degën e ullirit*Fituese e çmimit Agim Ramadani, 2006.
UNAZË DHEU
Erdhe me plis të djegur në majë
me faculetë të bardhë nëne
të lidhur katër cepash me nyje malliPër në shtëpi mora atë lot dhe
Ky dhe i Kosovës
mban erë molle
erë shpirti me duhmë zjarri
erë vakësie t ´ëmblit të nënës
erë varri erë lirieMbrëmjeve në dritë të hënës
fëmijëve do t´ua sjell
Galdimit e Albinit
tri herë rreth koke
që tërë natën të ëndërrojnë
se shëtisin në grunaja të bukës së re
me xixëllonja në ballëDo t´ua sjell rreth koke
Albinit e Galdimit
t´ua nyjëzoj shpirtin me Kosovën
me unazën e dheut të përndezur
do ta shijojnë për çdo mëngjes
dhe do të mësohen me erën e tij
rrugës qumështore përmes qiellit
do t´ i pluhuros yjet me prushin e këtij dheuGaldimi dhe Albini
Kosovën do ta gjejnë të bleruar
edhe pas njëmijë vjetësh
kur ta puthin për herë të parë
kanë për të ditur
se kanë puthur Diellin e vet…Nidda, ’99
NË ÇAMËRI
Sa herë meteorët fluturojnë në Shqipëri
Thahet nga pikëllimi një ulli
Në ÇamëriSa herë hëna përndizet
Në Çamëri
Hardhia hedh dhembje mbi dhe
Në bar bie rrush si prush
E digjet ajo fushëSa herë qiellin e ndan vetëtima
Në Çamëri
Vala e Jonit bëhet jelë kali
Në shkëmb varet nga malliBISEDË NË AKSARAJ
(Nga malli në bebëzat e syrit
e njoha se ishte i dheut tim)Kur u nisa këndej- i them
livadhet kositeshin në Kosovë
e ai më rrëfen për gjarprin
që e kafshoi në blerimin e jetësI them se ende i ndërtojmë
Kullat me dritare nga dielli
e ai më rrëfen
për gjenezën e dheutI them se sivjet kemi gëzim në verë
e ftoj në dasmën e madhe të vëllait të vogël
e ai më pyet
sa dërrasa qet plepi skaj oborritE pyes ç´t´i them Kosovës për të
më je mall i djegur në zemër-thotë
në fund e përshëndes TUNGJATJETA
e ai ma ktheu EJVALLA EVLADdhjetor,´85
ATJE DHE KËTU
Atje lash
një pjesë zemre peng
për një copë gur
këtuGjarpri i shtëpisë
Helmohet nga pikëllimiREFUGJATI
As qetë e premtuar për lavër
As dele ne vath për tambël
As dhe për arë e farë
Askund as bar
Vetëm gurë e gurë
Për varrVDEKJA NË KURBET
Në këtë kortezh të zisë
Asnjë mik i rinisë
Asnjë kujtim i fëmijërisëMedet mbi varr
Asnjë lot i gjëmës
Asnjë fjalë e nënësAs mëmë as dhe
Për ty mëmëdhe
As at as dhe
Për ty atdheAsnjë ofshamë e dhimbjes
Asnjë lule e vendlindjesTAKIMI ME NËNËN NË KURBET
Të përcolla burrë
E të gjeta si gurPër ty zemra
Lot flake i vura…LETËRZEZA
Larg shkuam larg përtej nëmës së nënës
përtej ku miza hekurin bren
përtej mallkimit të të marrit të lagjes
përtej ku na gjen vetëm letra e zezëKur të vijë kjo letër
e lidhur me fjongon futë
me shkronja të zeza e kumt të zi
për vdekjen e babait,vëllait a të nënësMe kuaj të qiejve
me kafe të hidhët me dritë vetëtime
do të vij para muzgut të gjëmës
me ty motër do të rrimë para të meititDo të më rrëfesh me dënesë
për vdekjen e babait me sy çelë
nga malli për mua
me mërzinë tonë do ta pikëllojmë natënDo të flasim për fëmijërinë
do të gëzohemi që u pamë
e zemra do të na plasë
nga ndarja e reGJUHA THIKË
Gjuha thikë
derë e gozhduar
bar i egër rreth shtëpie
me dritare të verbrashikimi i vëngër
mollë e këputur
nga pemë e dridhursyri i fëmijës
qiell i trembur
nga rrufeja e krisur
pranvera e djegurKOHË E SËMURË
Përditë ç´na bien flokët
Si ëndrrat miku im
Era s´do të mund t´i kthejë më në një anë
M´sa mendimetDo të kemi kokë tullace si dielli
Prapë do t´i krehim nga shprehia
Do të kthejmë frizura me curril gjaku
Eh ç´të bësh
Sëmundje e kohës është kjo
Miku imShkurt ´89
PËRRALLË PËR KALORËSIT E ZI
Ata
Shalojnë kuaj të zinj si nataTërë ditën i përgjakin fytyrat
Së rruari me thonj
Natën lëshojnë mjekra në zemërNë dasmë
Vrasin bajraktarin
Ia shëmtojnë nuses bukurinë në gjakNë lindjen e fëmijës
Ia fikun yllin
Ia hedhin në detin e vjedhur kamotNë puthjet e njoma
Shartojnë lulen e sherritAta
Shalojnë kuaj të zinj si futa
Ata kurrë kuajve shalën s´ua heqin…HIPOKRIZIA
Kur Patrioti
Bëhet PartiotAtdheu
Bëhet xhepLulet e vjedhura
Pikëllohen mbi varreMe ironi
U fishkëllehet lapidarëve(Kosovë ’06)
PA TITULL
Shqipet e lidhura
fluturonine të lirat
rënë përtokëTë shenjtë
mbetën vetëm varretZgjodhi dhe përgatiti: Sh. Dibrani