Nga Tema
Skënder Minxhozi: Republika Putini
Duhet thënë se tashmë ndaj Mero Bazes është një vazhdë aktesh dhune dhe incidentesh, ku ai përfshihet, dhe përfshihet fizikisht ç’është më e rënda. Tashmë ky gazetar duket që është kthyer në një shënjestër. Është kthyer në një shënjestër si nga faktorë dhe elementë të shtetit, ashtu dhe nga biznesi, për shkak të detyrës si një gazetar investigativ dhe si drejtues i një gazete me natyrë investigative, është vënë në qendër të goditjes nga shumë anë dhe kjo e bën fenomenin edhe më të rëndë. Ne po kthehemi gradualisht në një “Republikë Putini”, pra në një vend ku gazetarët janë shënjestra.
Filip Çakuli: Zakonisht Berisha përmend emra
Mero, për të qenë i sinqertë, ka qenë këto kohë në krye të gazetarëve investigativë. Flas për këtë problem, për zbulimin e marrëdhënieve të kryeministrit me afera të ndryshme korruptive dhe familjes së tij. Dhe prandaj e quaj një skandal dhe e quaj sikur na ka qëlluar të gjithëve ne dhe, në qoftë se kryeministri Sali Berisha reagoi që të merren masa nga organet kompetente ndaj fajtorëve, fajtori dihet. Zakonisht kryeministri ynë i përmend me emra njerëz me familje, ata që bëjnë akte të tilla, kur i intereson. Pra, i përmend emrin e familjes, origjinën e kështu me radhë, ndërsa në këtë rast hesht dhe thotë të gjenden emrat e fajtorëve. Emrat e fajtorëve dihen, nuk ka nevojë për ndonjë zbulim të madh nga kryeministri për të gjetur emrat e fajtorëve.
Mimoza Dervishi: Nuk është një rast sporadik
Dhunimi fizik i Mero Bazes mbrëmjen e pardjeshme nuk është një rast sporadik dhe nuk duhet trajtuar si një aksident i dy bodyguard-ëve të pirë natën. Kjo vjen si pasojë e një dhune të vazhdueshme ndaj botuesit të gazetës “TemA”, si pasojë e kritikave të tij po të vazhdueshme ndaj qeverisë dhe aferave korruptive të një grupi biznesmenësh rrotull kryeministrit, njëri prej të cilëve është edhe autori i ngjarjes së djeshme. Pasi e kanë nxjerrë nga redaksia dhe e kanë bërë që ta nxjerrë në ilegalitet gazetën për ca kohë, pasi i kanë djegur makinën përpara pallatit dhe syve të fëmijëve të tij, së fundmi e dhunojnë edhe fizikisht dhe kjo nuk mund të quhet më një rastësi. Dhe në vitin 2009, të kesh mbetur te pyetja e mesit të viteve ‘90, a duhen prekur gazetarët, kjo është shumë shqetësuese, është alarmante dhe duhet të jetë thelbi i një proteste masive, jo vetëm mediatike, por të gjithë shoqërisë, sepse në fund të fundit mesazhi që është dhënë sot, është se askush nuk guxon më të shprehë lirisht mendimin dhe fjalën e tij të lirë dhe kjo është tashmë një çështje e demokracisë.
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë: “Leksioni” që fsheh krizën reale
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dënon me forcë dhunën e shëmtuar ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze dhe shpreh zemërim dhe indinjatë të thellë për këtë akt. Akti brutal ndaj gazetarit Baze dëshmon për rreziqet reale, me të cilat përballen gazetarët që investigojnë dhe denoncojnë publikisht aferat, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga segmente që qëndrojnë mbi ligjin. Dhunimi i Bazes është një përpjekje mjerane e atyre personave që mundohen përmes grushteve t’i qepin gojën, jo vetëm medies, por edhe ndërgjegjes qytetare.
“Leksioni” që u përpoqën të japin njerëzit e lidhur me mijëra fije me pushtetin e aferave korruptive në Shqipëri shpreh krizën reale, jo vetëm të qeverisjes, e cila është tashmë e kapur nga njerëz me pushtet ekstraligjor dhe kriminal, por edhe përpjekjen brutale për t’i mbyllur gojën medies.
Është qesharak qëndrimi i Ministrisë së Brendshme, e cila deklaron se ka arrestuar dy truprojat dhe ka shpallur në kërkim policor shtetasin Rezart Taçi. Këto deklarata duken aq absurde, njësoj sikur për një veprim të caktuar të kryer nga ministri, t’i ndalohen truprojat dhe ta shpallin vetë ministrin në kërkim.
Shqipëria është kthyer në një vend, ku gazetarët dhunohen vazhdimisht nga politika, e cila ka zgjedhur si formë të re përdorimin biznesmenëve të pasuruar prej saj për të dhunuar e mbajtur nën presion medien. Ballafaqimi i opinioneve, kritikave për qeverisjen dhe hetimi mediatik i aferave korruptive të qeverisë me biznesmenët e saj, po merr përgjigje ndëshkuese, brutale dhe publike. Dhuna ndaj gazetarit Baze është dëshmia më e qartë e humbjes së toruas së shtetit dhe të qeverisë, e cila nuk ka lëvizur asnjë milimetër për hetuar qoftë dhe formalisht të gjitha faktet e publikuara në media për korrupsion, dhe përdorimin e qeverisjes për pasurimin e një rrethi të ngushtë personash afër qeverisë.
Me të drejtë Shqipëria renditet në vendet e fundit sa i përket lirisë së medies. Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë i kërkon autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi dhe të venë përpara përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në dhunimin e gazetarit Mero Baze. Drejtësia nuk duhet të impresionohet nga lidhjet e botës kriminale të biznesit me qeverinë në këtë hetim. Nga ana tjetër, i kërkojmë qeverisë që të heqë presionin mbi medien, presion i cili po përshkallëzohet çdo ditë, herë në mënyrë të kamufluar e herë të drejtpërdrejtë duke degjeneruar deri dhe në dhunë publike ndaj gazetarëve.
Vizion Plus: Qeveria të veprojë
Stafi i “Vizion Plus” dënon me indinjatë aktin kriminal të Rezart Taçit që sulmoi mbrëmë së bashku me shoqëruesit e tij gazetarin Mero Baze. Ky sulm i ndërmarrë për shkak të detyrës dhe i zhvilluar në mes të kryeqytetit në një lokal publik na shqetëson seriozisht në lidhje me ushtrimin e profesionit dhe kërkimit të së vërtetës.
“Vizion Plus” kërkon në mënyrë të qartë nga autoritetet shtetërore arrestimin e Rezart Taçit, vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore për agresion kriminal ndaj gazetarit Mero Baze, si shenjë të parë të distancimit të qeverisë nga ky bandit që abuzon me emrin e pushtetit politik. Ne nuk mund të mjaftohemi vetëm me deklarata përgjithësuese nga qeveria shqiptare, por kërkojmë aksione konkrete që të provojnë se jetojmë në një vend të denjë si anëtar i NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Evropian.
“Vizion Plus” falënderon të gjithë kolegët e medieve vendase dhe ndërkombëtare, shoqatat e gazetarëve, shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm që janë solidarizuar me ne në këtë moment kruçial për lirinë e medies dhe raportit me të vërtetën, të cilën synoi ta cenojë mbrëmë Rezart Taçi me shoqëruesit dhe frymëzuesit e tij. Nga ana tjetër “Vizion Plus” iu bën thirrje dhe atyre kolegëve që nën presionin e Taçit apo frymëzuesve të tij përpiqen të ndajnë opinionin për ta zhveshur këtë bandit nga përgjegjësia e tij kriminale.
“Vizion Plus” garanton të gjithë opinion publik se do të vazhdojmë të kryejmë misionin tonë për të vërtetën pavarësisht presioneve dhe ndërhyrjeve kriminale apo politike.
Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë: Modeli që na duhet
Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë shpreh indinjatën e saj të thellë lidhur me aktin brutal, të patolerueshëm, të dënueshëm dhe të paprecedent të dhunimit të gazetarit të mirënjohur Mero Baze.
Gazetari Baze është shembull i një profili të ri të gazetarisë shqiptare, që i ka munguar shoqërisë sonë në të gjitha dekadat. Gazetaria investigative, hulumtuese, e profilizuar në një emision me një
audiencë të pamohueshme, siç ishte emisioni televiziv “Faktori +”, profesionalizmi dhe metodat e kërkimit që e shoqëronin atë, është gazetaria që ka bërë më shumë vend te njerëzit e medies, por sidomos te publiku.
Gazetarët ekonomikë të Shqipërisë e kanë pasur dhe e kanë model të tyre, pikërisht profesionalizmin, kërkimin e ballafaqimin e fakteve dhe përplasjen e të vërtetave në median e shkruar dhe atë vizive, atë model që e praktikon me pasion e këmbëngulje gazetari Baze dhe stafi i tij në gazetë dhe televizion.
Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë i bën thirrje të gjitha medieve të injorojnë lajmet e biznesit që vijnë nga sipërmarrës, që në vend të fjalës së tyre dhe argumentit, përdorin grushtin, në vend të ballafaqimit me gjetjen gazetareske, përdorin kërcënimin fizik e verbal. Duke shpresuar që drejtësia të respektojë ligjin, në këtë rast të dhunimit brutal të lirisë së individit dhe të medies, ne shprehim solidaritetin me të gjithë organizmat homologë brenda dhe jashtë vendit dhe dënojmë vendosmërisht mjeranët e kamur pasurisht, por të mjerë moralisht.
Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut: Është koha që të kemi një mbrojtje reale
Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV Albania) mësoi mbi sulmin e paprecedent të radhës dhe nga individë me suport nga strukturat e shtetit, mbi kolegun Mero Baze, jo vetëm botues i gazetës “TemA”, por edhe drejtues i emisionit investigativ “Faktori Plus” në TV “Vizion Plus”.
Sulmi vjen vetëm pak ditë pas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, i cili evidentoi problemet jo të vogla me lirinë e medies në vend, duke përmendur si shembull pikërisht gazetarin Baze dhe gazetën e tij “TemA”. Njëkohësisht, atentati i turpshëm ndaj Bazes dhe medies së lirë erdhi pak orë pasi në emisionin e tij televiziv kolegu ynë paraqiti problematikën në lidhje me përdorimin e Policisë së Shtetit nga individë të fuqishëm ekonomikisht, por edhe me suport publik nga pushtetarët.
Goditja dhe lëndimi fizik i kolegut Baze nuk ndodhi në ndonjë periferi të kryeqytetit, por në zemër të tij tek ish-Blloku, madje edhe në prani të dy kolegëve të tij, Andi Bushati dhe Arban Hasani, jo vetëm gazetarë të njohur, por edhe drejtues të redaksive të medieve të pavarura.
Nisur nga rrethanat e sipërcituara, UGPV Albania shpreh protestën e saj të ashpër ndaj akteve të tilla të ulëta, të turpshme dhe prej gangsteri, jo vetëm të bodyguard-ëve të paguar nga padronët, por edhe nga biznesmenë që të paktën në pamjen e jashtme rrezatojnë qytetari. I kërkojmë strukturave të specializuara të shtetit, si Policia, Prokuroria etj., të ndjekin me forcën e ashpërsinë e ligjit këtë çështje, duke vënë para drejtësisë, jo vetëm bodyguard-ët, të cilët, sipas gjasave, do të marrin përsipër të gjithë përgjegjësinë e ngjarjes, por edhe vetë padronin e tyre, Rezart Taçi, i cili nuk duhet të dalë “i larë”, pavarësisht suportit që ka aktualisht. Kujtojmë se kolegu Baze është goditur për shkak të detyrës dhe vetëm pak ditë pasi kryeministri Berisha rikonfirmoi edhe njëherë paprekshmërinë e gazetarëve dhe medieve në Shqipëri.
Jemi të bindur se ka ardhur koha që tashmë pushteti i katërt të ketë mbrojtjen e tij reale dhe jo vetëm për hir të fasadës, që si në rastin e kolegut Baze, rezulton e kotë dhe pa vlerë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Shkodër: Një akt që ka gjasa të përsëritet
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në Shkodër proteston ndaj dhunës së ushtruar parmbrëmë ndaj gazetarit, botuesit dhe analistit të njohur investigativ, Mero Baze, nga biznesmeni Rezart Taçi. Mbi 30 gazetarë, kameramanë dhe punonjës të tjerë të medies në Prefekturën e Shkodrës, që aderojnë në këtë union, solidarizohen me deklaratën e sotme të protestës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Ne dënojmë dhe protestojmë me forcë ndaj këtij akti, i cili ka gjasa të përsëritet dhe të jetë i pranishëm për sa kohë ne vijojmë të kemi ligje të kopjuara mirë që nuk zbatohen. Kjo ndodh prej më shumë se 10 vjetësh si pasojë e pranimit të eksperimenteve të imponuara nga diplomatë të dështuar perëndimorë, merita e vetme e të cilëve është zgjatja e kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri dhe të benefiteve që i shoqërojnë nëpërmjet nxirjes së mëtejshme të realitetit në këtë vend, të mbuluar nga pozicioni komod i organizmave ndërkombëtare, ku edhe bëjnë pjesë.
U kërkojmë autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme që të reagojnë menjëherë. Konkretisht, i kërkojmë Policisë së Shtetit që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë që ishin prezentë, të veprojnë njëlloj sikur të ishte prekur ndonjë zyrtar i lartë i shtetit. Të njëjtën gjë i kërkojmë edhe gjykatës, në mënyrë që të vërtetojë, nëse në këtë vend të gjithë janë me të vërtetë të barabartë para ligjit.
Gazetarët janë personat më të ekspozuar për sa i përket natyrës së profesionit të tyre, për më tepër ata që punojnë në mediet elektronike vizive. Për pasojë, ata janë në gjendje që të përgjigjen dhe të mbrohen qoftë edhe ligjërisht, nëse ato që shkruajnë dhe thonë në medie janë (ose jo) të vërteta. Rasti në fjalë vërteton më së miri se kundërveprimet e dhunshme njëlloj si në filmat me kaubojt e fundshekullit të 19 janë ende në modë në Shqipëri.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Berat: Dhuna ndaj Bazes, dëshmi e vërtetësisë së asaj që shkruan Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Berat dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, rreth orës 23 të mbrëmjes së datës 2 nëntor 2009 nga biznesmeni Rezart Taçi dhe shoqëruesit e tij në një nga lokalet e kryeqytetit në Tiranë.
Fyerjet të shoqëruara me goditjet fizike nga Rezart Taçi dhe shoqëruesit e tij ndaj gazetarit Mero Baze janë akte kërcënuese, jo vetëm për medien në tërësi dhe median investigative në veçanti, por për çdo gazetar profesionist në vend.
Duke e vlerësuar aktin si kërcënim për lirinë, Unioni i Gazetarëve të qarkut Berat dënon ashpër dhunën, dhunuesit dhe në veçanti iniciuesin dhe kryesuesin e dhunës, Rezart Taçi.
Dhuna e ushtruar nga biznesmeni Taçi ndaj gazetarit të njohur politik dhe investigativ Mero Baze është dëshmi e vërtetësisë së akuzave të ngritura prej tij në emisionin investigativ “Faktori Plus”.
Rastet e përsëritura të goditjes që i bëhen pushtetit të medies do të thotë goditje e shoqërisë demokratike dhe precedent i rrezikshëm për kalimin nga një shoqëri e lirë në diktaturë.
Nisur nga këto fakte, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Berat, dënon më indinjatë dhunën e ushtruar nga “bosi” i naftës Taçi me objektiv gazetarin e njohur Mero Baze.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Berat, i përbërë nga gazetarë të medieve lokale dhe qendrore, ndërsa konfirmon solidaritetin me gazetarin Baze, iu kërkon organeve të drejtësisë të veprojnë me të tërë forcën e ligjit për të ndëshkuar aktin kriminal të dhunuesit Taçi, i cili si një nga liderët e biznesit në vend, por që i trembet transparencës, me veprimin e tij të turpshëm dhe të dënueshëm nga ligji dhe opinioni publik kërkon t’i mbyllë gojën medies investigative duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm të kërcënimit të lirisë në vendin i cili pret të integrohet në botën e qytetëruar të Evropës së vlerave të lirisë.
Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”: Një hero i kohës sonë
Goditja dhe masakrimi i gazetarit investigativ, Mero Baze, afër mesnatës së të hënës nga një prej biznesmenëve shqiptarë, së bashku me dy pjesëtarë të truprojës së tij, të përfolur veçanërisht këto kohët e fundit në afera korruptive, është një akt i paprecedent banditesk ndaj shtypit të lirë në radhë të parë, i cili flet qartë për rritje të agresivitetit të personave me pushtet ekonomik e financiar. Në dënojmë forcërisht këtë sjellje rrugaçërie ndaj shtypit e medies të një shoqërie të lirë demokratike dhe kërkojmë nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar që t’i gjejë menjëherë e t’i vendosë para drejtësisë autorët, me qëllim që të dënohen forcërisht aktet e halabakërisë, të cilat janë bërë pjesë e pandarë e psikologjisë së një grushti personash që gëzojnë sot privilegje të pacenueshme pranë hierarkisë së lartë të politikanëve në qeveri.
Mero Baze është sot gazetari më investigativ në medien shqiptare, i cili, jo vetëm rrëzoi një lloj tabuje që kishte mbështjellë në përgjithësi publicistikën tonë shqiptare këto kohët e fundit, por edhe për faktin e thjeshtë se po sjell një tingull krejtësisht të ri, një normë parësore në mediet e një vendi demokratik. I guximshëm dhe i vendosur e me një logjikë tejet profesionale, Baze nëpërmjet gazetës së tij “TemA” dhe emisionit investigativ në “Vizion Plus”, “Faktori Plus”, ka mundur që me një dokumentacion të pasur e një seri provash shkresore, të godasë korrupsionin që e ka mbërthyer sot shoqërinë shqiptare, si një ngërç e kancer asfiksues e vdekjeprurës në të gjitha hallkat e dimensionin e tij me prapavijë politike. Ky gazetar, i kthyer në një “Hero i Kohës sonë”, është vënë shpesh në shënjestër të klaneve që u preken interesa, ku nuk kanë munguar asnjëherë fyerjet e presionet nga më të panumërtat deri në dhunë fizike. Kjo realisht është një violencë që godet në radhë të parë shtypin e lirë, thelbin e vërtetë të një shoqërie të lirë, që inspiron demokracinë e vërtetë e të munguar.
Kërkojmë nga strukturat shtetërore që të marrin të gjitha masat për të garantuar në radhë të parë punën e njerëzve të shtypit e të medies, por edhe t’i ruajë këta të fundit nga presionet e sulmet e pashembullta që janë tashmë pjesë e struktura të veçanta të oligarkisë financiare-ekonomike që vegjeton aty në Shqipëri.